Nga Beatriz Navarro “L’avanguardia”/ Në mesin e një reagimit kaotik të Shtëpisë së Bardhë ndaj krizës së koronavirusit , konferencave të shtypit që nuk respektojnë distancën minimale sociale, dhe deklarateve boshe nga një president i dëshpëruar për të dhënë ndonjë lajm të mirë, zëri i qetë i mjekut Entoni Fauçi është i vetmi që duan të dëgjojnë shumica e amerikanëve.
“Entoni është bërë një yll i madh i televizionit”-tha Donald Trump të martën. Padyshim, është komplimenti më i madh që mund t’i bësh dikujt. Por mjeku në fjalë, është shumë më tepër sesa kaq. Fauçi, 79-vjeçar, është një nga autoritetet më të mëdha në botë për sëmundjen infektive të AIDS-it.
Ai është shkencëtari, që ka ditur të fitojë besimin e komunitetit gay, dhe të drejtojë luftën e autoriteteve amerikane ndaj kësaj sëmundje në fillim misterioze nën administratat Regan dhe Bush. Epidemiologu i njohur, drejtoi edhe reagimin e vendit të tij kundër sëmundjeve të rrezikshme të Ebolas dhe Zikas pak vite më parë.
Fauçi është ndërkohë edhe një komunikator i aftë, si për të folur me laureatët e Nobelit në mjekësi, por po ashtu edhe për t’ju drejtuar të rinjve përmes Facebook Live me një ton të qetë dhe me fraza plot humor, për të rritur ndërgjegjësimin e atyre që janë nën 30 vjeç, mbi sjelljen që duhet të kenë përballë krizës aktuale.
Vetëm ai ka qenë në gjendje deri tani të marrë fjalën për të korrigjuar Trumpin, por pa e irrituar këtë të fundit. Por në të njëjtën kohë, pa e rrezikuar besueshmërinë e tij si drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID), duke thënë vetëm të vërtetën mbi situatën në SHBA në lidhje me pandeminë e fundit.
Djali i dy emigrantëve italianë, Entoni Fauçi lindi në prag të Krishtlindjeve të vitit 1940, në një nga zonat më të varfra të Bruklinit në Nju Jork. Sapo pati mundësi, familja u zhvendos në një lagje më të mire, dhe prindëri hapën një farmaci. Babai punonte në laborator, ndërsa nëna dhe e motra ambalazhonin barnat.
“Unë i shpërndaja porositë me biçikletë”- do të kujtonte ai vite më vonë, duke vlerësuar maksimalisht prindërit e tij që e inkurajuan gjithnjë të kërkonte përsosmëri në gjërat që bënte. Pasi studioi në shkollën katolike të lagjes, djali i farmacistit u pranua në Shkollën e Mesme Regis në Manhatan, dhe më pas në Holy Cross College në Masaçusets, që të dyja të drejtuara nga Jezuitët, të cilët ai falënderon që e stimuluan të jetë i disiplinuar në punën e tij shkencore.
Në vitin 1966, Entoni u diplomua mjek në Universitetin Kornëll në Nju Jork, dhe 2 vjet më vonë u transferua në periferinë e Uashingtonit, për të punuar si ndihmës/laboraant në një qendër të lidhur me NIAID. Në të paktën dy raste, ai refuzoi të drejtojë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë.
Pasi u specializua në imunologji, në vitin 1984 u emërua drejtor i kësaj agjencie federale, e cila është përgjegjëse për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve infektive. Një ndër to ishte virusi misterioz i SIDA-s.
Komuniteti gay, i zemëruar nga apatia e qeverisë federale përballë vdekjeve të shumta nga kjo sëmundje, e priti atë me agresivitet. “Vrasës!”, “I paaftë!”, ishin disa nga etiketimet ndaj tij. Por ditën kur ata protestuan para zyrës së tij, ai i kërkoi policisë që të mos i arrestonte, teksa doli jashtë duke i ftuar që të ulen dhe bisedojnë bashkë.
Gradualisht, ai e fitoi besimin e tyre, dhe Fauçi mbështeti përpjekjet e aktivistëve si Lerri Kramer, me të cilin u bë mik, për të përshpejtuar trajtimet antivirale të sëmundjes. Paralelisht, ai shmangu rezistencën e administratës Regan, dhe ndërmorri një fushatë të madhe publicitare për të zhdukur stigmën e publikut ndaj kësaj sëmundje.
Studimet e tij ishin vendimtare për të kuptuar funksionimin e virusit, për të cilin tha që në vitet 1990, se mund të frenohet në mënyrë që të mos jetë fatal për të sëmurët. Sot ai e pohon se është i mundur prodhimi i një vaksinë kundër HIV, dhe prandaj pavarësisht moshës së thyer, vazhdon të punojë për ta krijuar atë.
Ndihma ndaj qeverisë amerikane për të kapërcyer pandeminë e koronavirusit, me sa më pak vuajtje nga një administratë që ka shkarkuar nga puna shumë ekspertë, që e përçmon vlerën e informacionit të vërtetë, dhe që është e përkushtuar për diskreditimin e shkencës, është beteja e tij e fundit.
Fauçi e mbështeti vendimin e presidentit Trump për të mbyllur kufijtë e SHBA-së me Kinën më 31 janar. Por ai theksoi se virusi nuk do të zhduket “si me magji” siç u shpreh Trump. “Më mirë të përgatitemi, dhe të marrim masat e nevojshme për ta frenuar dhe zbutur epideminë”- deklaroi ai.
Nuk ka asnjë ilaç çudibërës kundër Covid-19, ka theksuar Fauçi mbi premtimet e Trumpit për efektivitetin e kurave të caktuara eksperimentale. “SHBA-ja është ende larg një vaksine, dhe jo siç thotë presidenti, pasi do të duhen 12-18 muaj që ajo të dalë në treg”- theksoi ai.
Dhe e vërteta nuk tingëllon katastrofike në gojën e Fauçit. Ai pranon se sistemi shëndetësor në SHBA nuk ishte gati, por pohon se vendi mund ta përballojë krizën, dhe se prioritet është që të gjithë të marrin masa paraprake mbrojtëse. Shpjegimi me fakte se si funksionon zinxhiri i infektimeve, na ndihmon të kuptojmë se që të gjithë mund të ndihmojmë në këtë luftë.
“Ku është doktor Fauçi?”. Mbarë SHBA-ja u habit të mërkurën dhe të enjten, kur u konfirmua se ai do të mungonte nga konferenca e përditshme e shtypit përkrah Trumpit mbi koronavirusin. “Ai do të jetë këtu nesër”-tha Trump të enjten. Dhe kështu ishte. Të premten Fauçi u shfaq por me një pamje më të shqtësuar.
Shkencëtari e korrigjoi sërish presidentin, këtë herë në lidhje me efikasitetin e klorokinës kundër Covid-19. Ndërkohë ai e vlerësoi dhe e mbështeti “fuqishëm” vendimin e shteteve të Nju Jorkut dhe Kalifornisë, për të urdhëruar izolimin e popullatës së tyre, një vendim që pjesa tjetër e shteteve nuk kanë dëshirë ta miratojnë. Ndërkohë vetë Trump, nuk beson se është ende i nevojshëm një bllokim në nivel kombëtar./ S.T