Pasi reagimit të Ministrisë së Shëndetësisë se është e hapur për çdo hetim sa i përket akuzave të opozitës se ka blerë pajisjet mjekësore ndaj koronavirusit, Partia Demokratike i kërkon që ministria të bëjë publike kontratën e blerjes së këtyre pajisjeve.
Partia Demokratike i shtron qeverisë edhe katër pyetje lidhur me çështjen në fjalë.
“A bleu qeveria 178 mijë maska me 8 mijë lekë copën, kur në farmaci ato kushtojnë 4 mijë lekë?
A bleu qeveria veshje spitalore me 28 euro, kur në treg kushtojnë gati 3 herë më pak, 9.6 euro?
A bleu qeveria, mbrojtëse për sytë me dyfishin e çmimit të tregut, nga 2.9 euro i bleu me 6 euro copën?
A i bleu qeveria edhe maskat spitalore me çmime të dyfishuara, nga 3.8 euro që janë në treg me 8 euro?”, shkruan PD.
“Qytetarët presin përgjigje për këto pyetje. Ata nuk duan të dëgjojnë akuza dhe sulme banale politike, por kërkojnë të vërtetën e kontratave që qeveria i ka klasifikuar si sekret shtetëror. Në vend të fjalëve boshe, Edi Rama duhet të bëjë diçka fare të thjeshtë: të publikojë kontratën e blerjes së këtyre materialeve! Pastaj qytetarët gjykojnë vetë kush thotë të vërtetën dhe kush vjedh”, përfundon reagimi i selisë blu.