-40 ditët e karantinës/ Bilanci i pandemisë që ndryshoi Shqipërinë
Nga Blerina Gjoka
Pandemia pritet ta kthejë ekonominë botërore në kohën e “Depresionit të Madh”, ndërsa vende me ekonomi të brishtë si Shqipëria do të jenë më të rrezikuarit. Sipas ekspertëve të ekonomisë masat drastike kanë vënë realisht në pikpyetje funksionimin e disa sektorëve dhe po varfëron shqiptarët më shumë.
Mbyllja me detyrim e bizneseve për shkak të pandemisë shtoi ndjeshëm frikën për një rrënim ekonomik në vijim të vendit. Ekspertët e ekonomisë nisën të ngrenë zërin për efektet shkatërruese që do të kishin këto masa nëse do të zgjateshin në kohë. Institucionet financiare botërore nisën të bëjnë parashikimet e ndikimit që do të kishte izolimi në ekonomitë e vendeve duke e krahasuar atë që na pret me “Depresionin e Madh” të vitit 1930. Por, ndërsa ekonomitë e mëdha botërore do të vuajnë rënien ekonomike, ekonomitë e vendeve në zhvillim do të përjetonin rrezik të më madh. Shqipëria renditet në 15 vendet e para në listën e shteteve, ekonomia e të cilëve do dëmtohet nga coronavirusi i ri COVID-19, sipas raportit të agjencisë amerikane e vlerësimit Standard&Poors. Sektori më irrezikuar është turizmi, eksportet, etj.. Skenari minimal për ndikimin në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë sipas S&P është një tkurrje prej 1,46%. Ndërkaq skenari maksimal i dëmit në PBB është një tkurrje prej 3,58%.
Ekspertët ngrenë alarmin
Shqiptarët janë ndër vendet më të varfëra në Europë dhe pandemia e coronavirusit pritet ta thellojë këtë varfëri, pavarësisht paketës sociale të qeverisë që premton t’u vijë në ndihmë shtresave të prekura nga izolimi. Shumë ekspertë të ekonomisë kanë qenë kundër masave të rrepta të qeverisë shqiptare dhe po ashtu kanë kritikuar paketën e ndihmës për bizneset e individët si jo gjithpërfshirëse. Pano Soko, ekspert i ekonomisë, tha në një intervistë për gazetën Fjala se “Shqipëria si vend me një ekonomi dhe buxhet të dobët rrezikon shumë më tepër dhe bëhet e prekshme shumë më lehtë nga kriza ekonomike se vendet e zhvilluara. I gjithë problemi lind në mënyrën sesi menaxhojmë krizën. Ne nuk jemi vend i pasur që të zgjedhim metodën drastike të karantinimit absolut, duke mbyllur biznese dhe duke u mbyllur në shtëpi sa të ikë virusi. Ne jemi vend i varfër. Duhet të luajmë zgjuar, sepse s’kemi luksin ndryshe. Na duhet të gjejmë rrugë që na lë mundësi që të mbajmë gjallë dhe atë ekonomi të varfër që kemi, se përndryshe, nëse i shpëtojmë shqiptarët nga Covid dhe na vdesin nga varfëria apo destabiliteti social, kush është ndryshimi”. Ndërsa, Zef Preçi, po ashtu ekspert i ekonomisë, në një analizë të bërë në ditët e kulmit të pandemisë për gazetën Fjala, i mbështeti masat e rrepta për izolimin si e vetmja rrugë për të shpëtuar më shumë jetë njerëzore, por kritikoi masat e marra në balancimin e krizës financiare për familjet shqiptare që shkakton ky izolim. “Në javët në vijm, mendoj se qeveria duhet të rishikojë programin e saj buxhetor afatmesëm, buxhetin e vitit 2020 duke vënë theksin te balancimi i efekteve të krizës së coronavirusit me varfërinë e krijuar nga ndalimi aktivitetit ekonomik në vend, te sigurimi i mjeteve të domosdoshme të jetesës për shtresat me në nevojë të shoqërisë si dhe mëkëmbjen e sipërmarrjeve me peshë në punësim, në eksport, në prodhimin vendas, etj. nëse do të jetë e nevojshme (dhe mendoj se është e nevojshme) qeveria duhet jo vetëm të ndërpresë kontratat konçesionare në zbatim e sipër, duhet të anulllojë për të njëjtat arsye kontratat e reja të llojit PPP duke shfrytëzuar klauzolat ligjore që lidhen me gjendjen e fatkeqësisë nayrore, por edhe “të korrigjojë shënjestrën” d.m.th të korrigjojë edhe paketen e parë të ndihmës buxhetore me qëllim që mbështetja buxhetore e trumbetuar si mbështetje për biznesin, por me kusht që ky i fundit të marrë kredi në bankë, të destinohet drejtpërdrejt në llogaritë e të punësuarve. Kjo për faktin e thjeshtë se është e pazbatueshme dhe është pa kuptim që të pranohet mbyllja e aktivitetit ekonomik, ndërsa të punësuarit që humbasin vendin e punës do të drejtohen drejt asistencës sociale, drejt qeverisë dhe kështu bëhet evident edhe rreziku i përplasjeve sociale… nëse do të jetë e nevojshme mund të lejohet dhe një rritje e lehtë e inflacionit përmes emetimit të parave, pra rritja e parasë në qarkullim për të mbështetur ekonomine”- u shpreh Preçi.
Shok në ekonomi, papunësi dhe ndërmarrje të mbyllura
50-60 mijë persona brenda një muaji mund të shkojë numri i të papunëve në vend si shkak nga mbyllja e bizneseve nga përhapja e coronavirusit. Shifrën e deklaroi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e cila shtoi se nëse kjo periudhë zgjat numri i të papunëve do të rritet akoma më shumë. Ky numër është një kalkulim që vjen në masat aktuale të kufizimit të lëvizjeve. Ka biznese që janë duke menduar ridimensionimin dhe biznese që po shkurtojnë vendet e punës. 36,2% bien eksportet nga goditja prej pandemisë së coronavirusit. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë marsit eksportet shënuan rënien historike prej 36,2% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Rënien më të fortë e kanë regjistruar grupet e ‘Tekstile dhe këpucë’, të njohura ndryshe si fasonët me 18,4%, një nga sektorët më të goditur prej situatës së krijuar nga Covid-19 të cilët prej disa javësh kanë ndërprerë aktivitetin. 174 milionë Euro kredi janë ofruar nga FMN për bilancin e pagesave. Kjo kredi jepet si mbështetje emergjente për Shqipërinë për të përballuar nevojat urgjente të bilancit të pagesave, që ndodhet në situatë të vështirë jo vetëm nga pandemia Covid-19 por edhe nga tërmeti i nëntorit të kaluar. “Rëndësi kritike ka sigurimi i shpenzimeve të nevojshme për kujdes shëndetësor dhe për mbështetje të njerëzve dhe kompanive që janë dëmtuar nga pandemia,” thekson FMN në njoftimin për ofrimin e kredisë.