Nga Tessa Wong “BBC News”
Kushdo që del këto ditë nga shtëpia pa një maskë në fytyrë në Hong Kong, Seul apo Tokio, mund të shihet vëngër nga të tjerët. Që nga fillimi i epidemisë së koronavirusit, disa vende kanë përqafuar plotësisht përdorimin e tyre, dhe kushdo që kapet rrezikon të gjobitet rëndë, apo të poshtërohet publikisht.
Por në shumë pjesë të tjera të botës, nga Britania e Madhe dhe SHBA-ja e deri në Australi, është ende tërësisht e pranueshme shëtitja në rrugë me fytyrën e zbuluar. Arsyeja se përse disa vende përdorin maska, ndërsa të tjerët i shmangin ato, nuk ka të bëjë vetëm me direktivat qeveritare dhe këshillat mjekësore, por edhe me kulturën dhe historinë.
Por ndërsa pandemia aktuale po përhapet çdo ditë e më shumë, a do të ndryshojë kjo qasje? Që nga fillimet e epidmisë së koronavirusit, këshillat zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetit, kanë qenë të qarta. Vetëm 2 kategori njerëzish duhet të mbajnë maska:ata që janë të sëmurë dhe shfaqin simptoma, dhe ata që kujdesen për njerëzit, për të cilët dyshohet se kanë koronavirusin.
Askush tjetër s’ka nevojë të mbajë maskë në fytyrë. Njënga arsyet, është se maska nuk shihet si mjet mbrojtës i besueshëm, duke pasur parasysh faktin që studimet e fundit tregojnë se virusi përhapet nga spërkalat e përshtymës, dhe nga kontakti me sipërfaqet e kontaminuara.
Prandaj maska mund t’ju mbrojë, por vetëm në situata të caktuara, siç për shembull kur ndodheni në një ambjent shumë pranë njerëzve të tjerëve, ku dikush që është i infektuar, mund të teshtitë ose të kollitet pranë fytyrës tuaj. Kjo është arsyeja, pse ekspertët thonë se larja e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë, është shumë më efektive.
Heqja e maskës nga fytyra, kërkon vëmendje të veçantë për të shmangur ndotjen e duarve, dhe kjo mund të krijojë një sens të rremë sigurie. Por në disa pjesë të Azisë, që të gjithë mbajnë tani një maskë në fyryrë, e cila koniderohet si një mjet më i sigurtë mbrojtës.
Në Kinë, Hong Kong, Japoni, Tajlandë dhe Tajvan, ka një supozim të gjerë se kushdo mund të jetë bartës i virusit, madje edhe njerëzit e shëndetshëm. Prandaj, në shenjë solidariteti, ju duhet të mbroni të tjerët nga vetja juaj. Disa nga këto qeveri, po u bëjnë thirrje të gjithëve që të mbajnë një maskë në fytyrë.
Madje në disa rajone të Kinës, mund të arrestohesh dhe të ndëshkohesh për mosvënien e maskës. Ndërkohë, në Indonezi dhe Filipine, ku ka dyshime se ka shumë raste me koronavirus të pa raportuara, shumica e njerëzve në qytetet e mëdha kanë filluar të mbajnë maska në fytyrë, për të mbrojtur veten nga të tjerët.
Për shumë nga këto vende, maska ishte një normë kulturore edhe para epidemisë së koronavirusit. Në Azinë Lindore, shumë njerëz janë mësuar të mbajnë maska kur janë të sëmurë, ose kur është sezoni i etheve, pasi konsiderohet e pasjellshme të teshtitësh apo kollitesh para fytyrës së të tjerëve.
Përhapja e virusit SARS në vitin 2003, që preku disa vende të rajonit, e theksoi shumë rëndësinë e mbajtjes së maskës, sidomos në Hong Kong, ku vdiqën shumë njerëz. Pra, një nga dallimet kryesore midis këtyre shoqërive dhe atyre perëndimore, është se të parat kanë përjetuar më parë një epidemi, dhe kujtimet e tyre janë ende të freskëta dhe të dhimbshme.
