“Dita e punës fillon e mbaron në të njëjtin vend, në shtëpi, pa pasur mundësi të çlodhjes nëpërmjet lodhjes fizike, shëtitjeve apo marrjes me diçka tjetër, të ndryshme nga ajo që përbën thelbin e përkushtimit tënd”
Nga Leonard Veizi
Për shansin tonë të mirë dhe të kuptueshëm, jo të gjithë kemi mendime të njëjta. Nëse do të ishte kështu do të kishim të bënim me diçka uniformë me të cilën do të mërziteshim më shpejt nga sa mund ta mendonim. Dhe padyshim, nga një shkrimtar si Virion Graçi nuk mund të presim diçka të njëtrajtshme a monotone. Sepse edhe ca pyetjeve standarde, ai, si në gjithë krijimtarinë e tij letrare, di t’i përgjigjet me shumë elegancë, për të të bërë t’i shkosh deri në fund asaj çka ai thotë larg standardit pyetësor. Por edhe më të skajshme një gjë të tillë duket se e bën edhe ajo çfarë del prej tij në këto ditë të pazakonta të një karantine të padëgjuar prej kushedi sa kohësh. Ndaj për gazetën “Fjala” Virion Graçi thotë:
– Si po i kaloni ditët në karantinë?
Mënyra ime e të jetuarit nuk ka ndryshuar formë në parim; të njëjtat punë e angazhime që kisha në periudhën normale. Kam humbur bisedat e paradites me miq, shokë, kolegë të cilat karakterizoheshin nga spontaniteti, humori, riciklimi i temave të mëdha a të vogla që qarkullojnë në përgjithësi në mjediset tona. Tashmë dita e punës fillon e mbaron në të njëjtin vend, në shtëpi, pa pasur mundësi të çlodhjes nëpërmjet lodhjes fizike, shëtitjeve apo marrjes me diçka tjetër, të ndryshme nga ajo që përbën thelbin e përkushtimit tënd. Dal për pazaret e domosdoshme, përpiqem të shmang çdo frymor që kam përballë dhe kjo më bën të kuptoj pse ka kaq pak sulmues të mirë bota e futbollit, është e pamundur t’i shpërthesh muret e gjalla prej njerëzish.
– A është frymëzuese për ju një situatë e tillë?
Jam i mendimit se artin letrar në përgjithësi e ka nxitur dëshpërimi, zhgënjimi, pasiguria e madhe në perspektivat vetjake e ato historike, të shoqërisë; nëse i qëndroj këtij mendimi, duket një kohë që mund të kërkojë të mbushet e të tejkalohet me sukses edhe nëpërmjet letërsisë artistike. Gjithsesi, një shoqëri e gjunjëzuar ekonomikisht e psikologjikisht prej kësaj situate komplekse shëndetësore e ka të pa mundur të ketë durim e dëshirë të mirëpresë vepra arti që mbajnë po vulën dhe shenjat karakteristike të kësaj fatkeqësie madhore planetare. Pritshmërinë e përfytyruara për veprat tona të ardhshme bëhen shkak që ne të abortojmë, të mbysim në embrion dhjetëra ide, figura, përfytyrime që në kushte normale mund të vlenin, mund të vinin në jetë e të gëzonin pëlqimin e publikut.
-A mund të përbëjë ky precedent një motiv për të ardhmen të shkruhet më shumë për të e rreth saj?
Fatkeqësitë e mëdha janë monotone, shkruan A. Kamus. Këtu konkurrenca është e madhe, mund të jemi miliona reporterë, amatorë e profesionistë në të njëjtin front lufte i cili nuk ka asnjë nuancë ndryshimi e origjinaliteti që nga Kina, në Skandinavi, Mesdhe, Baltik, Lindjen e Mesme a Lindjen e Largët – Japoni-Kore. Nuk kemi gjasa për të shkëlqyer në skenën e madhe globale me përvojërat tona nga kjo periudhë, aq më tepër që mjete më të kollajshme komunikimi e rrëfimi masiv si videot, filmimet e fshehta a të autorizuara, kronikat televizive, statistikat kryeneçe, prononcimet e specialistëve epidemiologë kanë eksploruar online gati çdo aspekt pathologjik e skenik të problemit kryesor. Por ne si shkrimtarë mund gjejnë shpëtim në atë botë që ka qenë e do të mbetet e pa grabitur nga gjahtarët e rrëfimeve audio-vizive, në botën e padukshme të shpirtit njerëzor, në labirintet e qenies së tij që janë në metamorfozë të pa ndërprerë nëpër etapa e sfida të përorëshme të jetës së përditshme.
-A mund të kthehet në vlerë qëndrimi si i ngujuar nga frika e një virusi?
Po, pa diskutim. Të qëndrosh larg rrezikut të infektimit është po aq burrërore sa të heqësh nga rruga e lagjes një minë luftarake, është po aq e dobishme sa të tërheqësh nga zjarri i luftës për në zonë më të sigurt shtresa më delikate se ti sikurse mund të jenë të moshuarit, ata që kanë sëmundje shoqëruese, kronike si diabeti, tensioni i gjakut, tumore, etj. Nuk duhet ta përfytyrojmë përherë trimërinë, burrërinë, guximin me muskuj, me aksione epike, me veprime të jashtëzakonshme që kërkojnë energji e aftësi të jashtëzakonshme. Ja që heroizmi qytetar ka dhe një pamje të tillë: rri gjithë ditën në shtëpi, lexo, shiko ndonjë film, shkruaj diçka, dëgjo muzikë. Administrimi i frikës, shndërrimi i saj në kujdes për veten, e për rrjedhim, në kujdes dhe për ata që ke pranë a në kontakt, është vlerë, është humanizëm, është bamirësi.
-Kush është primare në këto ditë, leximi apo krijimtaria?
Leximi i vetes. Meditimi në kuptimin më skematik të fjalës. Ç’farë mund të më thotë një libër më shumë se përqendrimi në vetvete, te historitë tonë të afërta a të largëta? Ç’farë mund të më frymëzojë më shumë për qëndresë ndaj epidemisë se sa respekti për veten, parë në retrospektivën e fakteve të gjalla. Kam përshtypjen se kapacitetet e njeriut për të lexuar a për të shkruar nuk mund të zgjerohen a të shumëfishohen papritur si sasi orësh; epidemia, izolimi nuk janë alkimi mrekulli bërëse, aq më pak ato nuk mund të jenë në krahun tonë; leximi dhe shkrimi krijues nuk kanë nevojë për nerva të tendosura nga ankthi, pasiguria, monotonia e uniformaliteti pandemik. Arti nuk kopjon, nuk përsërit, ai sjell në jetë diçka esenciale që i mungon njeriut. Kryesore është ruajtja e ekuilibrave shpirtërore-psikologjikë; euforia shkakton më shumë dëme se pesimizmi, sidomos po të kemi parasysh proceset krijuese-shkrimore. Trupi yt, përditshmëria jote kanë vetëm një udhëheqës të pa gabueshëm: -instinktin tënd, vetëdijen tënde njerëzore, shprehitë e tua të reja e të krijuara ndër vite; çdo modifikim tjetër nëpërmjet modeleve të jashtme a udhëzueseve elektronikë do të ishte katastrofë, katrahurë e karikaturë njëkohësisht.