Nga Akademik Artan Fuga
Para dy a tri ditësh u bënë nja dy a tri propozime jo aq të këqija në atë instancën aspak-kushtetuese dhe aspak-ligjore që quhet Këshilli Politik. Për t’u përshëndetur sado pak, për shembull qe ideja që fushata elektorale të ketë kufizime edhe më të forta për financimet legale që vijnë nga privati për partitë politike në garë elektorale.
Për shembull, që partitë të mos kenë mundësi të ngrejnë fonde nga bota private përtej një tavani të sipërm. Mbetet për t’u ditur nëse kanë mundësi që të njëjtët bosë të paguajnë «haraçe» për parti të ndryshme politike, në mënyrë që ta kenë mirë me të dyja palët?! Duhet vendosur edhe ky kriter detyrues!
Financo politikën në procesin elektoral, por jo parti të ndryshme, sepse pastaj kjo quhet jo mbështetje për shkak të bindjeve politike, por si investim i privatit në politikë, një lloj blerjeje nga privati i privilegjeve të mëvonshme, ose blerje e një mburoje nga ana e privatit për t’u mbrojtur nga politika!
Ndonëse, persona privatë të ndryshëm kanë edhe rrugë të tjera të gjera ilegale për të financuar partitë politike që kanë pushtet. Ku ka tavan që mund t’i ndalojë financimet apo investimet e privatit në politikë ! Aq më tepër që, pasi arrihet tavani financiar i mbështetjes së lejuar me ligj, mua kështu si qytetar më pengohet e drejta të financoj dhe kontribuoj financiarisht për partinë që dua të mbështes.
Kjo më privon nga pjesëmarrja personale në jetën politike. Prandaj, më mirë do të kishte qenë që çdo qytetari t’i vendosej një kufi financiar përtej të cilit ai si individ nuk do të mund të kontribuonte më shumë, por ndërkaq kjo e drejtë për financim partish do t’i njihej kështu çdo personi që voton ose votohet.
Për shembull, do të mund të kishim edhe partinë e financuar nga të papunët!
Është e drejtë gjithashtu sikurse u propozua që sipërmarrjet private të cilat kontribuojnë financiarisht, në kushtet tona të përjashtohen nga pjesëmarrja ose në gara për të përfituar tenderë publikë. Por edhe kjo masë e propozuar se mos e pengon lidhjen korruptive në mes të politikës sunduese dhe botës private!
Kjo sepse pushteti mund ta privilegjojë një sipërmarrje private kontribuese me anë të mekanizmave të tjerë që janë pafundëm, dhe jo thjesht me tenderë publikë. Se mos e ka vështirë një biznesmen, për shembull të hapë një sipërmarrje me logo tjetër nga ajo që ka kryer financimet për partitë, pra një firmë tjetër biznesi që t’i takojë rrethit të tij familjar, në mos atij vetë, për të përfituar përsëri paratë e buxhetit të shtetit me grushta!!!
Ndërkaq, në parim, nuk kuptohet se përse një sipërmarrje që do të dëshironte të kontribuonte financiarisht për një parti politike të caktuar, të penalizohej për këtë fakt duke u përjashtuar nga tregu publik, a thua sikur do të kishte bërë ndonjë krim me atë mbështetje financiare të dhënë! Ti më ndihmon financiarisht që të fitoj pushtetin, kurse unë ty, mbështetësit tim, ta vesh me pëllëmbë syve, e të pres ujin e burimit!!!
Tjetër gjë do të na duhej për t’u demokratizuar dhe prerë lidhjet ilegale, korruptive ose kriminale midis politikës dhe interesave privatë. Ka vend të shihet si jepen pra tenderët, kush i jep, si bëhen procedurat tenderuese etj., që janë të tilla që po qe se futen duart në këtë miell do të gjenden aq krunde, sa do të zihen të gjitha brimat e sitës.
