Kryeministri Rama i është përgjigjur aktit të Presidentit Ilir Meta për të çuar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin e Qeverisë për të kaluar Teatrin Kombëtar në varësi të bashkisë së Tiranës. I pyetur në “Opinion”, Rama tha se pavarësisht se nuk dëshironte të bënte polemikë me Presidentin, askush, sipas tij, nuk ka shans ta ndalojë veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv.
“Nuk dua të bëj polemikë me presidentin, nuk është as drejtor i urbanistikës, as kryetar i bashkisë dhe nuk ka tagër të vendosi për kompetenca të këtyre instancave. Ka të drejtën të mendojë ndryshe, ka të drejtën të bëjë ato që i sheh të arsyeshme brenda kornizës së vet të veprimit, por jo presidenti por asnjë tjetër që nuk ka mandat dhe nuk ka kontratë me popullin shqiptar për të bërë detyrat që i takojnë një qeverie, nuk ka shans ta ndalojë veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv. Nuk jemi në kushtet e një historie të re, jemi në kushtet e një episodi të ri, në një histori të mbushur me episode”, tha Rama.
Rama u shpreh gjithashtu se ka 20 vite që është i bindur që teatri duhet të shembet.
“Për mua është një temë e ezauruar e cila ka shumë vite, 20 vite. Qëndrimi im është i njohur prej 20 vitesh. Nuk besoj se ka pasur proces më të gjatë në historinë e këtij vendi në debat në distancë me këtë temë. Ky është një atribut ekskluziv i pushtetit ekzekutiv në qeveri dhe në bashki dhe kthimi i një teme me karakter urbanistik dhe zhvillimor në një temë politike tregon vetëm shterpësi dhe asgjë tjetër. Unë nuk kam qenë asnjëherë me bindje tjetër prej 20 vitesh. Nuk ka asnjë patate të nxehtë ka vetëm një proces që zhvillohet sipas ligjit dhe natyrshmërisë së ndarjes së punëve. Bashkia e Tiranës është në të njëjtën kohë dhe agjencia që do të ekzekutoi të gjithë projektin. Ne nuk i kemi thënë merre prish, por merre ndërtoje. Vija e zjarrit është në spital dhe lufta është për të mbrojtur shëndetin dhe do të thotë një thirrje e tillë për të marrë në qafë njerëz dhe për të bërë gjeste patetike dhe që nuk kanë asnjë lidhje me asnjë proces ligjor apo demokratik”, tha Rama.