Ambasadorja Yuri Kim do të zhvillojë një takim me të katërt anëtarët e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore.
Mësohet se Kim do të takoj një e nga një Damian Gjiknurin si përfaqësues i mazhorancës, Bylykbashin dhe më pas Petrit Vasilin si përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare, si edhe Rudina Hajdarin “zërin” e opozitës së re.
Këto takime do të zhvillohen para mbledhjes së tryezës së Këshillit Politik që është vendosur që të mbahet në orën 17:00.
Ky takim vjen në një kohë kur kanë mbetur 4 ditë, përfshirë edhe ditën e sotme, nga afati i fundit i përcaktuar nga palët politike për përfundimin e kësaj Reforme (31 maj).
Dy ditë më parë, Kim shkoi në zyrën e Bashës, ku mori premtimin nga ky i fundit se do të bënte “gjithçka për ta mbyllur në kohë këtë Reformë”.
Ndërkohë një ditë më parë, kryedemokrati priti në selinë blu ekspertët e kësaj reforme dhe më pas kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasilin.
Deri më tani palët kanë arritur konsensus për tre pika, për financimin e partive duke ulur financimin nga privati dhe rritur atë të shtetit, përfaqësimi gjinor ku 1 në 3 emrat në listë të jetë grua si dhe ndryshimi i periudhës zgjedhore./b.b/fjala.al