“Historinë nuk e bëjnë muret e di, por nesër, nuk do të mund t’i them kujt: e shikon këtë godinën këtu, këtu kam punuar dikur edhe unë”
Nga Leonard Veizi
“Vdiq Teatri, rroftë Teatri”. Kjo sentencë mund të mos jetë aq e goditur sa t’i bjerë në kokë problemit, por, gjithsesi, pak kohë më parë, regjisorja e talentuar, Elma Doresi, vuri në skenën e Teatrit Kombëtar një komedi të dramaturgut Ferdinand Hysi, me titullin “Vdiq Mbreti, Rroftë Mbreti”. Sot Teatri Kombëtar ka vdekur, por mbi rrënojat e tij askush nuk ka mundur të vazhdojë gjysmën e dytë të thirrjes, sepse i riu është ende shumë larg dhe, mbi të gjitha, ende nuk dihet se çfarë projekti do të zbatohet në një truall ku teatri që vdiq bëri epokë. Për më tepër regjisorja Elma Doresi, për gazetën “Fjala”, thotë se si u ndie kur u përball me vdekjen e njërës prej dashurive të mëdha të jetës së saj, godinës së Teatrit.
Edhe pse me një seri të rëndësishme shfaqjesh, sërish hyni te brezi i ri i regjisorëve. Sa vepra keni vënë në skenën e Teatrit Kombëtar?
Pa diskutim që i përkas ose i përkisja regjisorëve të rinj. Them i përkisja, sepse karriera ime u ndërpre përpara dy vitesh për arsye joprofesionale nga njerëz joprofesionistë.
Unë jam diplomuar në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar (2009, deri dje quhej Teatri Eksperimental). Më pas, më 2010, sërish te skena e vogël e tij kam vënë shfaqjen “Let’s have sex” si pjesë e festivalit të regjisorëve të rinj, ku u shpalla fituese, çmimin e parë dhe dy çmime të tjera, si skenografia më e mirë dhe aktorja joprotagoniste më e mirë.
Kam vënë tek e njëjta sallë edhe disa shfaqje me pantomima (fëmijët me aftësi të kufizuar).
Ndërsa te salla e madhe e Teatrit Kombëtar kam vënë dy shfaqje: Zbutja e kryeneçes (2016) dhe Vdiq Mbreti, Rroftë Mbreti (2018).
Kam bërë edhe një aktivitet mbi Kolë Jakovën në sallën e madhe, por kjo e fundit ka qenë punë mbi vendin ku unë punoja.
Sa domethënëse ishte për ju kjo sallë dhe kjo ndërtesë në tërësinë e saj?
Për mua ajo sallë ishte histori. Më kujtohet më 2011, shumë pak pasi isha vlerësuar me çmim, një regjisor i nderuar i yni më tha: Duhet të bësh shfaqje në Teatrin Kombëtar. Absolutisht u tërhoqa dhe thashë: Ajo skenë është shumë e madhe dhe unë jam shumë e vogël. Dua të rritem profesionalisht dhe vetëm atëherë do të vij.
E them këtë për t’ju treguar se sa e madhe ishte ajo skenë për mua dhe sa shumë e vlerësoja.
Teatri Kombëtar ka pasur probleme dhe unë shpesh i “bërtisja” problemet e tij, flas këtu në lidhje me kushtet që ajo godinë ofronte. Por vazhdoj të jem e mendimit se nuk duhej shembur.
Historinë nuk e bëjnë muret e di, por nesër, nuk do të mund t’i them kujt: e shikon këtë godinën këtu, këtu kam punuar dikur edhe unë… Më thoni ku?
Ju vetë ishit për një teatër të ri, apo për rikonstruksionin e të vjetrit?
Isha për rikonstruksionin e tij. Kur më thoshin se do të iknim tek Turbina (në të cilën kam qenë dhe në ditën kur na ftuan për të na treguar se ai vend do të kthehej në teatër), mezi e prisja dhe pse aty ishte debatuar shumë për mënyrën se si do ta bënin. Por kisha menduar se njerëzit apo të deleguarit, kishin bërë takime të tjera dhe ndoshta do të ishin marrë për bazë kërkesat dhe diskutimet e artistëve. Mezi prisja të lëvizja për arsye se kisha menduar që do të rikonstruktohej Teatri Kombëtar. Më pas pashë një projekt.
Vija nga një shfaqje ku kushtet e teatrit më penalizuan dhe u tregova egoiste në një moment. Por kolegët, sidomos më të mëdhenjtë, na treguan se historia vlen shumë më tepër.
Kështu që vendosa të isha me historinë dhe me atë gur të vogël, që kisha vendosur edhe unë si e re brenda tij.
Si e përjetuat situatën e prishjes së godinës së Teatrit?
Sikur m’u shemb shtëpia. Në thelb, ajo ishte shtëpia jonë. Kam qarë shumë dhe ndihesha si ato rrënojat e atij teatri. Ndihesha sikur isha në një varrim të gjatë, që nuk kishte fund, sikur kisha humbur dikë të afërt shumë… e rrënuar, besomëni! Nuk e di përse kisha besuar thellë brenda meje se ai Teatër nuk do të shembej.
Unë kam qarë brenda tij për të ftohtin dhe të nxehtin. Ka pasur çaste dhe kur e mallkoja veten, sepse shikoja publikun që kënaqej me shfaqjen, por shikoja dhe anën tjetër të medaljes se si aktorët ftoheshin atje pas skenës nga kushtet. Ka pasur raste që shikoja dhe një publik që ftohej, por qëndronte ashtu i ngrirë deri në fund, sepse e donte teatrin. Por mund të ishte gjetur një zgjidhje tjetër.
Dikush më tha në një nga këto ditë: edhe shembja ka dinjitet. Mendoni pak i nderuar, sikur shembja e tij, për hir të asaj që përfaqësonte, të bëhej si ceremoni. T’i hiqeshin dalëngadalë dyert, dritaret, karriget… Të nxirreshin në heshtje të gjitha sendet prej tij, gardëroba, arkiva, e deri sa ajo godinë të zhvishej. Do të ishte shumë e trishtë, por do të ishte një shembje me dinjitet. Por ashtu, na shembën edhe ne me atë që na ofronin pamjet nga televizori.
Në kushtet kur është “Art Turbina” dhe salla “Shekspir”, ku do të preferonit të vendosnit shfaqjen e radhës?
Të dyja sallat janë alternative, ose të përshtatura. Por do të zgjidhja sallën “Shekspir”, pasi aty kam kontributin tim më të madh dhe nostalgjinë e mall për atë vend.
Duke njohur spektatorin e teatrit, mendoni se Tirana me një milion banorë duhet të ketë edhe skena të tjera teatrore?
Absolutisht po. E them shpesh se neve nuk na duhet një teatër i ri, por dhjetë të tillë.
Pavarësisht pasionit dhe dëshirës së artit, në fund të ditës ajo mbetet një punë dhe ndërtimi i teatrove të reja do të ishin vende pune për të gjithë ne që jemi në rrugë sot./Fjala.al