“Fjala” zbardh letrën konfidenciale të amerikanëve; A do të pranojnë partitë t’i hapin listat?!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ambasada amerikane në Tiranë u ka kërkuar zyrtarisht katër përfaqësuesve të Këshillit Politik për reformën zgjedhore gjetjen e konsensusit për lista të hapura të deputetëve dhe garantimin e një demokracie përfaqësuese.

Gazeta “Fjala” zbardh përmbajtjen e e-mail-it konfidencial.

Pse partitë politike hezitojnë në pranimin e këtyre listave? Sa e dëmton autoritetin e kryetarëve të partive ndryshimi i listave?

Flet për gazetën “Fjala” eksperti i zgjedhjeve, ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, reagojnë kreu i PD-së, Lulzim Basha, përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri, deputeti i opozitës parlamentare Halit Valteri.

Nga Blerina Gjoka  

Që prej zgjedhjeve të marsit 1992 shqiptarët nuk kanë gjetur qetësi me pranimin e një procesi zgjedhor si të lirë e të ndershëm. Partitë që kanë humbur zgjedhjet e kanë kontestuar rezultatin e tyre dhe gjithmonë faji është gjetur te kodi zgjedhor. Gjatë këtyre 30 viteve pluralizëm në vend legjislacioni zgjedhor është ndryshuar 12 herë dhe pritet të ndryshohet për herë të 13-të, me shpresën se më në fund do të gjendet formula për ta qetësuar tensionin politik që lidhet me zgjedhjet.  Megjithëse legjislacioni zgjedhor përmbledh shumë aspekte që lidhen me zhvillimin e zgjedhjeve, “thembra e Akilit” ka qenë gjithmonë sistemi zgjedhor, si një nga aspektet më të rëndësishme të procesit. Mungesa e kulturës demokratike dhe e besimit të ndërsjellë mes partive, ka çuar në provimin e disa lloj formulave që ofrojnë sistemet zgjedhore, pa gjetur dot qetësi deri më sot, me një model që garanton demokracinë përfaqësuese. Pikërisht duke theksuar togfjalëshin “demokraci përfaqësuese” ambasada amerikane në Tiranë ka kërkuar që të shkohet drejt një sistemi të ri zgjedhor, në një e-mail konfidencial dërguar katër anëtarëve të Këshillit Politik, që po negocion reformën e re zgjedhore. Gazeta “Fjala” ka arritur ta zbardhë këtë e-mail që kanë marrë njëkohësisht Damian Gjiknuri i PS-së, Oerd Bylykbashi i PD-së, Petrit Vasili i LSI-së dhe Rudina Hajdari e grupit të deputetëve të opozitës parlamentare.

“Duke shprehur shqetësimin se procesi i votimit nuk u jep mundësinë qytetarëve të votojnë në një demokraci përfaqësuese, sugjerojmë që të diskutohet dhe të arrihet një konsensus politik për të arritur në lista të hapura të kandidatëve për deputetë në zgjedhje. Në këto diskutime mund të orientoheni te sistemi danez i votimit, si diçka të mundshme ose të pranueshme nga të gjitha palët, për të arritur një dakordësi në lidhje me këtë pikë”.

Ky është thelbi i këtij e-mail-i që ka vënë në lëvizje politikën shqiptare në një kohë kur partitë e mëdha nuk e kishin prekur fare për diskutim çështjen e listave dhe të sistemit.

