Kam shkruar me kënaqësi për shumë shkrimtarë të cilët tashmë nuk quhen më të rinj dhe që kanë krijuar një individualitet përmes stilit të tyre.
Shoh një kombinim të mirë mes atyre që jetojnë në Shqipëri dhe tyre që shkruajnë letërsi shqipe në vendet e ndryshme ku jetojnë, e ku gërshetohen përvoja të ndryshme, duke e bërë letërsinë shqipe një udhëtare të rëndësishme.
Nga Leonard Veizi
Pandemia “kovid”, ose më saktë situata e izolimit në emër të saj, i ka dembelosur njerëzit, i ka demotivuar dhe u ka ngathtësuar trurin, duke ua vënë gati në një gjumë letargjik, edhe pse gjatë gjithë kohës kanë parë filma triller në televizor e kanë luajtur lojëra luftash me armë të rënda në celular. Por kjo nuk vlen për të, që është një vigjëlues mbi librin, për t’u futur brenda faqeve e për të ditur gjithçka rreth tij në vazhdimësi. Dhe një gjë e tillë nuk ka shanse ta vendosë trurin në pozitat e një gjumi letargjik, por veç ta freskojë nëpërmjet një procesi aq të shëndetshëm, siç është leximi.
Agim Baçi është autor librash, studiues i letërsisë dhe kritik i saj. Dhe të gjitha këto bashkë e vënë në pozita inferiore të qenët e tij edhe gazetar, një punë alternative që i ka kushtuar jo pak kohë. Ndërkohë që në sirtar e presin letrat e shkruara prej tij… që këtë herë nuk i drejtohen Dylqinjës, as Çiçikovit e aq më tepër Shvejkut.
Po të gjitha së bashku do të përbëjnë një roman. E, megjithatë, është herët për t’u thënë një gjë e tillë, përderisa vetë autori ëndrrat në sirtar ende nuk i ka bërë publike, sa mbi to të hedhim versione të rëndomta. Ndërkohë, në një intervistë për lexuesit e gazetës “Fjala” Agim Baçi, shkrimtar, kritik e publicist, thotë:
Çfarë lexuar gjatë kësaj kohe pandemie?
Ishte një kohë për lexime, por më shumë ishte një kohë për migrim të brendshëm, që buron nga nevoja që ndiejmë të ritakojmë veten tonë, të analizojmë veprimet tona dhe, sidomos, takimin me ata që kemi përreth. Në të gjitha sondazhet që janë bërë, këtu te ne apo në shumë vende, leximi konsiderohej si ndihmesa më e mirë për të kapërcyer një karantinë të zgjatur, ku njeriu rrezikonte të binte brenda qarkut të një monotonie veprimesh.
Shumë njerëz mbetën përpara televizionit duke dëgjuar vetëm lajme, çka jo pak herë u ka shkaktuar një lloj ankthi, sidomos te fëmijët. Për të rinisur një lloj komunikimi, për shembull, me prindërve dhe fëmijëve, kam sugjeruar leximin “Një mijë e një net”, me katër vëllime, të përkthyera nga Mustafa Greblleshi. Ky libër mbetet ndoshta një nga urat më të sigurta për lexim, debat dhe meditim mes të gjithë brezave.
Unë vetë rilexova, madje edhe dhe i botova në gazetë disa shënime për romanin “Kështjella” të Kafkës, novelat e Gogolit “Hunda”, “Portreti”, “Manteli”. Iu riktheva romanit “Verbëria” të Jose Saramangos dhe “Murtaja” të Kamysë. Mora në dorë njëkohësisht edhe “Shënime nga nëntoka” të Dostojevskit, për ta mbyllur me “Thërrmijat elementare” të Houellebecq-ut dhe romanin “Shakaja” të Milan Kunderës.
Po pse rilexime?
