2 ditë liri! Maji i revoltave antikomuniste

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

21 maji i vitit 1973 shënoi revoltën e parë të organizuar kundër regjimit komunist nga të burgosurit politikë të burgur të Spaçit. Në të njëjtën datë, 11 vite më pas, në vitin 1984, u shënua revolta e dytë, ajo e burgut të Qafë-Barit. Të dyja u shtypën me gjak.

Dy ditë liri të fituara me gjak. Kjo është historia e dy revoltave të vetme që shënohen në kalendarin e rezistencës antikomuniste në Shqipërinë e viteve 1944-1990, në diktaturën më të egër në Evropën Lindore.  Të parët që u ngritën ishin të burgosurit politikë të kamp-burgut të Sapçit, që shpërtheu  më 21 maj të vitit 1973 dhe u shtyp në mënyrë të dhunshme mëngjesin e datës 23 maj 1973. Në një tjetër maj, 11 vite më vonë, të burgosurit e Qafë-Barit, që ishin të rrethuar në mes të maleve të Pukës, duke nxjerrë mineral nga miniera dhe nën një regjim dhune, u ngritën për liri. Edhe kjo revoltë u shtyp me gjak nga udhëheqja komuniste.

47-vjetori i Revoltës së Spaçit

Revolta e Spaçit (21 -23 maj 1973) përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri e demokraci. Shkaqet e kësaj revolte ishin kushtet çnjerëzore në të cilat vuanin të burgosurit, puna e tyre skllavëruese, përdorimi i torturave psikologjike dhe fizike, si edhe gjendja e mjeruar e popullit nën diktaturën komuniste, kundër së cilës ata u ngritën dhe qëndruan heroikisht.

Revolta e të burgosurve të Spaçit ishte një lëvizje politike. Ajo vërtet shpërtheu në mënyrë spontane, në mbrojtje të jetës së shokut të tyre, Pal Zefit, por menjëherë mori formë të përgjithshme e të organizuar, me një shtab drejtues e me kërkesa kryesisht politike të përcaktuara. Parullat kryesore të revoltës ishin: “Nuk pranojmë të shkojmë në punë. Qeveria komuniste e Tiranës është e poshtër. Kjo qeveri së shpejti do të përmbyset. S’ka liri, s’ka demokraci, ka vetëm diktaturë. Duam drejtësi. Ushtria është me ne. Vëllezër ushtarë, hidhni armët e bashkohuni me në! Poshtë komunizmi! Poshtë Enver Hoxha! Duam bashkim me Evropën e lirë! Rroftë Evropa e lirë! Ja vdekje, ja liri, nuk shkojmë më në galeri!” etj. Heronjtë e Revoltës së Spaçit ishin Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj – si dhe protagonistët kryesorë: Luan Burimi, Dashamir Kazazi, Hodod Sokoli, Luan Koka, Sami Dangëllia, Paulin Vata, Syrja Lame, Fadil Dushku, Gëzim Medolli, Demir Pojani, Kostandin Papaj, Rexhep Lazri, Ferit Kumanaku, Pal Marku, Bedri Çoku, Murat Marta, Jonuz Norja dhe pjesëmarrësit e tjerë: Çaush Çoku, Ndrec Çoku, apo flamurtari që mbante lart flamurin pa yll, Seliman Çuni, Sherif Allamani, Haxhi Bena, Mersin Vlashi që vizatoi shqiponjën në flamurin e kuq, Naim Pashai, Napolon Koleci, Shuaip Seti, Nuredin Vargo e mjaft të tjerë. Pas përleshjeve me gardianët e policët, pas shpërthimit të dyerve të birucave, pas thyerjeve të tabelave të emulacionit, ballafaqimeve dinjitoze me autoritetet e shqetësuara të burgut, me drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, të cilit ia ktheu vendçe Hajri Pashai: “Së shpejti do të vini ju këtu, në vendin tonë. Ju jeni qeveri e poshtër, e gjakosur, që shtypni popullin dhe këtu do ta paguani së shpejti” etj. Por akti më madhor ishte heqja e flamurit të kuq mbi tarracë e mandej vendosja e flamurit me shqiponjën dykrenore, që u përshkua nga plumbat, por nuk u ul dhe valoi për herë të parë në qiellin e tokës shqiptare, pas 30 vjetësh pa yllin e kuq, simbolin e komunizmit. Menjëherë pas shtypjes së revoltës, filloi gjyqi kundër organizatorëve e pjesëmarrësve të saj, në kundërshtim me premtimet e angazhimet demagogjike të mëparshme, për ta shuar revoltën. Gjykata e Lartë vendosi më 25 maj 1973 dënimin me pushkatim për Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain, dhe Pal Zefin, ndërsa për të tjerët ridënime me 25 dhe 20 vjet të tjerë burg. Gjithsej 60 të ridënuar, që përbëjnë me qindra vite burgu.