Ndryshimi i sistemit ishte kërkuar me këmbëngulje nga disa grupime shoqërore dhe është mbështetur fuqimisht edhe nga grupi i ri parlamentar i opozitës, i krijuar pas largimit të opozitës PD dhe LSI nga Kuvendi.  Propozimi i ambasadaës amerikane e ka zënë në befasi këtë këshill, ku të paktën 3 anëtarë të tij, PS, PD dhe LSI si parti me shumë votues, nuk kanë shfaqur interes për ta prekur sistemin zgjedhor që do t’i lëkundte pozitat e tyre në votën popullore, duke u dhënë mundësinë edhe partive të tjera të vogla që të përfaqësoheshin në Kuvend. Listat e mbyllura të kandidatëve ndërkohë u japin kryetarëve të këtyre partive autoritet absolut në përzgjedhjen e emrave dhe votuesve një katror “qorr” ku votojnë ngjyrën partiake, pa pasur mundësi të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesin e tyre në organin më të lartë ligjvënës në vend. Po a do të binden këto parti që të lëshojnë terren dhe të futen në një fushë loje me rregulla të reja, ku populli do të ketë më shumë alternativa dhe më të qarta në zgjedhjet e ardhshme, kjo mbetet për t’u parë. Deri më tani vetëm kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka pranuar të paktën publikisht se nuk është kundër ndryshimit të sistemit dhe listave të kandidatëve. Nga ana tjetër, PS-ja në pushtet po heziton ta hedhë për diskutim këtë çështje, duke argumentuar se kjo kërkon ndryshim të Kushtetutës.

Basha: Jemi pro listave të hapura

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u tregua i hapur  për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke pranuar listat e hapura të kandidatëve, megjithëse pohoi se nuk e ka parë propozimin amerikan për këtë çështje. Ai deklaroi se opozita ka treguar vullnet për reformën zgjedhore, ndërsa theksoi se është pro listave të hapura dhe për ndryshim sistemi. Por Basha e ka kushtëzuar dakordësinë e tij për realizimin e reformës zgjedhore me “qeverinë kujdestare të zgjedhjeve”, duke theksuar se opozita nuk ka besim te kjo mazhorancë.

Lexo edhe :  Mbledhja e dy Kuvendeve, kritika dhe vizione për bashkëpunim ndërkombëtar

“Ne do të jemi gati për lista të hapura dhe ndryshim sistemi, ju e dini idenë time për maxhoritar të pastër dhe dy dhoma, për kufizimin e mandateve të deputetëve, kryeministrit, por asgjë nuk do të ketë kuptim, sa kohë që kujdestare e zgjedhjeve është hajdutja e zgjedhjeve dhe hajduti i zgjedhjeve Edi Rama”,- tha Basha dje, pas një tryeze të partive opozitare me presidentin Ilir Meta.

Sipas tij, reforma zgjedhore mbetet e bllokuar jo për faj të opozitës, por, për shkak të shkeljes së besimit nga ana e qeverisë.

“Partia Demokratike dhe opozita kanë pasur dhe kanë treguar vullnet për reformën zgjedhore pikërisht sepse duhet që një orë e më parë shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit. Sot nuk është përgjegjësia jonë. Me atë që ndodhi më 17 maj, Partia Socialiste dhe Edi Rama kanë hedhur në erë besimin në një proces që pa besim nuk është asgjë. Opozita nuk mund të jetë fasadë, përgjegjësia është e Edi Ramës”, tha Basha.

Partia që ai drejton ka bojkotuar tashmë Këshillin Politik të ngritur për realizimin e reformës, edhe pse ishte rënë dakord që marrëveshja politike të arrihej deri në fund të majit. Kjo reformë është një ndër kushtet kryesore të vendosura nga BE-ja për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

Gjiknuri heziton për sistemin: Do të shpërbënte Kushtetutën

Bashkëkryetari socialist i komisionit të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri, foli gjatë seancës parlamentare lidhur me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Gjiknuri e pranon që ndoshta është dhe momenti për ta ndryshuar, por nëse bëhet në formën që po e kërkon opozita joparlamentare dhe ajo parlamentare, do të shpërbënte Kushtetutën. Sipas tij, do të ndryshonin raportet e institucioneve me elektoratin.

“Po të hapim sistemin zgjedhor në atë mënyrë që po kërkohet, atëherë do të shpërbëhet Kushtetuta. Nëse hapim lojën e sistemit, se nuk po them që nuk është momenti, por do të shpërbënim Kushtetutën. Nëse sot ka konsensus të gjerë, po u hap ajo lojë, do të preken të gjitha raportet e elektoratit dhe institucioneve. Le të bëjmë reformë zgjedhore tani, sistemi zgjedhor mund të hapet për themelet e reja, por në fillim të kemi kulturën e pranimit të rezultatit. ”- tha Gjiknuri.

