Kryeministri Edi Rama lajmëron hapjen “e madhe” duke nisur nga e hëna. Kush përfiton dhe cilët sektorë do të vijojnë të mbeten të bllokuar. Shpresë për qytetarët që kanë mbetur jashtë vendit
Ina Allkanjari
“Duam t’i qëndrojmë objektivit që brenda majit të hapim të gjitha rrugët ajrore për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, edhe në funksion të turizmit”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama ditën e djeshme, gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë nga facebook-u. Duke treguar rreth gjendjes ku ndodhet aktualisht vendi, për shkak të epidemisë COVID-19, Rama u shpreh se ndodhemi në një situatë delicate, ku rreziku i përhapjes së koronaviruait është më i madh, por do të merren të gjitha masat për hapjen e turizimit. “Evropa ka thënë që do të hapen më 15 qershor, kurse disa vende do t’i hapin më herët. Ne do t’i shohim dhe duam t’i qëndrojmë objektivit që brenda majit të hapim të gjitha rrugët ajrore për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, edhe në funksion të turizmit”, – theksoi kryeministri, duke shtuar se: “Këtë vit do të jetë turizmi i shqiptarëve. Shqiptarët nuk do të kujtohen për Suedinë, dhe të thonë se ja, si nuk u mbyll Suedia, por do të sillen si suedezë për rregullat.” Më tej Rama theksoi se këtë vit do të ketë më shumë hapësirë për plazhet, duke theksuar se plazhet do të jenë shumë më tepër publike se private. Sipas kryeministrit, kjo do të sigurohet edhe për të respektuar masat ndaj COVID-19. “Plazhet këtë vit do të jenë shumë më tepër publike se private. Do të jemi shumë striktë me këtë. Kjo e keqe do të vijë me të mirën që do të ketë shumë më tepër hapësirë, pa ju dalë njeri që kjo është tokë ‘e xanun’, rronte stërgjyshi im, mbillte qepë e domate, dhe kur erdhi komunizmi na i mori, prandaj ti do të më japësh lekët. Do të ketë më shumë hapësirë. Aty ku ka plazhe shumë të populluara, do të gjejmë zgjidhje të balancuar, por do të favorizojmë plazhe publike dhe plazhe si dikur, pa shezlone dhe salltanetet e mëdha. Me diell, me rërë, me çadër.” – tha Rama.
Shpresë për të mbeturit jashtë vendit
Një nga shqetësimet serioze është edhe mbetja e një numri të madh qytetarësh shqiptarë jashtë vendit, si pasojë e mbylljes së kufijve, për shkak të koronavirusit, por dje ka ardhur një lajm i mirë për disa prej tyre. “Nëse shifrat nga koronavirusi nuk kapërcejnë, shqiptarët e mbetur në Greqi do të mund të vijnë në Shqipëri”, – tha kryeministri Rama. Ai shtoi se shqiptarët që kanë kaluar 3-mujorin në Greqi, nuk janë penalizuar, falë bisedave të kryeministrit me homologun e tij grek. Duke theksuar që situata në vend është mjaft delikate, kjo edhe për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 gjatë ditëve të fundit, Rama u shpreh se në këtë fazë ku po hapemi dhe ekspozohemi çdo ditë e më shumë, secili prej nesh është vendimtar. Një tjetër pikë që prek pothuaj të gjithë qytetarët në zonat “e kuqe” është edhe trasporti publik. “Ne, nga e hëna, përveç transportit publik, aktiviteteve sportive e kulturore, bare, restorante e klube nate në mjedise të mbyllura, nuk do të kemi asgjë tjetër të mbyllur. Transporti publik është problem i madh në këto kushte”, – tha kryeministri.
Dhe me të drejtë shumë prej jush janë të shqetësuar, por nuk e hapim dot ende. Pra hiq transportin publik, hiq baret dhe restorantet në mjedise të mbyllura, hiq palestra, teatro, kinema apo klube nate apo lokale lodrash, gjithçka tjetër do të jetë e hapur. Pra, ekspozimi do të jetë shumë i madh. Me baret dhe restorantet jam përpjekur ta ilustroj edhe me shembuj nga burime ndërkombëtare, sepse është kaq e rrezikshme të ulesh në bar apo restorant dhe të mos respektosh rregullat e protokollin”, u shpreh kryeministri.
Situata e të infektuarve me COVID-19
Gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar 18 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri, duke rezultuar dita e dytë radhazi me rritje të numrit të të infektuarve. Konkretisht, gjatë ditës së djeshme janë identifikuar 7 raste në një fasoneri në Durrës, kontakte të një rasti pozitiv, 5 raste të reja në Berat, 4 raste në Tiranë dhe 2 në Krujë. Edhe pse ka pasur një rritje të rasteve, Silva Bino, përgjegjëse e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, tha se rastet e shtrimeve në spital mbeten të qëndrueshme, ku deri tani janë vetëm 19 qytetarë të shtruar dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive. “Këto të dhëna na tregojnë se ka shumë rëndësi të zbatohen rregullat nga të gjithë qytetarët, të mos e ulim vigjilencën. Kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit te kontaktet familjare apo më gjerë. Vetë bizneset duhet të respektojnë protokollet e përcaktuara, për të ruajtur qytetarët dhe punonjësit. Ju informojme se deri tani janë kryer rreth 12 mijë testime dhe kanë kaluar 900 raste pozitive nga fillimi i epidemisë, ndërsa aktualisht janë 180 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz, Durrës dhe Berat”, u shpreh Bino. Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, kërkoi nga qytetarët respektimin e rregullave, duke theksuar se rritja e mëtejshme e numrit të të infektuarve do të çonte në marrjen e hapave të menjëhershëm, për të mos lejuar një valë të dytë goditëse. “Ekspertët tanë e kanë thënë që në krye të herës. Faza e lehtësimit merr kuptim vetëm nëse shoqërohet me një ulje të qëndrueshme të numrit të infektimeve. Plani i lehtësimit të masave varet vetëm nga bashkëpunimi me ju. Është e vërtetë që ndëshkimet nuk janë zgjidhja, por është po kaq e vërtetë se nuk mund të penalizohet një popull i tërë nga një pakicë, veprimet e së cilës mund të shkaktojnë dëme të pallogaritshme. Rritja në këto shifra e rasteve të reja është maksimumi i lejuar nga skenarët tanë të hapjes. Rritja e mëtejshme do të na detyronte të ndërmerrnim hapa të menjëhershëm, për të mos lejuar një valë të dytë goditëse, që do të hidhte në erë atë që është arritur deri më sot”, tha Manastirliu.
Tabelë
COVID-19 – Statistika
Testime totale 11988
Testime molekulare 11458
Testime serologjike 530
Raste pozitive 916
Raste të shëruara 705
Raste Aktive 180
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 77
Krujë 46
Shkodër 16
Kamëz 12
Berat 10
Durrës 9
Fier 5
Elbasan 2
Kurbin 1
Mirditë 1
Korçë 1/Gazeta Fjala/