Megjithatë, më mirë me disa përpjekje për ta mbajtur sado pak të pastër procesin zgjedhor, sesa pa gjë fare. Ndërkohë krahas këtyre propozimeve me dritë-hijet e veta, ajo që më la në mendime ishin idetë për të mbajtur kuotat deri në 30 për qind për gra dhe vajza në listat e kandidatëve për deputetë, si edhe propozimi në dukje aq radikal që njëra nga tri kandidaturat e para të listës të kandidatëve të jetë grua!
Nuk dua të ndalem në faktin që ky propozim nxjerr tashmë në dritë diçka të nëndheshme që na jep të kuptojmë paraprakisht që jemi larg pra që partitë politike kryesore të heqin dorë nga listat e mbyllura për kandidatë për deputetë edhe për zgjedhjet e vitit 2021!!! Kjo do të ishte për të ardhur keq, sepse kur thuhet që një nga tri kandidaturat e para në listën e kandidatëve do të jetë grua, kjo nënkupton që fati i kandidaturave për deputetë në listat e partive përsëri do të vendoset nga kryetarët e partive dhe jo nga elektorati.
Se, po qe se do të mendohej që do të ishte elektorati që do të vendoste se cili apo cila nga kandidatët në listë do të zgjidhej, le ta pozicionosh një grua me dinjitet dhe përfaqësuese e denjë të partisë ku të duash në listë, sigurisht që ajo i merr votat që i duhen për t’u zgjedhur, madje ka mundësi edhe përpara të gjithë burrave që ndodhen përpara ose mbrapa saj në listë.
Kurse një grua, po ashtu sikurse edhe një burrë, sado e mirë apo e keqe të ishte, përsëri do të ishte kryesisht në varësi dhe do të rrezikonte të ishte servile ndaj kryetarit të partisë, nëse do të vihej në një listë emërore të mbyllur kandidatësh për deputetë. Vëre atë grua në fillim apo në fund të listës, gjithçka në këtë pikë njësoj mbetet. Gruaja në fjalë vetëm plotëson dëshirat e kryetarit të kujtdo partie qoftë. Ajo ia di atij për nder vendosjen në listë dhe ndihet e detyruar ndaj tij, sikurse ndodh tani. Varësia e saj ndaj elektoratit është fare minimale, sepse ajo atë nuk e njeh fare!
Ka burra të mirë, por ka edhe burra të ligj; sikurse ka gra të mira sikurse ka edhe gra të këqija! Siç duket propozuesit kanë dëgjuar se kjo moda e kuotave të grave nëpër lista dhe institucione ka qenë dikur e ndjekur dhe na e risjellin tanimë si risi, ndërkohë që ajo është tashmë e zbehur dhe pa efikasitet.
Është e qartë që kjo ide, e zbatuar në këto kushte si tonat, nuk ka lidhje me filozofinë dhe ideologjinë feministe, me vlerat e lëvizjeve feministe. Thënë kjo, të sqarohemi, ka vend për t’u hapur rrugë dhe për të mos u vendosur pengesa grave dhe vajzave në politikë, ekonomi, media etj. Ka një absurditet të pashoq në Shqipëri.
Dihet se auditorët në shumë e shumë fakultete të universiteteve janë të mbushur në mënyrë përmbytëse me vajza, tek të cilat gjenden në masë të konsiderueshme jo vetëm talente, por edhe individë me energji, aktive në qytetarinë e tyre, me sensin e përgjegjësisë dhe të frymëzuara nga vlera demokratike. Pastaj, kur sheh se cilët zënë vendet e shefave dhe drejtorëve, si në ekonominë private, ashtu edhe në atë publike, atëherë kupton sesa janë të shtypura dhe të përbuzura femrat.
