Materiali i sugjeruar është marrë nga libri “Konspiracionet dhe mashtrimet më të famshme të të gjitha kohëve” me autorë Jonathan Vanckin (Xhonatan Venkin) & Jon Whalen (Xhon Uheilen). Vëllimi me nëntitullin mbështetës: “Misteret, mashtrimet dhe intrigat më të mëdha të historisë” ka ardhur në shqip nga Valter File ndërsa është botuar nga shtëpia botuese “Bota Shqiptare”.
***
A janë të mjaftueshme faktet që vërtetojnë, se qeveria amerikane ruan trupat e jashtëtokësorëve të aksidentuar?
Përse CIA është e interesuar të ç’mitizoj prezencën e UFO-ve?
Të paktën këtu, ka një sërë faktesh, që janë vërtetë shqetësuese, në lidhje me punën këmbëngulëse, për të fshehur të vërteta të padiskutueshme.
Çfarë u rrëzua në Rozuell, në Nju Meksiko?
Diçka e madhe ngjyrë argjendi u lëshua tatëpjetë duke u lëkundur dhe u përplas midis reve të pluhurit në shkretëtirë, me një gjëmim të jashtëzakonshëm. Të marra në përgjithësi këto janë faktet e padiskutueshme. Ishte data 2 korrik e vitit 1947.
Interesimi që qeveria tregoi menjëherë ishte shumë i madh,… çfarë ka qenë konkretisht? Gjithashtu ky interesim është dokumentuar e zezë në të bardhë. Forcat ajrore dërguan një ekip për të mbledhur mbeturinat. Një nga copat e metalit, e sjellë për t’u studiuar në bazën ajrore të “Rajt-Petersonit” në Dejton, Ohajo, ishte e gjatë, rreth një metër e njëzetë. Gjeneral Roxher Rejmi, i cili përgjigjej për operacionin, urdhëron njerëzit e tij që të mos jepnin asnjë informacion për shtypin. Por para se ta jepte këtë urdhër, oficeri i qendrës së shtypit të bazës lëshoi njoftimin, ku thuhej, se objekti i shkatërruar ishte “disk fluturues”. Lajmi arriti deri tek një radiostacion në Alberkërki. Gjatë kohës që jepej reportazhi, arriti mesazhi nga FBI-ja: “Kujtesë për Alberkërki, ndërprisni transmetimin. E përsërisim, ndërprisni transmetimin. Çështja prek sigurinë kombëtare të vendit. Ndërprisni transmetimin. Mos e jepni…”
Disa ditë më vonë forcat ajrore japin një konferencë shtypi dhe njoftojnë, që mjeti fluturues i shkatërruar në Rozuell ishte një aerostat.
Në fakt saga e UFO-s kishte filluar disa ditë para kësaj, kur Kenet Arnoldi, biznesmen dhe aviator amator, ndoqi me avionin e tij privat një skuadrilje prej nëntë objektesh fluturues “kërcyes, të lëvizshëm në formë zigzagesh”. Sipas përshkrimit të tij kishin formën e disqeve. Një punonjës shakaxhi i byrosë së AP1 përdori frazën “disk fluturues” në njoftimin telegrafik dhe që atëherë ajo frazë u fut në gjuhën angleze. Forcat ajrore ngulin këmbë, që Arnoldi kishte përndjekur “mirazhe”.
Dëshmitë e mara nga viti 1947 e këtej për UFO-t janë të panumërta. UFO-t janë kapur në fotografi dhe filma, edhe në gjendje statike edhe në lëvizje. Shfaqen papritur kudo nëpër botë, madje edhe në kozmos. Ka dëshmi të kozmonautëve të NASA-s se kanë vënë re objekte të pazakontë. Shon Mortën, i njohur si shkrimtar për UFO-t dhe bashkautor i “Faktorit të mijëvjeçarit”, vë në dukje, që për ndonjë arsye, fotografitë e bëra nga NASA për “anën e errët” të Hënës janë të sekretuara.
Është e lehtë të përhapet miti, që UFO-t u shfaqen vetëm atyre që janë ulur për të zhvoshkur misrat dhe banorëve të karvanëve. Një vështrim i shkurtër për shkrimet rreth UFO-ve tregon, që pilotë nga shtete të ndryshme, përndjekin rregullisht “pika pluskuese” të paidentifikuara.
