Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me veprimet e Kinës mbi koronavirusin.
Një hetim i fundit ka zbuluar se si sistemi shëndetësor në Wuhan ishte kolapsuar disa muaj përpara se bota të njihte koronavirusin.
Sipas hetimeve, regjimi kinez ka fshehur shpërthimin e hershëm të koronavirusit.
Rrjeti televiziv amerikan NBC News ka gjetur dokumente kofidenciale të cilat tregojnë se sistemi shëndetësor i Wuhanit, epiqendra e pandemisë së koronavirusit, ishte kolapsuar që në nëntor të vitit 2019.
Megjithëse sistemi shëndetësor në Wuhan kishte marrë fund, Pekini zyrtar e njoftoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë rreth 31 dhjetorit.
Sipas njoftimit, thuhej se në Wuhan kishte shpërthyer një virus i ri. Por sipas qeverisë kineze, e cila gënjeu në këtë rast, gjithçka ishte nën kontroll dhe se nuk kishte asnjë shans që koronavirusi të përhapej në qytete të tjera të Kinës apo në vendet e tjera të botës.
Fillimisht ishte gazeta South China Morning Post, e cila përmes një investimi kundërshtoi informacionin zyrtar të qeverisë kineze dhe tregoi se data e saktë në të cilën dihej ekzistenca e koronavirusit ishte në të vërtetë 17 nëntori dhe jo kur Pekini njoftoi OBSH-në më 31 dhjetor.
Gjithashtu thuhet se edhe vetë OBSH, e dinte për shpërthimin e koroanvirusit shumë kohë përpara pjesës tjetër të vendeve të botës.
Por ajo lëshoi një deklaratë më 14 janar sipas së cilës “nuk ka prova të qarta që koronavirusi të transmetohet nga njeriu tek njeriu”.
Kina nuk ka hequr dorë nga mungesa e transparencës as përgjatë ditëve të fundit, ku thotë se ka ulur me sukses kurbën e infeksionit nga koronavirusi.
Sipas raporteve shtetërore që vijnë nga Wuhan dhe pjesa tjetër e shtetit, vdekjet nga koronavirusi arrijnë në 3,340 dhe 82.924 të prekur.
Megjithatë, një hetim i ri ka treguar se këto shifra nuk i përgjigjen realitetit pasi rreth 40,000 njerëz kanë humbur jetën si rezultat i COVID-19.
Ajo që vlen të theksohet është se nëse bota do të ishte njohur me koronavirusin që në lindje të tij, a do të kishte qenë në gjendje bashkësia ndërkombëtare që të ndalonte përhapjen e koronavirusit, që deri më tani iu ka marrë jetën 100,000 personave në vende të ndryshme të botës dhe ka paralizuar ekonomitë botërore.