-Politika post-Covid/ Kush humbi dhe kush fitoi nga epidemia?!
“Nuk ka pandemi që e zbut pandeminë e konfliktit politik në Shqipëri”, shprehet gazetari Roland Qafoku, drejtues i emisionit Hard Talk pranë grupit mediatik “Fjala”. Pas një pushimi disajavor ku nuk munguan sinjalet konfliktuale, edhe pse në kohë epidemie, situata politike do të rikthehet atje ku ishte. Qafoku beson se vetëm zgjedhjet e vitit 2021 do të mund të sjellin normalitetin që i ka munguar skenës politike me largimin e opozitës nga parlamenti dhe me bojkotin e zgjedhjeve lokale, duke rrezikuar demokracinë me lënien në dorë të Ramës të të gjitha pushteteve.
Gjendjes së izolimit të jetës për shkak të epidemisë në vend duket se po i vjen fundi dhe politika pritet t’i rikthehet normalitetit. Madje, kryeministri Rama e ka “harruar” koronavirusin dhe ka nisur të inspektojë ndërtimet e rrugëve e stadiumeve. Si e mendoni skenën politike pas Covid-it?
Edi Rama bën ç’të dojë dhe nuk të pyet as ty e as mua, sigurisht as rregullat e karantinës. Duket pak kontradiktore me këtë që po them, por realisht kam qenë prezent në një rast që Edi Rama i zbaton rregullat në kësi rastesh. Nuk e piu që nuk e piu cigaren brenda lokalit të televizionit ku unë punoja dhe e kisha të ftuar në emision vetëm e vetëm për të mos shkelur ligjin, edhe pse jashtë binte borë. Por që të vijmë te situata post-Covid mendoj se do të jetë thjesht atje ku e lamë. Nuk ka pandemi që e zbut pandeminë e konfliktit politik në Shqipëri. Palët kanë dhënë sinjale konfliktuale që gjatë ditëve të rrezikut dhe jo më tani që është lëshuar fare. Prisni edhe pak dhe do të shikoni se si do kacafyten gjelat e politikës. Qeveria do të jetë e fortë, stoike, refraktare, mospërfillëse, armike, kurse opozita do të akuzojë qeverinë që e përjashton dhe e denigron. Duroni pak, palët politike kanë “mprehur” thikat.
Çfarë fitoi e çfarë humbi Rama nga menaxhimi i situatës së epidemisë?
Mendoj se Edi Rama as ka fituar dhe as ka humbur nga kjo situatë. Jam kundër atyre që mendojnë se Edi Rama e shrytëzoi pandeminë dhe karantinën për të treguar që është diktator dhe të shkelë të drejtat e njeriut. O popull, Edi Rama ka bërë një mijë e një shkelje në mes të ditës në dritën e diellit dhe nuk mbeti për ta bërë këtë edhe në kohë pandemie. Çdokush që do ishte kryeministër do të bënte atë që bëri Rama, do thërriste me sa zë që kishte që njerëzit të mbylleshin brenda në shtëpi për të shpëtuar jetën. Të mos harrojmë se pati shumë vende që nuk arritën ta bëjnë këtë. Besoj që Shqipëria, përtej masave të qeverisë, ka pasur një avatnazh që është popullsi e vogël dhe kjo i bën njerëzit më sensitivë. Personalisht, sot më 9 maj, unë kam dy muaj fiks që nuk kam takuar prindërit e mi. Sigurisht që nuk e kam bërë këtë se më ka urdhëruar Edi Rama. Lëreni Edi Ramën në gabimet e tjera, ka plot. Por jo për pandeminë, aman.
Po opozita, a e shfrytëzoi këtë moment për të forcuar pozitat e saj, çfarë duhej të bënte ndryshe sipas jush?
Opozita e shfrytëzoi këtë situatë për të kënduar këngën “Na llogarisni edhe ne”. Në PD u zbuluan edhe mjekët e opozitës. Pra, ne shqiptarët për dy muaj kishim dhe vazhdojmë të kemi mjekët e shtetit e paralelisht me ta edhe mjekët e opozitës. Hajde estradë hajde! Nuk e kam kuptuar asnjëherë këtë mënyrë të funksionuari. Çfarë duhet të bënte opozita? Sigurisht që nuk duhet të flinte gjumë. Por pandemia nuk lidhet me qeverinë dhe nuk e shkaktoi qeveria. Pandemia është globale dhe sjellja e opozitës duhet të ishte në këtë konteks. Kshtu që opozita përveçse u sforcua të tregonte që ishte prezente te Fevziu, Zheji, Vasili dhe Balla, ose te ndonjë gazetar tjetër, nuk i duhej shumë, nuk besoj se krijoi ndonjë impakt kushedi në këto dy muaj.
Reforma zgjedhore, negociatat me BE-në e plotësimi i kushteve të Brukselit janë disa sfidat që e presin politikën tonë, sa e gatshme është ajo të përballet me to, a do jetë ky viti i marrëveshjeve apo i thellimit të konfliktit?
Në intervistën që unë i mora dje Elisa Spiropalit, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në emisionin tim “HARD TALK” për grupin mediatik “Fjala”, ajo tha se ditën e hënë përfaqësuesit e PD-së do të jenë në komisionin e Reformës Zgjedhore. Ky është një lajm i mirë. Boll më një PD me bojkote, largime, tërheqje dhe pastaj akuzon Ramën se i ka të gjitha. Në këto 30 vite postkomunizëm mendoj se është gabimi më i rëndë që ka bërë ndonjëherë një opozitë. Lidershipi i saj premtoi se me këtë bojkot në të gjitha frontet do ta vinte në vështirësi mazhorancën por, në fakt, vuri në vështirësi Shqipërinë dhe, për herë të parë që nga koha e Ramiz Alisë, ne kemi pluralizëm me një parti në pushtet. Dhe çfarë pushteti se! Qendrori dhe lokali bashkë, që do të thotë se ishim një shtet më demokratik në vitin 1992, kur kishte një parlament pluralist në të cilin ishte Partia e Punës, Partia Demokratike e sapokrijuar, dhe Komitetet Ekzekutive me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, por edhe këshilla rrethesh me përfaqësues të të gjitha forcave. Faktori ndërkombëtar nuk e ka mbështetur dhe nuk e mbështesin bojkotin dhe kjo është humbja e madhe e Partisë Demokratike. PD-ja duhet të futet në shinat kushtetuese dhe zgjedhjet e vitit 2021 duhet të jenë zgjedhje të rikthimit të normalitetit politik, gjë që do ta ndihmojë Shqipërinë të vijojë negociatat për anëtarësim në BE. Sa për plotësismin e kushteve, mendoj se Edi Rama dhe qeveria e tij nuk duhet të vijojnë me metodën ne e bëmë tonën, tani e ka fajin PD-ja. Nëse PD-ja është fajtore që bojkotoi zgjedhjet lokale dhe hoqi dorë nga mandatet, Partia Socialiste është përgjegjëse që u shkatua kjo situatë. Vetëm politikanë me maturi dhe duke lëshuar gjithmonë gjëra nga vetja mund të arrijnë marrëveshje të mëdha. Ndryshe, nëse vijohet me pushtetin njëpartiak të PS-së, rrezikojmë që mund të shkojmë nga koha e Ramiz Alisë te koha e Enver Hoxhës. Mos qeshni! Nuk përjashtohet as kjo.
-Skënder Minxhozi: Covid-i ka ridimensionuar jetën tonë, ekonomia mbetet primare
-Apollon Baçe: Fatkeqësitë natyrore – dhuratë që u bën natyra diktatorëve