Meta gjen “sebep” për të kthyer ligjin: Nuk është shkruar shqip

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Presidenti argumenton se përdorimi i termave në gjuhë të huaj bën që ligji në tërësi të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, që thotë se gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja

Nga Alessia Selimi

Ka kaluar pa shumë vëmendje, por presidenti Meta ka kthyer mbrapsht dje një ligj të qeverisë, për një motiv të pahasur deri më tani.

Sipas tij, ligji bie në kundërshtim me Kushtetutën, për shkak se në formulim ka shumë fjalë të huaja, më së shumti anglisht. Deri më sot, Ilir Meta ka refuzuar të firmosë shumë nisma ligjore të qeverisë, duke i arsyetuar si në kundërshtim me ligjin themelor, apo norma të tjera, kryesisht duke pasur parasysh parimet themelore të së drejtës, respektimin e pushteteve, apo konkurrencën e lirë të tregut.

Kësaj radhe, një ligj për turizmin, sipas kreut të shtetit, cenon Kushtetutën, pasi në të shkruhet se gjuha jonë zyrtare është shqipja. Presidenti Ilir Meta, kësisoj, ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për heqjen e TVSH-së për jahtet dhe mjetet e tjera lundruese që përdoren për qëllime turistike.

Në arsyetimin ligjor të vendimit, kreu i shtetit radhit disa arsye, por kryesorja është se ligji nuk është shkruar në shqipe. “Ligji, duke filluar nga dispozita e përkufizimeve, apo në tekstin integral të tij përmban terma dhe fjalë që nuk janë në gjuhën shqipe. Në mënyrë joshteruese, po rendisim disa prej këtyre termave: “surf”, “windsurf”, “wakeboard”, “kitesurfing”, “bareboat”, “kroçera”, “kanoat”, “on-line””, thotë Meta. Presidenti argumenton se përdorimi i termave në gjuhë të huaj bën që ligji në terësi të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, që thotë se gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja.

“Përdorimi i emërtimeve në gjuhë të huaj, në një ligj, pra në aktin më të lartë me fuqi detyruese që nxjerr Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, që përbën aktin zyrtar bazë pas ligjit themeltar të vendit: Kushtetutës, jo vetëm shkel parimin se gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është gjuha shqipe, por cenon drejtpërdrejt dhe identitetin kombëtar, të mbrojtur posaçërisht nga preambula e Kushtetutës sonë”, vijon Meta.

Kreu i shtetit shton se cenohen edhe rregullat e teknikës legjislative, ndërkohë që nuk kursen dozat e ironisë me Parlamentin. “Për ta bërë më të thjeshtë për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarët, po përzgjedhim tri fjalë të huaja të vendosura në këtë ligj. Cila ka qenë ideja e Kuvendit mbi mënyrën e leximit në shqipe të fjalës “surf”?

Do të lexohet drejtpërdrejt sipas shqiptimit të shkronjave shqipe që përbëjnë këtë fjalë, apo në gjuhën angleze ku shqiptimi i kësaj fjale është “sërf”? Po për fjalët e përdorura në ligj “windsurf” dhe “wakeboard”, të cilat kanë në përbërjen e tyre shkronjën “W”, shkronjë që nuk përfshihet në alfabetin e gjuhës shqipe, do të lexohen në gjuhën angleze “uindsërf” dhe “ueikbord”?, pyet presidenti në mes të arsyetimit juridik.

Për më tepër, presidenti i këshillon Kuvendit që t’u referohet parimeve dhe rregullave të drejtshkrimit të vendosura në Kongresin e vitit 1972. Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, si forumi më i lartë shkencor, analizoi asokohe gjerësisht parimet themelore, çështjet e përgjithshme dhe shumë zgjidhje të veçanta të drejtshkrimit të shqipes, si edhe probleme të tjera teorike e praktike, vetëm për të pasur një gjuhë letrare të njësuar kombëtare, të cilën Meta e ka parë si arsyen kryesore për t’i kthyer mbrapsht Kuvendit ligjin që rregullon aktivitetin turistik të jahteve dhe kroçerave.

