Ç’ndodhi dje? Gjashtë orët e tensionit, përplasje e ndërsjellë protestues-polici

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ndërhyrja e FNSH-së, Grupit të Forcës Operacionale dhe RENEA-s i hapën rrugë prishjes së objektit të Teatrit Kombëtar. Çfarë ndodhi në momentet e ndërhyrjes dhe akuzat nga të shoqëruarit për ushtrim dhune. Policia: Kryem detyrën në zbatim të ligjit

Nga Ina Allkanjari

Rreth orës 04:30 të mëngjesit të së dielës, fadromat e Inspektioriatit të Mbrojtjes së Territorit nisën shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, duke shënuar fundin e një beteje që vijoi prej vitesh.

Operacioni policor ishte i mirorganizuar, ku fillimisht në mënyrë të beftë ndërhynë një grup efektivësh të Forcës Operacionale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, të mbështetura nga një togë e Repartit Special RENEA. Disa protestues, artistë dhe qytetarë të ndryshëm, u larguan në panik, ndërsa të tjerët u arrestuan dhunshëm. As pesë minuta aksion dhe vendi u bë “i pastër” për një fadromë ngjyrë portokalli, e cila nisi shembjen e godinës. Të pranishme në vendngjarje kanë qenë edhe zjarrfikëset e Tiranës, të cilat shoqërojnë me hedhje uji procesin e shembjes së godinës.

Qytetarë, artistë, aktivistë të Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit dhe figura të tjera u vendosën në kryqëzimin e pedonales, duke treguar rezistencë ndaj prishjes së godinës, ndërkohë qindra forca policie u pozicionuan rreth teatrit për të ruajtur perimetrin, duke mos lejuar që të futet askush.

Nxjerrja e aktivistëve nga godina e teatrit dhe nisja e shembjes së saj solli reagimin e qytetarëve, të opozitës dhe artistëve, të cilët ishin të pranishëm, si dhe rritjen e tensioneve duke çuar në përplasje mes tyre dhe forcave policore. Në disa episode pati edhe konfrontim fizik, ku u shoqëruan edhe protestues të ndryshëm. Pavarësisht rezistencës, forcat policore formuan një kordon mbrojtjeje dhe kundërvepronin sa herë tentohej që protestuesit të kalonin perimetrin.

“Hiqini kapelet”, kjo thirrje në kor e protestuesve ndaj uniformave blu, kërkonte mbështetjen e këtyre të fundit. Gjithashtu, kore të zgjatura lëshonin edhe brohorutjet “Poshtë diktatura”, sidomos në momentet kur fadromat rrëzonin përdhe pjesët e mbetura të godinës së Tetarit Kombëtar.

Tensione u riaktivizuan disa herë prej mëngjesit deri në mesditën e ditës së djeshme. Disa protestues tentuan të heqin gardhin rrethues dhe barrierat metalike, për të çarë rrethimin e forcave të rendit, duke shënuar edhe përleshje.

Ndërhyrja hap pas hapi…

Aksioni duket se ishte i mirëmenduar dhe i detajuar. Në ballë u vendosën efektivë të forcave të rendit, ndërsa më në brendësi qëndronin punonjës të FNSH-së dhe Grupi i Forcave Operacionale, të cilët pas çdo episodi përplasjeje ndërhynin për të shoqëruar individë të ndryshëm dhe larguar turmën qytetare sa më shumë nga godina që shkatërrohej. Disa prej personave të shoqëruar deklaruan se janë dhunuar nga forcat operacionale gjatë arrestimit. Për shpërndarjen e turmës uniformat blu përdorën gaz spraj për distanca të shkurtra. Edhe shoqërimi në komisariate ishte një tjetër detaj që “çorientoi” protestuesit. Shumë prej tyre kalonin sa në një komisariat në një tjetër, por asnjë prej tyre nuk u mbajt në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për të shmangur grupimet protestuese në atë zonë. Pjesëtarë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dëshmuan se ndërhyrja e policisë ishte e shpejtë dhe e rreptë, dhe se një pjesë e efektivëve ishin të armatosur. Rezistenca e protestuesve nuk e ndaloi për asnjë moment shembjen e teatrit, ku pas vetëm gjashtë orësh ndërhyrjeje, gjithçka u rrafshua me tokën, duke e kthyer godinën në një pirg inertesh.

