Nga akademiku Artan Fuga ekskluzivisht për Fjala.al
Kur Niçja gjykonte për artin, ai shkruante se funksioni i artit është në thelb t’ia heqi mendjen njeriut nga e keqja që nuk i ndahet. E keqja – qysh nga mitet e lashta – është lidhur mençurisht me kondicionin metafizik të njeriut. Një lloj ndëshkimi i trashëgueshëm nga brezi në brez. Ndëshkim që kap të keqin posepo, por e flakëron dhimbjen e tij edhe mbi të mirin. Njeriu nëse do të ishte përballë së keqes, Niçja shkruan, nuk do ta duronte atë, ndaj e zbukuron, e mbështjell me një kozmetikë vlerash dhe besimesh dramën e njeriut, e kështu arti ia bën njeriut jetën të jetueshme.
Mekanizmi psikologjik dhe ideologjik ndër të tjera e trajton të keqen sikur është kalimtare. Ja se po kalon! Ja, pas kësaj, pak durim, dhe gjithçka do të bëhet e lumtur si më parë. E trajton si të rastit! Ku na ra ne! Sepse e keqja shihet si pjesëve e kohërave të kaluara, atëhete kur shoqëria nuk ishte kjo, e forta, teknologjikja, shkencorja, demokratikja, globalja! Njeriu pushton Hënën e Marsin, nuk e ka për gjë të kontrollojë Tokën!!!
Dikush ndoshta ka qenë duke menduar pikërisht këto, kur në ekranet e televizoneve të planetit më 11 shtator 2001, Kullat Binjake u përfshinë nga zjarri dhe pastaj të shkrumbuara u shkrinë e ranë në tokë dhe u përhapën në ajër si grimca metalike kaotike. Avionët piratë i kishin plandosur në tokë. Pastaj me radhë erdhën luftërat pa fund dhe pambarim derisa Perëndimi Evropian njohu aktet dhe valën terroriste të këtyre njëzet viteve të fundit. Përballë një armik i paparashikueshëm që luftonte me armë të cilave nuk ishte e kollajtë t’u bëhej ballë: kamikazet. Hidhet në erë njeriu me gjithë veten dhe godet të pafajshmit rreth vetes, të cilët i konsideron si armiqtë e tij.
Sapo lufta e deklaruar mes fuqive në konflikt dukej sikur po kalonte, pllakosi kriza e madhe financiare dhe globale e vitit 2008. U duk sikur filloi nga një dukuri periferike, por me kalimin e kohës u shpërnda si një epidemi financiare që mori me vete kushedi sa sipërmarrje që falimentuan, kushedi sa miliona vende pune të humbura, që solli sa shumë pasiguri dhe rrënim në miliona familje. Bota hyri në një fazë të re. Paraja e lehtë e shpërndarë pa kriter nga politikat sociale, nga bankat, kreditë e majme, interesat bankare të miliarda kursimtarëve morën fund. E keqja e goditi rëndë shekullin e 21 të. Nisi si një krizë imobiliare diku në në disa qytete dhe pastaj mori dhenë!
Hajde se do të kalojë!
Dukej se Lufta kishte ndezur Sirinë ku një shtet fantazmë i « daeshit » po gjeronte territoret dhe popullsinë e armatosur, ardhur ilegalisht nga ana e anës. Globi ka parë bombardime qytetesh siriane pikërisht nga pushteti që duhej t’i mbronte. Veç ca fjalëve dhe takimeve diplomatike askush nuk lëvizi. Dukej si një fat i sirianëve. Jo një e keqe e përgjithshme. Kur plasën valët e emigrimit, me miliona, sollën pa fund valë demografike drejt Evropës. Dramë e miliona njerëzve që u endën detrave dhe maleve për t’u zhvendosur në vende më të qeta dhe më të pasura. Perëndimi ndjeu dhimbjen globale tashmë në rrugët e qyteteve të tij. Shtete të fuqishme ndjenë se po pësonin goditje te identiteti i ardhshëm kulturor i tyre!