Kur gjoja i bëjnë deputete, ose edhe kur vendosen ministre, kjo është një fasadë, e cila, në fakt, nuk bën tjetër veçse fsheh realitetin e gjërave në shoqëri. Merrni për shembull të gjithë linjën e institucioneve publike kryesore, presidenti – burrë, kryeministri – burrë, kryetari i Kuvendit – burrë, ministri i Brendshëm – burrë, kryetari i grupit parlamentar të shumicës – burrë, prokurori – burrë, drejtori i Televizionit – burrë, kryetari i AMA -s – burrë, drejtori i AKEP-it – burrë, kryetari i Kontrollit të Shtetit – burrë, drejtori i përgjithshëm i Policisë – burrë, pjesa dërrmuese e rektorëve të universiteteve private dhe publike – burra, thuajse të gjithë kryetarët e bashkive burra, edhe të komunave, kryetari i Akademisë së Shkencave – po burrë, drejtorët e burgjeve – burra, gjithandej, në fakt, ku ka pushtet të vërtetë, sikurse bosët e sipërmarrjeve të mëdha private – në krye, sundues, janë kryesisht, në mënyrë dërrmuese burra.
Ka gra gjithandej ku pushteti është vetëm simbolik, ose ku rrethohet me aq shumë burra përqark, saqë pushtetarja e shkretë bëhet e kontrolluar në çdo hap! Nëse konstatohet ky fakt social, pra që jemi një shoqëri me pushtet burrash dhe ku gratë janë qytetare të dorës të dytë, a nuk është pozitive që të ketë kuota në listat e kandidatëve për deputetë? Kuota edhe për gra?
Më poshtë, duke u mbështetur te një filozofi e vërtetë feministe, do të paraqes argumentet kryesore se përse kjo çështja e kuotave për gra në listat e kandidatëve për deputetë mbetet gjithsesi një kozmetikë burrash, një dogmë e tejkaluar nga koha, dhe pra një «punë grash», pra një përpjekje burrash për të makijuar pushtetin e tyre me disa gra deputete përqark tyre.
Nga buron më së pari ideja emancipuese që gratë duhet të dalin sa më shumë si kandidate për deputete? Sipas filozofisë dhe sociologjisë feministe, kjo ide buron nga fakti që në sistemet e përfaqësimit i përfaqësuari ka disa avantazhe të mëdha, nëse ai përfaqësohet nga një përfaqësues që është me status social të ngjashëm me të përfaqësuarin. Kjo është ideja bazë. Nuk është aq një mekanizëm pra, që më së pari kërkon t’i emancipojë politikisht gratë.
Jooooo ! Aspak. Është shumë më tepër sesa kaq. Jo sikurse e trajtoi përfaqësuesi i opozitës në forumin joligjor dhe jokushtetues të Këshillit Politik. Përkundrazi, është një mekanizëm për të emancipuar politikën. Pjesëmarrja si deputete e grave në politikë më shumë sesa emancipon gratë, në fakt është një energji që emancipon politikën. Nuk është një dhuratë që burrat – sundimtarë politikë – u bëjnë grave, por është një nevojë e burrit që, i nënshtruar nga burra të tjerë, për ta demokratizuar dhe emancipuar politikën, e hap këtë të fundit ndaj grave.
Kështu ka qenë edhe një shekull a më shumë më parë, kur burri pranoi që gruaja të kishte të drejtën e votës. Nuk është se iu imponua gruaja burrit me lëvizjet e veta sociale ose me protesta. Aspak. Por, një pjesë e burrave në politikë, të sunduar ashpër nga grupe të tjera burrash, gjeti mekanizmin – me votën si e drejtë edhe për gratë – që ta ndryshonte raportin e forcave në politikë në favor të energjive më demokratike dhe emancipuese, më përfaqësuese.
