“A jeni i gatshëm që të ma lini mua postin e kryeministrit dhe të bëhem unë kryeministër.” Ky ishte mesazhi që i mbërriti në celular moderatores së “Open”, Eni Vasili teksa po intervistonte kryeministrin Edi Rama. Vasili tha se mesazhi i kishte mbërritur nga kryeopozitari Lulzim Basha dhe i drejtohej kryeministrit Rama.
Por ndonëse Basha e mohoi vërtetësinë e mesazhit që atë mbrëmje, gjatë emisionit, Partia Demokratike i është drejtuar me një shkresë kompanisë Vodafone për të sqaruar situatën. Kompania celulare sqaron se mesazhi në fjalë nuk është dërguar nga numri i Lulzim Bashës, por nga një platformë e huaj në internet që përdoret për mesazhe.
Ndërkohë, Gazment Bardhi, sekretar i Përgjithshëm i PD-së, shkruan: “E vërteta është më e qartë dhe e pastër se çdo lojë e pisët apo maskë e skaduar. Le ta shohin dhe gjykojnë vetë shqiptarët se kush e ka mendjen tek pushteti dhe përdor mesazhe të sajuara kundër kreut të opozitës. Me qëllimin e vetëm, të largojë vëmendjen nga propozimi ynë që ndihmon realisht qytetarët dhe biznesin për të përballuar krizën. “