Kërkesës së presidentit Hashim Thaçi për Lëvizjen Vetëvendosje për dërgimin e një emri për kryeministër të Qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur me një letër. Pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar prej tij në Parlament, Kurti i mbetet qëndrimi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, dhe për këtë i referohet precedentëve të mëparshëm.
Në letër, kryeministri ende në detyrë akuzon Presidentin se po i shton vendit një krizë Kushtetuese ndërkohë që Qeveria po përballet me emergjencën e koronavirusit. Kurti thekson se Thaçi se po bëhet actor i vazhdueshëm politik, ndërkohë që Kushtetuta nuk ia lejon këtë gjë.
“Z. President, meqenëse prioriteti im i parë si kryeministër, si dhe prioriteti i parë i të gjithë Qeverisë të cilën e udhëheq, është parandalimi i përhapjes së mëtejshme të virusit COVID-19, çdo çështje tjetër partiake apo politike duhet konsideruar e rëndësisë dytësore apo tretësore, duke përfshirë në veçanti ndërhyrjet tuaja të vazhdueshme, të cilat po e pengojnë punën e Qeverisë në mes të një gjendjeje emergjente të shëndetit publik.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në kohën më të papërshtatshme të mundshme, ju po kërkoni që gjendjes emergjente të shëndetit publik, t’i shtoni një krizë të natyrës kushtetuese dhe politike, duke kërkuar me çdo kusht, pa asnjë mbështetje në Kushtetutë, që të hiqet Qeveria në detyrë, mu në javët më kritike të betejës sonë kundër COVID-19”, shkruan Kurti.
Letra e plotë
I nderuar President i Republikës së Kosovës,
Në shkresën tuaj të datës 01.04.2020, si dhe gjatë takimit tonë ndërinstitucional të së njëjtës datë, ju keni theksuar, ritheksuar dhe stërtheksuar vullnetin tuaj për të respektuar në tërësi Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Prandaj, më lejoni që t’ju shpreh keqardhjen time të thellë pas shkresave tuaja të fundit, në të cilat ju e deklaroni haptas qëllimin për të anashkaluar detyrën tuaj kushtetuese që të shpërndani Kuvendin dhe të shpallni zgjedhje të reja, pas përfundimit të betejës kundër COVID-19.
Ndonëse në dy shkresat tuaja të fundit, atë të datës 02.04.2020 dhe atë të datës 10.04.2020, thirreni në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO 103/14 i datës 30.06.2014 (i publikuar më 01.07.2014), veprimet tuaja të cilat qartazi janë në kundërshtim me nenet e Kushtetutës të cilëve ju referoheni dhe Aktgjykimin të cilin ju përmendi, tregojnë se Ju dhe stafi juaj nuk i keni lexuar mjaftueshëm dhe me kujdes të njëjtat.
Në shkresën tuaj të datës 10.04.2020 theksoni se keni zhvilluar takime konsultative me përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend me qëllim të vlerësimit të interesit të partive politike në raport me zgjedhjet e reja apo formimin e Qeverisë së re. Më lejoni të ju rikujtoj se nuk është në kompetencën e Presidentit të Republikës së Kosovës vlerësimi i interesave të partive politike, por mbrojtja e interesit shtetëror. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese në paragrafin 84 të Aktgjykimit të saj në rastin KO 103/14 shprehimisht ka konstatuar se “Gjykata rithekson se Presidenti i Republikës mund të konsultohet vetëm me partinë politike ose me koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, qoftë shumicë absolute, qoftë relative.” Prandaj duke zhvilluar takime të tilla konsultative, Ju keni vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sepse aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë akte juridike përmes të cilave realizohet kushtetutshmëria dhe konsiderohen burim i të Drejtës Kushtetuese. Për të qenë edhe më i qartë, siç e dini, para takimit dhe pas takimit me Ju, jeni njoftuar zyrtarisht nga unë se takimet me ju po i zhvilloj në cilësinë e
Kryeministrit në detyrë dhe kam qenë i shoqëruar nga dy këshilltarët e mi të jashtëm të cilët nuk janë anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Kam qenë në takim që për temë diskutimi ka pasur gjendjen e emergjencës shëndetësore dhe çështjen e shpalljes së zgjedhjeve pas mocionit të mosbesimit.
Po ashtu, më lejoni të ju rikujtoj se pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, përmes të cilit është shkarkuar Qeveria e Republikës së Kosovës, presidentit nuk i krijohet hapësirë që të luaj rolin e një akteri politik duke tentuar të imponojë vullnetin e tij në jetën politike. Presidentit të Republikës së Kosovës, si organ kushtetues, një mocion mosbesimi i jep të drejtën që të përmbushë vetëm një veprim të përcaktuar nga kushtetutëdhënësi. Pra, shpërndarjen e Kuvendit në përputhje me nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Se kjo është procedura e vetme të cilën e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vënë asnjëherë në dyshim as në praktikën e deritanishme kushtetuese. Se nuk ka pasur asnjëherë takime konsultative me partinë politike që ka fituar shumicën në Kuvend është fakt notor. Se presidenca çdoherë e ka konsideruar të domosdoshme shpalljen e menjëhershme të zgjedhjeve, përpos që vërtetohet me faktin se në vitin 20101 dhe 20172 është shpërndarë Kuvendi dhe janë shpallur zgjedhjet në po të njëjtën ditë kur mocioni i mosbesimit është votuar në Kuvend, po ashtu vërtetohet nga intervista e U.D Presidentit z. Jakup Krasniqi i cili në datën 02.11.2010 pati theksuar se “Ndoshta është mirë të sqaroj se ky mocion ndodh sipas pikës kushtetuese ku flitet për Kuvendin dhe në fund të këtij kapitulli, në Nenin 82 parashihet se nëse mocioni i mosbesimit mbështetet nga 61 deputetë, atëherë nuk ka më procedura të tjera në Kuvend. E vetmja procedurë mbetet shpërndarja e Kuvendit dhe caktimi i datës për zgjedhje. Edhe kjo bëhet sipas kohës më së paku 30 ditë, e më së shumti 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.” Duke vazhduar se “Me Kushtetutë është paraparë që pasi të kaloj mocioni, kam të drejtë që deri në dhjetë ditë të shpërndaj Kuvendin dhe pastaj ta dekretoj datën e zgjedhjeve. Por ndoshta këtu duhet të ketë procedura më të shpejta për shkak se koha na obligon që të kemi procedura më të shpejta. Sido që të jetë, ne do të veprojmë gjithmonë duke u bazuar në normat e parapara me Kushtetutë.”3
Në fakt, se zgjedhjet janë opsioni i vetëm pas një mocioni të suksesshëm të mosbesimit është theksuar edhe nga Ju në vitin 2010, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të datës 02.11.2010, kur keni kërkuar votat pro mocionit të mosbesimit keni theksuar se “Sot besoj se do të votoni drejt duke i vënë fund krizës institucionale e politike e pastaj të dilni para qytetarëve në zgjedhje të reja për të rimarrë besimin e tyre. Duke e bërë një veprim të tillë, i cili është plotësisht në përputhje me kushtetutën tonë, ju i hapni rrugë krijimit të institucioneve të reja më të fuqishme të shtetit tonë me një legjitimitet të ri.”4