Epidemitë në shekuj dhe sjellja njerëzore, murtaja që erdhi nga Egjipti dhe Kina

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ardit Miti/Pandemia e përhapur frikshëm nga virusi “COVID-19”, tashmë në çdo vend të botës, ka përfshirë gjithë shoqërinë në panikun e parë për të mos u prekur, por edhe me dilemën e madhe, po pas kësaj vale çfarë do të bëhet? Shoqëritë kanë njohur disa epidemi vrastare, tërmete, apo ndryshime klimaterike në Antikitet dhe më pas në Mesjetën e Hershme dhe të Vonë.

Ndër epidemitë është murtaja që ka shkaktuar dëme të mëdha, ku humbjet njerëzore llogariten nga 30-50 %.

Gjithashtu njihen pasoja të tjera në rënie ekonomike, apo ndryshime të rendit shoqëror, por ka vijimësi dhe përshtatje të shoqërisë, ndonëse në disa raste, veçanërisht nga epidemitë, dy prej të cilave ekzistojnë të dhëna të forta arkeologjike dhe historike që nga vatrat në Egjipt dhe Kinë erdhën edhe në Europë, duke prekur edhe vendin tonë.

Arkeologu dhe studiuesi Ardit Miti, në një intervistë për “Fjala” tregon si janë përballuar fatkeqësitë natyrore, formën e përshtatjes, ndikimit në ekonomi, humbje njerëzore por edhe sjellje agresive ndaj komuniteteve që mendohej se sollën viruset vdekjeprurëse, si në rastin e murtajës mesjetare të viteve 1347-1353, ku njihet edhe masakra ndaj hebrejve, romëve, dhe endacakëve ndonëse më vonë shkencërisht u vërtetua se epidemia erdhi nga Kina.

Ka shumë teori të sotme, konspirative, apo në tentativë për baza shkencore që flasin se bota nuk do jetë e njëjtë pas kalimit të kësaj pandemie, por historia ka treguar se qytetërimet nuk u shuan, popullsia u përshtat dhe rimëkëmbja erdhi edhe në përiudha pandemishë globale.

Vendi ynë ka kaluar disa fatkeqësi natyrore, si tërmete, përmbytje por edhe epidemi të rënda. Cilat do të veçonit disa prej tyre?

Në vendin tonë, një nga tërmetet e para që përmenden në burimet historike është ai i vitit 345/6 i e.s (edhe pse të tjerë duhet të kenë ndodhur dhe më parë), e në fakt kjo ngjarje dokumentohet dhe në shtresat arkeologjike. Në qytetin port të Durrësit, asokohe një nga qendrat më të mëdha dhe më të populluara të Perandorisë Romake në Adriatikun Lindor, ky tërmet solli shkatërrime të banesave e strukturave publike dhe fundosje tekonike.

Në Apolloni si pasojë e lëvizjeve tektonike, me shumë gjasa ndodh zhvendosja e shtratit të Lumit Vjosë, çka ndikoi në rënien e qytetit antik. Po ashtu dhe në Butrint, gërmimet arkeologjike kanë dëshmuar se qendra e qytetit – Forumi, fundoset ndoshta si pasojë e këtij tërmeti. Më pas në vitet 522/4, një tjetër tërmet me pasoja shkatërrimtare duket se ka prekur sërish Durrësin e ndoshta dhe Elbasanin.

Megjithatë, pas tërmeteve të sipërpërmendura, në Durrës dhe Butrint pati programe e nisma ndërtimesh të reja apo rindërtimesh me karakter publik, ushtarak apo fetar. Kjo periudhë përkon dhe me përhapjen e epidemisë së murtajës, të njohur ndryshe si Murtaja Bubonike ose Justiniane, pasi ndodh gjatë sundimit të Perandorit Bizantin Justinian në vitet 541-542 të e.s.

Sipas burimeve historike, murtaja e mbartur nga minjtë e infektuar në anijet me grurë të ngarkuara në Egjipt, fillimisht goditi Kostandinopojën, e më tej u përhap si pandemi në të gjithë rajonin Mesdhetar.

