Gazeta “Fjala” zbardh vendimin, vërehen pasaktësi në listat mbështetëse të studentëve
Nga Ina Allkanjari
Komisioni Institucional i Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës vendos vazhdimin e procesit të aplikimeve për autoritetet drejtuese dhe anëtarë Senati Akademik, edhe pse data e zgjedhjeve është shtyrë nga ministria në një afat të pacaktuar.
Pra, gara mbetet e hapur për detyrën e rektorit dhe pozicionet e tjera drejtuese. Deri më tani kandidat i vetëm për rektor është dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, por, sipas vendimit të djeshëm, do të pranohen aplikimet deri në një afat të pacaktuar, në pritje të vendimit të Ministrisë së Arsimit për datën e re të zgjedhjeve. Kandidatët mund të regjistrohen deri në ditën e fillimit të fushatës së zgjedhjeve, pra një muaj para zgjedhjeve.
Vendimi i KIZ-it
Gazeta “Fjala” zbardh vendimin e KIZ-it, ku specifikohen arsyet e vazhdimit të këtij procesi. “Në zbatim të ligjit nr. 80/2015, datë 22.07.2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të “Rregullores për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe Senatin Akademik në UT”, miratuar nga Senati i UT-së me vendimin nr. 5, datë 10.02.2020, si dhe të urdhrit nr.108, datë 08.05.2020 “Për shtyrjen e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në IAL-të publike, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shkaktuar nga pandemia e Covid-19”, të ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, KIZ-i i UT-së, në mbledhjen e tij të datës 12.05.2020, vendosi të vijojë përgatitjet për zgjedhjet në UT, me qëllim zhvillimin e tyre menjëherë pas përcaktimit të datave përkatëse nga ministri i MASR-së”, thuhet në vendimin e KIZ-it.
Në vendim theksohet se KIZ-i bashkëpunoi me sekretaritë e fakulteteve dhe bëri vlerësimin e dokumentacionit shoqërues lidhur me kandidatët për ‘anëtar të Senatit Akademik, përfaqësues i studentëve’, dhe nga procesi i verifikimeve është vënë re që në listat e mbështetësve të kandidatëve studentë ka pasaktësi. Sipas KIZ-it, lista e studentëve aplikantë vlerësohet e pasaktë, jo përfundimtare, si listë e konkurrentëve për ‘anëtar për Senatin Akademik’, në UT.
“KIZ shpall të hapur procesin e aplikimit të kandidatëve të tjerë studentë që ende nuk janë përfshirë në këtë proces për ‘Anëtar i Senatit Akademik, përfaqësues i studentëve’, në UT. Shpall të hapur procesin e regjistrimit të kandidatëve që nuk janë regjistruar për ‘Rektor’ dhe ‘Anëtar Senati’, përfaqësues i personelit akademik’, në Universitetin e Tiranës”, thuhet në vendim.
Për sa i përket afatit të aplikimit KIZ shkruan se regjistrimi kandidatëve që nuk kanë aplikuar fillon menjëherë nga shpallja e këtij vendimi dhe do të vazhdojë deri në një datë të dytë, e cila do të shpallet nga KIZ në varësi të përcaktimit të datës së zgjedhjeve sipas urdhrit përkatës të MASR-së. Ndërkohë theksohet se regjistrimet e kryera deri më tani të kandidatëve për Rektor dhe Anëtarë Senati dhe të shpallura nga KIZ i Universitetit të Tiranës dhe KZF-të janë të vlefshme.
Ecuria e procesit
Ndërkohë mësohet se në disa fakultete të UT-së faza e parë e aplikimit për dekanë dhe shefa departamentesh ka përfunduar. Konkretisht, te Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë si edhe tek Fakulteti Ekonomik. Sipas vendimit të KZF-së, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë kandidati i vetëm për dekan deri në këto momente është Prof.Sabri Laçi. Kandidatë për shefa departamentesh mësohet të jenë: DepartamentiI Gjuhësisë, Prof.Shezai Rrokaj (garon i vetëm); Departamenti i Letërsisë, Prof. Persida Asllani dhe Prof. Lili Sula; DepartamentiI Historisë, Prof. Valentina Duka (garon e vetme); Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit, Prof. Mark Marku (garon i vetëm); Departamentii Gjeografisë, Prof. Romeo Hanxhari (garon i vetëm); Departamenti i Arkeologjisë dhe i Trashëgimisë Kulturore, Prof. Iris Pojani (garon e vetme).
