Nga Nikoleta Kovaçi/
(Intervsitë me shqiptarin që punon në spitalin e Lionit, këshilla dhe optimizëm francez në përballimin e situatës virale me Covid-19!)
Ai ka vite që jeton e punon në Francë. Gjendet në spitalin e Lionit. Është i apasionuar pas punës së tij në mjekësi, jo vetëm si profesion po edhe si mision për t`i shërbyer tjetrit, njeriut! Sigurisht të qenurit larg vendit të tij të lindjes, larg të shërbyerit në këtë kohë pranë shqiptarëve të tij, nuk e pengon atë të drejtojë një mesazh për të gjithë shqiptarët. Quhet Ilir Manxura, shërben në repartin e gastro-entérologisë në Lion dhe, ndonëse nuk gjendet në vijën e parë të frontit, ai është aty bashkë me gjithë ekipet e tjera mjekësore të Francës. Me modesti Iliri e pranon: Franca ka sistemin më të mirë në botë të shëndetësisë.
Madje ai nuk ngurron ta transmetojë si vlerë të përdorimi i ‘Merci’ që të inkurajon dhe të bën të besosh në punën tënde. Në një rrëfim profesional për situatën në Francë, përballjen me virusin e çmendur e deri te konsiderata e jashtëzakonshme për mjekët dhe ekipet e mjekësisë në vendin topnë. Si një njohës i mirë i të dy sistemeve Manxura kërkon jo vetëm nga shteti po edhe nga qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të kërkojnë sistem shëndetësor të mirë dhe paga të larta për mjekët, infermierët dhe kërkuesit shkencor. Se sipas tij vetëm ndërgjegjësimi për t`i kërkuar qeverisë më shumë të drejta duke i vënë detyrime e ndryshon sistemin që është në fakt, kaotik. Duke iu referuar praktikës franceze të masave dhe udhëzimeve, ai ka një mori këshillash, por kryekëshilla e tij, ndryshe gjithë të tjerëve është: Mos përshtyni në tokë, është rrezik i pakthyeshëm!
Rrëfimi i Manxurës
Ju jetoni e punoni prej shumë vitesh në Francë, si është të shërbesh në një kohë epidemie?
Po! Që prej reth 21 vite punoj në një spital në Lyon! Në fakt është hera e dytë që jam i pranishëm në situata të tilla gjatë punës time këtu! Hera e parë, në 2009, ku pothuaj ishte e njëjta situatë , me përjashtim të disa parametrave që i përkasin mënyrës të kontaminimit dhe shpërndarjes të epidemive ose pandemive të jem më i saktë. Ka një veçanti të jesh në përballje direkt, sigurisht. është një ndërthurje e e disa emocioneve ku natyrisht bën pjesë frika, reagimet ndaj lëvizjes të situatave apo kurbës së zhvillimit të epidemisë, vëmendja dhe kujdesi për të eleminuar në maksimum gabimet etj.
Por njëkohësisht ka dhe një adrénalinë që të jep atë forcën që të duhet për t`i mposhtur të gjitha këto dhe për tu ndjerë krenar të japësh kontributin që jep në këtë ‘betejë’ do ta quaja. Francezët janë një popull që miresjelljen e kanë në kulturën e tyre dhe falënderimet i përdorin aq shpesh sa ndonjëherë nuk vihen re. Por më beso, që një MERCI e thënë nga një pacient në këto situata është një shpirt force që të jep një efek të konsiderueshëm.
Çfarë është Covid-19 dhe si po organizohet Franca në përballjen me të?
Dihet tashmë që Covid është një virus vrasës dhe akoma me tepër misterioz. Pra nuk ka një definicion përfundimtar mbi natyrën e veprimit të tij. Por pak a shumë disa gjëra janë tashmë të qarta. Mënyra e shpërndarjes së tij është kryesisht nëpërmjet kontakteve të afërta si dhe nga prekja e objekteve që më parë janë prekur nga një i kontaminuar me Covid-19 (nëpërmjet stërkalave të pështymës kryesisht)! Kanë nisur masa drastike edhe këtu. Ndërkohë që është vënë në dispozicion edhe një helikopter mjekësor.
Si është organizuar Franca në përballjen me të?
Franca është një shtet ku organizimi dhe shërbimi shëndetësor është një nga më të mirët në botë (të mos them më i miri. Obama provoi të aplikonte modelin francez gjatë presidencës së tij)! Natyrisht që kjo bën që menaxhimi i situatës të jetë mëse i kontrollueshëm pavarësisht numrit të madh të popullsisë dhe diversitetit të kulturave dhe zakoneve të ndryshme të një numri jo të vogël të popullsisë emigruese.
