Protesta ndaj karantinës/ Meta: Dhuna e papranueshme

Meta Protesta

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas dhunës së ushtruar sot në protestën e zhvilluar nga shoqëria civile në Sheshin Skënderbej.

Presidenti Meta thotë se dhuna e ushtruar ndaj aktivistëve të shoqërisë civile pikërisht në Ditën e Europës, është e papranueshme, pasi jo vetëm dëmton kontributet e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe imazhin e besueshmërinë e vendit tonë ndërkohë që përpiqemi të integrohemi sa më parë në Bashkimin Europian.

Sipas Metës, e drejta për të protestuar edhe përgjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore është e garantuar nga Kushtetuta.

STATUSI I PLOTE

Dhuna ndaj aktivistëve të shoqërisë civile në Sheshin Skënderbej është e papranueshme dhe kremtimi më i shëmtuar për Ditën e Europës , që dëmton jo vetëm kontributet e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe imazhin dhe besueshmërinë e vendit tonë, në përpjekjet për t’u integruar sa më parë në Bashkimin Europian.

E drejta e protestës, që është fondamentale për vetë ekzistencën e demokracisë në çfarëdolloj rrethanash e kushtesh, edhe përgjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, garantohet qartësisht nga Kushtetuta.

Kjo është një e drejtë themelore që duhet respektuar në çdo kohë dhe nga çdo autoritet.

ZËRI I QYTETARËVE DUHET DËGJUAR!