Këshilli Politik pranon me konsensus 3 propozime të opozitës, por pikat e nxehta lihen për në fund. Periudha zgjedhore, kuotat gjinore dhe financimi i partive kanë hapur siparin e bashkëpunimit opozitë-mazhorancë , por administrimi i zgjedhjeve, sistemi zgjedhor dhe qeveria kujdestare nuk janë prekur ende, duke e lënë pezull një marrëveshje të madhe politike. A do të arrihet afati i kërkuar nga SHBA-ja më 31 maj? PD-ja e gatshme, PS-ja skeptike
Nga Blerina Gjoka
Buzëqeshjet fitimtare të Oerd Bylykbashit të PD-së dhe Damian Gjiknurit të PS-së pas tryezës së Këshillit Politik për reformën zgjedhore ishin premtuese se një gjë e madhe po gatuhet në politikën shqiptare. Të gjitha pritshmëritë janë për një marrëveshje politike të re, në mesin e një krize që zgjat prej shkurtit të vjetshëm. Një hap i parë i mbarë u hodh dje, me arritjen e konsensusit për të paktën 3 pika të kësaj reforme, por pikat thelbësore nuk janë prekur ende. Opozita shënoi një fitore të vogël dje, me pranimin e tri propozimeve të saj për reformën, propozime që nuk ndryshojnë në mënyrë esenciale legjislacionin zgjedhor dhe nuk i prekin çështjet e ndjeshme që japin garancitë që ajo kërkon për standardet e zgjedhjeve të ardhshme.
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga afati i vetëvendosur nga ky këshill për marrëveshjen, akoma nuk janë hedhur në tavolinë propozimet e opozitës për administrimin e zgjedhjeve, ku përfshihet dhe roli i SPAK-ut, i Policisë dhe riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Po ashtu, qeveria kujdestare si kërkesë permanente e opozitës, vijon të jetë një patate e nxehtë për mazhorancën e cila ka refuzuar ta diskutojë. Ndryshimi i sistemit zgjedhor që do të garantonte demokraci sa më përfaqësuese, siç sugjeroi edhe ambasada amerikane, është futur i fundit në listën e diskutimit. Kësisoj duket se takimi i madh i të martës prodhoi një gjysmëmarrëveshje, e cila do të vihet në provë të fortë nesër, në takimin e radhës më 28 maj, kur çështjet e rëndësishme do të dalin më në fund në diskutim të hapur.
Ajo për çfarë u ra dakord dje ishin disa arnime të Kodit Zgjedhor për çështje ku dhe më parë ka pasur një dakordësi politike. Bëhet fjalë për një propozim të opozitës për ndryshimin e periudhës zgjedhore. Kësisoj zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen në pranverë, mes datave 15 prill – 15 maj dhe jo në qershor, siç ka qenë periudha zgjedhore e mëparshme. Kuotat gjinore për përfshirjen kandidateve gra do të vijojnë të jenë 30 për qind ose një në 3 kandidatë do të jetë grua, por futja e tyre në Kuvend do të marrë garanci ligjore, duke pasur parasysh lojërat e pandershme që kanë bërë më parë partitë, duke i përjashtuar gratë nga lista për t’i zëvendësuar ato me burra.
Së fundmi pika e tretë ku u arrit një farë konsensusi paraprak dhe iu la në dorë ekspertëve të bëjnë formulimin ligjor, kishte të bënte me financimin e partive politike. Këshilli Politik pranoi që të gjendet një formulë e re financimi, ku shteti do të shtojë fondin për financimin e partive politike në fushatën zgjedhore.
Eksperti ligjor pranë kësaj tryeze, zoti Kristaq Kume, i tha gazetës “Fjala” se patatet e nxehta të reformës mbeten akoma pa u diskutuar në tryezën e partive. “Nuk është prekur akoma çështja e administrimit të zgjedhjeve, roli i SPAK-ut në hetimin e krimit zgjedhor, roli i Policisë, përbërja e KQZ-së etj. Po ashtu, është lënë për në fund diskutimi për ndryshimin e sistemit zgjedhor, që po kërkohet fort nga një anëtar i kësaj tryeze, përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari”, – sqaroi Kume.
Tri propozimet e opozitës që u miratuan
- Financimi i partive:
Për të shmangur korrupsionin në fushatë, opozita propozoi një ligj që ul në minimum financimin privat të partive dhe i përjashton privatët që financojnë partitë politike nga tenderat, koncesionet dhe kontratat publike. Në këtë mënyrë do të shtohet financimi shtetëror i partive për të zvogëluar financimin privat. Sot janë në raport 1 me 10, por palët ranë dakord që të gjejnë një raport më të pranueshëm në ditët në vijim.
