Nga Nikoleta Kovaçi
I dashur koleg, unë s’mbaj ditar! Kam vite e vite pa mbajtur, që kur dita ime nuk ishte më e imja! Që kur se dija se e kujt ishte, që atëherë hoqa dora nga një afeksion kaq brilant që të jep shkrimi i mbyllur në një arterie letre! Kisha frikë që as letra s`ishte më ajo që i duhet një ndjesia aq personale me veten, me kohën, botën, e përtej botën. Ditari yt i karantinës në Crema, një ndër dy komunat më të mëdha të Cremonës së bukur, më bëri të reflektoj! Ti je një prej kolumnistëve më të njohur të botës, po di aq bukur t’i falesh Cremës tënde, di të përmbahesh aq fort në dhimbjen e madhe të gjunjëzimit nga vdekja po aq sa t’i japësh kuptim edhe shpresës mesazhit: Jeta vazhdon!
Vendosa të të shkruaj për të treguar Tiranën e një copëhere!
Është e dhimbshme, por në anët e mia thuhet se dhimbjet ndahen veç me ata që e njohin! Ndaj edhe nëse bëj ndonjë gabim, nëse nuk gjej fjalën e duhur, nëse them gjë më shumë apo lë ndonjë boshllëk, e di se s`do më gjykosh si ‘ekspert’ që rastësitë të kanë vënë në krye të një pune! E di se do e kuptosh dhimbjen time, se është e njëjtë dhe njësh me tënden, tuajën, të italianëve dhe të Italisë! Madje do të tregoj edhe ca foto; s`janë të bukura si Crema jote, as si katedralja e Duomo-s, por ka nga ato që përcjellin shpresë për ne, për ju, për sot e për nesër! Do t`i tregojnë të gjitha fytyrat e Tiranës së infektuar! Këtu është epiqendra e infektimit për vendin e shqiponjave, ashtu siç është edhe kryeqendra..! Po përpëlitem në një pakuptimësi po kaq tronditëse sa edhe në një rrugëtim tutje-tu nëpër një dhomë e kuzhinë, dy ballkone të vockla, ca lajme të shpejta nëpër botë, ca lot dhimbjeje për Bergamon tuaj dhe të historisë…, dhe kthim prapë në amullinë tonë!
…Sot e thyeva karantinën. Dola herët! Bëra pak blerje, krejt modeste, më shumë në shërbim të kafesë së munguar! Unë kafenë e kam mik dhe mikeshë, e kam, si të thuash, bukë e ushqim; është ndër ato gjërat e dashura të miat që s`ma zëvendëson asgjë, siç psh, edhe të shkruarit, lexuarit apo të folurit me Njerëz! Pastaj vetëm ju ma kuptoni këtë mungesë ‘expressi’ te bari i lagjes, te qendra e komunës, e qytezës, e lokalit të përzgjedhur afër punës, apo edhe të hapit në nxitim e sipër në kërkim të së vërtetës që është kaq relative në këtë botën e sotme të mbuluar dhe sunduar nga 5G-ja… Më pas mora arratinë. Doja të ‘lajthisja’ nëpër Tiranën e Shqipërisë. Doja të shihja çdo cep e skutë të saj; kisha 10 ditë pa e parë! Se dija në kishte dhimbje, ishte larë e tharë, apo s`e kishte vu kush ujin në zjarr për të! Madje doja të shihja edhe njerëz të tjerë, që e duan si unë, sa unë, sa ajo e meriton. Gjeta! U lumturova sa më s`ka! Kisha vendosur një cak. Duhej të shkoja atje, i binte ta kapja Tiranën nga pjesa e poshtme, si të thuash; nga këmbët! Në rekomandimet që na janë dhënë për tu mbrojtur nga ky përbindëshi COVID-19 na është thënë se këpucët nuk duhet të futën në shtëpi, duhet të lihen jashtë dhë të dizenfektohen! Pastaj, të heqësh rrobat me të cilat ke qenë jashtë dhe t`i fusësh në lavatriçe. Tirana ishte me ‘këpucë’ të pahequra fare nga këmba prej më se 10 ditësh, dukej që me to ngrysej e zgjohej, me ato rrobat e saj të palara qëndronte aty, e dukej sikur i ulërinte diellit; mos nxeh kaq fort se më dhemb lëkura!