Kjo murtajë rikthehet në vitet 558, 573/4 dhe me intervale të gjata deri në shek. e VIII të e.s. Bashkë me këtë sëmundje, mendohet të jetë përhapur edhe lija. Sipas disa historianëve, kjo solli një rënie të popullsisë globale në rreth 30%, dhe preku më shumë popullsitë e qyteteve sesa të fshatrave e më pak ato nomadike.

Epidemitë apo fatkeqësitë natyrore mund të duken një arsye e fortë për ta përdorur në interpretimin e rënies së botës apo qytetërimit antik dhe fillimit të epokës së ashtuquajtur të errët të historisë, Mesjetës së Hershme.

Në fakt, epidemitë apo tërmetet në këtë kohë përkojnë me faktorë të tjerë që kanë pasur efekte po aq të forta ose më mirë të themi më të mëdha, në ndryshimet e strukturave shoqërore, ekonomike dhe politike.

Nga këto mund të përmendim zhvendosjet e popullsive të ashtuquajtura ‘barbare’ (Gotë, Hunë, Avarë, Sllavë, etj.) që prekën edhe Ballkanin e natyrisht dhe vendin tonë, rënia e Perandorisë Romake të Perëndimit në shek. e V të e.s., konfliktet e vazhdueshme të brendshme për pushtet dhe me shtetet rivale të Perandorisë Bizantine, rënia e rrugëve tradicionale tregtare apo e zonave prodhuese, rritja e taksave, militarizimi i shoqërisë, ndryshimi i mentaliteteve dhe kulturave të elitave sociale, etj.

Një tjetër faktor mund të jetë dhe ftohja klimaterike që sipas studiuesve duket se ka filluar në vitin 530 të e.s., çka solli dhe rritje të niveleve të lagështisë, e me gjasa kanë ndikuar jo vetëm në përhapjen e murtajës por edhe te rritjeve te niveleve të ujërave dhe rrjedhimisht të aluvioneve në zonat fushore dhe pyllëzimin e zonave malore.

Pra, epidemia nuk mund të jetë arsyeja kryesore e rënies së një shoqërie apo ekonomie: Kriza në Perandorinë Romake dhe ne atë pasuese Bizantine kishte nisur më parë se ‘minjtë e murtajës’ të arrinin në muret e Konstandinopojës.

Në qytetin e Durrësit dokumentohet një tjetër tërmet me pasoja shkatërrimtare në vitin 1273. Në vitin 1347-1353 shënohet dhe pandemia e dytë e murtajës e njohur ndryshe në historiografinë botërore si  “Vdekja e Zezë”, e cila duket se ka prekur Ballkanin në krye të përhapjes së saj, më 1347-1348. Mendohet se origjina e saj buron nga Kina, dhe arriti Mesdheun nëpërmjet lëvizjes së karvanëve apo anijeve në  ‘Rrugët e Mëndafshit’ që kalonin në Azinë Qendrore apo Detin Arabik.

Edhe kjo pandemi duket se vazhdoi gjatë, e u rikthye në rajon me intervale të shkurtra në vitet 1738-1740 dhe më 1840. Pasojat e saj, tashmë janë të mirë dokumentuara dhe llogaritet që shkalla e vdekshmërisë të ketë qenë shumë e lartë. Kjo pandemi në fillimet e saj (pra në shek. e XIV) në Evropë u shoqërua dhe me maskra ndaj popullsive hebreje dhe rome, urdhrave të caktuar kishtarë, të sëmurëve me patologji të tjera, endacakëve, lypësve etj., të cilët fajësoheshin si shkaktarë të përhapjes së murtajës por edhe të krizës ekonomike që ndodhi si pasojë e saj.

Nga ana tjetër, çka duket kontradiktore, po në këtë kohë ringjallet në arkitekturë stili greko-romak dhe zhvillohet më tej stili gotik, e këtu përfshihet dhe epoka e Rilindjes së Artit Italian. Historianët shqiptarë kanë hedhur hipoteza se dhe në vendin tonë murtaja mesjetare solli vdekje masive, braktisje fshatrash dhe emigrime të popullsive lokale.

Në fakt, braktisje fshatrash kanë ndodhur në këtë periudhë po ashtu dhe migrime apo emigrime të popullsive, kujtoj këtu vendosjen e shqiptarëve në rajonin e Atikës dhe Peleponezit në Greqi.

