Ekonomia dhe jeta sociale e SHBA-së do të duhet të mësohen të bashkëjetojnë me koronavirusin. Kështu është shprehur presidenti amerikan Donald Trump ndërkohë që ka shtuar se po bëhen përpjekje për gjetjen e vaksinës.
Më herët Trump ka deklaruar se vaksina do të ofrohet falas për qytetarët amerikanë.
Të premten kreu i Shtëpisë së Bardhë prezantoi një projekt për mobilizimin e shkencëtarëve nga e gjithë bota.
Operacioni Shpejtësia Kozmike do çlirojë resurse financiare të paprecedentë për të rritur në shpejtësi rekord testimet dhe prodhimin e vaksinave. Kemi nisur me mbi 100 mostra dhe kemi zbritur në 14,” njoftoi presidenti amerikan.
Po ashtu, këtë të premte opozita demokrate miratoi një projektligj për t’i siguruar 3 trilionë dollarë mbështetje financiare bizneseve dhe familjeve të goditura nga pandemia.
Që prej muajit mars kur SHBA vendosi masat e izolimit social më shumë se 36 milionë amerikanë kanë mbetur pa punë ndërkohë që protestat për rihapjen e ekonomisë po bëhen të përditshme në të 50 shtetet e SHBA-së.
Nga mbi 1,4 milionë amerikanë të infektuar me Covid-19, më shumë se 87 mijë veta kanë humbur jetën, i mbajtur ky si bilanci më i lartë në botë gjatë kësaj periudhe.