Ka një vend në Evropë që vazhdon të luhet futboll pavarësisht pandemisë së koronavirusit që po vret mijëra njerëz në gjithë botën.
Bjellorusia ka zgjedhur që të vijojë kampionatin e saj në të cilin bën pjesë edhe lojtari i kombëtares shqiptare Azdren Llullaku. Ky i fundit luan me Shakhter Soligorsk.
Në Bjellorusi janë shënuar rreth 600 persona të infektuar ku 8 prej tyre kanë humbur jetën,por jeta vazhdon normalisht.
Në një intervistë për Sky Sport, lojtari i kombëtares shqiptare, Azdren Llullaku tregon frikën që ndjejnë në seancat stërvitore dhe në vazhdimin e kampionatit.
“Këtu nuk flitet shumë për koronavirusin. Të shtunën luajtëm një ndeshje në kampionat, ndërsa të dielën ishim në stërvitje. Një lojtar ka dalë pozitiv dhe kjo na shqetëson pak. Por kjo është zgjedhja e atyre që janë në krye, ne kemi një kontratë dhe duhet të luajmë e të bëjmë atë që na thonë. Uroj që të mos krijohet ndonjë situatë dramatike, por nëse vazhdojmë kështu, me siguri do të ndodhë”, është shprehur ai për Sky Sport.