Një sherr mes dy grave në qytetin e Durrës, fqinje me njëra tjetrën, ka përfunduar në kanosje me armë.
Policia e Durrësit thotë se ka arrestuar N. P., 57 vjeçe, banuese në Hamallaj, Durrës.
Gruaja akuzohet se pasditen e së enjtes, në Hamallaj, Durrës, ka kanosur me armë zjarri, për motive të dobëta, A. K., 29 vjeçe, banuese në Tiranë.
Pas kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një shtëpi të braktisur, disa metra larg banesës së shtetases N. P., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë dhe 27 fishekë.
Dyshohet se sherri mes dy grave ka lindur për një vend parkimi pranë shtëpive të tyre.
Ndaj të dyshuarës, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.