Hajde se do të kalojë! Ndoshta do t’i asimilojmë!
Ndërkohë Bashkimi Evropian që dukej si konstruksioni voluntarist madhor i Perëndimit pas Luftës së Dytë Botërore nisi t’i ngjante Titanikut kur ky nisi të marrë ujë! Ajsbergu me të cilin ishte përplasur e kishte çarë thellë nga poshtë!
Përsëri mekanizmi harrues ndaj së keqes nisi të vihet në veprim. Gregët? Grexit? E po grekët kështu janë. Kanë dekada që përfitojnë meqë Evropa Greqinë e mban me hatër. A nuk thotë se jemi qytetërim i krishterë dhe judeo-helen? Dhe grekët – thoshin optimistët – gjithë ditën me buzuq, të korruptuar, nuk duan të punojnë. Dembela mor burrë! Spanja, Portugalia, në krizë? Ja se i rregullojmë edhe ato. Janë deficitare sepse kanë qenë vende totalitare ose diktatoriale, njwra ka vuajtur nga diktatori Franko dhe tjetra nga diktatori Salazar. Nuk e meritonin të ishin në BE, por janë vende latine, duhet mbrojtur demokracia atje, aq më tepër janë vazhdim i një latiniteti që zbret në gadishullin Iberik nga Roma e Lashtë!
Kur gjithçka u duk se do të rregullohej. Brexit! Jo dokushdo, por vetë Britania, kurora e BE-së, ajo që dëshmonte se BE-ja nuk ishte një aleancë e njëanshme franko-gjermane, vendos me referendum të dali nga Bashkimi Evropian. Lëre kjo, por Presidenti amerikan Trump e mbështet këta dalje duke i ofruar Britanisë mbështetjen e vet.
Shekulli 21 pa kështu të paimagjinueshmen. Ndodhi një çarje politike midis botës romane-gjermanike dhe botës anglosaksone brenda Perëndimit! Çka u shfaq jo vetëm me këtë akt të daljes të Anglisë nga BE-ja, por edhe me një luftë tregtare e ashpërsuar midis tyre brenda kontinentit Evropiane dhe midis kontinentëve Evropian dhe amerikan.
Hajde se përsëri miq dhe aleatë jemi! – ritha optimisti. Përsëri nuk prishemi përballë Kinës, Rusisë. Me pak durim këto konfliktet tregtare dhe konkurrenca ekonomike mbase do të sheshohen sikurse gjithmonë.
Ndërkohë Perëndimi dorëzohet në këtë shekull përpara fuqisë ekonomike eksportuese të Kinës. Hyn në një marrëveshje të keqe me veten e vet dhe me vetë Kinën. Duket se kërkon t’i iki punës. Gjithçka prodhohet në Kinë. Këpucët? Në Kinë. Medikamentet? Në Kinë. Veturat? Në Kinë. Televizorët? Në Kinë. Atje shyqyr ka një pushtet komunist që nuk lejon tw drejtën e grevës. Paga e punës është e ulët. Niveli i mirëqenies po ashtu i ulët. Rroftë Teni. Atje të prodhojmë gjithçka. Për herë të parë në këtë shekull 21 Perëndimi nisi ta privojë veten e tij nga fuqia e tij shekullore, krijimtaria, prodhimtaria. Që nga koha e romakëve të lashtë që ndërtonin qytete me sisteme evadimi ujrash të jashtzakonshëm, që nga koha e grekërve të lashtë që farkën, muratorinë, vreshtarinë, i kishin arte, që nga koha e murgjve mesjetarë që ndërtonin kanale madhëshorë drenazhuese, mullinj me ujë, e më pas Evropianë që ndërtonin puse torriceliane, anije me avull, trena, elektrik, Perëndimi nis të largojë nga vetja prodhimin. Shkon drejt shërbimeve. Gjithçka që prodhohet vjen nga Kina!
