Google po ndjek publikisht lëvizjet e njerëzve në 131 shtete, në një kohë kur bota shihet e gjunjëzuar përballë Covid-19. Kompania teknologjike ka publikuar së fundmi raportin e parë që përfshin të dhënat për 29 Mars, përsa i takon vendeve që njerëzit kanë frekuentuar më së shumti në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë.
Duke bërë një krahasim me lëvizjet pikërisht në këtë muaj të një viti më parë, Google ka dalë në konkluzionin se frekuentimi i njerëzve në Mbretëri të Bashkuar është ulur 85% në vendet e shitjes me pakicë, 46% në ushqimore dhe farmaci, 52% në parqe, 75% në stacionet e tranzitit, 55% në vendet e punës, ndërsa në vendet e banimit rezulton 15% më i lartë.
Lëvizjet e njerëzve në Francë, sipas Google, janë ulur 88% në vendet me pakicë, 72% në ushqimore dhe farmaci, 82% në parqe, 87% në stacionet e tranzitit dhe 56% në vendet e punës, kurse në vendet e banimit rezultojnë 18% më të larta.
Google shpreson qe informacioni, i mbledhur kryesisht përmes aplikacionit Google Maps, të përdoret nga drejtuesit e shëndetit publik dhe zyrtarë për të ndihmuar në menaxhimin e shpërthimit të koronavirusit.
“Ky informacion mund të ndihmojë zyrtarët të kuptojnë ndryshimet e lëvizjeve. Për shembull, vizitat e vazhdueshme në qendrat e transportit mund të tregojnë nevojën për të shtuar autobusë ose trena, në mënyrëe që t’u mundësojë njerëzve hapësirë për distancim shoqëror”- u shpreh një përfaqësues i kompanisë, duke shtuar se kjo e fundit i ka anonimizuar të dhënat në mbrojtje të përdoruesve.
Kjo iniciativë e Google vjen një ditë pasi komisionerja e BE-së, Vera Jourova, u bëri thirrje gjigandëve të teknologjisë të ndajnë më shumë të dhëna me shkencëtarët dhe mjekët që po luftojnë koronavirusin. Ajo gjithashtu i kritikoi ata për pasivitetin e treguar ndaj informacionit të rremë.
“Ne ende shohim që platformat kryesore vazhdojnë të fitojnë para dhe stimulojnë dezinformimin dhe përmbajtjen e dëmshme në lidhje me pandeminë duke pritur reklama në internet. Kjo duhet të ndalet!”- tha komisionerja.
Fjala.al