Protesta te “Myslym Shyri”

Në orët e mesditës një grup të rinjsh ishin organizuar në mënyrë sporadike, duke krijuar një grup prej rreth 50 personash që në shenjë proteste ndaj dhunës së ushtruar nga policia u ulën në mes të rrugës “Myslym Shyri” në kryeqytet, duke e bllokuar atë. Në vendin ku po zhvillohej protesta u vu re prania e menjëhershme e FNSH-së e cila “spastroi” edhe atë zonë pas disa shoqërimeve

Shoqërimet në komisariat

Përplasjet dhe tensionet mes qytetarëve, opozitës, artistëve dhe policisë mëngjesin e djeshëm, të cilat vijuan për disa orë, sollën disa shoqërime në komisariat. Konkretisht u shoqëruan me dhunë në polici 37 persona, të cilët kundërshtuan vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar. Mësohet se disa prej të shoqëruarve në komisariat janë: kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ish-deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi, ish-deputeti i LSI-së, Endrit Brahimllari, ish-deputetja e LSI-së, Silvi Caka, Kreu i FRPD-së Belind Këlliçi, aktori Neritan Liçaj, regjisori Robert Budina, arkitekti Astrit Serenaj, gazetari dhe analisti Alfred Lela, aktorja Juli Emiri etj. Protestuesit e shoqëruar u mbajtën për disa orë në komisariate të ndryshme në kryeqytet dhe më pas u lanë të lirë. Mësohet se deri më tani nuk ka ndjekje penale ndaj tyre, por vetëm masa administrative në kuadër të situatës së krijuar nga COVID-19.

Disa prej personave të shoqëruar në polici:

Monika Kryemadhi

Silvi Caka

Floida Kërpaçi

Endrit Brahimllari

Belind Këlliçi

Neritan Liçaj

Robert Budina

Astrit Seranaj

Juli Emiri

Alfred Lela

Policia e Shtetit: Bëmë detyrën në kushte të vështira. Akuzat politike, të pabaza

Përplasjet e ndodhura mëngjesin e djeshëm mes aktivistëve për mbrojtjen e teatrit, qytetarëve dhe punonjësve të policisë sollën reagimin e zyrtar të strukturave të rendit, ku theksohet se personat e shoqëruar kundërshtuan me forcë zbatimin e vendimit për shembjen e godinës. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar policia e shtetit shkruan se shembja e teatrit i hap rrugë projektit të ri për ndërtimin e tij. “Me kërkesë nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit i Bashkisë Tiranë, forca të Policisë së Shtetit janë në mbështetje të aksionit të nisur që në orët e para të mëngjesit për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për t’i hapur rrugë projektit të ri për ndërtimin e tij”, thuhet në reagimin e policisë. Më tej në njoftimin e saj policia u kujton qyetarëve dhe drejtuesve politikë se tubimet apo grumbullimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID-19. Pas kësaj deklarate Policia e Shtetit reagoi sërish, duke theksuar se akuzat e përfaqësuesve politikë dhe individëve të caktuar për dhunë nga uniformat blu janë të pavërteta.  “Policia e Shtetit garanton opinionin publik, me përgjegjësi të plotë ligjore dhe morale se çdo akuzë e përfaqësuesve të partive politike apo individëve të tjerë, për gjoja ushtrim dhune apo armatim në trupat e përfshira në operacion nuk qëndron. Këto janë të pavërteta fund e krye dhe e vërteta është se forcat operacionale të Policisë kanë bërë detyrën në kushte tejet të vështira, si rezultat i mungesēs së plotë të mirëkuptimit nga ana e të grumbulluarve në territorin e Teatrit Kombëtar”, njofton Policia e Shtetit. Gjithashtu, sipas qëndrimit zyrtar, theksohet se nuk është shoqëruar asnjë gazetar në detyrë dhe duke iu referuar rastit të gazetarit Alfred Lela, shton se ai është shoqëruar pas thyerjes së paligjshme të kordonit të Policisë dhe i është marrë deklarimi si gjithē të tjerëve.

Lexo edhe :  Shqipëria po përgjysmohet, ndryshime drastike në rang global

Të shoqëruarit: Na dhunuan policët me kapuçë të zinj

Në momentet e përplasjes u regjistruan disa episode dhune, ku policia shoqëroi në komisariat 37 persona, mes tyre gazetarin Alfred Lela, aktorin Neritan Liçaj e regjisorin Robert Budina.  Dëshmitë e tyre, pasi u lanë të lirë