Më pëlqejnë rileximet. Kam shumë vepra që i kam për zemër dhe më pëlqen t’i rilexoj, sepse duket sikur rigjej veten, por njëkohësisht edhe shoh gjëra që më parë nuk më kanë rënë në sy. Unë rilexoj me shumë kënaqësi “Don Kishotin” dhe “Ushtarin e mirë Shvejk”. Por këtë herë lexova libra më debatues për çështjet e kohës.
P.sh., kush ka lexuar në këtë kohë pendemie Kamynë, Bokaçion, Rumiun, Manzonin apo Defonë, do të kuptonte një lidhje të rëndësishme të mënyrës se si janë sjellë njerëzit në situata të ngjashme me atë që kaluam ne. Dhe, fare thjesht, do të shihje që edhe autoritetet edhe njerëzit janë sjellë thuajse njëlloj, siç u sollëm ne: me ligje të ashpra nga autoritetet, që shpesh i bënin këto nga frika e humbjes së pushtetit, sepse do të akuzoheshin për vdekjet, dhe, nga ana tjetër, me përhapje të konspiracioneve të ndryshme. Pra, njeriu, pavarësisht shtegtimit në kohë dhe pranisë së teknologjisë, mbetet po aq i brishtë sa stërgjyshërit dhe gjyshërit e vet përballë frikës.
Po letërsi keni shkruar në këto kohe pandemie?
Kam mbaruar një roman, por besoj se dua pak kohë që ta rishikoj, pasi kështu e kam unë me romanet e mia, i lë shumë gjatë në sirtar. Por më shumë u mora me përfundimin e plotë të doktoraturës. Mund të them se ishte një kohë si me porosi ky qëndrim më i gjatë në shtëpi, pasi mbarova edhe ato detajet e fundit, që janë burokraci të domosdoshme, për paraqitjen e një disertacioni shkencor, siç është saktësimi i të gjitha referencave, si dhe redaktimet gjuhësore, apo rishikimi i përfundimeve të punimit.
Mund ta ndani me ne temën e doktoraturës suaj?
Po! Titullohet “Karuseli sociologjik te romanet e Kadaresë”. Është një temë për të cilën më është dashur të lexoj shumë nga ata që kanë shkruar për Kadarenë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, por edhe një rilexim i plotë, jo vetëm një herë, i gjithë veprës. Është një punim që përfshin lojën e shkrimtarit me fabulat lëvizëse dhe emrat lëvizës nga njëra vepër tek tjetra dhe se çfarë domethënie ka ky karusel sociologjik në gjuhën e personazheve dhe në botën e fabulave që kanë shoqëruar autorin që në fillimet e shkrimeve të tij. Shpresoj se me këtë temë do të shtoj një kënd të ri leximi mes qindra leximeve që i janë bërë Kadaresë.
Ju keni shkruar shumë edhe për letërsinë e sotme shqipe. A mendoni se ka ndryshime cilësore në krahasim me të shkuarën, jo vetëm në kohën e diktaturës, por edhe në vitet e para pas vitit ’90?
Unë kam shkruar me kënaqësi për shumë shkrimtarë të cilët tashmë nuk quhen më të rinj dhe që kanë krijuar një individualitet përmes stilit të tyre. As ti, si Leonard, nuk futesh më te shkrimtarët e rinj dhe ke tashmë një profil tëndin me veprat e tua triller. Por, janë shumë emra që tashmë edhe mund të konsiderohen se kanë vendosur një gur të rëndësishëm në mozaikun letrar shqiptar.
Shoh një kombinim të mirë mes atyre që jetojnë në Shqipëri dhe tyre që shkruajnë letërsi shqipe në vendet e ndryshme ku jetojnë, e ku gërshetohen përvoja të ndryshme, duke e bërë letërsinë shqipe një udhëtare të rëndësishme. Do të veçoja tregimet e Ramiz Gjinit, që është një befasi për teknikën fine të rrëfimit, apo freskinë e prozës së të riut, Ervin Nezha, edhe ai me tregime. Pa dyshim, që do të më duheshin shumë emra që do t’i rreshtoja, e sërish do të mbetej dikush që e pëlqej, por që ndoshta e harroj, ndaj më mirë po i lëmë emrat në një intervistë tjetër, sepse besoj se kemi disa emra që tashmë e kanë ngjitur prozën shqipe në një nivel të ri dhe konkurrues me prozën që shkruhet kudo nëpër glob.
