Nga Amartya Sen “Financial Times”/
“Ne do të takohemi përsëri”- tha Mbretëresha Elizabet së fundmi, duke evokuar një këngë të vitit 1939. Ishte një mendim frymëzues, dhe pikërisht ajo që na duhej. Por çfarë lloj bote mund të presim pas pandemisë? A do të përfitojmë diçka nga përvoja e përbashkët e rezistencës ndaj krizës?
Bota ishte e mbushur me probleme serioze edhe përpara koronavirusit. Pabarazia ishte e përhapur, si mes vendeve ashtu edhe brenda tyre. Në SHBA, vendin më të pasur në botë,
miliona njerëz vuanin mungesën e shërbimit shëndetësorë, por edhe nga sëmundje të panevojshme.
Llogaritë e bëra keq, e kishin dobësuar aftësinë e BE-së për të ofruar mbështetje publike
për njerëzit në nevojë. Politikat antidemokratike ishin në rritje, në Brazil, Bolivi, Poloni dhe Hungari. A është e mundur që përvoja e përbashkët e pandemisë, të ndihmojë në zbutjen e problemeve para-ekzistuese?
Sigurisht, nevoja për të vepruar së bashku, mund të krijojë një vlerësim të rolit konstruktiv
të veprimit publik. Për shembull, Lufta e Dytë Botërore, i bëri njerëzit të kuptojnë më mirë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Kombet e Bashkuara, FMN dhe Banka Botërore janë krijuar në vitet 1944-1945, jo shumë kohë pasi Vera Lin këndoi këngën “Takohemi sërish”. Sidoqoftë, a pati ndonjë përmirësim afatgjatë brenda një vendi, si pasojë e përvojës së krizës? Ne kemi parë tashmë disa.
Pati një rënie të madhe të kequshqyerjes në Britani, në vitet e vështira të mungesës së ushqimit gjatë luftës së dytë botërore. Duke u përballur me një reduktim të mëdh të mundësive për ushqyerje, Britania organizoi një ndarje më të barabartë të ushqimit, përmes racionimit dhe mbështetjes sociale.
Të kequshqyerit e përhershëm, nisën të ushqehen shumë më mirë se më parë, edhe kujdesi shëndetësor ishte më i mirë. Këto rezultate ishin befasuese. Gjatë dekadës së luftës së viteve 1940, jetëgjatësia në Angli dhe Uells u rrit me 6.5 vjet për burrat, krahasuar me 1.2 që ishte përpara një dekade, dhe për gratë u rrit në 7 vjet, duke e tejkaluar shumë më tepër atë të dekadës së mëparshme që ishte 1.5 vjet.
Mësimet pozitive nga zbatimi e drejtësisë, dhe vëmendja më e madhe ndaj të dizavantazhuarve, ndihmuan në shfaqjen e atij që u njoh si shteti i mirëqenies sociale. Anurin Bevan, një avokat që mbronte të drejtën për barazi gjatë dhe pas luftës, përuroi spitalin e parë të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në Britani, Spitalin Park në Mançester në vitin 1948.
A mund të ndodhë diçka e ngjashme, për shkak të përvojës që po na jep kriza aktuale? Mësimet se si duhet dalë nga një krizë, varen me siguri nga mënyra se si trajtohet ajo, dhe shqetësimet që dalin në pah prej saj. Në këtë pike, është e rëndësishme politika, përfshirë lidhja midis qeveritarëve dhe të qeverisurve prej tyre.
Gjatë viteve të luftës, në kontrast me mire-shpërndarjen e ushqimit dhe kujdesit shëndetësor ndaj publikut britanik, zija e tmerrshme e bukës e Bengalit në vitin 1943 ndodhi në Indinë Britanike, duke vrarë afro 3 milionë njerëz, dhe sundimtari vendas bëri shumë pak për ta parandaluar.
Në politikat kundër kësaj pandemie, barazia nuk ka qenë një përparësi veçanërisht e dukshme. Në SHBA, afro-amerikanët po vdesin me një normë jashtëzakonisht të lartë nga Covid-19, më shumë sesa njerëzit e bardhë. Në Çikago, më shumë se 70 për qind e të vdekurve nga pandemia kanë qenë afro-amerikanë, që përbëjnë vetëm një të tretën e popullsisë. Pabarazitë dhe vuajtjet, duket se nuk kanë qenë më të pakta edhe në shumë vende të tjera nga Brazili dhe Hungaria, deri në Indi.
India është një rast veçanërisht i spikatur. Pabarazitë mbeten shumë të mëdha. Zija e bukës nuk është shfaqur më, që pas vendosjes së demokracisë në Indinë e pavarur. Megjithë mungesën e diskutimeve të hapura publike, që do bënin të dëgjohej zëri i shtresave në nevojë, India po përballet me rritjen e kufizimeve të qeverisë, përfshirë zvogëlimin e lirisë së mediave me mjete të drejtpërdrejta dhe indirekte.
E dalluar për kontrastin midis lehtësirave të arsyeshme mjekësore për të pasurit, dhe mospasjes së kujdesit parësor shëndetësor për shumicën e të varfërve, dhe nën presion nga asimetria brutale e pabarazive moderne midis kastave shoqërore në vend, India mund të kishte përfituar shumë nga një menaxhimi më i mirë i pandemisë.
Megjithatë ka pak prova mbi shqetësimet mbi konceptet e barazisë. Përkundrazi, vëmendja ka qenë më shumë tek kontrollet drastike dhe bllokimet e menjëhershme (përfshirë trenat dhe autobusët), duke i kushtuar më pak vëmendje punëtorëve që humbasin punën e tyre apo emigrantëve të shumtë, që janë dhe më të varfërit e mundshëm, dhe që po mbahen qindra km larg shtëpive të tyre.
Sigurisht, distancimi sociale e kufizon përhapjen e virusit (ky përfitim i rëndësishëm nuk vihet në diskutim). Por ai duhet të kombinohet me politika kompensuese për të ardhurat, ushqimin, aksesin dhe vëmendjen mjekësore, për njerëzit e dëmtuar nga izolimi.
India, si shumë vende, ka nevojë për një Shërbim Shëndetësor Kombëtar. Por në këtë drejtim, ajo nuk do të dalë me asnjë mësim nga menaxhimi i pandemisë, duke pasur parasysh pabarazitë e mëdha të këtij vendi. Mjerisht, ka shumë mundësi që kur të takohemi sërish, të mos jemi më të vendosur për t’u përballur me botën e pabarabartë në të cilën jetojmë.
Megjithatë nuk ka pse gjërat të shkojnë në këtë mënyrë. Një shqetësim mbi barazinë në menaxhimin e krizave, do të mund të zvogëlonte tani vuajtjet në shumë vende, dhe do të na ofronte ide të reja për të na frymëzuar në ndërtimin e një bote më pak të pabarabartë në të ardhmen. Dhe meqë jemi në mes të krizës, a mund të shpresojmë ende se kjo gjëmund të ndodhë?
Shënim:Autori është fituesi Çmimit Nobel në ekonomi, dhe profesor në Universitetin e Harvardit. /Përshtati:S.T