Mëngjesin e së dielës disa prej figurave publike, por edhe shumë qytetarë u ndaluan nga policia në protestën kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Mësohet se janë shoqëruar 37 persona, por, pas disa orësh qëndrimi në komisariat dhe marrjes në pyetje, janë lënë të lirë. Një prej të ndaluarve është gazetari dhe analisti Alfred Lela. Gazetari përfshihet në protestë në momentin që policia po shoqëronte ish-deputeten e LSI-së, Silva Caka. Në këtë çast, disa oficerë policie, mes të cilëve edhe të veshur civilë, ndërhyjnë dhe e marrin me forcë. Ai qëndroi për disa orë në polici, ku pasi dha deklarimet u lirua. Në një prononcim për mediat, Lela tha se është goditur dhe ofenduar nga policët dhe se kishte marrë plagë në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit. “Jam goditur disa herë në kokë dhe kam një shenjë në fytyrë. Jam goditur disa herë me shkelma kur isha i shtrirë dhe jam tërhequr zvarrë në një perimetër jo të vogël. Jam fyer nga efektivët e policisë. Por dua t’i ndaj efektivët e policisë që kanë qenë korrektë. Ushtruesit e dhunës kanë qenë kapuçonët e zinj, uniformat e errëta”, tha Lela. Ai sqaroi se ndodhej në protestë si gazetar, teksa ndërhyri kur pa se policia po keqtrajtonte një femër, të cilën nuk e njohu në fillim, por e kuptoi më vonë se bëhej fjalë për ish-deputeten Caka. “Unë po lëvizja për të parë se çfarë po ndodhte dhe a mund ta shihja shembjen. Doja të isha dëshmitar i shembjes. Pashë  keqtrajtimin e një zonje që u tërhoq nga shumë jashtë rrethimit policer, vetëm se po komunikonte me policët. Dy toga policie u zhvendosën, e morën, e tërhoqën dhe e futën brenda rrethimit. Iu afrova duke pyetur pse po e merrni. Në një moment pashë hijet që m’u afruan nga pas dhe pjesa tjetër ishte goditje, shtrirje përtokë, pranga, abuzim”, tregoi ai. Por, sipas policisë, shoqërimi i Lelës është, bërë pasi ky i fundit theu kordonin e policisë të vendosur përqark godinës, tashmë të shembur të Teatrit. Edhe Report TV raportoi për akte dhune ndaj kameramanit të tij, Mirsal Hajdarmataj, i cili filmoi momentin e shoqërimit të Lelës. Ndërkohë që të tjerë gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë raportuar për agresion dhe përdorim të dhunës nga ana e efektivëve të policisë, të cilët disa herë përdorën edhe gazin spraj për të shpërndarë turmat. Një tjetër deklaratë vjen nga aktori Neritan Liçaj, i cili u rikthye në protestë pas shoqërimit në polici. I prekur për atë që kishte ndodhur, Liçaj tha se bashkë me godinën kishte vdekur edhe një pjesë e tij. “Do doja të mbyllja sytë një çast e kur t’i hapja TK të ishte aty. Për fat të keq, kanë mbetur vetëm rrënojat. Një pjesë e imja ka vdekur nën ato rrënoja!” tha ai. Një tjetër aktor, i cili qëndroi për disa orë në komisariat ditën e djeshme, ka reaguar për mediat pasi është lënë i lirë nga uniformat blu. Përpara aktivistëve dhe aktorëve, Robert Budina tha se ata që shembën Teatrin donin të ngjallnin urrejtje dhe vëllavrasje mes shqiptarëve. “Sot ata bënë një ndërhyrje mafioze. Dëshira me të cilën shkatërronin teatrin ishte e paimagjinueshme. Me urrejtje dhe dëshirë për të ngjallur vëllavrasje. Sapo dolën nga godina disa efektivë të policisë na drejtuan armët. Sjellje tipike e një shteti mafioz”, tha Budina. Më tej, ai theksoi se aktivistët dhe aktorët do ta rifitojnë sërish kështjellën e demokracisë. Ndërkohë, aktorja Juli Emiri, ndau momentin e arrestimit duke treguar se bashkë me kolegë të saj ndodheshin në tarracën e Teatrit Kombëtar në orët e para të mëngjesit, kur policia ndërhyri për t’i nxjerrë dhe shembur ndërtesën. Emiri tregon momentin e befasishëm ndërsa e quan sjelljen e policisë terroriste. “Dëgjova fadromat, ndërkohë që nisi shembja ne ishim në tarracë

Të fundit

Raportimi në KLP, Altin Dumani liston pesë problematikat e SPAK

Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani po raporton sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë mbi raportin vjetor të Prokurorisë...

Merimanga kanibale (që nuk i ha të afërmit e saj)

Agelena labyrinthica është një merimangë e vogël shumë e zakonshme në Evropë, e cila jeton pranë pyjeve dhe livadheve dhe ndërton rrjeta me një formë tipike "labirinti" ,...

Javë tepër e nxehtë/ Ja dita kur do të kemi temperatura rekord

Meteorologia Lajda Porja ishte në një lidhje live këtë të hënë ku paralajmëroi një javë tepër të nxehtë, e cila do të kulmojë ditën...

“Edhe vetë Latifi e kuptoi që s’ka rrugë tjetër”, Rama ironizon PD me foton e LaCivita

Kryeministri Edi Rama nuk ka ndalur ironitë ndaj kundërshtarëve të tij politik. Në faqen e tij zyrtare në Facebook kreu i qeverisë ka postuar...

Nuk arriti në finalen e ‘BBVA’, vjen reagimi i parë i Gerta Gixharit

Moderatorja Gerta Gixhari, përfundoi aventurën e saj në “Big Brother VIP Albania”, duke arritur deri në gjysmëfinale. Edhe pse nuk shkoi në finale, ajo...

Lajme të tjera

Web TV