Hashashi/Adrian Civici: Nëse zhvillohet siç duhet përfitimet ekonomike janë të mëdha

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Prof. dr. Adrian Civici, ekspert i ekonomisë, e sheh projektin e legalizimit të hashashit për arsye shëndetësore si një mënyrë për të rritur punësimin dhe përfimet financiare për shtetin. Në një analizë për gazetën “Fjala”, Civici thekson që, nëse kultivimi do të jetë brenda rregullave dhe nuk do të ketë konkurrencë të paligjshme, atëherë përfitimet janë të mëdha për ekonominë.

Si e konsideroni projektin e qeverisë për legalizimin e kanabisit mjekësor? Çfarë përfitimesh dhe problematikash sjell zbatimi i tij?

Legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore e farmaceutike sot është i autorizuar në më shumë se 30 vende të botës, një pjesë e të cilave e kanë autorizuar edhe përdorimin e tij për qëllime rekreative. Bëhet fjalë për një treg ndërkombëtar në ekspansion të shpejtë, që në pesë vitet e fundit ka shkuar nga 10 në rreth 50 miliardë euro. Fitimet nga industria e kanabisit janë të konsiderueshme dhe për vende të vogla apo të ngjashme me Shqipërinë. Mjafton t’i referohemi shembullit të Maqedonisë së Veriut, që e legalizoi kanabisin për qëllime mjekësore në vitin 2016 e që, sipas të dhënave qeveritare, ka filluar të ketë një përfitim prej 100 milion USD në vit.

Në këtë këndvështrim, projekti i qeverisë shqiptare që pritet të bëhet publik së shpejti për t’iu nënshtruar një gjykimi dhe debati publik e politik të gjerë, duket se synon pikërisht legalizimin e kanabisit mjekësor, që natyrisht ka dhe përdorime të tjera të lidhura me farmaceutikën, kozmetikën, industrinë ushqimore etj. Besoj se qëllimi i këtij projekti që pritet të diskutohet është përfitimi ekonomik, financiar, shtimi i punësimit, shtimi investimeve private, aq më tepër në kushtet aktuale, mbas dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe dëmeve shumë të mëdha që pësoi ekonomia dhe biznesi shqiptar nga pandemia e Covid-19.

Nëse do ta konceptojmë si duhet, brenda standardeve më të mira ndërkombëtare të këtij procesi e aktiviteti dhe, mbi të gjitha, nëse do të jemi në gjendje ta menaxhojmë e kontrollojmë që ai të zhvillohet strikt e vetëm për qëllimin kryesor të tij, “përdorimin mjekësor”, kozmetik apo ushqimor, atëherë mund të shpresohet në përfitimet e mëdha ekonomike që vijnë nga ky proces. Nëse situata del nga kontrolli, përvetësohet dhe përdoret për qëllime e aktivitete joformale, klienteliste politike, mafioze apo narkotrafik, atëherë, përfitimet ekonomike minimizohen shumë përballë dëmit të shumëfishtë që shkakton deformimi apo keqpërdorimi i legalizimit të kanabisit. P.sh., sipas Janaki Mitrovski, nga shoqata “Billka” në Maqedoninë e Veriut ““Ligji për kontrollin e barnave opiod dhe substancave psikotrope është dizajnuar në atë mënyrë që, sipas mendimit tim, ka për qëllim të eliminojë konkurrencën dhe këtë biznes ta orientojë tek ata që kanë lidhje të fuqishme me politikën”.

Si një vend ku kultivimi i hashashit është i paligjshëm, a mund të keqkuptohet ky projekt i qeverisë dhe të nxisë kultivimin e paligjshëm?

Ky rrezik është evident. Ne kemi tashmë një “eksperiencë” të gjatë, tejet negative, në kultivimin e hashashit, në mënyrë të paligjshme. Një pjesë e madhe e parave informale e kriminale në Shqipëri vijnë pikërisht nga ky aktivitet. Jemi cilësuar si “Kolumbia e Evropës”, si “trafikantët e Ballkanit” etj. Besoj se kultivimi dhe trafikimi i paligjshëm i hashashit ka qenë një nga plagët më të mëdha sociale e politike të tranzicionit shqiptar. Shkurt, potenciali i madh negativ që ky projekt të keqpërdoret dhe të devijojë negativisht janë të mëdha. Pikërisht, këtu duhet të fillojë dhe diskutimi dhe analiza e projektit që pritet të propozojë qeveria shqiptare. Mundësitë e devijimit apo përfitimeve të grupeve të caktuara prej tij janë të shumta. Po përmend disa rreziqe potenciale.

Së pari, “konkurrenca ndërmjet dy çmimeve dhe dy tregjeve”, një tregu legal që ka çmimet e veta të prodhimit, grumbullimit e përpunimit për qëllime mjekësore, dhe një tregu ilegal që ka çmimet dhe fitimin e tij nga trafikimi ilegal apo shitja ilegale brenda vendit për përdorim rekreativ. Rreziku që të fitojë i dyti është evident, çka do të thotë, që në emër të prodhimit të legalizuar, të prodhohet shumë më tepër kanabis që do vazhdojë të ushqejë tregun informal dhe fitimet informale e kriminale.