Pra, i përfaqësuari dhe përfaqësuesi ka vend të kenë, si parim flasim, – argumentojnë filozofet feministe të politikës – të jenë me statuse sociale të njëjta ose të ngjashme! Pra, një etni ka favore, sepse kuptohet dhe shpresohet se përfaqësohet më mirë, nëse ka si kandidatë për deputetë individë nga po ajo etni; një komunitet me disa tipare kulturore të caktuara ka avantazhe përfaqësimi më besnik dhe më të mirëkuptuar, nëse përfaqësuesi i vet është nga po ai komunitet, ta zëmë romët të përfaqësohen me kandidatë romë, nëse janë një bashkësi e qëndrueshme; dhe po kështu homoseksualët nga një homoseksual, pa pretenduar se kemi të bëjmë këtu me një ligj të hekurt të përfaqësimit perfekt. Prandaj, kur kërkohet që gratë të hyjnë fuqishëm në listat e kandidatëve për deputetë, ideja mbështetet pikërisht dhe fillimisht në këtë argument prioritar.
Gratë i përfaqëson një grua, pra që i njeh në lëkurë hallet dhe gëzimet e tyre, që u njeh vështirësitë dhe kërkesat, motivet dhe frymëzimet, pra edhe ka mundësi më pak t’i tradhtojë politikisht, meqë është vetë grua. Mirëpo këtu nis edhe problemi me këtë idenë e opozitës që në lista një nga tri kandidaturat e para në listë të jetë grua!!!
Ka dy probleme të rënda që e bëjnë idenë fillestare të humbasë shumë nga energjia e vet fillestare dhe emancipuese. Problemi i parë është se ajo grua në tri kandidaturat e para, ose edhe gratë e tjera në listë, nuk do të votohet si personalitet më vete, pra nuk është se do të marrë specifikisht votat e grave votuese.
Kjo sepse dihet që të gjitha votat në kushtet e sotme të kodit zgjedhor në fuqi jepen për të gjithë listën njëherësh dhe pavarësisht asaj se për cilin ka votuar një burrë ose një grua, cilin apo cilën ka në kokë elektorati si motiv votimi për një listë. Në të gjitha rastet, votat i shkojnë atyre që janë të parët në listë.
Aq më tepër që për shembull, nëse një parti e di se në një qark nuk merr më shumë se një ose dy deputetë, nëse kandidaten grua e vendos të tretën në listë, dihet qysh në fillim se e ka djegur atë si kandidaturë. Por, nuk është kjo ana më e rëndësishme. Problemi është sikurse e përmendëm qysh në fillim, që për gruan kandidate që del deputete nuk do të kenë votuar medomos dhe specifikisht gratë.
Pra, parimi sipas të cilit unë zgjedh të ngjashmin tim nga pikëpamja e statutit tim social, bie krejtësisht në ujë. Asnjë grua nga elektorati kur shkon për të votuar me këtë sistem zgjedhor të mbrapshtë që kemi, nuk di se për cilin apo për cilën kandidate shkon vota e saj kur voton. Problemi i dytë është se atë grua që zgjidhet për të qenë midis tri kandidaturave të para në listën e kandidatëve për deputet, ose edhe gratë e tjera të vendosura më poshtë të parës në listat e kandidatëve për deputetë, e vendos në pozicion fitues kryetari – burrë i partisë dhe jo gratë votuese.
Ja arsyeja e dytë që parimi feminist që i përfaqësuari dhe përfaqësuesi të jenë me statuse sociale dhe kulturore mundësisht të ngjashëm ose të afërt, bie përsëri në ujë. Gruaja deputete e ardhshme nuk del, sepse ka besimin e të ngjashmeve të saj, por sepse u imponohet atyre si përfaqësuese e grave të krahinës nga një burrë në Tiranë!!! Çfarë parimi emancipues i bazuar te vlera feministe ka këtu? Asgjë. E gjitha është një fasadë që edhe sot ndodh me dhelpëri që mjaft burra në disa vende drejtuese vendosin gra të përzgjedhura prej tyre.
Pa i futur të gjitha këto femra në një thes, pa mohuar aspak që në politikë ka pasur edhe ka, sikurse edhe në administratë, edhe gra të zonjat, të afta, të denja për veten e tyre, si edhe si përfaqësuese të bashkësisë së femrës shqiptare të shekullit të 21-të, përsëri si rregull, ato janë gra jo të përzgjedhura nga gratë.