Po letërsia e realizmit socialist, a i ka qëndruar kohës?
E kështuquajtura ‘letërsi e realizmit socialist’ nuk ishte aspak realiste. Në atë kohë, letërsia prodhonte atë realitet që i duhej sistemit. Pra, ishte një letërsi ideologjie, një inxhiniering social për të krijuar njeriun e ri. Lenini e kishte përcaktuar qartë se letërsia në kohën ideologjike nuk është një çështje individuale, por një çështje e partisë.
Në Shqipëri ky kontroll dhe ky orientim ka qenë ndër më të skajshmit, ndaj dhe letërsia e kohës së diktaturës do të meritonte një analizë më të thelluar për mënyrën se si denatyrohej realiteti dhe e vërteta dhe se si prodhohej “tagjia popullore” e atij që njihet ende si “njeriu i ri” dhe që ka sjellë aq shumë dëme si në mënyrën e të shkruarit, ashtu edhe në atë të të lexuarit.
Pra, ju mendoni se është dëmtuar rëndë edhe leximi?
Leximi është art më vete. Por është pasojë dhe jo shkak. Shkak është letërsia e mirë dhe një shkollë ku debatohen të gjitha rrymat filozofike. Lexuesi shqiptar ishte një lexues që nuk besonte në asgjë, përveç asaj që i sugjeronte partia. Ky lloj lexuesi i dëmtoi shumë nxënësit në shkolla, pasi ishte një lexues formal, sepse shkolla formaliste ishte shkolla më e njohur në atë kohë edhe nga studiuesit.
Vetëm në vitet e fundit kam konstatuar një ringjallje të lexuesit të vërtetë, që është një konstatues dhe debatues i mirë. Për mua, lexuesi është pasuri, është shtysa më e mirë për letërsinë. Gjatë takimeve në vitet e fundit me të rinjtë kam pasur kënaqësinë të debatoj me të rinj që kanë koncepte të qarta për leximin dhe që do të jenë një “kontroll” shumë i mirë për librat që do të botohen në të ardhmen, pasi janë lexues që nuk falin dhe që nuk jetojnë në atë konformizmin e etërve që duhet të tundnin kokën thjesht se e njihnin autorin, apo se ashtu u sugjerohej leximi.
Si i përgjigjeni sot dikujt, se përse duhet të lexojë? Duket sikur bota është e varur nga ekonomia, dhe se shumë mendojnë që letërsia nuk na ndihmon të kemi një ekonomi më të mirë?
Letërsia na ndihmon të kuptojmë së pari veten. A mund të bëjmë gjëra që do të jenë në dobinë tonë, nëse ne nuk e njohim? Letërsia na jep mundësinë të udhëtojmë në kohë, të takojmë njerëz që nuk do t’i takonim kurrë në përditshmërinë tonë, të njihemi me ngjarje që kanë kohë që kanë kaluar, ose edhe me distopi, që më vonë janë aplikuar në shoqëri. Kështu që ti mund të kesh vërtet ekonomi, dhe unë nuk jam kundër të pasurit ekonomi, por mund të mos e vlerësosh atë që ke.
Le ta themi hapur, unë nuk dua ta mbivlerësoj letërsinë, si të vetmin akt njohës, por dëshiroj të them se letërsia ka qenë një negociator i mirë, më së pari mes nesh dhe vetes sonë. Letërsia na bën që as të mos e humbim toruan në humbje e as të mos e mbivlerësojmë veten në fitore. Letërsia, siç thotë i madhi Jorge Luis Borges, është kujtesë dhe imagjinatë – pra letërsia na jep mundësinë të shohim të shkuarën, edhe të arrijmë të imagjinojmë atë që mundet të arrijmë. A nuk janë të gjithë mes kujtimeve dhe dëshirave? Ndaj, kushdo që ka enigma se përse duhet të harxhojë kohë për të lexuar, duhet të jetë i bindur se leximi është koha që nuk na ikën më kurrë nga vetja, sepse na lidh me botën në atë mënyrë të paharrueshme, sa nuk na lë kurrë vetëm.
