Bizneset e miratuara për hapje nga Ministria e Shëndetësisë duke nisur nga sot dhe java në vazhdim (20 – 26 prill), mund të shkarkojnë online në www.e-albania.al vërtetimin.
Ky vërtetim merret vetëm një herë dhe se duhet të jetë i disponueshëm, në mjedisin e biznesit kur zhvillohet një procedurë kontrolli. Bizneset e hapura të zbatojnë përpikmërisht protokollin e sigurisë që është i publikuar në www.e-albania.al sipas kategorisë përkatëse.
Nëse përfaqësuesi i biznesit nuk ka një llogari ekzistuese të biznesit në e-albania, ata mund të kryejnë hapjen e saj duke u identifikuar si “Administrator” me kredencialet e tyre. Më pas klikon butonin “Regjistro” një biznes dhe plotëson të dhënat që kërkohen.
Për të gjeneruar vërtetimin, mjafton të identifikoheni në llogarinë e biznesit në e-Albania me nipt-in tuaj dhe të përzgjidhni shërbimin “Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”.
Pasi të klikoni butonin “Përdor”, menjëherë në ekran do t’ju shfaqen të dhënat e biznesit tuaj dhe mesazhi nëse subjekti Juaj lejohet ose jo të ushtrojë aktivitetin në këtë periudhë.
Klikoni butonin “Dërgo” dhe vërtetimi do të vijë menjëherë në adresën e email-it të biznesit që është regjistruar në platformën e-Albania.
Para se të mbyllni dritaren e konfirmimit në e-Albania, lutemi të lexoni me vëmendje protokollin e sigurisë, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura.
Mosdisponimi i vërtetimit si biznes i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë apo moszbatimi i protokollit përkatës të sigurisë, sjellin pasoja administrative dhe penale.
Ky autorizim është i vlefshëm për mbajtësin, deri në momentin që aktiviteti të cilin ai ushtron është në listën e aktiviteteve të lejuara. Në rast se aktiviteti mund të përbëjë rrezikshmëri për shëndetin dhe futet në listën e aktiviteteve të mbyllura, atëherë autorizimi automatikisht humbet vlefshmërinë e tij, në momentin që njoftohet publikisht ndryshimi i kategorisë së aktivitetit.
Dokumentacioni i nevojshëm
Për këtë shërbim nuk nevojitet dokumentacion shoqërues.
Hapat e procedurës
– Identifikohuni si biznes me NIPT në portalin e-Albania;
– Zgjidhni shërbimin “Vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”;
– Klikoni butonin” Përdor”;
– Në formularin elektronik do të shfaqen të dhënat e biznesit tuaj dhe mesazhi nëse subjekti juaj lejohet ose jo të ushtrojë aktivitetin në këtë periudhë;
– Klikoni butonin “Dërgo” dhe vërtetimi do të dërgohet menjëherë në adresën e email-it te biznesit që është regjistruar në platformën e-Albania.
– Në rast se dëshironi të përdorni një email tjetër, ju duhet ta ndryshoni në rubrikën “Hapësira Ime” duke klikuar: Ndrysho të dhënat e llogarisë.
– Para së të mbyllni dritaren e konfirmimit në e-Albania, lutemi të lexoni me vëmendje protokollin e sigurisë, që duhet të zbatojnë bizneset e hapura.
Vërtetimin e gjeneruar mund ta gjeni gjithashtu në çdo kohë në seksionin “Dokumentet e mia” tek hapësira juaj në portalin e-Albania.