Në 23 nëntor të vitit 1953 një gjuajtës “F-89” ndoqi një UFO mbi liqenin Sypirjër. Sipas vëzhguesve të ekranit të radarit të dyja pikat pluskuese u shkrinë tek njëra-tjetra dhe u zhdukën. Aeroplani reaktiv dhe piloti i tij togeri Feliks Monkla, u zhdukën pa lënë gjurmë. Për shkaqe të pakuptueshme në dosjet e forcave ajrore për këtë zhdukje ka vetëm dy faqe. Njëra prej tyre është nga libri që mohon ekzistencën e UFO-eve.
Por mbi të gjitha Rozuell – për të interesuarit e UFO-ve kjo fjalë është e mjaftueshme – është një ngjarje epokale në fshehjen e vet, sepse është e qartë, që historia e katastrofës është shuar. Ajo nuk përmendet askund në “Librin blu” të forcave ajrore, ku janë përmbledhur të gjitha raportet për UFO-t, që kanë kaluar nëpërmjet shërbimeve të tyre, së bashku me “shpjegimet e ndryshme shkencore”. “Libri blu” konsiderohet si ekuivalent i raportit “Uorën”, një pseudo studim, i cili ka për qëllim të fshehtë faktet e vërteta. Mungesa e çfarëdo dëshmie për ndodhinë në Rozuell tregon, që këtu me të vërtetë fshihet diçka.
Dikush mund ta përshkruajë krejt këtë punë si të jashtëzakonshme me argumentin, se anija kozmike, e aftë të fluturojë nëpër qiejt dhe e ndërtuar për të përballuar kushtet e vështira të fluturimit ndëryjor, arriti të shkatërrohej si një “Çesna” e zakonshme. Por nuk duhet të harrojmë “Maxhestik – 12”. Shumë nga ufologët janë të bindur, që ka një komision të tillë.
Thuhet, që komisioni, i përbërë nga njëzet përfaqësues të zgjedhur nga ushtarakët, kundërzbulimi dhe shkencat, kishte për detyrë të studionte dhe fshinte ngjarje epokale të historisë njerëzore, siç ishte kontakti me jashtëtokësorët. Qofshin ata edhe të vdekur.
Sipas raportit të “Em Xhi – 12” i përgatitur “për dëshmi” të Duajt Ajzenauer, kohë përpara se ai të merrte detyrën e presidentit, katër “qenie biologjike jashtëtokësore” ose QBJ, janë zbuluar rreth tre kilometra larg vendit të katastrofës. Dikush ngul këmbë, se dy prej tyre ishin ende gjallë dhe njëri kishte bërë rezistencë. Mendohet, se trupat e jashtëtokësorëve janë ngrirë dhe ruhen në Los Alamos, në Nju Meksiko.
Por ka një problem në raportin e “Maxhestik – 12”, i vetmi fakt i sigurt, që komisioni të paktën ka bërë njëfarë takimi. Por ka mundësi që gjithashtu të jetë një numër. Asnjëri prej atyre njerëzve, që mund të vërtetonte autenticitetin e dokumentit, nuk e bëri këtë.
I vetmi dokument tjetër zyrtar, ku përmendet “Em Xhi – 12”, është analiza e një UFO-je të kapur në film, në nëntor të vitit 1980, të bërë nga forcat e armatosura ajrore. Prej tij del qartë, që qeveria “ende tregon interes” ndaj takimeve me UFO-t, të cilët studioheshin “në fshehtësinë më të madhe”.
Ky dokument, ashtu si edhe raporti “Em Xhi – 12” janë diçka tepër e bukur, për të qenë të vërteta, e dhëna vendimtare, që kërkon çdo teori konspirative, nuk gjendet. Përfytyroni, që pasi të keni gërmuar në dosjen e CIA-s për Xhon F. Kenedin, ndonjë hetues ndeshet papritur me një shënim, ku shkruhet: “Vrasja e presidentit është planifikuar për më 11/22/63, Dallas. Pas konsultimeve me FBI-në drejtori porosit për një zjarr të kryqëzuar nga tre pika”. Ka për të qenë e çuditshme, apo jo?
