Ardi Stefa: Shkollat duhej të hapeshin gradualisht në zonat e gjelbërta

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Mësues, gazetar dhe ekspert i arsimit, Ardi Stefa, thotë për gazetën Fjala se ky vit duhej të konsiderohej i mbyllur, por në asnjë mënyrë nuk duhet të quhej i humbur. Sipas tij vendimi për të mos i hapur shkollat këtë vit nuk ishte i duhuri, pasi në të ashtuquajturat zona të “gjelbërta” apo “limoni” duhet të rihapeshin gradualisht, sipas një plani të detajuar, të mirëmenduar dhe në një kohë të përshtatshme.

Ministria e Arsimit mori vendim që shkollat të mos hapen më këtë vit duke vijuar mësimin online deri në fund të vitit. Si e konsideroni këtë vendim? A është një vendim i drejtë apo i kushtëzuar nga kushtet e shkollove që nuk sigurojnë dot hapësirën për fillimin e mësimit duke zbatuar masat e reja që kushtëzohen nga epidemia e koronavirusit? 

Fillimisht dua t’ju bëj të ditur se që në datën 16 mars kur publikova shkrimin e parë dhe në të gjitha shkrimet apo intervistat në TV gjatë këtyre dy muajve kam këmbëngulur në idenë se: “Ky vit duhej të konsiderohej i mbyllur, por në asnjë mënyrë nuk duhet të quhej i humbur!”. Madje, megjithë kritikat dhe rezervat që kam pasur për mësimin online kam deklaruar se më mirë të zhvillohej një mësim i tillë se sa të mos zhvillohej fare mësim. Në të gjitha prononcimet e mia në mediat vizive e të shkruara, nisur nga përvoja si mësues, por edhe duke parë ecurinë e “COVID-19” në Shqipëri kam kërkuar vazhdimisht që shkolla, sidomos në të ashtuquajturat zona të “gjelbra” apo “limoni” duhet të rihapeshin gradualisht, sipas një plani të detajuar, të mirëmenduar dhe në një kohë të përshtatshme.

Çfarë kërkova?

1-Rihapjen graduale të shkollës fillimisht për klasat e nënta dhe të dymëdhjeta, natyrisht duke u ndarë klasat në një numër dhjetë apo dymbëdhjetë nxënës sipas kapaciteteve të klasave ku të bëhej një përsëritje e detajuar për provimet, sipas një orari të hartuar paraprakisht e fleksibël.

2-Shkollat të merrnin të gjitha masat e sigurisë shëndetësore, distanca fizike, maska, doreza dhe dezinfektantë në çdo klasë për nxënësit e mësuesit.

3-Nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e njëmbëdhjetë duhet të riktheheshin gradualisht në shkollë, me grupe të vogla, ose edhe me turne atje ku ekzistonte mundësia.

4-Përfundimet e vitit shkollor të dilnin me notat e tremujorit të parë e të dytë, ndërkohë që të gjitha mësimet e tremujorit të tretë, i cili u zhvillua në kushte karantine, të ripërsëriteshin në shtator, ndoshta duke filluar 15 apo 20 ditë më parë shkollën.

5-Shkollat të shikonin mundësinë e konsultimeve të veçanta për nxënësit gjatë periudhës së pushimeve verore.

6-Provimet e lirimit dhe të Maturës Shtetërore të zhvillohen, jo online, pasi (mos të gënjejmë veten), as kushtet, as mundësitë e as infrastrukturën shkollore e teknologjike nuk i kemi.

7-Ndoshta provimet (vetëm për sivjet) duhet të zhvillohen nëpër shkollat përkatëse me mësuesit e tyre, siç zhvilloheshin shumë vite më parë, përballë një komisioni dhe vetëm me gojë. Askush të mos mendojë se do të ketë në këtë rast tolerime në notë nga mësuesit, apo shkollat, pasi kështu vihet në dyshim integriteti profesional e njerëzor i mësuesve.

8-Nxënësit duhet të testohen vetëm për programin e zhvilluar deri në 9 mars, sidomos për maturantët dhe nxënësit e klasave të nënta.

9-Testet, sido që të vendoset, të paktën për sivjet duhet të jenë të një niveli mesatar akademik e psikologjik, ndërkohë që heshturazi mund të ketë edhe ndonjë “tolerim” nga ana e korrigjuesve për një korrigjim të butë…

Dhe shumë propozime të tjera, që nuk po i përmend.