Ka një “sekret” në këtë menaxhim! Këtu qeveritarët, qeveria dhe vetë populli e dinë pozicionin e tyre dhe e mbrojnë me një lloj fanatizmi, pothuaj instiktivisht! Pra një qeveritar, në bazë të funksionit të tij e njeh dhe e bën apo mundohet të bejë punën brenda kompetencave dhe kufijve të paracaktuar. Një president del dhe shpall dekretet dhe publikon një plan masash në tërësi. Më pas specialistët, grupet mjekësore, shkencore, organizative, deri tek hallkat e fundit bëjnë punën e tyre të pavarur dhe njëkohësisht në bashkëpunim me njëra-tjetrën në bazë të ligjeve ekzistuese dhe kompetencave.
Qeveria franceze ndjen dhe sigurisht që ka përgjegjësinë për të gjitha deklaratat në situata të tilla. Vlerësimi që i bën jetës së njeriut nuk llogarit asnjë shumë! Nuk është ajo që mund të mendohet se është vend i pasur! Jo! Unë mendoj se është një vend i mirëorganizuar dhe një popull i zgjuar jo militant që di të mbajë nën presion qeveritë e tij duke levizur përqindjen e zgjedhjes majtas e djathtas sipas interesit të tij dhe jo qeverive! Masat e fundit nga Macron janë mirëpritur dhe janë aplikuar e vazhdojnë të aplikohen me një rrjedhë normale dhe aspak të ngarkuar!
Çfarë iu sygjeron shtetasve shqiptarë, po kolegëve tuaj?
Shqiptarëve ju sugjeroj të kujdesen maksimalisht në radhë të parë për moshat e mëdha. Izolimi i tyre është mëse i nevojshëm. Shqiptarët duhet ta konsiderojne çdo ambient ku shkelin apo prekin si nje ambient të kontaminuar. Por njëkohësisht duhet t`i konsiderojnë këto ambiente si ambiente stérile pa i kontaminuar ato. Pra , kujdes hedhjen e pakontrolluar të mbetjeve dhe sidomos vetekotrollin për të pështyrë në tokë.
Duhet ta konsiderojmë këtë si një akt mjaft të rrezikshëm që mund të rëndojë mbi veten e tyre! Gjithashtu do t’ju kërkoja të kenë kujdes për hyrjen e virusit në ambientet e brendshme! Shumë e rëndësishme kjo! Nëse këpucët dezinfektohen nga poshtë apo lihen në një ambjent të lagur me klor të holluar dhe minimizon prekjen e tyre me duar dhe nëse preken me pas deri sa duart të lahen apo dezinfektohen mos prekni asgjë tjetër. Gjithashtu nese kemi dyshime se teshat prekin objekte në ambiente publike mos hezitoni t`i hiqni dhe lani menjëherë në lavatriçe. Është e vështirë dhe e vërtet se duken pak masa ekstreme por mos harroni: Një sekondë është kontaminimi. Dhe nëse ti vepron mirë 100 herë dhe gabon një herë nuk ka më rëndësi ajo 100! Gjithesesi qetësia dhe besimi janë deçiziv.
Macron dha një shpresë në një formë premtimi se do të gjendet një zgjidhje sa më shpejt. Të gjithë parametrat shkencore dhe financiarë janë për këtë gjë! Në fund, por jo më pak të rëndësishme shqiptarve ju bëj thirrje të lënë anësinë politike dhe për të mirën e tyre të jenë shumë më tepër kërkues ndaj qeverisë për mbështetje financiare! Të mbrojë dhe përkrahë personelin mjekësor duke e konsideruar atë si një prind që kujdeset për fëmijën, si një fëmijë që kujdeset për prindin e moshuar, si motër e vëlla që përkushtohen ndaj njëri-tjetrit . Si një shqiptar i mirë që kujdeset për një tjetër shqiptar sipas zakonit dhe traditës shekullore!
Edhe diçka: Të eleminojnë përdorimin e anti-inflammatoires si ‘Advil Libubrufen dhe kortizonet. Për gjithçka konsultë me mjekun dhe të përdorin paracetamol por pa abuzuar. Jo kot! Vitaminë C është gjithashtu e dobishme .
Çfarë na afron nga përditshmëria e shoqërisë dhe e mjekësisë franceze?
Është krejt tjetër gjë. Nuk mund të bëj dot një krahasim ndërmjet dy sistemeve shëndetësore në Francë dhe Shqipëri. Sepse ndonjëherë më duket sikur njësia matëse për këtë krahasim akoma nuk ekziston. Më vjen keq për këtë! Të siguroj që ka një profesionalizëm shumë të mirë të ekipit mjeksor në Shqipëri! Po! Ka shumë. Por nuk ka asnjë lloj organizimi, trajtimi, stimulimi financiar apo edhe moral. Ka një amulli totale në qarkullimin e pagesave apo rimbursimeve të pacientëve. Në Francë mjeku njeh emrin, diagnozën dhe kronologjinë e problemit dhe aspak gjendjen financiare apo kulturore të pacientit, racën apo çdo gjë tjetër që mund ta vendosë atë në konflikt!