E vërtetë ose jo, “Em Xhi-12” jep shkak për shumë legjenda dhe versione, sipas të cilave ajo ende ekziston dhe punon për fshehjen e UFO-ve, pa bërë dallim nëse bëhet fjalë për rrëmbime nga jashtëtokësorët ose katastrofa të disqeve fluturuese. Sipas gazetarit “të vetëvrarë” Dani Kasolaro, “Em Xhi-12” është një nga tentakulat e “Oktapodit” të padukshëm të qeverisë (shiko Nr. 17). Sipas versioneve të tjera ajo është ngarkuar të bashkëpunojë dhe bisedojë me përfaqësuesit e një race tjetër që ndodhet midis nesh.
A ka mundësi të jetë “racë”? Xhon Lier, i cili pretendon se ka qenë agjent i kundërzbulimit, tani është një nga përkrahësit më të flaktë të teorisë së UFO-ve. Sipas tij, për qeverinë është e ditur, që ekziston një koalicion i tërë qeniesh biologjike jashtëtokësore, që njihen me emrin “Ylberi qiellor”.
Racat tokësore e alienëve përbëhen nga tre tipa, insekte-humanoidë, gri, dhe qenie të dobëta me koka në formë veze, të cilët janë armiq të betuar të racës njerëzore, deri tek ata me qëndrim miqësor që kanë flokë biondë, të cilët ngjasin më tepër me njerëzit tokësorë, por megjithëkëtë, të marrë së bashku, karakteri i tyre shpirtmirë kundërshton të prishë “ligjin universal kozmik të mosndërhyrjes” dhe të na shpëtojë nga njerëzit e këqij gri. Lista përmbledh xhuxhët leshtorë (emërtimi s’ka nevojë për shpjegime), si edhe qeniet misterioze me tesha të zeza.
Në ndryshim me “Ej Xhi-12”, ekzistenca e komisionit “Robertson” është jashtë çdo dyshimi. I mbledhur nga drejtoria qendrore e kundërzbulimit në janar të vitit 1953, shkencëtarët e komisionit përgatitën raportin, i cili qëndroi i sekretuar deri në vitin 1975.
I drejtuar nga njëfarë dr. H. P. Robertson, komisioni bëri një takim të fshehtë pesë ditor në Pentagon. Ai studioi rastet e takimeve me UFO-t, të cilët dukeshin si të përafërt dhe i hodhi poshtë të gjithë.
Të hidheshin poshtë ekzistencat e fenomeneve të pashpjegueshme ose jashtëtokësore, që lidheshin me UFO-t, siç bëri komisioni i Robertsonit, nuk është ndonjë farë fshehjeje, vetëm në qoftë për ndonjë logjikë të rrafshët. Por komisioni zor se u kënaq me çmitizimin e miteve. Ajo i rekomandon qeverisë të asgjësojë raportet për UFO-t dhe të krijonte një program “edukativ” anti-UFO.
“Programi edukativ mund të vihet në jetë duke përdorur mjetet e informimit publik, transmetimet televizive, filmat dhe artikujt popullorë”, thekson në raportin e vet komisioni i CIA-s. Më tej rekomandohet që të shfrytëzohen shërbimet e “psikologëve, që janë njohës të psikologjisë së masave”, të cilët mund të ndihmonin në përpunimin e këtij programi. Madje trajtohet edhe çështja, nëse kompania e njohur filmike “Uollt Disnei” do të binte dakord në prodhimin e filmave të animuar, të cilët kundërshtonin ekzistencën e UFO-ve.
Porositej që grupe entuziaste partizanësh të teorive të UFO-ve, të vendosen nën mbikëqyrje, për shkak se “ka mundësi që të shfrytëzohen për qëllime dekonstruktive”.
Pavarësish tendencës konspirative të komisionit “Robertson”, nuk del gjëkundi, që qeveria me të vërtetë ka për të fshehur ndonjë gjë, si p.sh. jashtëtokësorë të ngrirë thellë. Por nga ana tjetër, ata zbulojnë se cili është reagimi i institucioneve shtetërorë ndaj ideve, të cilat sipas raportit të komisionit, përfaqësojnë “rrezik për funksionimin normal të organeve shtetërore të mbrojtjes së drejtësisë”, dhe kjo të shtyn që të kesh mendime të zymta për të vërtetën.
Përgatiti për botim: Leonard Veizi/ Fjala.al/