Tani më thoni: Sa prej kërkesave tona u morën parasysh nga ministria? Rreth 90% e tyre. Po përse kërkova me ngulm që shkolla të rihapej? Argumentet do t’i rendis më poshtë.

a-Edhe pse dikush mund të ketë pretendimin se rikthimi i nxënësve në bangat e shkollës mund të kishte pasoja të rënda për shëndetin e popullsisë, se nxënësit mund të jenë bartës dhe mund të infektojnë të tjerët. Ndoshta është kështu. Ndoshta kanë edhe të drejtë. Natyrisht që shëndeti është mbi gjithçka dhe unë nuk pretendoj që shkolla të rihapej menjëherë. Por çështja duhet të shtrohej edhe ndryshe dhe jo vetëm nga këndvështrimi zyrtar.

b-Shkollat u mbyllën dhe mirë bënë që u mbyllën.

Por a duhet të qëndrojnë të mbyllura deri në shtator siç u vendos?

Jo vetëm përsa i përket formimit arsimor e dijeve që marrin nxënësit, ky vit shkollor duhet të quhet i dështuar. Ky vit shkollor dhe kjo pandemi nuk nxorri në pah vetëm dështimin, papërgatitjen dhe insufiçencën e sistemit shëndetësor, dritëshkurtësinë e sistemeve politike, por kjo pandemi dëshmoi se sa të papërgatitur e sa të dështuar e kishim sistemin arsimor. Mësimi online, pavarësisht sondazheve, nuk ka rezultat. Nxënësit dhe mësuesit ishin të papërgatitur për një situatë të tillë dhe tashmë, një muaj e gjysmë më pas, mësimi bëhet formalisht; nxënësit e kanë humbur interesin dhe flenë gjumë, prindërit nuk po dinë më si të veprojnë që të menaxhojnë jo vetëm ekonominë familjare, por edhe fëmijët e tyre, mësuesit janë në ankth, jo vetëm për zhvillimin e mësimit, por edhe për përgatitjen e nxënësve, për plotësimin e dokumentacionit që u kërkohet me ngulm nga drejtoritë arsimore, por edhe për pagën e tyre, sidomos mësuesit e të gjitha niveleve në shkollat private, të cilët në kushtet e një kapitalizmi që nuk është kapitalizëm dhe të një shteti që nuk është shtet, rrezikohen potencialisht që të mbushin radhët e të papunëve në qershor apo në shtator të vitit pasardhës shkollor. Ministria e Arsimit nuk kishte një platformë unike për mësimdhënien, duke bërë që mësuesit të punonin si të mundnin e qysh të mundnin. Aspak efikase, pavarësisht përkushtimit të mësuesve. Disa shtete kanë vendosur që t’i rihapin shkollat në shtator, disa shtete të tjera të BE shqyrtojnë mundësinë e rihapjes graduale të shkollave pas datës 4 maj, disa të tjera mendojnë të rihapin shkollat vetëm për maturantët dhe nxënësit e ciklit të mesëm të ulët që kanë provime.

Në Shqipëri ministria e Arsimit ishte fund dhe jo në pararojë të zhvillimeve. Voli mendimet që bashkë me Ndriçim Mehmetin dhe disa të tjerë i artikuluam guximshëm dhe në 28 prill i paraqiti si të sajat, natyrisht duke mos përmendur ata që guxuan e i thanë të parët. Madje propozimet tona për rikthimin në bangat e shkollës fillimisht të nxënësve të klasave të nënta dhe maturantëve dhe më pas edhe të nxënësve të klasave të tjera, ministria i mori dhe i ndryshoi duke rikthyer vetëm maturantët për tre javë dhe duke anulluar provimet për klasën e pestë dhe të nëntë dhe duke e mbyllur vitin shkollor dy javë përpara afatit.

Lexo edhe :  Rama, krah SPAK-ut/ "Pandëshkueshmëria nuk është më mit, por një monument i rrëzuar"

c-Vazhdohet me sloganin: “Shëndeti mbi të gjitha!”.

Natyrisht kam bindjen e plotë se duhet tashmë të mësohemi të jetojmë që këtej e tutje me këtë virus. Natyrisht që shumë shkolla nuk i plotësojnë standartet elementare të higjienës dhe distancimit fizik e social që kërkohet. Por shëndeti i kujt po “mbrohet”? Shëndeti i një popullsie të izoluar që sa vjen e përkeqësohet nga inertësia, nga mungesa e aktivitetit fizik? Nga mungesa e aktivitetit social? Nga mungesa e kontakteve fizike me bashkëmoshatarët?