Megjithatë, braktisjet e fshatrave në shek. e XIV mund ti atribuhohen dhe ndryshimeve në sistemet e pronësisë agrare, rënia  e kontrollit  të pushtetit qendror dhe forcimit të aristokracisë lokale feudale, apo dhe fenomeneve të tjera natyrore si ndryshimi i burimeve hidrike, erozioni apo degradimi i burimeve të tjera natyrore si shkak i shfrytëzimit të vazhdueshëm e me ritëm të lartë në raport të zhdrejtë me rigjenerimin e ulët të tyre. Po ashtu, emigrimi i shqiptarëve në Greqi, nuk mund të jetë nxitur vetëm nga murtaja pasi të dyja vendet si Shqipëria dhe Greqia u prekën në të njëjtën kohë e me shumë gjasa në të njëjtën shkallë.

Më konkretisht në studimet tuaja arkeologjike si reflektohen pasojat e epidimeve, tërmeteve, ndryshimeve klimaterikë në kontekste sociale dhe ekonomike?

Po marr rastin e studimeve tona në Luginën e Sipërme të Vjosës në rajonin e Përmetit, që bazohen kryesisht në të dhënat arkeologjike.  Zbulimi dhe gërmimi i vendbanimit rural shumë-periudhësh fushor të Magjericës, pranë qytetit të Përmetit dhe pranë varrezave tumulare të gërmuara më parë nga arkeologu Namik Bodinaku, na ka dhënë një panoramë të qartë të historisë, karakteristikave dhe zhvillimit të zonës gjatë Antikitetit dhe Mesjetës.

-Të dhënat dëshmojnë se tërmetet apo ndoshta dhe epidemitë e sipërpërmendura nuk kanë afektuar zonën në fjalë. E vetmja ngjarje dramatike që është dokumentuar në gërmimin arkeologjik, lidhet me shtresat e rrëzimit të strukturave murale të një vile romake gjatë gjysmës së dytë të shek. IV të e.s., dhe mesa duket shkak ka qenë një zjarr, ende i papërcaktuar nëse i qëlllimshëm apo aksidental.

Lexo edhe :  Nga krimet në familje te atentatet, vrasjet që tronditën opinionin publik në vitin 2024

Megjithatë, materiali dëshmon se më pas, brenda hapësirave të mëparshme të vilës ka rindërtime apo adoptime strukturale për banim dhe njëkohësisht për zhvillimin e aktiviteteve prodhuese dhe zejtare, deri në fillimin e shek. të VII.

Më tej, në periudhën e Mesjetës së Mershme (shek. VII-X) të dhënat materiale janë të rralla dhe strukturat e vendbanimit thuajse ‘të padukshme’, duke krijuar idenë në rastin më të keq të një braktisjeje që përkon me kohën e aktivitetit të ‘murtajës së Justinianit’, apo më të mirë, atë të një jete thuajse primitive të izoluar dhe të privuar nga marrëdhëniet e mëparshme tregtare, lidhur kjo me krizën e thellë ekonomike dhe politike të Bizantit. Natyrisht, kjo krizë afektoi dhe rajonin tonë, duke sjellë ndryshime të mëdha në mënyrat e jetesës, organizimit ekonomik dhe shoqëror sidomos në qytetet e mëparshme antike.

Megjithatë, kultura materiale e zbuluar në tumat e Luginës, që kryesisht përbëhet nga objekte zbukurimore metali dhe brumi qelqi, gjen krahasime me objekte të kulturës rajonale (e njohur ndryshe si Arbërore) dhe atë bizantine.

Gjithashtu të dhënat dëshmojnë për një popullsi që jetonte në marrëdhënie kolektive, që ndiqte ritualet e kohës dhe madje me njëfarë hierarkie sociale. Nga ana tjetër analiza e materialit të studimit tonë tregon për një vendbanim të hapur dhe të shpërndarë e të vendosur në periferitë e hapësirës së mëparshme të habitatit antik.

Vendbanimi tashmë duket se është organizuar në terracime, e këto të fundit mund të kenë shërbyer jo vetëm si platforma të përshtatura për banesat dhe caktimin e pronësisë por edhe si barriera të tokave të pjerrëta të rrezikuara nga erozioni, ky i fundit i lidhur me ndryshimet klimaterike të kohës.