- Kuota gjinore
Kuotat gjinore kanë qenë në kodin aktual, ku partitë detyroheshin që të kishin 30 për qind gra në listat e kandidatëve, por zbatimi i këtij neni nuk u bë asnjëherë siç duhej. Opozita propozon që partitë apo koalicionet të kenë aq kandidatë sa numri i mandateve në qark, pasi lista e pakufizuar dhe vendosja e grave në fund të listës, e bën joefektive kuotën 30%.
- Periudha zgjedhore
Sipas propozimit të opozitës, do të shkurtohet periudha zgjedhore në të dy sezonet e parashikuara, nga 3 muaj bëhet 1 muaj dhe përkon me periudhat 15 prill – 15 maj dhe 15 tetor – 15 nëntor.
SHBA-ja shtrëngon lakun, 4 ditë kohë për mbylljen e reformës zgjedhore
Ambasadorja Yuri Kim në krah të kreut të PD-së, Lulzim Basha, “diskutimi ynë ishte i vendosur për të ardhmen dhe jo për të shkuarën”
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara , Yuri Kim, kërkon me insistim nga palët politike që të miratojnë reformën zgjedhore deri në fund të majit. Pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Kim deklaroi për mediat se data 31 maj duhet të jetë afati i fundit i diskutimeve, duke shtrënguar kështu lakun për palët. Diplomatja amerikane theksoi se takimi kokë më kokë u orientua drejt së ardhmes, jo të shkuarës, dhe se opozita ka shprehur gatishmëri për mbylljen sa më parë të këtij procesi. Po ashtu, Yuri Kim qartësoi se data 31 maj për miratimin e reformës zgjedhore nuk është afat i vendosur nga SHBA-ja ose ndonjë faktor tjetër i jashtëm. “Sapo zhvilluam një takim shumë të mirë. Isha shumë e kënaqur që pata mundësinë të takohesha me kryetarin e opozitës, z. Lulzim Basha. Diskutimi ynë ishte i vendosur për të ardhmen dhe jo për të shkuarën.” – tha ajo, ndërsa në krah të saj Basha pohonte me kokë. Kim nuk e fshehu një lloj admirimi për lidershipin e kreut të PD-së, admirim që e ka shprehur dhe më parë në takimet me të për çështjen e reformës zgjedhore. Në këtë kuadër ajo theksoi se “veçanërisht folëm për rëndësinë se si udhëheqësit shqiptarë duhet t’i përmbushin pritshmëritë e popullit shqiptar, sikurse e kanë premtuar, për ta përfunduar reformën zgjedhore deri më 31 maj. Ky nuk është një afat kohor që e ka vendosur ambasada e Shteteve të Bashkuara ose ndonjë faktor tjetër i jashtëm. Ky është një afat kohor që e kanë caktuar mbi veten e tyre vetë udhëheqësit”.
Më tej Kim përgëzoi gatishmërinë e opozitës. “Për nga përkufizimi, opozita ka një punë shumë të vështirë përpara saj, por ndihem shumë e inkurajuar nga diskutimi që kemi zhvilluar këtë pasdite dhe pres me kënaqësi për rezultatet”, tha ambasadorja e SHBA-së, pas takimit me kreun e opozitës.
Me një pamje të qetë pas këtij takimi ku dukej se ka pasur një gjuhë komunikimi mes tyre, Basha tha se opozita do të bëjë gjithçka që reforma zgjedhore të përfundojë në këtë datë. Ndërkohë, ai theksoi se opozita ka qëllim që sa më parë të shkohet në kutitë e votimit dhe zgjedhësit të pandikuar nga bandat, shitblerja e votës dhe paratë e korrupsionit të zgjedhin qeverinë e parlamentin që duan.
”Dua ta falënderoj ambasadoren Yuri Kim për mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep reformës zgjedhore. Organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është prioriteti absolut i Partisë Demokratike, i opozitës së bashkuar dhe i të gjithë shqiptarëve. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’u garantuar shqiptarëve mundësinë që t’u drejtohen një orë e më parë kutive të votimit dhe të zgjedhin qeverinë e tyre me votën e tyre të lirë, të pandikuar nga bandat kriminale, të pandikuar nga shitblerja e votës, të pandikuar nga paratë e korrupsionit.” – u shpreh Basha.
