Nga Silvana Tresa
Spitali “Shefqet Ndroqi” ka përballuar rastet më të rënda me Covid-19. Shefja e reanimacionit, njëherazi nëndrejtoreshë e këtij spitali, Alma Cani, në një intervistë për gazetën “Fjala”, thotë se aktualisht në repartin e kujdesit intensiv ndodhet vetëm 1 paciente, e cila ka edhe disa sëmundje bashkëshoqëruese.
Spitali “Shefqet Ndroqi” edhe pse me numër më të kufizuar të të prekurve me koronavirus, po trajton rastet më të rënda. Për sa i përket vdekshmërisë së ulët që ka pasur Shqipëria në këtë pandemi, Cani vlerëson vlerëson masat e marra nga kryeministri Edi Rama, dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, sidomos me pajisjen me ventilatorë për pacientët, dhe masat e domosdoshme mbrojtëse për mjekët. Rënien e fluksit të pacientëve në spital Cani e sheh si një tregues pozitiv për përmirësimin e gjendjes, megjithatë nënvizon se do të duhen edhe disa ditë për të pasur një panoramë më të plotë të situatës. Dr. Cani, beson se pasja e një vaksine do të ulë ndjeshëm agresivitetin e virusit, dhe do të shmangë komplikacionet tek të sëmurët.
Znj. Cani si paraqitet situata e pacientëve, që ndodhen aktualisht të shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”? Sa pacientë janë të shtruar në reanimacion?
Aktualisht ka rënë fluksi prej disa ditesh. Në reanimacion kemi vetëm një paciente e cila përveç se është e diagnostikuar me Covid-19, ka dhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, si diabeti, sëmundje iskemike të zemrës (SIZ), hipertension arterial etj.
Sa shanse ka një pacient i intubuar që t’i mbijetojë sëmundjes?
Pacientja që ndodhet në reanimacion nuk është e intubuar, por po trajtohet me metoda jo invazive të oksigjenimit me maska e sonda nazale. Për sa i përket futjes në respiracion të drejtuar (intubimit), kjo varet nga shumë faktorë.
Në mjekësi, duke mos qenë shkencë ekzakte nuk mund të thuash gjëra fikse, ndaj, siç e thashë më sipër, ka shumë faktorë që ndikojnë në daljen ose jo nga intubimi të pacientit. Gjendja e përgjithshme e pacientit, që është komplekse me situatën klinike dhe me alterimet në bilancin e ekzaminimeve të kryera, imazhit radilogjik, CT Scanpulmonar (mushkërisë), dëmtimet që evidentohen në mushkëri, bilancin e analizave të gjakut, dhe specifikisht gaz-analizat, që janë shumë të rëndësishme për të përcaktuar gazet në gjakun arterial, duke na dhënë vlerat e oksigjenit (O2) dhe gazit karbonik (CO2), që është një tregues domethënës për intubimin ose jo të pacientit, si dhe për daljen nga intubimi.
Mosha e pacientit është një faktor tjetër që ndikon në ecurinë e sëmundjes te pacientët e intubuar. Sëmundjet bashkëshoqeruese ndikojnë gjithashtu në ecurinë e sëmundjes, si për shembull diabeti, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike (SPOK), sëmundjet kardiake, hipertensioni arterial etj., që bëjnë alterimin e organeve të tjera vitale, duke e rënduar situatën klinike drejt insuficiencës multiorganore (mosfunksionimi i shumë organeve të organizmit) që çojnë në fatalitet.
Në ecurinë e sëmundjes ndikojnë gjithashtu historia e jetës së pacientit, obeziteti, alkooli, duhanpirja. Probabiliteti i mbijetesës, varet pra nga shumë faktorë. E rëndësishme është edhe koha e ardhjes së pacientit në spital, pasi vonesat duke qëndruar për disa në shtëpi me vështirësi në frymëmarrje, mund të jenë fatale për pacientin.
Nga informacionet që kemi marrë gjatë këtyre ditëve nga kolegë nga vende të ndryshme të botës, ka pasur diskutime nëse duhen intubuar ose jo, duhen intubuar menjëherë që në momentin e ardhjes ose jo, gjëra të cilat pas kalimit të kësaj situate të pandemisë, do të jenë objekt diskutimesh të specialistëve të mjekësisë.
Për rastet qe ne patëm, mundëm të realizonim nxjerrjen nga intubimi të pacientëve, pavarësisht se ishte në moshë mbi 70 vjeç dhe me sëmundje bashkëshoqëruese, hipertension arterial, dhe sëmundje kardiake gjithashtu! Por patëm dhe humbje jete, të cilat me gjithë asistencën intensive të mjekimit, nuk mundën të mbijetonin. Ajo që është e rëndësishme, është që çdo pacienti i duhet dhënë deri në fund shansi për të mbijetuar. Kjo është detyra jonë, të bëjmë maksimumin e mundshëm.
