Qytetarët e Kosovës janë bërë së bashku këtë të enjte duke protestuar nga ballkonet e tyre për situatën politike që është krijuar së fundmi.
Përmes një njoftimi në rrjetin social ‘Facebook’ ata shprehen se do të protestojnë ndaj politikanëve pasi janë duke e shfrytëzuar situatën e pandemisë për interesa personale duke krijuar drama dhe pasiguri ndërkohë që duhet të jenë të bashkuar ndaj koronavirusit.
“Sot, qytetarët e Kosovës në kohë pandmie po përballemi me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës. Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.
Sipas tyre, revolta dhe protestimi prej ballkonit e ka një simbolikë të madhe dhe historike tek qytetarët e Kosovës.
“Gjatë viteve të 90-ta, qytetarët e Kosovës, nga ballkonet e dritaret e tyre kanë përdorur mjete të ndryshme të cilat krijojnë zhurmë për të shprehur revoltën ndaj sistemit shtypës të asaj kohe”, thuhet me tej.
Ndërkaq, protesta qytetare erdhi pasi dje LDK-ja ka njoftuar se do të nis mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, për shkak të shkeljes së marrëveshjes që ky i fundit bëri me shkarkimin e Agim Veliut, raporton Telegrafi.