Tirana merr titullin, por humb milionat…

Në një skenar hipotetik që po mendohet nga qeveria shqiptare, ekziston mundësia për “fshirjen” totale të pjesës së mbetur të kalendarit të Superiores. Por, nëse për caktimin e kampiones, dhe ekipeve që shkojnë në Europë, e atyre që zbresin, logjika është disi e drejtë, skuadrat duhet të mendojnë edhe për humbjet nga shitja e biletave, markat dhe produktet zyrtare, zhvlerësimi i lojtarëve e sigurisht e drejta televizive.

Me 19 mijë shikues në ‘Air Albania’ në derbin e zhvilluar ndaj bardhebluve në muajin Dhjetor, 200 milionë Lekë fitoi Partizani nga biletat. Ky është një shembull i qartë sesi ekipet e kryeqytetit do të privohen nga miliona, nëse Liga mbyllet në Maj.

Nëse vjen mbyllja e parakohshme e sezonit futbollistik në Shqipëri, Tirana do të marrë lekët e titullit nga FSHF por do ketë dëme të mëdha sepse në 100 vjetorin e themelimit, me më shumë entuziazëm se kurrë dhe me pikaverazhin komod që i jep hendekun në krye, nuk do shfrytëzonte biletat, dhe prodhimin e simboleve nga kompania Macron.
Sfidat në “Air Albania” kanë sjellë përfitime të majme për presidentin Refik Halili që vazhdon të kontestohet nga tifozët.

Bardheblutë llogarisnin të luanin dhe 3 ndeshje në impiantin në kryeqytet, të cilin e zgjodhën pas një sondazhi thuajse fals në rrjete sociale, me vetëdijen se më mirë i paracaktuar, stadiumi do sillte më shumë para. Tirana priste 600 milionë Lekë nga sfida si Tirana-Vllaznia, Tirana-Kukësi dhe Tirana-Bylis, ndeshja e fundit dhe festa e pritshme.

Situatë e njëjtë edhe për Partizanin që ndërkohë, “shterohet” financiarisht nga shpenzimet për kompleksin e ri të mbështetur fort nga presidenti Demi, por jo FSHF.