Nuk dihet se çfarë garancish ka marrë opozita nga diplomatja amerikane për zgjedhjet e ardhshme, por kreu i opozitës u shpreh optimist se reforma e re do të garantonte zgjedhjet e lira, për të cilat opozita që ai drejton ka braktisur Parlamentin, duke e cilësuar si jolegjitim dhe të dalë nga vota e blerë dhe e manipuluar. “Do të bëjmë gjithçka që të garantojmë vullnetin politik për ta zbatuar ligjin, që është dhe problemi numër një me zgjedhjet në Shqipëri, në mënyrë që kjo krizë e thellë politike, kushtetuese dhe institucionale të marrë rrugëzgjidhje përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku shqiptarët të zgjedhin parlamentin dhe qeverinë që meritojnë me votën e tyre dhe, njëkohësisht, Shqipëria të ecë përpara, të mos mbahet peng i së shkuarës, por të hapë rrugën e integrimit evropian dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që është dhe mbetet një nga zotimet kryesore ekzistenciale të PD-së që nga dita e saj e parë. ”- tha Basha.
Opozita e pranon: Tri çështjet e diskutuara, jo më të rëndësishmet
Përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, duke folur pas tryezës së Këshillit Politik për reformën zgjedhore pranuan se konsensusi i arritur dje nuk ishte më i rëndësishmi për garantimin e votës së lirë. Ata informuan për tri çështje të diskutuara, për periudhat zgjedhore, për financimin e partive dhe të kuotave zgjedhore, të cilat i cilësuan si jo të rëndësishme në raport me propozime të tjera të opozitës për këtë reformë. Bylykbashi tha se këto tri çështje nuk janë problematikat kryesore, duke theksuar se duhet të garantohet mbrojtja e zgjedhësit shqiptar, që ai ta hedhë votën i lirë dhe në sekret të plotë.
“Problematikat kryesore të procesit zgjedhor nuk janë këto. Ajo që duhet patjetër të garantojmë është mbrojtja e zgjedhësit shqiptar, që ai ta hedhë votën i lirë dhe në sekret të plotë. Është një rekomandim i rëndë nga ODIHR-i dhe OSBE-ja që të merren masa për ta mbrojtur. Në ditët në vijim do të diskutojmë masat që rregullojnë veprimtarinë e Policisë dhe të SPAK-ut në intimidimin e krimit ligjor. Masa që do të merren në QV, masa që të garantojnë se kutia nuk mbushet. Këto janë problemi real, që vota e zgjedhësit është e vërtetë dhe numërohet pa manipulime. Të gjitha çështjet e tjera janë rreth këtij boshti. Kjo është sfida e madhe.” – theksoi përfaqësuesi i Partisë Demokratike. Ai tha se po bëhet përpjekje që të arrihet në një marrëveshje deri më 31 maj. Duke sqaruar pikat ku u arrit një dakordësim mes palëve, përfaqësuesi i PD-së tha se “do të jenë dy periudha zgjedhore të cilat do t’i mundësojnë presidentit ta dekretojë datën e zgjedhjeve pa kufizime. U largohemi periudhave të nxehta dhe të ftohta që mund të pamundësojnë pjesëmarrjen në zgjedhje. Dakordësuam në shumë elemente për financimin e partive nëpërmjet një formule mikste, synimi ynë ishte për reduktimin në mënyrë drastike të financimit privat që të pastrohet fushata nga interesa të paligjshëm. Pati debat për çështje të ndryshme, por jemi në rrugën e përmbylljes së këtyre dy paketave”.
Gjiknuri: Bëmë progres, por nuk është përfundimar
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në tryezën e reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri, ndryshe nga opozita i cilësoi të rëndësishme çështjet që u diskutuan në takimin e djeshëm dhe për të cilat u arrit një dakordësim politik. Por ai nuk është optimist se një marrëveshje do të arrihet deri më 31 maj. “Kemi progres, nuk është përfundimtar, por është një hap i mirë dhe çdo gjë e mirë fillon me hapa të parë të mirë.” – tha Gjiknuri. Sipas tij, ishte një mbledhje e gjatë, por e vlefshme, me shumë debate, por njëkohësisht dhe me disa marrëveshje konsensuale, në lidhje me një grup çështjesh. Ndërsa për çështjen e afatit kohor përfaqësuesi socialist tha se 31 maji qëndron dhe po punohet që të arrihet një marrëveshje brenda kësaj date, por disa çështje mund të mbeten dhe për disa ditë më pas. “Çështja e sistemit zgjedhor kërkon shumë kohë, nuk mund të rezalizohet brenda 31 majit, palët kanë rënë dakord se, meqë përfshin Kushtetutën, kjo do të kërkojë debat dhe konsultim shumë të gjerë dhe nuk do të ishte e mundur që brenda 31 majit të mund të adresonim ribërjen e sistemit zgjedhor.“ – theksoi ai.