Shëndeti i kujt po mbrohet? I fëmijëve të ciklit të ulët, që po u “bëhet” mësim në distancë dhe po u krijon pasoja në sjellje, qëndrim apo formim? Sa e kuptojnë ata mësimin në këto kushte? Sa bashkëveprues janë?

Shëndeti i kujt po mbrohet?

I të rinjve dhe adoleshentëve, të cilët në rast të një rishfaqjeje të COVID-19 në tetor apo nëntor do të jenë më të dobët, njëlloj si pjesa tjetër e popullsisë, pasi nuk do të kenë krijuar antitrupa? E pra, në emër të mbrojtjes së shëndetit, shëndeti ynë po dobësohet e po rrezikohet seriozisht dhe është rezultat i drejtpërdrejtë i politikës së ndjekur, jo vetëm nga qeveria dhe parlamenti, por edhe nga opozita. Qeveria, opozita, shëndetësia, askush nuk e di sa pranë vdekjes është shumica e shqiptarëve, për shkak të efekteve që izolimi i njerëzve, ndalimi i ekonomisë dhe kriza ekonomike e sociale që po shfaqet frikshëm në horizont kanë mbi përkeqësimin e shëndetit fizik, mendor, apo edhe cilësisë së jetës së tyre ekonomike dhe sociale, le më politike.

Shëndeti i kujt po mbrohet?

I një popullsie, e cila kur të kalojë pandemia, do të jetë e rrënuar aq shumë ekonomikisht, sa nuk do të ketë para për t’u ushqyer e jo më për të blerë vaksinën?…

Shëndeti i kujt po mbrohet?

I të rinjve dhe adoleshentëve që po verbohen nëpër celularë duke komunikuar virtualisht me shokët dhe duke krijuar, jo vetëm distancimin social, por edhe fizik, edhe distancimin mendor apo edhe atë emocional nga bashkëmoshatarët e tyre. I imagjinojmë pasojat e parikuperueshme që do të ketë ky brez i ri kur “të dalim”, po dolëm nga karantina dhe nga kjo gjendje?

Të rinjtë e të rejat, nxënësit do të jenë më të izoluar, më të mbyllur në vetvete, më asocialë, më të varuar nga teknologjia dhe me shumë ndryshime në psikosintezën e formimin e tyre.

Shkolla duhet të rihapej, edhe për shkak, se nxënësit kur të rikthehen në bangat e shkollës në shtator, atëherë periudha e shkëputjes është rreth gjashtë muaj. Një periudhë shumë e gjatë shkëputjeje, e cila do të ketë pasoja të parikuperueshme në mësimdhënien e mësimnxënien. Me pasoja të rënda në formimin e tyre…

Po në rast se ky virus rishfaqet në tetor, nëntor apo dhjetor, çfarë do të ndodhë? Do të rimbyllen shkollat përsëri? E kuptojmë se ku po shkojmë apo çfarë pasoja do të ketë kjo gjë në sistemin arsimor të një brezi të tërë që nga klasa e parë e deri në klasë të dymbëdhjetë?

Shëndeti i kujt po mbrohet?

I mësuesve, të cilët do të mbushin radhët e të papunëve, jo vetëm për shkak të falimentimit të shumë shkollave private, por edhe për shkak të pakësimit të nxënësve në shkollat e shtetit, të cilët në përfundim të kësaj pandemie dhe në kushtet e një krize tepër të rëndë ekonomike, do të largohen përfundimisht nga Shqipëria…

Shëndeti im dhe i shqiptarëve besoj se mbrohet kur mbrohet ekonomia, kur mbrohet shkolla, kur mbrohet shoqëria, kur mbrohet dhe investohet tek arsimi dhe shëndetësia, kur mbrohet demokracia!

Ministria la në dëshirën e prindërve përsëritjen e vitit shkollor nëse nuk janë dakord me vlerësimin në bazë të performancës që kanë pasur nxënësit deri më 9 mars, çfarë mund të sjellë kjo?