Nuk mund të thuhet se mekanizmi i seleksionimit të tyre, i përzgjedhjes të tyre, ka qenë sepse ato përfaqësojnë denjësisht feminitetin dhe qytetarinë si dy vlera të integruara me njëra-tjetrën. Me kodin zgjedhor dhe me mekanizmin e karrierës që kemi në administratë, pushtet, politikë, institucione mediatike apo artistike, sidomos në imazhin e popullit, një pjesë dërrmuese e këtyre grave shihen se janë të ngritura në përgjegjësi si të zgjedhura nga burri i fuqishëm politikisht ose nga burrat! Këtu nis paradoksi i tyre.
Ato kanë pranuar të përzgjidhen nga burrat dhe jo të dalin mbi ujë, në krye, për vlerat e tyre në një garë të ndershme me burra ose gra të tjera. Ato nuk janë përzgjedhur as nga të ngjashmet e tyre. Janë burrat e gjithëpushtetshëm që pretendojnë se i kanë «përzgjedhur si gra». Cili burrë do të pretendonte se do të kishte zgjedhur një grua «si grua» për një post politik, pushtetor, ose në administratë në emër të grave? Kur ai vetë është burrë dhe jo grua?
Kuptohet që në këto raste gruaja në fjalë, e përzgjedhura si grua nga burrat, për shkak të mekanizmave të pushtetit, apo të kodit zgjedhor, do të ishte ajo grua që do të kishte pranuar të përzgjidhej, jo për shkak të meritave të veta si njeri, edhe si grua, por vetëm sepse si grua do t’i duhej burrit të gjithëpushtetshëm për të mënjanuar burrat e tjerë, shpesh më agresivë në konkurrimin për pushtet si luftë mes burrash dhe, nga ana tjetër, sepse si grua e zgjedhur pa meritë, jo për atë që do të duhej të ishte, ajo tashmë e ka bërë paktin me djallin.
Ndofta statistikisht ka më shumë burra që ligji i ka shënuar si të korruptuar sesa gra, por kjo nuk do të thotë që nuk ka pasur dhe nuk ka gra, që të zgjedhura, sipas logjikës që përmendëm më sipër, nuk janë bërë aleate në korrupsion dhe në veprimtari të padrejta, korruptive me ta, ose që janë bërë bashkudhëtare të së padrejtës dhe korrupsionit! Merrni çështjen e prishjes nëpërmjet një sulmi ushtarak të godinës së Teatrit Kombëtar! A nuk kanë qenë aty të mpleksura në poste të larta, si eksperte, apo në këshillin bashkiak të Tiranës, edhe gra, madje me përfaqësim në shkallë të larta vendimmarrjeje.
Merrni gjuhën e dhunshme dhe me fyerje dhe agresive në Kuvendin e Shqipërisë! Nuk dalloni edhe aty që gra që kanë ndonjëherë agresivitet, tone fyese, edhe më histerike dhe të forta sa edhe tonet e të shprehurit të burrave? A ka ndonjë ndryshim nëse Kuvendin e Shqipërisë në një nga seancat e tij e drejton një zëvendskryetar burrë apo një zëvendëskryetare grua? Kam parë në komisionin e medias dhe të arsimit në Kuvendin e Shqipërisë që deputete gra, të cilat kanë qenë po aq të rreshtuara politikisht si ushtare në kazermë, sa edhe deputetët burra, që kanë votuar symbyllurazi ligje e nene ligjesh të prapa, absurde, madje edhe të poshtra. Ndryshon gjë për logjikën e shpërndarjes të tenderëve dhe të PPP-ve nëse ministri i Ekonomisë është burrë apo grua? Asgjë!