***
Unë banoj në një zonë, ose më saktë, në anë të një rruge, që pa asnjë tepri mund të quhet rruga më e pasur në të gjithë globin, në këtë rruzullin që ka brenda gjakut virusin e çmendur, dreqi e di në ç’skutë reptilësh ngjizur… Mbase të shkon mendja te ndonjë rrugë New York-u, Amsterdam-i, Milano-je, apo ku di unë. Jo jo, ajo gjendet në Tiranë, në një gjatësi prej më shumë se dy km. Në të gjen gjithë botën, krejt risitë e shkencës, teknologjisë, modës, ndërtimit. Kur ia shpjegoj time Më-je në terma më të thjeshtë këtë pasuri, ajo me një ironi therëse më thotë: “Po babë e nanë a gjenden k`tu? Jo! Atëherë kjo nuk ka asgja ma shumë se sa një rrugë fshati”- dhe përmend rrugën e Carpaneto Piacentino që e çon tek vendbanimi i saj i kësokoh`shëm. ‘Via Dante’ që del nga një qendër kaq e bukur fshati dhe gjarpëron mes kulturave të jeshilta, që gjendet jo larg Cremës tënde të bukur dhe Codonjës së virusit të pabesë iu mori jetën qindra e mijëra italianëve, e po kërcënon gjithë njerëzimin, është rruga të cilën ajo e njeh tashmë më mirë se rrugën që e sheh nga ballkoni i kuzhinës në Tiranë…
Itinerari im ndërpritet herë pas here, me një shkëndi reflektimi, lutje për njerëzit, përshëndetje të panjohurish, shkëmbime si nëpër dhëmbë: Paç fat… dhe, më pas, i falem telefonit tim. Një iPhone i harruar, që ka mbetur tek unë siç mbesin sendet e domosdoshme. Fotografoj dhimbjet e Tiranës, batërdinë e frikës së varur në çengelin e ekzistencës së kurdohershme ndër ne, po edhe gëzim-shpëtimin e saj. Diku fle një betoniere, diku një gërryes toke deri në zemrën e saj, qëndron mbi kokën e gropës-hapur, njerëz të kujdesshëm me maska e doreza në një grumbull të mbushur me blerës ushqimesh, fruta-perimesh, miell dhe vaj! Unë e di se është gjithçkaja e tyre, por të qenurit ngjitur me njëri-tjetrin në këtë kohë virale, që askush ende nuk di të thotë se ç`dreq është që po vret kaq pamëshirë, thuhet se është rrezik. Në fakt edhe në kohë gripi të zakonshëm ajo dyndje duhej të ishte rreptësisht e ndaluar. Asgjë se justifikon kalimin nga normaliteti në një frikë urdhri që në orën 13.00 e për dy ditë në vijim s’do të ketë asnjë dyqan, market, e asgjë që shet ushqime hapur. Pastaj nisi kalkulimet, sapo para meje, në një rrugë lagjeje afër ‘këmbëve’ të Tiranës, një kamion me tonelata shufra hekuri nxitonte me më shumë se 100 km/h! Ti ndoshta se di, sepse ti merr autostradën e Diellit të shkosh në redaksinë e gazetës, po ne, në vendin tonë, s`kemi thuajse asnjë rrugë që ta mundëson këtë shpejtësi, as me makinat e prodhimit të fundit, që në këtë kohë karantine lëvizin pa ndjerë frikën se virusi mund të depërtojë në mjetin luksoz! Eci dhe vijoj të mendoj për shufrat e hekurit në ç`trup betoni do t’ngulen dhe ç’hapësirë të gjelbër do t’ekzekutojnë, e pastaj prapë tërhiqem; sot punojnë ata punëtorët e shkretë të ndërtimit, ata që kurrë s’ju paguhen siguracionet, asnjëherë nuk pajisen me masa mbrojtëse, jo ndaj virusit po ndaj kovës së llaçit që e ngjesin me dorë nga një dërrase skele në tjetrën, që rrallëherë marrin pagat e tyre, që thuajse asnjëherë nuk figurojnë në asnjë listë pronarësh që ndërtojnë për të pastruar produkte të veprës penale. Kështu na kanë thënë ta quajmë pastrimin e parave, sepse kështu e kanë vendosur edhe në Kodin tonë Penal.