Në Fakultetin Ekonomik kandidati i vetëm për dekan është Prof. Dhori Kule. Kandidatë për shefa departamentesh në këtë fakultet mësohet të jenë: Departamenti i Ekonomiksit, Prof. Tonin Kola; Departamentii Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar, Prof. Fatmir Memaj dhe Prof. Nevila Baci; Departamenti i Menaxhimit, Prof. Etleva Leskaj; Departamentii Marketing-Turizëm, Prof. Mirdaim Axhami; Departamenti i Financës, Prof. Dorina Kripa dhe Prof. Gentiana Sharku; Departamenti I Kontabilitetit, Prof, Ingrita Shuli.
Katër raste të reja me koronavirus në vend, MSH: 682 qytetarë të shëruar
Situata epidemiologjike në Shqipëri vijon të jetë e qëndrueshme. Në 24 orët e fundit janë evidentuar sërish vetëm 4 raste të reja me koronavirus, përkatësisht 2 qytetarë në Krujë, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në të gjithë vendin aktualisht janë 163 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër e Kamëz.
Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11332 testime, nga të cilat, 10802 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike. “Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 876 qytetarë. 682 qytetarë janë shëruar, ose rreth 78% e të gjithë të prekurve. Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Më pak se 15% e të prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes”, shprehet Rovena Daja, eksperte pranë ISHP-së.
Pavarësisht situatës së përmirësuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve. Ndërkohë në dy spitalet Covid janë të shtruar 24 pacientë dhe vetëm 1 prej tyre është në terapi intensive.
Gjatë ditës së djeshme kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë parë nga afër investimin tashmë të përfunduar në Depon Qendrore të Barnave në QSUT. Duke u shprehur se për herë të parë u ndërtua një model i ri për standartin e ruajtjes së barnave në QSUT, Manastirliu deklaroi se në ndërtimin e këtij projekti ka pasur ekspertizë ndërkombëtare.
“Depoja farmaceutike e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është një investim i buxhetit të shtetit në vlerën 1,7 milionë euro. Tashmë është një strukturë e përfunduar, është në efiçiencë të plotë. Aktualisht janë vendosur të gjitha barnat dhe pajisjet mjekësore dhe janë të gjithë parametrat evropiane të ruajtjes dhe sigurisë së barnave. Në QSUT s’ka pasur asnjëherë një depo për barnat. Kur është realizuar ky projekt kemi pasur dhe ekspertizë ndërkombëtare”, tha Manastirliu.
Vlorë, 250 punëtorë fasonerie në protestë për “pagën e luftës”
250 punëtorë të një fasonerie në Vlorë kanë organizuar ditën e djeshme një protestë pranë ambienteve të fabrikës ku punojnë, duke kërkuar pagën e luftës. Megjithëse kjo pagë u ishte premtuar nga ana e qeverisë, si pasojë e situatës së krijuar në vend nga koronavirusi, këta punëtorë të prodhimit të këpucëve ende nuk janë trajtuar.
Ata shprehen se nuk kanë përfituar as nga paga e luftës, pasi figurojnë ende të pashkëputur nga sigurimet. Gjatë tre muajve të fundit ata kanë marrë vetëm 1/3 e pagës, pra 10000 lekë si pagesë mujore. Ata tregojnë se vetëm për një periudhë 15-ditore nuk kanë punuar dhe se aktualisht janë me orare të shkurtuara. Punëtorët të revoltuar dhe me pankarta në duar kërkojnë një zgjidhje, duke theksuar që nëse shteti nuk i kthen sytë nga ata, protestat do të vijojnë.