Projekti i qeverisë për amnistinë fiskale është nxitur nga pandemia e koronavirusit dhe pritet të miratohet brenda muajit Maj. Plani parashikon futjen në sistemin bankar të të ardhurave të padeklaruara të shtetasve shqiptarë. Opozita e kundërshton duke e cilësuar një plan për pastrimin e parave të krimit.
Qeveria po planifikon të bëjë realitet amnistinë fiskale brenda muajit Maj duke parashikuar futjen në sistemin bankar të miliona eurove që mund të jenë të padeklaruara nga biznese apo qytetarë shqiptarë. Çdokush që do të përfitojë nga kjo amnisti do të paguajë një tatim shtetit shqiptar dhe sa më shpejt të bëhet deklarimi i parave aq më e vogël është përqindja e detyrimit që do të paguhet. Nisma ishte hedhur në publik më herët nga qeveria, por mesa duket pandemia e koronavirusit e ka përshpejtuar atë.Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se amnistia fiskale do të çohet këtë javë në parlament, ndërsa brenda muajit maj pritet të miratohet nga parlamenti. Amnistia mund të zgjasë 1 vit, e ndarë në 3 fasha 4 mujore.
Kush përfiton dhe kush përjashtohet
Kreu i qeverisë i kushtoi një dalje të posaçme për mediat kësaj nisme duke e cilësuar si një moment të rëndësishëm për formalizimine të ardhuarave të realizuara në këto 30 vjet nga shqiptarët kudo që jetojnë.
“Çdo qytetar që ka një pasaportë të Republikës së Shqipërisë mund të përfitojë nga amnistia, natyrisht nëse nuk është në ato kategori përjashtuese që janë kategoritë që përmenda”, tha Rama.
Rama theksoi se drafti do të diskutohet me të gjitha grupet e interesit, ndërsa shton se shqiptarët brenda e jashtë vendit mund të deklarojnë paratë.“Amnistia fiskale dhe penale ka qenë një nismë që e kam prezantuar kohë më parë, përpara se të niste kjo luftë. Do të cojmë draftin në parlament e do të diskutojmë edhe me grupet e interesit. Është një lëvizje e mirë për të gjitha kompanitë dhe ata që jetojnë jashtë, për të formalizuar të ardhurat në 30 vjet, të shqiptarëve që jetojnë brenda vendit dhe jashtë.Më tej, Rama deklaroi se kjo është lëvizje e duhur politike e ekonomike.
“Amnista fiskale është një nismë që e kemi nisur më parë. Amnistia është një lëvizje e domosdoshme politike dhe ekonomike, në kushtet e një ekonomie që nuk e ka formualizuar dot paranë”, u shpreh ai.
Nisma ishte kritikuar gjërësisht nga ekspertët kur u hodh si ide në fillim të vitit, pasi ekziston mundësia e legalizimit të parave të krimit. Por kryeministri garantoi se do të përjashtohen nga amnistia paratë e korrupsionit dhe krimit duke përcaktuara dhe grupet që nuk përfitojnë nga ky lehtësim.
Kryeministri theksoi se të ardhurat nga asetet kriminale dhe korrupsioni nuk amnistohen.
“Përjashtohen nga kjo amnisti të gjithë ata që janë të dënuar për aktivitete të caktuara që hyjnë në veprimtarinë kriminale që është edhe subjekt i drejtpërdrejtë i veprimtarisë së ligjit special dhe OFL-së. Po ashtu, përjashtohen nga kjo amnisti pa diskutim të gjithë politikanët, zyrtarët e lartë së bashku me rrethin e tyre familjar dhe të gjithë ata që militojnë në radhën e Policisë së Shtetit, gjykatësve, prokurorëve apo në radhën e rangjeve të larta të administratës”, tha Rama.
“Amnistia përjashton produktet e aktivitetit kriminal apo korrupsionit. Përjashton politikanët, prokurorët, gjyqtarët e familjarët e tyre dhe padyshim të gjithë ata që janë subjekt i vetë-deklarimit. Drafti do të shtrihet në disa fasha. Secili të vendosë asetet me emrin e vet. Deklarimi i kursimeve nis me tarifën 5 përqind. Kjo është një nismë shqiptare e ne do ta bëjmë”, tha Rama.
Kohëzgjatja
Amnistia mund të zgjasë 1 vit, e ndarë në 3 fasha 4 mujore, parashikoi Rama duke nxitur deklarimin e tyre në 4-mujorin e parë të vitit pasi tarifa detyruese për depozitimin e parave do të jetë më e ulët. “Në fashën e parë detyrimi për të depozituar paratë do të jetë 5%, në fashën e dytë 7 dhe në fashën e tretë 10. Këto janë shifra që do të diskutohen dhe kolaudohen më tutje gjatë diskutimeve dhe me grupet e interesit por edhe komisionet parlamentare”, deklaroi Rama.
“Amnistia për të qenë plotësisht e besueshme dhe përgjithmonë e qëndrueshme do të jetë fiskale dhe penale për këtë periudhë dhe të gjitha subjektet nuk do të kenë në në të ardhmen asnjë konsekuencë të asnjë natyre përveç në rastet kur bëjnë vetëdeklarim të rremë, p.sh., që nuk ka qenë i përfshirë në veprimtari kriminale dhe më pas të rezultojë si i tillë”, tha Rama./ Fjala.al
Fashat dhe tarifat:
Kush deklaron paratë në fashën e I – paguan tarifë 5%
Kush deklaron paratë në fashën e II -paguan tarifë 7%
Kush deklaron paratë në fashën e III – paguan 10% tarifë
Përjashtohen nga amnistia:
-Personat që merren me aktivitetet kriminale
-Politikanët
-Prokurorët
-Punonjësit e Policisë së Shtetit