***
Një kumbull dhe një pjeshkë, me rrënjët poshtë betoni, kanë çel lulet! Kanë kthyer fytyrën nga dielli e qielli. Duket sikur janë aty për të të gëzuar pa asnjë pengesë. Rrinë kryelartë, sikur të thonë se s’kanë asgjë që i ngjan tokës së rrënuar prej nesh. Asgjë të përbashkët me Tiranën tonë ku, në një zymtësi kritike për jetën, njerëzit në një turravrap të hutuar të japin përshtypjen e ikjes prej vetes. Minitregje nëpër lagje që gëlojnë sikur pasdite aty të kalonte pushtuesi i dikurshëm, e jo një urdhër i diktuar mbylljeje në shtëpi. Shqiptarët e kanë të vështirë të ndahen në t`mirë as në t`keq ajo diktaturë monstër që iu mori më shumë se 4 dekada jetë. Nga frika e mbarimit… vrapojnë kush është më i zoti të marrë i pari, të tjerët, ashtu në turmë, të marrin ç’mbetët! Por Tirana ka edhe njerëz që e njohin domosdoshmërinë e radhës sot, të distancës, të mosngjeshjes së frymës kur ke mundësi të jesh i paprekur. Nevoja për ca ilaçe të dosmodoshme në banesën e karantinës më çoj tek një farmaci në të cilën punon një zonjë profesioniste. E njoh, e këtu duket sikur biem në koflikt interesi, në fakt unë kam bindjen, që në vendin tonë, farmacisti është mjeku më besnik i joni. E di se s’do ta kuptosh në këtë kapërcyell mijëvjeçari, por është e vërtet. Kur ti trumpeton sistemin shëndetësor të vendit tënd si më të mirin në botë, kur unë e kam prekur nga afër, mu aty në zemrën e Veriut të Italisë, sigurisht që s’kam se si të ta shpjegoj se jeta e një pjese të madhe shqiptarësh, kryesisht të pamundurve nga ana ekonomike, lidhet pazgjidhshmërisht me njohjen dhe besimin ndaj farmacistit. Sidomos kur bëhet fjalë edhe për një grua që humanizmi i saj përçon një siguri që mund gjithë të keqen që na është ngjitur për mendje e shpirti! Unë jam njeriu më i paditur në fushën e mjekësisë. Nuk di asgjë prej gjëje se çfarë më duhet kur dhemb kryet, kur lëviz temperatura apo edhe kur ndodh ndonjë komplikacion, unë sërish s`di ta emërtoj. Këto kohë kam nisur të gjurmoj këtë virusin-monstër gjithandej, por unë sërish nuk e kuptoj se si dhe nga mund të na godasë. Në fakt me sa shoh, pak kush e di, dhe ata që e dinë e nuk e thonë, nëse ka, dikush, ose Zoti duhet t`i ndëshkojë për krime kundër njerëzimit…
Mikja ime, dhe jo vetëm, Violeta, që ne e thërrasim Leta, ka vënë rregull! Nga larg dallohen njerëzit të vënë në radhë, madje në të dy anët e shkallës, janë më larg se një metër. Të tjerat kanë kapërcyer rrugën e rrinë nën hijen e një peme të panjohur për zonën. Në radhë gjendeshin gra dhe burra, ndërsa një vajzë, ndihmëse e zonjës, për të evituar pritjet iu shërben edhe jashtë. Aty askush nuk ka pretendime! Presin pa u mërzitur, ndërsa Leta bashkë me ilaçet e recetës jep edhe nga një copë shpirt! Nis e mendoj; pse mjekët e vendit tim nuk janë të gjithë kaq njerëzor, pse infermierët e vendit tim s`janë të gjithë kaq shpirtërorë, pse sistemi i shëndetësisë nuk ka njerëz kaq të përkushtuar e profesionistë sa kjo grua që gjendet në anë të Kombinatit, një lagje e harruar po edhe e lakmuar sëfundmi, pas tërmetit?! Unë shkoj rrallë në farmaci! Zoti më ka mbajtur më shumë hatër për gjithë këto vite. Por banorët e zonës e njohin vendin ku shërbehet profesionalisht dhe mirësisht. A s’kemi nevojë, përveç medikamentit të duhur, edhe për pak dozë mirësie në këtë kohë kataklizme? Sigurisht që po! Madje do të thynte edhe matrapazin, që pak metër më poshtë, në një derë ndërtese me blloqe kishte të shkruar: Kemi maska! Madje do të thyente edhe grosistët e madikamenteve mjekësore që në vendin tonë sjellin shumëçka i skadon Europës moderne, që sot s`po gjen dot ilaçin ta mundë kuçedrën që rrënoi Bergamon, qytetin që shpiku shërbimin modern postar prej më shumë se 1500 vjetësh. Tek ne, e ndër ne, është thyer besimi reciprok mes mjekut e pacientit. Nuk funksionon si marrëdhënie domosdoshmërie jetike por si një marrëdhenie marrje-dhënie! Ata që e thyejnë këtë sistem, sigurisht që i pret ndëshkimi, sepse ne, thuajse gjithçka, e kemi ndërtuar në këtë kurth që na pajis çdo ditë me virusin e nënshtrimit.