Ju gjatë viteve të fundit jeni marrë me kritikë letrare. A ju mirëkuptojnë kur shprehni kritika për një libër që nuk ju ka pëlqyer?
Në fillim më befasonte reagimi i autorëve që shprehnin pakënaqësi nga kritika, ndërsa më vonë u mësova me këtë proces. Natyrisht, nuk është e lehtë të të pëlqejë një kritikë. Ky mospëlqim ka ardhur edhe për shkak të kulturës që kemi trashëguar, që e lëvdojmë dikë se e kemi mik apo e kritikojmë se e kemi armik.
Unë jam mbështetur te disa parime të miat të leximit, për të cilat as nuk pretendoj se janë të vetmet, e aq më pak, përfundimtaret. Unë thjesht kam sugjeruar lexime, duke theksuar këndvështrimin tim të leximit, që zakonisht mbështetet mbi shina të tilla, siç janë lidhja jonë me “të Përhershmen” dhe “të Përjetshmen”, si dy shina ku njeriu shpesh hip trenin e ndjesive të tij për të kuptuar veten dhe botën.
Për veprat e mira është afërmendsh më kollaj të shkruash, sepse veprat e mira të japin mundësinë të flasësh. Mirëpo, ka vepra të cilat, për shkak të tregut, shiten në shumë kopje, por që në fakt janë më shumë një shpenzim kohe dhe një investim i keq për rafinimin e shijeve.
Ka edhe vepra që, për shkaqe nga më të ndryshmet, janë pjesë e leximit të detyruar në shkolla, por që, sipas mendimit tim, duhej që një orë e më parë t’u shikohet ky status, pasi rrezikojnë t’u japin fëmijëve një shije të keqe për letërsinë. Unë u kam ofruar autorëve praninë time për çdo debat, për t’ua thënë përballë këndvështrimin tim dhe për t’ua argumentuar se përse një vepër e kam përshkruar ashtu – në mënyrë kritike.
Por, gjithsesi, unë më parë i kam mbushur mendjen vetes se kjo do të ndodhë dhe, kështu, as nuk i kam paragjykuar ata që më janë sulur, kur i kam kritikuar. Ky është një proces që sa më parë të mësohemi, aq më mirë do t’i bëjë shkrimtarisë. Shumë autorë kanë bërë humor të hidhur me kritikët, por gjithsesi, unë besoj se çdo autor do të donte që t’i shihte kritikët të merreshin me veprën e tyre, pasi kritika është gjithsesi një katalizator për ta futur një vepër në rrugën e debatit. E ç’do të ishte një vepër, nëse për të nuk do të kishte debate e diskutime?
Ju keni shkruar disa vite më parë një libër me letra me personazhet, të titulluar “Letër Dylqinjës”. Keni ende letra të tjera?
Është një libër që kur kthej kokën pas më bën të ndihem mirë. Është një libër të cilit i qëndroj edhe kur e rilexoj. I kthehem dhe shoh që pyetjet dhe përgjigjet që kam dhënë do t’i jepja sërish sot. Kam letra të tjera, por që ndoshta mund t’i përfshij në atë libër në rast të një ribotimi.
Më pëlqen kjo lojë me letra me personazhet, sepse të jep mundësinë të luash me situata të ndryshme. Është mes letërsisë dhe kritikës. Është si një ftesë për lexim, për t’i thënë kujtdo se është e rëndësishme të ndërtojë pyetjet e veta gjatë leximit dhe të nisë një proces meditimi. Unë i kam shkruar duke besuar se letërsia na bën më të mirë me veten tonë, më së pari, e pastaj me