Kjo është një deklaratë sa e pakuptimtë aq edhe kontradiktore nga ana e ministrisë. Nga njëra anë ministria thotë që mësimin online ishte i suksesshëm, nga ana tjetër pranon dëstimin kur thotë “përsërisni vitin po nuk ju pëlqyen notat që do merrni, vetëm na lajmëroni në kohë”. Si mund të thuhet kjo gjë, kur jepet “urdhër” nën zë që mësuesit të jenë tolerantë e dashamirës në vlerësim dhe nga ana tjetër t’u thuash nxënësve të përsërisin vitin pa penalizime po qe se ashtu e mendojnë?

Apo mos është një lloj presioni që u jepet prindërve për të pasur rezultate më të mira për  fëmijët e tyre? Por ai që e dha një ide të tillë kaq gjeniale, a i kishte parasysh kostot ekonomike e sociale për familjet e nxënësit, sa miliona duhet të shpenzojnë në vit familjet shqiptare për “arsimin falas”? Një alternativë e tillë që u orfohet prindërve e nxnësve nuk është aspak reale dhe e zbatueshme. Në rastin më të mirë është e pamenduar dhe e nxituar.

A po funksionon mësimi online, çfarë problematikash ka dhe sa e mundur është që nxënësit të jenë në koherencë me mësimdhënien nëpërmjet kësaj metode, kur ata janë mësuar me konceptin fizik të shkollës, kontaktit me mësuesit?

Unë e përmenda edhe më sipër! Për ne kjo ishte një përvojë e re. Të mësuar me mënyrën klasike të mësimdhënies u gjendëm të papërgatitur. Mësimi “online”, ashtu siç u zhvillua rezultoi joefikas. Mësuesit që në javën e parë krijuan grupe në rrjetet sociale (pavarësisht se me ligj ndalohet një komunikim i tillë me nxënësit, për arsye që nuk është nevoja t’i përmendim këtu), krijuan grupe në Ëhatsaap, Clasroom, Zoom e disa platforma të tjera. Portali Shkollor ka dhënë nj[ë ndihmesë të madhe me mësime të ndryshme interaktive. Madje RTSH vuri në dispozicion të nxënësve e mësuesve disa orë leksionesh (të cilat u trumbetuan shumë e me të madhe, pavarësisht se ishin në ca pak lëndë dhe shpesh me tema që i përkisnin kurrikulës së vjetër dhe të regjistrura vite më parë). Mësuesit punuan me heroizëm e përkushtim dhe meritojnë mirënjohjen e gjithë shoqërisë për sakrificën dhe reagimin e menjëhershëm në këtë periudhë. Por mungesa e një platforme të unifikuar ka cënuar jo vetëm cilësinë e mësimdhënies, por edhe të mësimnxënies. Jo vetëm se mungonte përgatitja nga ana e ministrisë dhe e shkollave për një situatë të tillë, por edhe për faktin se nxënësit tanë nuk kanë as disiplinën e as kulturën gjermane, nordike apo japoneze të të mësuarit. Gjithsesi kjo periudhë duhet të na bëhet mësim, në mënyrë që në të ardhmen të përgatisim infrastrukturën edhe për zhvillimin e një mësimi të tillë. Duhet vullnet, përkushtim, transparencë e mendje e hapur!

Të fundit

Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme nis në 2025

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme në Shqipëri pritet të bëhet në vitin 2025, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit,...

Del një tjetër foto e Arben Ahmetajt nga arratia

Një tjetër foto e ish-numrit dy të qeverisë Rama, Arben Ahmetajt është publikuar së fundmi. Ish-zv.kryeministri, i cili prej më shumë se një viti tanimë...

Çifti i parë në Big Brother VIP? Dy banorët përqafime të “nxehta” poshtë jorganit

Jozi dhe Loredana mund të jetë çifti i parë që krijohet në edicionin e katërt të Big Brother Vip Albania. Dyshja kanë treguar afrimitet mes...

Nga darka me familjen tek udhëtimet, ku do t’i kalojnë festat shqiptarët

Të privuar për të kremtuar Krishtlindjet gjatë diktaturës, Viti i Ri prej dekadash është shndërruar në festën më të rëndësishme dhe më të dashur...

Ditët e fundit të 2024-ës mbyllen me diell, zonat malore temperatura nën 0 gradë C

Nga dita e hënë deri ditën e enjte moti parashikohet i qëndrueshëm dhe i kthjellët, ndërsa vranësirat të pakta kalimtare në veri e lindje...

Lajme të tjera

Web TV