Lexo edhe :  Toyota Yaris/ Kreu i SPAK “kërcënon” Berishën për prishje hetimi

Vitin e kaluar, në më pak se 24 orë, presidenti Ilir Meta riktheu për shqyrtim tri ligje që shumica i miratoi me forcën e kartonit; ndryshimet e bëra në ligjin për rezervat materiale të shtetit, i cili u miratua më 20 qershor në Parlament; ligjin për vetëqeverisjen vendore, ku kreu i shtetit argumentoi se me ndryshimet që qeveria  vendosi të realizojë, nëpërmjet nenit 3 dhe 4 të ligjit nr. 38/2019, po krijonte një kompentencë të re për autoritetet vendore; ligjin për privatizimin dhe dhënien  në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve. Por të gjitha dekretet e kthyera nga presidenti janë rrëzuar më tej në Kuvend, nga shumica.

Reforma në drejtësi, ambasada e SHBA-së: S’do ta humbasim  përqendrimin

Pas alarmit të lëshuar disa ditë më parë për një marrëveshje të fshehtë  për të vrarë reformën në drejtësi,  ambasada e Shteteve të Bashkuara  përsërit se reforma në drejtësi duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e familjes evropiane. Ambasada e SHBA-së bën të qartë se Uashingtoni zyrtar do të vijojë të jetë tejet i përkushtuar në këtë proces të rëndësishëm , që në fund të ditës mbetet kërkesë e popullit shqiptar. “Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të përkushtuara ndaj reformës në drejtësi, e cila është kërkesë e popullit shqiptar.

Në përgjigje të kësaj kërkese, në vitin 2016, Parlamenti miratoi unanimisht ligjet themelore për reformën. Prej atëherë, janë ngritur institucione kyçe dhe zbatimi vazhdon për t’i bërë ato funksionale. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por është e nevojshme. Reforma në drejtësi po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes evropiane. E gjithë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të mbështesë synimin e popullit shqiptar.

Ne nuk duhet të humbasim përqendrimin, ne nuk duhet të çorientohemi – synimi është i qartë, populli shqiptar foli dhe reforma në drejtësi duhet të ecë përpara, hap pas hapi”, deklaron ambasada e SHBA-së. Ky reagim i selisë diplomatike amerikane vjen një ditë pas deklaratave me tone të ashpra të presidentit Ilir Meta në drejtim të ndërkombëtarëve. Ai tha gjatë një interviste televizive se është  i shqetësuar për besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara edhe sa i takon reformës në drejtësi në Shqipëri.

“I kam dërguar letra sa herë që kam qenë i shqetësuar se mazhoranca ka përdorur Euralius-in dhe OPDAT-in, e s’kam marrë asnjë përgjigje me shkrim për këto çështje”, tha Meta i cili hodhi poshtë çdo aludim se ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ta ketë pasur për të kur përmendi ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë për ta vrarë reformën në drejtësi. “Nuk ka si ta ketë për mua ambasadorja, se në Shqipëri reforma ka dy aktorë politikë; ka mazhorancën dhe opozitën.

Por opozita ka ikur nga Parlamenti, kështu që në Shqipëri ka vetëm një aktor politik, që është Edi Rama. Ka dhe një aktor politik që janë këto dy ambasadat që duhet të përgjigjeshin për paanësinë e kësaj reforme. Nuk ka aktorë të tjerë këtu”, u shpreh Meta.

Të fundit

Kanali i Panamasë në një perspektivë historike dhe politike

Thoma Gëllçi Donald Trump, i cili mori një mbështetje masive prej 80 milionë votuesish në zgjedhjet presidenciale, ndërtoi një pjesë...

Këto 5 ushqime po ju plakin dhe ju nuk jeni të vetëdijshëm

Industria kundër plakjes është një nga më të lulëzuarat në mbarë botën pasi miliona gra dhe burra janë kënaqur në ndjekjen e rinisë së...

Plagosi me armë 34-vjeçarin në Durrës, arrestohet pas disa muajsh autori

Durrës Finalizohet operacioni policor i koduar “Distanca”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e shtetasve në kërkim. Tentoi të vriste me armë...

Çfarë po i ndalon shtetet anëtare të NATO-s të rrisin buxhetet për mbrojtje?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pret që aleatët e Uashingtonit në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) të shpenzojnë...

Pesë muaj pasi u bë baba, Justin Bieber poston foton e veçantë me të birin

Këngëtari i njohur Justin Bieber po kalon periudhën më të bukur të jetës së tij, pesë muaj pasi ai dhe bashkëshortja, Hailey Bieber, u...

Lajme të tjera

Web TV