Nisma e pedagoges së jashtme Anisa Gjini për t’i dhënë jetë virtuale bisedave brenda mureve të shtëpisë. Arratisje nga izolimi dhe rikthim i lirisë…
Nga Alessia Selimi
Një kafe virtuale, si kurrë më parë. Muzika në sfond që mposhtet herë pas here nga zëra të mbytur dhe të njëtrajtshëm, shtrëngimet e duarve, përqafimet dhe kontakti sy më sy, duken të largëta, aspak pjesë e këtij realiteti të imponuar nga Covid-19. Anisa Gjini dëshmon megjithatë se distancimi fizik nuk nënkupton dëshirë të ndrydhur për të shkëmbyer ide, qendrime, sikurse edhe eksperienca personale.
“Let’s talk quarantine”, kjo është nisma e ndërmarrë nga 25-vjeçarja. Lindur fare rastësisht nga një dëshirë për të biseduar me të njohur, për mënyrën sesi izolimi ka ndikuar në jetën e punën e tyre. E shkolluar për Inxhinieri Kompjuterike në Finlandë dhe aktualisht pedagoge e jashtme nëUniversitetin Politeknik. Duket se, bota virtuale nuk është aspak një terren i panjohur për Anisën. Ajo tregon për “Fjala” jo vetëm fillesat e kësaj iniciative, por edhe karakterin e ditëve të saj brenda mureve të shtëpisë.
“Ideja për “Let’s talk quarantine” lindi nga një dëshirë e imja për të biseduar me të tjerët, sesi ata po ndiheshin në këtë periudhë dhe për të ndarë eksperiencat, le të themi për të pirë një kafe virtuale me një tematikë të përcaktuar së bashku. Me çdo të ftuar bisedohet një aspekt i veçantë e i personalizuar lidhur me karantinën dhe flitet për mënyrën sesi izolimi ka ndikuar në jetën e punën e tyre”-thotë Anisa, duke u ndalur fill më pas në karakteristikat e të ftuarve të saj.
“Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë persona të cilët kanë pasur një eksperiencë apo mendim për të ndarë në lidhje me tematika si arti, ekonomia, psikologjia dhe probleme të ndryshme sociale. Deri tani kam folur me psikologë, me të rinj të angazhuar në nismat e startupeve, me gazetarë, me drejtues të shoqërisë civile, e me të apasionuar pas librit”-shprehet Anisa, duke shtuar se në të ardhmen janë parashikuar biseda me regjizorë, ekonomistë e persona të tjerë nga fusha e biznesit, por jo vetëm. “Dëshiroj të zhvilloj biseda që vërviten në një gamë të gjerë subjektesh, por pa dalë nga korniza, që në këtë rast janë muret e shtëpisë”-thekson ajo.
Pohimi i Anisës konfirmohet më së miri. Mjafton një shikim rrëmbimthi në faqen e saj në Facebook. Për shkak të vetë natyrës së formatit, bisedat janë padyshim të ndryshme nga njëra-tjetra. Por kë mund të veçojë kjo 25-vjeçare ambicioze? “Nuk mund të vendos gishtin tek asnjë bisedë, sepse kam patur shumë interes për to. Të gjitha kanë pasur një dozë informacioni të ri për mua. Si i tillë mund të përmendet edhe mënyra sesi miqtë e mi janë angazhuar përgjatë izolimit.”
Një realitet i porsa tjetërsuar, luftohet. Në çfarëdolloj forme. Përkatësisht më 12 prill, Anisa festoi ditëlindjen e saj larg njerëzve të zemrës. Dhe si për t’i afruar disi pranë vetes, mohoi një tortë tipike, për t’ia lënë vendin shtatë kekëve të vegjël.
“Më ngjasoi disi me ditëlindjen që kam festuar kur kam qenë në Finlandë me studime, larg familjes, pasi dhe në këtë rast kam që në datën 10 mars që nuk i takoj familjarët. Nga dëshira për të qenë të gjithë bashkë, u bëmë kreativë dhe falë teknologjisë, mundëm të ndanim disa momente të gëzueshme. Si çdo vit, nuk munguan urimet. Por, sivjet kishin një vlerë shumë më të madhe pasi më bënë që të mos ndihesha aq vetëm”-tregon Anisa.
“Gjëja për të cilën më ka marrë më së tepërmi malli është të takoj familjarët e mi; babin, motrën dhe nënën. Sigurisht, edhe për të takuar shoqërinë, të mund të ndajmë momente së bashku dhe t’i përqafoj. Unë nuk e pi kafen, por ndjej mall edhe për t’u ulur në një kafene thjesht për të shijuar rrezet e diellit dhe zhurmën përreth, që është kthyer tani në simbol të asaj normales që shpesh më parë nga bezdiste”-rrëfen Anisa.
Kuptohet se një ditë e saj në karantinë nuk konsiston vetëm në bashkëbisedime publike. “I gjithë procesi im i punës ka kaluar online. Përgjithësisht ndodhem përpara kompjuterit duke punuar. Kam lëvizuar vetëm për pazare, brenda lagjes. Pjesën tjetër të kohës mundohem ta shtyj duke lexuar, duke gatuar dhe duke parë filma”– thotë 25-vjeçarja.
Anisa gëzon jo vetëm dëshirën për t’i dhënë kuptim karantinës së miqve dhe ndjekësve të saj nëpër rrjete sociale, por edhe një qendrim kundrejt masave të marra nga qeveria ndaj Covid-19. Të shoqëruara hera herës nga një ironi e hollë, postimet kundrejt tyre, nuk mungojnë.
“Nuk është tamam revoltë. Siç e kam thënë dhe në statuse, nuk jam duke u munduar të hap debat apo të stimuloj diçka të tillë për masat e marra. Ka qenë më tepër një problem që kam pasur me mënyrën e artikulimit dhe përcaktimit të kategorive që lejohen për të dalë jashtë. Nuk dua të hap asnjë debat politik, pasi preferoj të jem e distancuar nga të tilla debate. Duke evidentuar plot raste në shoqërinë tonë, masa të tilla janë në fakt diskriminuese për një pjesë të shoqërisë, të cilët nuk e kanë një mama në familje, apo kanë problematika të ngjashme”-sqaron fillimisht Anisa.
“Në fund të ditës, mendoj se gjithësecili nga ne duhet të jetë i përgjegjshëm për veprimet e tij dhe sado të mundohet qeveria, kryeministri apo kushdo tjetër me masa administrative, nëse vetë populli nuk është bashkëpunues, të gjitha masat qofshin të duhura ose jo, do të ishin të kota. Nëse sillemi në mënyrë të kujdesshme dhe respektojmë oraret, apo të gjitha rregullat e vendosura, por ama nuk bëjmë kujdesin e duhur kur dalim, gjithë mundi i respektimit të orareve është i kotë. Prandaj mendoj se çfarëdo që të vendosë qeveria, në fund na takon të gjithëve ne për të ruajtur veten në radhë të parë e më pas të tjerët rreth nesh”-përfundon ajo.