Pasi vlerësoi si efikas ndryshimin e periudhës zgjedhore, duke u dhënë më shumë mundësi zgjedhësve që të ishin prezentë në votime, Gjiknuri u ndal te pika e kuotës gjinore, duke e cilësuar si një arritje të madhe futjen e 1 emri gruaje në 3 emra kandidatësh. “Shqipëria do të avancojë në drejtimin që 1 në 3 emra të jetë grua, gjinia më pak e përfaqësuar. Pra, do të thotë që 1 në 3 emra minimalisht të jetë grua ose vajzë, dhe pastaj të shoqëruar edhe me sanksionet përkatëse. Akoma nuk kemi gjetur një model përfundimtar për sanksionet, dhe iu la ekspertëve që nisur nga ky parim të shikohet se si të eliminohen edhe disa shqetësime që kanë ndodhur në rastet kur vendet që i kanë takuar gjinisë femërore me mekanizma të caktuar, fatkeqësisht nuk janë plotësuar.”- tha ai.
Gjiknuri, po ashtu, theksoi rëndësinë e ndryshimit të formulës së financimit të partive politike, duke bërë të ditur se u ra dakord që të ketë një financimin mikst, ku do të ketë një financim nga paraja publike, pra nga qeveria, dhe pjesa tjetër nga donacionet private.”Kjo duke ulur në mënyrë drastike nivelet e raportit mes financimit publik dhe privat. Sot janë në raport 1 me 10, ndërsa duam ta ulim në një raport më të pranueshëm, që akoma jemi duke e diskutuar. Njëkohësisht qeveria ka marrë përsipër të shtojë pjesën e financimit publik, pra të shtojë vlerën totale që do të jepet për fushatën e ardhshme zgjedhore, në mënyrë që të rritet pesha dhe e financimit publik.”- bëri të ditur ai. Gjiknuri pranoi se ka ende çështje që i ndajnë edhe në këtë nen, por, përgjithësisht, kapitulli i financimit të fushatës zgjedhore ka marrë dakordësim, përveç 2-3 elementeve që kanë të bëjnë me nivelet e financimit dhe disa elemente të tjera kufizuese që ka kërkuar opozita jashtëparlamentare. Sipas tij, në mbledhjen e së enjtes do të trajtohen disa çështje të tjera të mbetura, siç janë krimet zgjedhore, roli i sinjalizuesve, amnistia e personave që denoncojnë krime zgjedhore etj.
Rudina Hajdari kundër kompromisit mazhorancë-opozitë
Përfaqësuesja e opozitës parlamentare në tryezën e reformës zgjedhore, Rudina Hajdari, doli kundër kompromisit të parë që u arrit dje mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare për këtë reformë. Pas mbledhjes së tryezës, Hajdari tha se PS-ja dhe PD-ja kanë rënë dakord për financim mikst të fushatave zgjedhore, duke kërkuar dyfishim të buxhetit nga qeveria, por, sipas saj, këto para do të jenë të taksapaguesve shqiptarë. Gjithashtu, Hajdari tha se nuk është dakord dhe me zvogëlimin e periudhës zgjedhore mes dative 15 prill – 15 maj dhe 15 tetor – 15 nëntor, pasi, sipas saj, me këtë iu mbyllet dera emigrantëve, të cilët vijnë zakonisht në muajin qershor.
“Propozuam një ligj për referendumin, pasi, nëse do ta kishim këtë, Teatri Kombëtar nuk do të ishte shembur sot. I bëj thirrje Lulzim Bashës të mbështesë propozimin e opozitës parlamentare dhe të mos bëjë më marrëveshje me Edi Ramën, sepse sa herë gjenden ngushtë, ata bëjnë pazare. Nëse ne ndryshojmë fashat e orarit të atyre që votojnë, ne i mbyllim derën diasporës. Në qershor vijnë shumë njerëz nga diaspora. Këta po heqin këtë fashë, duke iu hequr të drejtën diasporës për të votuar. Pra, me këtë ndryshim ne ia mbyllim dy herë derën diasporës. Një gjë tjetër, ishte financimi i partive. Kanë rëndë dakord PS-PD, që financimi të dyfishohet. Këto para vijnë nga taksapaguesit shqiptarë dhe minimumi është të japin një shpjegim, pse duan dyfishim të kësaj shume. Duhet t’u japim shqiptarëve ndryshim të sistemit, ose t’i bëjmë të zgjedhin me referendum, nëse e duan ndryshimin e sistemit”, tha Hajdari.
Hajdari po lufton fort e vetme në këtë tryezë, për të futur në diskutim çështjen e ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe ndryshimin e listave të kandidatëve të partive politike, por ka hasur rezistencë nga tre aktorët e tjerë politikë të kësaj tryeze.