Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për Euronews Albania flet për zhvillimet më të fundit politike, që nga shkaku i prishjes së koalicionit me LDK-në dhe tek përpjekjet për krijimin e qeverisë së re. Z. Kurti ka deklaruar se, që pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të mbajtura në tetor të vitit të kaluar, Vetëvendosje është dyfishuar. Këtu ai iu referua një sondazhi të fundit.
“Sondazhi i fundit na nxjerr me 52.8% të votave, LDK me 17% dhe PDK me 12.4%. Kjo ka shkaktuar një panik të madh dhe i ka bërë të gjithë bashkë. Më 6 tetor kemi dalë të parët. Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja me ç’rast do t’i mundim edhe po u bënë bashkë që të gjithë”, deklaroi kryeministri në detyrë. “6 muaj e fundit VV është dyfishuar në krahasim me zgjedhjet e tetori kur doli e para. Kjo ka ndikuar të që gjithë të bëhen bashkë kundër nesh që të ruajnë ato privilegjet që kanë pasur pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë”, deklaroi kreu i VV-së.
Z. Kurti tha se ka pritur që qeveria e tij të mos ishte jetëgjatë duke iu referuar elementëve që kanë kapur shtetin në Kosovë dhe në kushte të tilla ka qenë i vetëdijshëm se do të përballej me shumë probleme përveç vështirësive të zakonshme. Duke folur për rrethanat që sollën prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe më pas mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së tij, Albin Kurti tha se, e gjitha ishte një plan dhe shkarkimi i ministrit të Brendshëm ishte gjetje shkaku.
Ai deklaroi se ministri i LDK-së kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në një kohë kur nuk kishte asnjë viktimë nga coronavirus dhe kjo synonte që t’i kalonin kompetenca ekzekutive Presidentit Thaçi dhe madje të tentohej dhe ndonjë incident me Serbinë për t’i rifutur në lojë planin për marrëveshje për shkëmbim territoresh.
Ai thotë se pret që Gjykata Kushtetuese të mos i hapë rrugë krijimit të një qeverie të re dhe se e vetmja zgjidhje për situatën politike janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kryetari i VV-së shprehet se, shkelja është shumë e qartë dhe nuk ka se si të ketë vendim tjetër, por për të dërguar çështjen në gjykatë do të pritet publikimi i letrës që Presidenti mandaton LDK-në për të formuar qeverinë si dhe dekretin për Kuvendin. Përveç Gjykatës Kushtetuese, z. Kurti tha se këtë nuk mund ta lejojë as Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Kryeministri në detyrë tha se e shikonte të pakuptimtë që partitë që votuan mocionin e mosbesimit të mos kërkonin zgjedhje të jashtëzakonshme.
Z. Kurti tha se nuk mund të ketë zgjidhje tjetër politike që do të sillte qëndrueshmëri në Kosovës përvecc zgjedhjeve parlamentare. Madje ai dha dhe një datë se kur mund të organizoheshin këto zgjedhje.
“Mund të mbahen zgjedhje në qershor dhe korrik në varësi se si do të jetë situata e pandemisë. Por ne nuk insistojmë që zgjedhjet të mbahen në kohë pandemie, por jo këto iluzione me Kuvend të vjetër dhe qeveri të re”, deklaroi Kryeministri i Kosovës.
Ai bëri dhe një paralajmërim për ata që po tentojnë të formojnë qeveri, duke thënë se zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar ishin historike për Kosovën.
I pyetur nëse do të bëjë rezistencë nëse arrihet të formohet qeveria e re, z. Kurti tha se çështja nuk është se nuk kërkon të largohet nga pushteti, por nuk e lejuan as të vinte në pushtet.
“Tashmë në sondazhe jemi 52.8%. Këta e dinë shumë mirë se çfarë i gjen në zgjedhjet e ardhshme prandaj duan t’i shtyjnë ato. Kjo qeveri nuk është për të qeverisur por për të vonuar zgjedhjet, ky është funksioni i tyre.”
“Nuk është puna se nuk po e liroj pushtetin, por nuk më lanë praktikisht të vij në pushtet. I mundëm një nga një por mund t’i mundim dhe të gjithë bashkë. Do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese pasi janë në shkelje flagrante, prandaj janë në hall të madh dhe nuk arrijnë të bëjnë numrat. Një deputeti tonë i kanë ofruar postin e ministrit. Sa deputetë, aq ministra. Kjo është shprehje e pafuqisë. Nuk jemi të magjepsur nga sondazhet por i përmend se kanë më shumë rëndësi për kundërshtarët. Sondazhet ata i konsiderojnë shumë të rëndësishme”, u shpreh z. Kurti.