Njëkohësisht, kemi zbuluar edhe amfora transporti, të cilat mund të kenë ardhur nga qendrat bizantine të Bregdetit Jonian apo Adriatik si pika të prodhimit, grumbullimit dhe shpërndarjes së mallrave gjatë Mesjetës së Hershme.

Kjo dëshmon se rrugët detare dhe ato tokësore mbetën të hapura, dhe territoret e brendshme të vendit tonë, sikurse Lugina e Vjosës, ishin të lidhura në njëfarë shkalle në marrëdhënie tregtare përtej ekonomisë së mbyllur natyrore.

E në fakt ky supozim mbështetet dhe nga gjetjet e amforave në anijet e mbytura, të identifikuar nga misioni arkeologjik nënujor shqiptaro-italian në Bregdetin Jonian. Për sa u tha më sipër si krahasim mund të merret rasti i Butrintit, ku kërkimet e fundit të projektit shqiptaro-britanik kanë zbuluar faza të banimit të periudhës së Mesjetës së Hershme, fillimisht në një nga kullat e fortifikimit të përshtatur si banesë ndoshta e një ofiqari lokal dhe më tej në Fushën e hapur të Vrinës, përballë qyetit antik, ku mbi rrënojat e një bazilike paleokristiane ndërtohet një banesë prej druri, dhe kjo e lidhur me një aristokrat apo zyrtar i administratës rajonale.

Gjithashtu, studimet e mëparshme antropologjike të skeleteve të tumave të Luginës, tregojnë për një shpërndarje të numrit të individëve të varrosur në Mesjetën e Hershme në shkallë normale përgjatë kohës, pra jo varrime masive për një kohë të shkurtër, çka do të ishte pasojë e një epidemie; dhe ky numër i përgjigjet më së miri studimit tonë mbi vendbanimet dhe popullsinë që nuk pëson luhatje të mëdha në numër nga koha në kohë.

Për periudhën e Mesjetës së Mesme dhe të Vonë (shek. XI- mesi i shek. XIV) të dhënat janë të mjaftueshme për të kuptuar se vendbanimi ynë tashmë i formëzuar në hapësirat e atij të mëparshëm të Mesjetës së Hershme, ka karakteristikat e një fshati të vërtetë, të organizuar në lagje, të pozicionuar pranë tokave bujqësore dhe rrugës kryesore të luginës.

Materiali arkeologjik dhe strukturat murale tregojnë për një dendësi banimi të konsiderueshme, me banesa të vendosura me një plan pak a shumë të rregullt, pranë njëra-tjetrës, dhe të përshkuar nga rrugica. Por në mesin e shek. XIV, vendbanimi braktiset, kohë kjo që përkon me përhapjen e Murtajës së dytë në rajon.

Megjithëse ende nuk kemi një ide të qartë se cilat ishin shkaqet e braktisjes së vendbanimit, por ç’farë mund të themi me siguri është se banorët e tij u zhvendosën vetëm pak kilometra drejt zonave kodrinore duke krijuar dy fshatra të reja, atë të Argovës dhe Rapckës, ku në lagjen më të vjetër të këtij të fundit, kemi identifikuar një kishë që me gjasa të datoj në fundin e shek. XIV apo fillimin e shek. XV, element shtesë që vërteton vazhdimësinë e popullimit të territor pa ndërprerje.

Gjithashtu, kishat e vendbanimit të mëparshëm të Magjericës mbetën në përdorim edhe për një farë kohe pas braktisjes, dhe u frekuentuan nga banorët e fshatrave të rinj, çka supozon memorien e fortë dhe lidhjen e tyre shpirtërore me vendet e paraardhësve.

Pra, duhet të kenë qenë të tjerë faktorë, që ndikuan në braktisjen e vendbanimit antiko-mesjtar më tepër sesa thjesht një epidemi, të tilla si pasiguria e lidhur me konfliktet e kohës, ndryshimet e pronësisë, shterimi i burimeve natyrore etj.

A kanë sjellë fatkeqësitë natyrore ndryshime të mëdha sociale dhe ekonomike?

