Tragjedia në Itali sa vjen e thellohet ndërkohë që janë infermierët dhe mjekët ata që po shfaqin së fundmi problemet për shkak të një luftë gati 1 mujore me koronavirusin. Daniela Trezzi, një infermiere e re 34 vjeçe, i ka dhënë fund jetës së saj, bën me dije Il Messaggero. Ajo shërbente në spitalin San Gerardo të Monzës, që është edhe një nga zonat më të prekura nga koronavirusi.
Raportohet se 34 vjeçarja kishte rezultuar positive me COVID-19 dhe kjo i kishte rritur stresin. Frika se mund të kishte infektuar persona të tjerë rënduan gjëndjen e infermieres, e cila shkoi drejt aktit ekstrem.
Rasti i Daniela Trezzit nuk është i pari në Itali pasi pak ditë më parë një tjetër infermiere vrau veten në Venecia, për të njëjtat arsye. Autoritetet frikësohen se vetëvrasjet në radhët e njerëzve të mjekësisë mund të shtohen për shkak të koronavirusit.
Aktualisht numri i të infektuarve nga koronavirusi është 69,176, ndërsa personat që kanë ndërruar jetë ka arritur në 6,820.