Ndërkohë, në Azinë Juglindore, veçanërisht në qytetet me një popullsi më të dendur, shumë njerëz mbajnë maska kur ecin në rrugë, thjesht për shkak të ndotjes së ajrit. Ndërkohë, disa argumentojnë se mbajtja kudo e maskës në fytyrë, si një kujtesë tepër vizuale e rreziqeve që na vijnë nga virusi, mund të ketë rolin e një modeli sjelljeje të kujdesshme, për pasjen e një higjiene personale më të mirë.
“Vënia e maskës çdo ditë para se të dilni nga shtëpia, është si një ritual, si veshja e uniformës. Dhe në një sjellje rituale, ju mendoni se duhet të silleni në atë mënyrë që e imponon uniforma, pra të keni sjellje më higjenike, të mos prekni fytyrën apo të shmangni vendet e mbushura me njerëz, dhe të zbatoni distancimin social”-thotë Donald Lou, ekonomist i sjelljes dhe profesor në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Hong Kong.
Pastaj, është ideja se çdo kontribut personal vlen në luftën që po zhvillon bota ndaj koronavirusit. “Ne nuk mund të themi nëse maskat në fytyrë, janë apo jo efektive. Por supozojmë se ato e kanë një efekt, dhe kjo është mbrojtja më e mirë që ne u sigurojmë punonjësve të kujdesit shëndetësor”-thotë Benxhamin Kauling, epidemiolog me Universitetin e Hong Kongut.
“Nëse maskat për fytyrën përdoren në zona plot e përplot m njerëz, unë mendoj se kjo do të kishte një efekt në transmetimin e vurisit, dhe për momentin ne po respektojnë çdo masë të kërkuar për të zvogëluar transmetimin” – shton ai. Por kjo praktikë sjelle probleme.
Disa vende si Japonia, Indonezia dhe Tajlanda po përballen në këtë moment me mungesa të mëdha të maskave, ndërsa Koresë së Jugut i është dashur të racionojë shumë përdorimin e tyre. Ekziston frika se njerëzit mund të përfundojnë duke i ripërdorur maskat - gjë që është joigjenike – të përdorin maska të shitura në tregun e zi, apo të vënë në fytyrë maska të prodhuara në shtëpia, të cilat mund të jenë të një cilësie të dobët, dhe në thelb të padobishme.
Ndërkaq, njerëzit që nuk mbajnë maska në këto vende stigmatizohen, deri në pikën që shmangen ose janë u ndalohet të hyjnë në dyqane. Në vendet ku mbajtja e maskës, nuk është normë si në Perëndim, ata që mbajnë maska shmangen ose madje sulmohen.
Por ekspertët po i vënë tani në dyshim këshillat zyrtare të OBSH-së. Së pari, ekzistojnë disa prova të ekzistencës së më shumë “bartësve të heshtur”, ose njerëzve të shëndetshëm që janë prekur nga virusi, por që shfaqin pak ose aspak simptoma, sesa mendonin në fillim ekspertët.
Në Kinë, vlerësohet se një e treta e të gjitha rasteve pozitive, nuk tregojnë simptoma. Në anijen e pasagjerëve “Diamond Princess”, rreth gjysma e më shumë se 600 rasteve pozitive të zbuluara në bord u gjet se nuk kishin simptoma. Një pjesë e ngjashme e rasteve asimptomatike, është raportuar në Islandë.
Besimi mbizotërues, ka qenë se për shkak se këta njerëz nuk shfaqin simptoma, ata nuk janë shumë ngjitës. Por disa po e vënë në pikëpyetje edhe këtë supozim. Po sikur të gjithë të mbanin maska në fytyrë, a mos ndoshta bartësit e heshtur nuk do të shndërroheshin në përhapës të sëmundjes?
Një studim i publikuar së fundmi në Kinë, zbuloi se “rastet e padokumentuara të infektimeve”, ato me simptoma të lehta, ose pa asnjë simptomë, ishin dukshëm ngjitëse, dhe mund të kenë qenë përgjegjëse për gati 80 për qind të rasteve pozitive me koronavirus.
Maska e fytyrës, mund të jetë një produkt i historisë së kohëve të fundit, i përvojës me epideminë, si dhe i normave kulturore të vendeve të caktuara. Por ndërsa shkalla e përhapjes së kësaj pandemie rritet, së bashku me provat dhe studimet mbi të, sjellja jonë mund të ndryshojë sërish. /S.T /Fjala.al