***
Largohem për pak nga ajo qoshkë që mbante në të njerëz që e duan Tiranën sa jetën e si jetën dhe hidhem në një grumbull njerëzish. Mu ndal fryma e mu trishtu shpirti. Qindra njerëz në një rrugicë të fshehur mes dy blloqe pallatesh mbushnin qeskat me të gjitha llojet e ushqimeve. Ngjante si të thuash me një copë buke ku të gjithë thyejnë urinë si në bukën e fundMeshës së shejntë! O Zot; a thu njihet jeta para nevojës për të ushqyer stomakun?! S`di! Ato pamje dhe ata njerëz, bashkëjetuesit tanë në ‘këmbët’ e Tiranës së dorëzuar, lëviznin si mizat në një copë cung të lyer me një mjalt fals. Askush nuk mund ta imagjinojë atë pamje, por kur të thonë se: Këtu është më lirë dhe s’kemi asnjë mundësi tjetër, atëherë aty të flaken kujdesi, profesioni, pasioni, misioni; fundja qenia njerëzore gjithnjë ka dëshmuar që është e pamundur të vetëkontrollohet në kërcënime luftërash! Nevoja për mbijetese nuk njeh luftë virale, as bakterologjike, as kimike, as atë me armë dhe bomba! Lufta e tyre, ajo që përceptojnë nga deklarata të papërgjegjshme në ekrane pafre 24 orë me 24, tregon se mund të fitohet edhe në një treg rruge, ku gjethja e një qepe të njomë ka marrë ngjyrën e tokës nga pluhuri dhe këmbët e panumërta që e shkelin bashkë me virusin që na është thënë se rri kudo nëpër vende të papastra. Mendoj policinë në turmë, ushtrinë dukë u bërë gati të hidhet në rrugë, ndonjë dashamirës të asaj turme të ndërhyjë por besoj se kushdo që do të ndodhej aty, si unë, do të smbrapsej, përballë atij dorëzimi në harrimin e kërcënimit tinëzar të jetës.
Në kthim, pata kohë të mendoja edhe për ju. Atje më rrin një pjesë e mirë e familjes, pjesa më e mirë e imja. Unë flas për ditë me ta! Pyes për gjithçka i ndodh Italisë! Më saktë zemrës së saj, mushkërisë së historisë, krenarisë së ekzistencës së të përkryeres… Mi thonë të gjitha: si janë vendosur flamuj në çdo dritare, ballkon, hyrje, se si bandat e muzikës nuk ndalojnë, se si njerëzit dalin e këndojnë këngë lirike vetë pa patur nevojën e asnjë orkestre! Më thonë edhe për mungesat… ato të pazëvendësueshmet më me ardhje… Tashmë kam nisur tu vë emra ikjeve tuaja… më duket sikur i njoh të gjithë, sikur ua dija diagnozën, pamundësinë dhe të ekspozuarit përballë armës shfarosëse që i kanë vënë edhe një emër! Në çdo hap më del edhe një lutje. Unë si njoh të gjitha lutjet e Kishës, po unë njoh krejt lutjet e shpirtit. Si unë, janë me qindra shqiptarët që luten si unë e sa unë për fatin e keq që iu mbiu në derë. Që po na rrethon edhe ne. Që na kërcënon me gjuhë varri e varrëmihësish, ndërsa një mendim duket sikur thyen edhe qiellin: Njeriu do ta mundë i vetëm kuçedrën që u ngjiz ku i dihet në skutë mazokistësh, zemërzinjsh e hakmarrësish!
Nikoleta Kovaçi/Fjala.al/