Revolta e Qafë-Barit

Në kamp-burgun e Qafë Barit ndërtuar pranë një miniere ku të burgosurit, kryesisht politikë bënin punë të rëndë dhe dhunoheshin në mënyrë çnjerëzore nga policia e kampit, një ditë maji durimi arriti fundin.  Pikërisht me 22 Maj të vitit 1984 për shkak të dhunës policore dhe punës së rëndë në minierë disa të burgosur kundërshtuan togën e policisë së kampit dhe u ngritën në revoltë, revoltë e cila u shtyp vetëm pas ndërhyrjes nga Tirana me helikopter dhe nga dhuna e policisë së kampit. Nga brenda burgut mbasi të burgosurit e vunë nën kontroll atë dëgjohej shprehja Poshtë Komunizmi!, Poshtë Diktatura! ndërkohë që forca të shumta ushtarake rrethonin burgun dhe snajperët zinin pozicionet. Kjo revoltë përfundoi me dy dënime me vdekje për organizatorët Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja dhe vdekjen në tortura të Sandër Sokolit dhe me dënime të larta për pjesën tjetër. Të burgosurit ranë pre e dhunës çnjerëzore dhe nën dhunën e vazhdueshme të kriminelëve si Edmond Caja, Novruz Naska, Riza Musallari etj.

Lexo edhe :  Lajm i trishtë për futbollin shqiptar, ndahet nga jeta ish-gjyqtari i njohur

Shkrimtari Visar Zhiti ishte dëshmitar i kësaj ngjarjeje. Ja si e përshkruan ai në librin e tij “Ferri i çarë” atë mëngjes revolte:

Edhe durimi s’durohej më… …filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit, po ja, nga që ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur. Brigadat e natës, ndërresa e tretë e të burgosurve, qenë kthyer nga puna, kishin 2-3 orë që prisnin më këmbë dhe s’jepej urdhri të shkonin në fjetore. Gjysma flinte më këmbë. Mbështetur te muri, te shoku, te shkallët, tek telat me gjemba. Vurrata të zeza blank nëpër fytyra, o nga të palarët, o prej tmerrit, që shihnin në atë copëz ëndërr. Urdhër i komandës. Prapë turni i parë! “S’kemi pse kthehemi, – këmbëngulnin të burgosurit. – Jemi të lodhur, duam të flemë, të vdesim”. “S’ju lëmë të vdisni, pa bërë normën”. “Në darkë prapë”. “Jo, tani!” “S’ka material, mor zotni, s’ishte faji ynë”.

“Po i kujt, yni? – bërtisnin policët. Po i kujt, juaji” – ia kthenin të burgosurit. Fytyrë më fytyrë. Kthetër më kthetër. U avitën dy Sokolat, ai me mbiemrin Sokoli prapë dhe tjetri Progri. Çfarë doni? Ju çfarë doni? Normën! S’ka. Po plas më duket. Erdhën Tom Ndoja, Martin Leka, Kostandin Gjordeni, Lush Bushgjoka. Të tjerë pas tyre. Po aty ishim. Ikni. Ikni ju. Shtrëngim dhëmbësh, nofullash. Uli duart… Bamb një hekur – kumboi kafka? – me një hekur nisi revolta e Spaçit, e rrëmbeu një i burgosur dhe doli nga birucat. Po i binin çangës për t’u mbledhur të gjithë në mensë. Shqeva sytë mbi çangën sikur të mos e kisha parë kurrë, një predhë topi e varur. Bosh është apo ka eksploziv brenda, mund të shpërthejë, kur, kur? Pse po na mbyllin? Mos duan të rrahin në praninë e të gjithëve ata që kundërshtuan? “Po vunë dorë, do t’u përgjigjemi, – mërmëriti dikush pranë meje. – Gati jemi. Atë që do ta bënim më vonë, ta bëjmë tani…” U drodha i tëri. Të jetë themeluar vërtet parti në burg? Si…gur…isht… Çfarë do të bënim më vonë, kryengritje? Vdekjen, vdekjen. Po shtoheshin policët. Dyndjet e tyre të zeza si shpesh po i shihnim këto kohët e fundit. Vazhdonte futja jonë një nga një në mensë. Një si kënetë e ngritur lart në qiell. Ajo e ferrit, e tharë, plot me skelete të burgosurish. Si shi do të bjerë mbi ne pluhur kockash, do të bien eshtra nga lart, vetëtima të plakura, kafka… U futën nja 10-15 policë. U përhapën në krye. Pastaj u futën policë të tjerë me të burgosur të tjerë me pranga në duar ose të lidhur me tel, veshur me leckat e punës, me fytyra të nxira aq sa s’njiheshin.”

Të fundit

Zarfi i parë me fletë votimi, Rama diasporës: Ne e mbajtëm fjalën, tani është radha juaj!

Kryeministri Edi Rama e cilëson fjalë të mabjtur votën për emigrantët, pasi mëngjesin e sotëm i ka shkuar në...

Sa orë gjumë është normale të flemë në ditë? Këshillat sipas grupmoshave

Fjetja aq orë sa duhet, është themelore për të pasur një shëndet të mirë. Por sa kohë duhet të flemë të gjithë ne saktësisht?...

Ish-drejtuesi i policisë: Në burgun e Shënkollit “VIP-at” marrin shërbime s*ksuale

Ish-drejtuesi i policisë Shemsi Prençi ka bërë një deklaratë të fortë ditën e sotme, teksa ishte i ftuar në emisionin “Breaking” në Top News. Sipas...

E projektoi që në 1882/ Arkitekti i Sagrada Família në Barcelonë do të shpallet “shenjt”

Antoni Gaudí, arkitekti i famshëm katalanas që i dha jetë Bazilikës Sagrada Família në Barcelonë, është vënë zyrtarisht në rrugën drejt shenjtërisë. Vatikani njoftoi...

I ra krevati sipër, shqiptarja që humbi jetën në Santorini do bëhej gjyshe për pak ditë

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të shtunën e kaluar në ishullin grek të Santorinit, ku një pastruese shqiptare 59-vjeçare ka humbur jetën në vendin...

Lajme të tjera

Web TV