Normalisht, të tilla situata në perspektivën historike kanë cënuar direkt apo indirekt ekonominë dhe rrjedhimisht organizimet sociale dhe politike, dhe në situata fatkeqësish natyrore dëmi është i një shkalle të riparueshme, ndërkohë që në situata epidemish, jo vetëm preket popullsia por goditet dhe ekonomia me humbjen e fuqise punëtore, prodhimit dhe dobësimit apo humbjes së marrëdhënieve tregtare në shkallë të gjerë, ndërajonale.

Megjithatë shoqëritë kanë arritur që të mbijetojnë duke përdorur njohuritë e fituara me kohë mbi të tilla raste, të përshtaten në kushte të reja dhe të hedhin sërish themelet për sisteme të reja madje më të zhvilluar se më parë.

Epoka e ashtuquajtur e errët e Mesjetës së Hershme dëshmon më së miri sesi një shtet i tillë si i Bizantit arriti të mbijetojë falë aseteve të gjithanshme ekonomike, kulturore, intelektuale, etj., po aq edhe një komunitet, si në rastin e Luginës së Vjosës që tashmë është larg orbitës të administratës qendrore apo rajonale dhe që më parë kishte njohur kulturën antike, të përshtatej në kushtet e reja brenda një ekonomie të varur kryesisht në prodhimin e brendshëm të lidhur ngushtësisht me burimet lokale. Dhe ky realitet i ‘mbijetesave’ të komuniteteve lokale në Mesjetën e Hershme është i njëjtë si për vendin tonë ashtu edhe për thuajse gjithë Evropën. Megjithatë një pjesë e traditave u ruajtën, kulturat patën evolime, dhe sistemet politike dhe ekonomike të mëvonshme u riorganizuan në bazë të modeleve të adoptuara apo të reja.

Të qëndrojmë në situatën aktuale, duke e lidhur edhe me pandemi të ngjashme në të shkuarën, si mendoni se do të jetë sjellja shoqërore, shtetërore dhe ekonomike, a pritet një “riformatim” në tërësi në rang global?

Kjo epidemi apo pandemi e ditëve të sotme në pasoja mund të ketë disa ngjashmëri me ato që ka provuar shoqëria njerëzore dhe më parë, të shoqëruar nga kriza ekonomike, politike dhe shoqërore.

Natyrisht, që kjo ngjarje do të ndikojë në modelime apo adoptime të shoqërisë, dhe njëkohësisht të shërbejë si një ‘leksion’ për të qenë më të përgatitur ndaj situatave të ngjashme në të ardhmen.

Megjithatë, mendoj se shoqëria sot është aftë për t’iu përgjigjur mjaft mirë situatave të tilla, e në këtë kontekst është e gabuar ti atribuosh vetëm pandemisë sot, sikurse dhe atyre më parë, rënien apo ‘rifrormatimin’ e një sistemi shoqëror apo politik.

Të fundit

Tedi Blushi: Fitorja e opozitës në 11 Maj do të jetë spektakolare

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se qeveria mund të tentojë sërish të manipulojë zgjedhjet,...

Bllokohet rruga e Dardhës, numër i lartë turistësh në pista e skive

Rruga që të çon në fshatit turistik të Dardhës prej disa orësh është e bllokuar. Një pjesë e turistëve i kanë fikur automjetet e tyre...

Kryeministri i Malit të Zi propozon ndalimin e armëve

Autoritetet malazeze do të shqyrtojnë të gjitha opsionet për të parandaluar incidente të mëtejshme të lidhura me armët, duke përfshirë ndalimin e armëve në...

Hawai/ Festa kthehet në hidhërim, 3 të vdekur dhe 20 të plagosur

Festa u kthye në hidhërim në ishullin e largët të Hawait. Një shpërthim i shkaktuar nga fishekzjarre ka vrarë të paktën tre persona në...

I mbijetoi Holokaustit, legjenda olimpike nderron jetëE

Agnes Keleti, e mbijetuara e Holokaustit dhe medaliste e shumëfishtë olimpike, ka ndërruar jetë në moshën 103-vjeçare. Ajo kishte fituar dhjetë medalje olimpike në gjimnastikë, përfshirë...

Lajme të tjera

Web TV