“La Stampa”
Papa Françesku, po e ndjek me shqetësim evoluimin e përhapjes së koronavirusit. Por ai dëshiron të ngjallë shpresën tek “drita” që do të vijë dhe ndriçojë errësirën “që ka hyrë në të gjitha shtëpitë”, në formën e dhimbjes dhe shqetësimeve.
Pashka po vjen “pas dyerve të mbyllura”, me festime vetëm përmes internetit, televizionit dhe radios. Shumë besimtarë që e kremtojnë po vuajnë. Si duhet të përjetohet kjo Pashkë në mes të pandemisë?
Me pendim, dhembshuri dhe shpresë, dhe përulësi, pasi shpesh ne harrojmë që në jetë ka edhe momente të errëta. Ne mendojmë, se ato mund t’i ndodhin vetëm dikujt tjetër. Përkundrazi, kjo është një periudhë e errët për të gjithë, askush nuk përjashtohet.
Ajo është e karakterizuar nga dhimbja dhe hijet, të cilat na kanë hyrë në shtëpi. Është një situatë ndryshe nga ajo që kemi përjetuar më parë. Pasi askush nuk mund të ndjehet rehat, dhe të gjithë janë të shqetësuar në këto ditë të vështira.
A është veçanërisht e rëndësishme që të lutemi gjatë kësaj periudhe?
Më vjen në mendje historia e apostujve gjatë stuhisë që thërrasin Jezusin:”Mjeshtër, ne po mbytemi!”. Lutja na bën të kuptojmë ndjeshmërinë tonë. Pra klithmën e të varfërve, e atyre që janë të fundit, që ndjehen të rrezikuar dhe vetëm. Dhe në një situatë të vështirë, të dëshpëruar, është e rëndësishme ta dini se ekziston një Zoti, të cilit duhet t’i drejtohemi.
Si mund të na ndihmojë Zoti?
Ai na mbështet në shumë mënyra. Na jep forcë dhe afërsi, siç bëri edhe me dishepujt që kërkuan ndihmë gjatë stuhisë. Ashtu siç ia dha dorën Pjetrit që po mbytej.
Ku mund të gjejnë jo-besimtarët ngushëllim dhe inkurajim?
Unë s’dua të bëj dallime midis besimtarëve dhe jo-besimtarëve. Ne jemi të gjithë qënie humane, dhe si të tillë jemi të gjithë në të njëjtën varkë. Dhe për një të krishterë, askush nuk duhet të jetë i huaj. Tani po qajmë sepse vuajmë. Që të gjithë.
Ka humanizëm dhe vuajtje të përbashkët. Sinergjia, bashkëpunimi i ndërsjellë, ndjenja e përgjegjësisë dhe fryma e sakrificës, që gjenerohet në shumë vende na ndihmojnë. Ne nuk kemi pse të bëjmë dallim mes besimtarëve dhe jo-besimtarëve, le të shkojmë tek rrënjët:humanizmi. Para Zotit ne jemi të gjithë fëmijë.
Ndër dramat e Covid-19, ka histori të atyre që vdesin në izolim, pa dashurinë e të afërmve, të cilët nuk mund t’u afrohen për të mos u infektuar. Cilat mendime vijnë në mendjen dhe zemrën tuaj?
Këto ditë më kanë treguar një histori që më preku dhe mërziti, pasi përfaqëson atë që po ndodh në spitale. Një grua e moshuar, kuptoi se ishte duke vdekur dhe dëshironte të pershëndetej me të afërmit e saj:infermierja i mundësoi një video-telefonatë me mbesën e saj.
Pasi pa fytyrën e mbesës, e moshuara u ngushëllua dhe shkoi e qetë në botën tjetër. Është nevoja e fundit për të pasur një dorë që të zgjat dorën. E një gjesti të shoqërimit përfundimtar. Shumë infermierë ua plotësojnë këtë dëshirë ekstreme, duke dëgjuar dhimbjen e vetmisë, e duke u zgjatur dorën.
Dhimbja e atyre që kanë vdekur, bëhet plagë në zemrën e atyre që mbesin gjallë. Falënderoj të gjithë infermierët dhe infermieret, mjekët dhe vullnetarët, që përtej lodhjes së jashtëzakonshme, kanë durimin dhe mirësinë e zemrës, për të duruar mospraninë e detyrueshme të familjarëve në një situatë të tillë.
Kjo emergjencë botërore, karakterizohet gjithashtu nga një rrjet solidariteti, i përbërë nga mijëra njerëz që janë duke bërë sakrifica për të mirën e të tjerëve. Kur gjithçka të mbarojë, a do të na shërbejë kjo në të ardhmen?
T`u kujtojmë një herë e përgjithmonë njerëzve, se njerëzimi është një komunitet i vetëm. Dhe për sa kohë kjo është e rëndësishme, vëllazëria universale është vendimtare. Duhet të mendojmë se kjo gjë do të jetë si gjendje pas luftës. Nuk do të jetë më “tjetri”, por do të jemi “ne’. Sepse nga kjo situatë mund të dalim vetëm të bashkuar.
Nga duhet t’ja rifillojmë ne si qenie njerëzore?
Do të duhet të shohim edhe më shumë rrënjët: gjyshërit, të moshuarit. Të ndërtojmë një vëllazëri të vërtetë midis nesh. Ta ruajmë në kujtesë këtë eksperiencë të vështirë të përjetuar sëbashku. Të shohim përpara me shpresë, e cila nuk zhgënjen kurrë. Këto duhet të jenë fjalët kyçe për të rifilluar:rrënjët, kujtesa, vëllazërimi dhe shpresa.
S.T