Me këta shembuj, dhe kam me mijëra syresh, nuk dua të vërtetoj që, si gratë, ashtu edhe burrat janë njësoj të dispozuar ndaj aktivitetit kriminal, dhunës, korrupsionit! Unë jam nga ata që vlerësojnë të dhënat sociologjike që dëshmojnë se gratë janë më të tërhequra dhe më të izoluara ndaj aktivitetit kriminal dhe korrupsionit. Jo vetëm kaq, por mendoj edhe që antropologjikisht, gruaja ka disa potenciale më të theksuara sesa burri, që e bëjnë atë më pak të dhunshme, më pak agresive, më shumë të drejtë dhe të mirëkuptueshme me diferencat dhe pluralizmin e vlerave dhe të ideve sesa burri.
Por, me një kusht, që ato të mos jenë të zgjedhura si gra si një parapëlqim i burrave të pushtetshëm! Po qe se ndodh kështu, atëherë ka shumë rrezik, ka shumë mundësi, ka shumë probabilitet, që gratë në fjalë të përfaqësojnë vlerat e kundërta me ato të qytetarisë së emancipuar, pra me ato të komunitetit të qytetarëve burra dhe gra. Jo vetëm kaq, por ato gra të mos kenë asnjë lidhje me vlerat e larta të gruas dhe të femrës në përgjithësi.
Pra, të jenë më të liga politikisht sesa burrat e ligj! Në një farë kuptimi do të ishin gra-burra. Në cilin kuptim do të quheshin kështu? Sepse ato do të rrezikonin në një pjesë të madhe të tyre të ishin po aq skuthe sa skutha janë burrat servilë dhe karrieristë, mos më tepër; po aq diktatore sa edhe burrat diktatorë dhe autoritarë në ushtrimin me abuzivitet të pushtetit të marrë padrejtësisht, në mos më tepër; do të ishin po aq egoiste, sharlatane, empatike në përuljen e tyre ndaj të pushtetshmëve sa edhe burrat më sharlatanë; do të ishin po aq të pandjeshme, po aq gërdalla të vjetra, po aq pa shije, po aq dogmatike, sa edhe burrat më të neveritshëm në budallallëkun e tyre politik, kulturor, ekzekutiv etj.
Në kuptimin e keq pra do të ishin gra-burra, madje edhe më ligsht sesa burrat e ligj, sepse të gjitha këto karaktere sjelljesh burrash të trashë dhe pa shije do të binin në kundërshtim me pamjen dhe fizikun e ndonjë gruaje që i bart ato devijime.
Imagjinoni një sjellje burri të lig, por të kryer nga një femër që paraqitet me flokët e ngjyer bukur dhe me shije, me forma trupore të hajthme ose e bëshme, me fundin mbi gjunjë, ose me një ecje elegante, duke u tundur në mënyrë që të nxirrte në pah feminitetin e vet trupor, format e trupit, që thonjtë i ka të lyer me manikyr dhe qerpikët e zgjatur që përmbyllen duke u përpëlitur mbi sytë e zinj ose të kaftë, apo jeshilë!!!
Edhe një herë e theksoj për ata individë që dinë shkrim e këndim, por nuk dinë të lexojnë dhe e keqkuptojnë gjithçka. Nuk është faji i të qenët grua që jep në format e veta më të përçudnuara këtë tip femre të pushtetshme abuzive dhe të neveritshme, midis shumë grash të tjera dinjitoze që dinë ta ushtrojnë mirë pushtetin atje ku janë në poste kyçe, ta zemë në korporata, media, institucione të ndryshme, apo OJF.
Këtë tipologji e krijon në fakt burri kur pretendon që jashtë mekanizmave demokratikë, të zgjedhë «si grua», si «punë grash», atë grua që i nënshtrohet më shumë, që i bindet vullnetit të tij mizor më shumë, që është në rastin më të mirë po aq e korruptuar, po aq karrieriste, po aq autoritariste sa edhe burri që e ka përzgjedhur, për ta përdorur si vegël të nënshtruar e pushtetit të tij.