Shqipëria bashkë me Bullgarinë renditet ndër vendet me vdekshmërinë më të ulët në Evropë nga Covid-19. Sa kanë ndikuar masat e marra, dhe fakti që popullata është vaksinuar disa herë kundër tuberkulozit?
Mendoj që kanë një vlerë të rëndësishme masat paraprake dhe në vazhdim nga ana e qeverisë dhe kryeministrit Rama, por edhe funksionimi në mënyrë të shpejtë i të gjitha hallkave të zinxhirit shtetëror në veçanti të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe kryesisht të ministres Ogerta Manastirliu për drejtimin dhe organizimin e menjëhershëm dhe profesional të spitaleve në mbarë vendin, veçanërisht të Spitaleve Covid 1 dhe Covid 2, si dhe me furnizimin me respiratorë e medikamente, që ishin më se të domosdoshme për pandeminë; sigurimin e veshjeve mbrojtëse për personelin shëndetësor; sigurimin e një informacioni të shpejtë spitalor, ndërspitalor dhe kombëtar për gjithë situatën e sëmundshmërisë në mbarë vendin.
Gjithashtu, na ka dhënë një mbështetje inkurajuese për të gjithë bluzat e bardha e, për më tepër, ne që ishim në vijën e parë të frontit. Mendoj që të gjitha këto janë një tregues i domosdoshëm, për shmangien e përhapjes në masë të infeksionit në popullatë, duke ulur kështu dhe përqindjet e vdekshmërisë. Për sa i përket vaksinimit, këtë duhet ta thonë specialistet e shëndetit publik dhe epidemiologët.
Gjatë ditëve të fundit është vënë re një rënie e numrit të rasteve të reja me Covid-19? Mendoni se po shkojmë drejt një uljeje të qëndrueshme të kurbës?
Ne po e shohim dhe në spital te ne, që fluksi i pacientëve ka rënë. Uroj që të jetë e vërtetë ulja e kurbës, por duhet parë në ditët në vazhdim për të qenë më të sigurt!
Duke nisur nga data 20 prill, çdo javë ka një lehtësim të masave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë? Ndërkohë OBSH ka apeluar për kujdes dhe vigjilencë maksimale, për shkak të rrezikut të një vale të dytë të koronavirusit. Cili është mendimi juaj si eksperte, gjykuar dhe nga ajo që po ndodh në vendet e tjera, që po hapen me ritme më të shpejta sesa ne?
Në kushtet e kësaj situate të pandemisë mbarë botërore, natyrisht edhe qeveria shqiptare po merr masa në mënyrë graduale, që të funksionojnë edhe sektorët e tjerë ekonomiko-shoqërorë, që janë jetikë për vendin.
Ashtu siç po veprojnë edhe vende të tjera të botës. Natyrisht, lehtësimi i masave është një opsion i rëndësishëm tashmë, dhe ai duhet të bëhet gradualisht sipas udhëzimeve të OBSH-së. Kthimi në normalitet do kohën e vet, dhe shpresoj ta kalojmë me sa më pak pasoja.
Të gjithë janë duke pritur daljen e vaksinës, kundër këtij virusi të rrezikshëm. Deri atëherë, shumë ekspertë shpresojnë të arrihet gradualisht i ashtuquajturi “imunitet i tufës”. A mund të arrihet kjo në vendin tonë? Dhe nëse po, kur?
Mendoj se po. Me sa kemi informacione nga studimet e bëra nga disa qendra studimore në botë, shfaqja e antikorpeve në trupin e njeriut është evidente dhe ndikon në imunitetin e organizmit. Gjithsesi, këtë mund të thonë më mirë specialistët e shëndetit publik dhe epidemiologët. Shqipëria ka fatmirësisht profesionistë shumë të aftë.
Shumë ekspertë të huaj mendojnë se Covid-19 do të shfaqet dhe rishfaqet në të ardhmen ashtu si gripi sezonal. A do ta ulë pasja e një vaksine agresivitetin e këtij virusi, duke shmangur kështu komplikacionet tek të sëmurët?
Shfaqja e këtij virusi është një ekuacion me shumë të panjohura për mbarë botën, natyrisht edhe për ne gjithashtu. Por në logjikën time, mendoj se pasja e një vaksine, do të ndikojë në uljen e agresiviteti të virusit, si dhe ajo që është më e rëndësishme, në shmangien e komplikacioneve tek të sëmurët. Uroj sa më shpejt për gjithë njerëzimin rikthimin në normalitet, me frymëmarrje të lirë!