Ekonomia pas COVID/Zgjerohet paketa, edhe 63 mijë punonjës marrin 40 mijë lekë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Çfarë po ndodh në ekonominë shqiptare. Ndihma e deritanishme e qeverisë për sektorin privat dhe zgjerimi i fashës së përfituesve të pagesës 40 mijë lekë. Ekspertët: Qeveria të mbështesë bizneset dhe të ndërmarrë reforma strukturore. Flasin për gazetën “Fjala” eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, dhe kreu i Shoqatës së Bizneseve të Vogla dhe të Mesme, Albert Nasto

Ndërsa COVID-19 herë zbutet dhe herë ngre “krye”, ekonomia duket se po vuan një “sëmundje” e cila parashikohet të jetë e gjatë dhe “kura” e vetme është ndërhyrja e shtetit për rimëkëmbjen. Deri më tani paketat finaciare i kanë dhënë frymëmarrje ekonomisë, duke u përqendruar kryesisht në pagat për personat që humbën punën, por fazat e tjera parashikojnë ndërhyrjen direkte për të dalë nga kriza e thellë që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë, por mbarë botën.

Punonjësit e subjekteve private që janë pezulluar, janë larguar përfundimisht, ose nuk janë paguar gjatë periudhës së pandemisë, do të paguhen nga buxheti i shtetit. Në listën e përfituesve të pagës 40 mijë lekë do të shtohen edhe 63 mijë punonjës të sektorit privat, të cilët nuk kanë marrë asnjë të ardhur që nga fillimi i pandemisë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka njoftuar ndryshimet për paketën e zgjeruar të ndihmës financiare, aplikimet për të cilën do të pranohen deri në datën 5 qershor 2020.

Sipas këtyre ndryshimeve, janë përfitues të ndihmës prej 40 000 lekësh të gjithë individët, ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet ose janë mbyllur sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët janë larguar nga puna nga data 1 mars 2020 deri në datën 17 maj 2020.

Në rastet kur punëdhënësi nuk do ta kryejë aplikimin brenda datës 5 qershor 2020, të gjithë individëve përfitues  do t’u jepet mundësia për përfitimin e ndihmës financiare, në mënyrë automatike pas verifikimit të kritereve, bazuar në të dhënat që administrata tatimore disponon, apo të dhënave që të punësuarit apo ish-punësuarit do të dorëzojnë. Individët duhet të plotësojnë kërkesën për përfitimin e ndihmës financiare.

Trajtimi i këtyre kërkesave do të jetë në mënyrë automatike, pra pas dorëzimit të formularit të plotësuar, në seksionin statusi shfaqet shënimi miratuar, që do të thotë se kërkesa është miratuar automatikisht dhe do të vijohet me pagesën e ndihmës financiare prej 40000 lekësh. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, janë të paktën 60 mijë persona që kanë humbur vendin e punës, mijëra biznese kanë pezulluar aktivitetin apo e kanë mbyllur atë përfundimisht.

Për t’u kthyer aty ku ishte, në momentin që nisi pandemia, ekonomisë shqiptare do t’i duhen 2-3 vite ristrukturim dhe gjetje e tregjeve të reja. Ekspertët e ekonomisë bien dakord me skemën që ka zgjedhur qeveria për mbështetjen e punonjësve, por pohojnë se qeveria duhet të ndërmarrë masa të tjera shtesë për t’u ardhur në ndihmë bizneseve, të cilat janë motori kryesor i krijimit të vendeve të reja të punës e, për rrjedhojë, i zhvillimit të ekonomisë.

Rihapja e aktiviteteve ekonomike mund të vlerësohet si start për t’u rimëkëmbur, por aktorët e tregut dhe ekspertët pohojnë se bizneset dhe të punësuarit e tyre do të hasin një sërë vështirësish deri sa të mund të kthehen në normalitet. Me nisjen e aktivitetit, punonjësit që janë rikthyer në vendet e tyre të punës nuk do të marrin më ndihmë, pagën, nga buxheti i shtetit por do të paguhen nga punëdhënësi , i cili nuk operon në biznesin e tij me kapacitet të plotë, çka ia vështirëson kryerjen e pagesave.