Këto gra kanë prirjen të bëhen madje vegla edhe më të bindura sesa burrat që ato kanë zëvendësuar. Përse? Sepse duke e ditur që vendin e kanë zënë pa meritën e tyre personale, duke qenë të ndërgjegjshme që janë atje thjesht për shkak të një teke maskiliste të burrit të pushtetshëm kushdo qoftë ai me këtë pushtet, këto gra bëhen edhe më servile, edhe më të urryera, përbuzin edhe më shumë sesa burrat e ligj maskilistë në radhë të parë vetë gratë e tjera.
Janë këto gra të liga pastaj që iu vënë stërkëmbëshin grave të tjera në vend që t’i mbështesin ato, pengojnë karrierën e atyre mijëra vajzave dhe grave që denjësisht i kanë të gjitha vlerat e larta për t’i përfaqësuar në politikë, pushtet, kulturë, forume, senate, borde etj., si gratë ashtu edhe burrat që ndajnë të njëjtat vlera me to. Këto gra-burra të liga pastaj mbi të gjitha nuk duan pranë vetes sidomos gra të afta, sepse nuk dëshirojnë që ato t’i konkurrojnë.
Kanë frikë se vështrimi i burrit të fuqishëm largohet prej tyre dhe shkon për të «shtënë sevda» me ndonjë grua tjetër që mund t’i zërë vendin. Përkundrazi, rrethohen nga burra dhe djem lajkatarë, servilë, madje edhe ndonjëherë të aftë, sepse e dinë që këta, gjithsesi, nuk i konkurrojnë dot. Ata janë burra dhe nuk i bëjnë dot punët e grave, nuk ushtrojnë dot funksionet e grave, pra, sepse ai post ku kanë hedhur rrënjë është destinuar si fasadë për një grua dhe ka pak shanse që atë ta zërë një burrë, aq më shumë një vartës i tyre.
Ka pasur raste që këto gra-burra të liga kanë gjetur si vartës djem ose burra të hijshëm, por gjithsesi të bindur, servilë, ‘lepe e peqe’, dhe në këtë mënyrë arrijnë të kënaqin autoritetin e tyre jolegjitim dhe abuziv jo thjesht mbi qytetarin, por kryesisht mbi burrin servil. Këto gra-burra të liga pra e kuptojnë marrëdhënien mes gjinive si një simetri e kthyer mbrapsht.
Nëse ato e kanë atë post të pushtetshëm, sepse i janë nënshtruar turpshëm burrit që i ka përzgjedhur në pushtet, në ushtrimin e detyrës ato përpiqen të çlirohen nga kjo fyerje, nga ky kompleks neurotik nënshtrimi, duke ushtruar dhunë psikike dhe pushtet mizor ndaj burrave vartës. Janë këta të fundit pastaj që marrin statusin e turpshëm të grave të nënshtruara, bëhen burra-gra të nështruar – përpara vështrimit të egër, cinik, përfitues, shpesh plot epsh, të grave të kthyer në burra të ligj!
Kështu ndodh pra kur gruaja ose burri nuk përzgjidhen me meritë, por bëjnë karrierë për shkak të përzgjedhjes që kanë bërë subjektivisht të pushtetshmit. Kështu ndodh kur «gruaja si grua» zgjidhet nga burrat. Kodi zgjedhor me lista të mbyllura nuk e realizon dot misionin që gruaja kandidate për deputete të zgjidhet atje për meritat e saj, as të votohet si e ngjashme nga gratë e tjera.
Gjithçka kthehet në të kundërtën e vet. Ne gratë dhe burrat e tjerë në këtë rast mbetemi si thuhet në dorë të Zotit. Mbase kemi shanse që një grua e zgjedhur kështu rasti e sjell të mirë, rasti e mban të ndershme dhe dinjitoze, ose që shija e kryetarëve kushedi një ditë i çon drejt grave dhe vajzave të përzgjedhura jo vetëm me shije, por edhe me vlera që përfaqësueset tona politike duhet të kenë! Jo thjesht si «shamikuqe» të bindura dhe pa llafe ndaj tyre. Por, kjo është njësoj sikur të shpresosh që në një ditë me shi, pa çadër, të mos lagesh!