Dhe plas ndotja mjedisore. Njeriu ka bërë pis Planetin. Ka krijuar shtresën e ozonit. Po shkrihen akujt milionavjeçarë të Arktikut, po ngrihet niveli i ujërave. Po rrezikohet nga ujërat edhe qyteti i dashurisë Venetiku!
Pikërisht kur popujt nuk po kërkonin zgjidhje për të ndaluar ndotjen mjedisore që rrezikon jetën mbi Tokë veçse të thirrjet e një adoleshenteje nordike, e keqja godet sërisht. Goditje planetare, me vdekje, e paparë kurrë kështu.
Coronavirus! Covid-19. Rrëmben qindramijëra jetë njerëzish. Planeti ekonomikisht në gjunjë përballë të padukshmes! Ndalon çdo gjë. Edhe aeroplanmbajtëse, aviona, trena të shpejtë.
E keqja godet përsëri rëndë në këtë shekull. Çfarë po ndodh? Terrorizmi, kriza financiare, valët e zhvendosjes të popullsisë, ndotja e mjedisit dhe shkatërrimi i oksigjenit, kriza e Bashkimit Evropian, Covid-19, evakuimi i strukturave prodhuese nga vendet historikisht krijuese të vlerave të Planetit, tregojnë se e keqja nuk kaloka, është instaluar, godet paprerë, nuk e le njerëzimin rehat!
Ndërkaq në Kosovë ka mungesë stabiliteti politik. Nuk është fjala se ëndërra e shqiptarëve për bashkim nuk u realizua në shekullin 21 sikurse e ëndërronte shekulli i 19-të dhe i 20-të! As bëhet fjalë. Por edhe shteti i ri kosovar nuk arriti ende të njihet nga OKB-ja. Nuk u ngrit si shtet me etikë të lartë antikorruptive sikurse do t’i kishte hije një shteti të ëndërruar në male e kthina burgjesh, në kuvende dhe mbledhje burrash, aq më shumë malësorësh!
Edhe në Shqipëri, dy dekadat e shekullit të ri hodhën përtokë ëndrrat e dekadës së fundit shqiptare të shekullit të 20-të. Tërmeti i dha dërmën mijëra godinave të ndërtuara keq! Doli që ishim edhe pa një qen që të nuhaste kufomat a të gjallët poshtë rrënojave. Perlën turistike shqiptare, plazhin e Durrësit, e ktheu jo pak në rrënoja. Ja edhe një pandemia Covid.19 që ta kuptoni o shqiptarë se pellazgjishtja nuk ju mbron nga virusi, të kuptoni se jeni si popujt e tjerë të rrezikuar.
Dhe e gjitha kjo ndërkohë kur viti 2019 na la pa Kuvend legjitim, na la pa zgjedhje të vërteta lokale, na la me pushtet lokal monist, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, të izoluar nga Bashkimi Evropian që na tregon derën si të padenjë për t’u bashkuar me popujt evropianë.
Ka nisur keq në këto dy dekada ky shekull i ri!
Duhet pranuar.
Nuk kemi përse ta gënjejmë veten me ëndërra utopike që sipas Niçes i prodhojmë që të përballojmë dramën e jetës. Duhet ta shohim të keqen në sy. Përse lëngon bota nga pesha e ngjarjeve plot pezm që kanë ndodhur? Përse po përsëriten ato? Cfarë nuk punon mirë në mrrokullat e orës me lavjerrës të qytetërimit tonë?
Ku hyjmë ne shqiptarët këtu? Dramat e mëdha që kemi përjetuar në këtë shekull kur qindra mijëra kanë braktisur atdheun duke iku me vrap e tension prej tij, janë pasoja e ngulçeve globale të njerëzimit? Apo ne jemi si ai që të keqes së përgjithshme, në panik e sipër, i shton edhe të këqija për veten e tij? Si në një video që kam parë që kur ndjeu se godina po shkundej nga tërmeti, njeriu hapi dritaren dhe u hodh prej saj!
Dhe vdiq!