Gjiknuri ftoi opozitën joparlamentare të vijonte dialogun për reformën zgjedhore dhe të miratohet.

“Ne bëmë një gjë atipike që këtu edhe dikush e ngre, që përfshimë opozitën joparlamantare në tryezë, jo se na i kërkuan ndërkombëtarët, por sepse edhe ata përfaqësojnë një elektorat politik. Përfshirja e PD-së dhe e aleatëve të saj ishte dhe është e domosdoshme, por brenda disa limiteve. Nëse nuk biem dakord, ne kemi arbitër. Marrëveshja ishte e zeza mbi të bardhë, se kur palët nuk bien dakord për një çështje, atëherë duhet të drejtohen tek ODIHR-i për të gjetur konsensus.”- sqaroi Gjiknuri.

Sipas tij, duhet realizuar kjo reformë zgjedhore sa më shpejt dhe partitë politike të kuptojnë se pushteti fitohet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve.

Valteri: Listat e hapura, alternativa më demokratike

Deputeti i grupit parlamentar opozitar, Halit Valteri,  këmbëngul për një sistem zgjedhor me lista të hapura. Ai tha dje në Kuvend se sistemi i votimit me lista të hapura duhet të jetë e vetmja alternativë. Deputeti Valteri u shpreh se përparësi e këtij sistemi është fakti që zvogëlon fuqinë e partisë, ndërsa shtoi se duhet luftuar koncepti i “njëshit brenda partisë”.

“Sistemi i votimit me lista të hapura të jetë e vetmja alternativë. Kjo sepse është një sistem demokratik. Përparësi tjetër është se zvogëlon fuqinë e partisë. Ne duhet ta luftojmë konceptin e njëshit brenda partive, që nesër të kemi një sistem që qytetarët të votojnë të lirë dhe të zgjedhin kandidatin e preferuar. Vetëm në katër vende të BE-së garantohen zgjedhje me lista të mbyllura”- theksoi ai.

Grupimi parlamentar ku bën pjesë Valteri përfaqësohet në Këshillin Politik të reformës zgjedhore nga deputetja Rudina Hajdari, e cila është e vetmja në 4 anëtarët e këtij këshilli që po këmbëngul fort për hedhjen në diskutim të ndryshimit të sistemit zgjedhor, si pjesë qenësore e kësaj reforme./Fjala.al

Të fundit

Izraeli konfirmon për herë të parë vrasjen e liderit të Hamasit

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka pranuar për herë të parë se Izraeli vrau liderin politik të Hamasit Ismail...

“American Airlines” detyrohet të ndalojë të gjitha fluturimet në prag të Krishtlindjes

American Airlines u detyrua të ndalonte të gjitha fluturimet në SHBA në prag të Krishtlindjeve për shkak të një problemi teknik të paspecifikuar. Linja ajrore...

Zbulohet ku do të jetojë Parashqevi Simaku

Ikona e muzikës, Parashqevi Simaku qëndron pranë biznesmenit Elton Ilirjani. Pas gjetjes së këngëtares në New York dhe më pas bashkëpunimit të saj me...

Borë dhe ngrica/ Mot i acartë në veri dhe juglindje të vendit

Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta përfshinë pjesën më të madhe të qarkut juglindor. Pamjet që shihni në ekran vijnë nga Dardha e Korçës,...

Mbrëmja e Krishtlindjeve, religjioni dhe mediat, ‘Viti i Shenjtë’ përtej riteve fetare

Punëtorët e ndërtimit në Romë punuan me javë të tëra pa ndërprerje. Peshkopët në mbarë botën promovojnë udhëtime për në Qytetin e Shenjtë. Më...

Lajme të tjera

Web TV