Lexo edhe :  Mazhoranca "fal" gjobat për ndërtimet pa leje, opozita i kthehet: Farsë elektorale

Së dyti, kërkohet një zgjidhje e qartë ndërmjet “legalizimit të prodhimit të kanabisit për qëllime kurative” dhe “depenalizimit të tij për përdorim të lirë rekreativ”, qoftë dhe në sasi mjaft të vogla e ambiente të përcaktuara me ligj. Shumica e vendeve që kanë legalizuar kanabisin shëndetësor kanë avancuar edhe me depenalizimin apo “dekriminalizimin e tij”, duke u ndeshur edhe me mjaft probleme sociale, sidomos atë të përhapjes së përdorimit të tij nga të rinjtë. P.sh., në Evropë vlerësohet se mbi 20% e të rrinjve të moshës 15-35 vjeç përdorin rregullisht hashashin.

Së treti, ekziston rreziku që kultivimi legal i kanabisit të shkaktojë një konkurrencë të fortë kundrejt prodhimit të produkteve të tjera bujqësore tradicionale e jetike. Mjaft fermerë dhe ekspertë të sektorit bujqësor janë mjaft të shqetësuar për këtë fakt. Aktualisht, p.sh,, nga një hektar grurë fitohet rreth  400 – 500 euro/ha,ndërsa nga një hektar kanabis, fitimet janë 3-4 herë më të mëdha. A është ky një rrezik më shumë për sigurinë ushqimore? Sigurisht që po.

Në parim, por dhe duke ju referuar eksperiencës së disa vendeve të tjera, legalizimi i kanabisit e ka ulur shkallën e trafikimit ilegal apo kriminalitetit, por kjo ka ndodhur më shumë në rastet kur krahas legalizimit për qëllime kurative bëhet dhe depenalizimi i tij, apo legalizimi i përdorimit për qëllime rekreative. Nuk jam i bindur nëse Shqipëria është e përgatitur për një veprim të tillë. Duhet pritur publikimi i draft projektit të qeverisë për të parë me detaje se si është menduar të zgjidhen këto probleme dhe, mbi të gjitha, me çfarë rregullash, ligjesh apo strukturash do të menaxhohen ato. Por, p.sh., në rastin e Maqedonisë së Veriut, ekspertët vazhdojnë t’i tremben faktit se “Maqedonia e Veriut si shtet, nuk ka potencial juridik që ta kontrollojë industrinë e kanabisit… se ky vend nuk ka kapacitet që të garantojë se një biznes i tillë nesër, në këtë shtet, do të jetë i kontrolluar nga institucionet. E di e gjithë Evropa se institucionet e shtetit, në këtë gjendje siç janë, nuk kanë kapacitete administrative”, deklaron Xhevdet Hajredini, ish-ministër i Financave.

Çfarë modeli mund të marrim nga vendet e tjera për ta realizuar këtë gjë?

Modelet janë të shumta dhe varen nga specifikat dhe “cilësia” apo “eficenca” e shteteve dhe institucioneve të tyre. Modeli më i sigurt, ose deri diku më garantues kundrejt efekteve negative kolaterale, është aplikimi i monopolit shtetëror mbi këtë aktivitet ekonomik apo industri, kontrata të qarta, transparente e rrigorozisht të kontrollueshme me fermerë, grupe fermerësh apo kompani private që do të merren me prodhimin dhe përpunimin e tij, ngritja e një sistemi të qartë e të sigurt evidentimi statistikor për njohjen dhe transparencën e zonave apo parcelave të lejuara për prodhimin e kanabisit për qëllime shëndetësore, ligje e masa të rrepta ndëshkimore për çdo devijim apo shkelje të këtyre rregullave. Një model më efikas do të ishte ai që e kombinon prodhimin e kanabisit për qëllime shëndetësore me ngritjen e një miniindustrie përpunuese në vend, në mënyrë që të ardhurat nga eksporti i tij si produkt gjysmë i përpunuar, apo produkt i gatshëm, të jenë ndjeshëm më të mëdha.

Të fundit

Shifra marramendëse! Njihuni me qytetin më të pasur në botë

New York është shpallur qyteti më i pasur në botë, duke lënë pas metropolet e njohura si Parisi, Singapori...

Anita Haradinaj bën rrëfimin prekës: Përjetova tri aborte, mjeku më tha se duhej të…

Anita Muçaj-Haradinaj ishte e ftuar në podkastin e Orinda Hutës, “Mam”, kësaj radhe për të mos folur vetëm për profesionin e saj si gazetare,...

Ekzekutohet me breshëri plumbash reperi i njohur (Emri)

Ditën e sotme në Norrköping të Suedisë është ekzekutuar me breshëri plumbash reperi 23-vjeçar, Gaboro. Videoja që qarkullon në mediat sociale, tregon vrasësin që del...

A besoni se administrata Trump do t’i heqë Berishës ‘non grata-n’?/ Si përgjigjet Këlliçi

Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së PD-së, tha se ‘non grata’ për Sali Berishën do të hiqet nga administrata e re amerikane e Donald...

Donald Trump/ Bomba megaton, do të kërkojë 5% të PBB-së nga vendet anëtare të NATO-s

Donald Trump do të kërkojë që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së së tyre. Në të njëjtën kohë,...

Lajme të tjera

Web TV