Edhe pse vlerësohet si vendim disi i vonuar, hapja e ekonomisë do të shoqërohet me një varg problematikash që vijnë për shkak të kushteve të reja ku ekonomia operon. Humbja e tregut kryesisht me vendet e Bashkimit Evropian, ndërprerja e kontratave, tkurrja e investimeve të huaja dhe vendase, kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për rikthimin e ekonomisë në normalitet.

Për kreun e Shoqatës së Bizneseve të Vogla dhe të Mesme, Albert Nasto, nëse qeveria nuk ndërhyn me një paketë financiare të drejtpërdrejtë, ashtu siç po bëjnë të gjitha vendet e tjera, parashikohet që në fund të vitit 2020 rreth 80% e biznesit të vogël të falimentojë. Kjo do të përkthehej në humbjen e vendeve të punës për rreth 150-180 mijë persona në të gjithë vendin.

Flet eksperti i ekonomisë, Zef Preçi

Pandemia, ekonomia humbi 1 miliard euro, duhen ndërhyrje strukturore

Pandemia la pas humbjen masive të vendeve të punës, nevojën për ristrukturim të ekonomisë, falimentimin e një numri relativisht të madh biznesesh, humbjen e tregjeve në vendet perëndimore

Rreth 1 miliard euro humbje dhe të paktën 2 vjet për t’u rimëkëmbur. Këto janë dy pasojat e para të evidentuara në planin e përgjithshëm, të cilat la pas pandemia COVID-19 në vendin tonë dhe mbyllja e ekonomisë që erdhi për shkak të saj. Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, në një intervistë për gazetën “Fjala” bën një analizë të vendimeve, paketave mbështetëse, të qeverisë për individët dhe masat që duhet të marrë ajo në ardhmen për të ndihmuar rimëkëmbjen e vendit.

Prej datës 18 maj qeveria ka vendosur të hapë thuajse të gjithë aktivitetin ekonomik. Si e vlerësoni këtë vendim? Çfarë do të sjellë kjo për ekonominë?

Vendimi për rikthimin e aktiviteteve ekonomike mbas pezullimit të tyre, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, është diçka e pritshme, ndonëse mund të ishte bërë edhe më herët.

Kjo masë e qeverisë, ashtu si dhe masat e tjera, përtej propagandës dhe trajtimit si “luftë me armikun e padukshëm”, trajtimin e të drejtës së punëtorëve për kompensim financiar në këtë periudhë si “pagë e luftës” etj., janë në thelb një imitim i politikave të ngjashme me vendet perëndimore dhe kanë pasur e kanë një synim të vetëm: rritjen e sigurisë shëndetësore dhe të sigurisë së jetës për qytetarët, si dhe minimizimin e ndikimeve të kësaj krize në ekonominë e vendit.

Në të njëjtën kohë, mpleksja fatkeqe e rethananave, d.m.th., e kësaj krize në mënyrë të njëkohshme me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, si dhe me problemet serioze strukturore të ekonomisë sonë, keqqeverisjen, korrupsionin, ndikimet oligarike etj., kanë bërë që ekonomia jonë kombëtare të pësojë një depresion të thellë, më të rëndin në vendet e rajonit tonë,  që llogaritet në më shumë se 1 miliard euro gjatë këtij viti.

Sipas mendimit tim, mungesa e një plani për rimëkëmbjen ekonomike pas këtyre dy krizave në zhvillim e sipër, me pasojat e imagjinueshme të tyre në tkurrjen e konsumit, investimeve të huaja, shpenzimeve publike, prirjeve monetare të emigracionit etj., është vështirë të shpresohet për një normalizim të situatës ekonomike të vendit tonë.

Përfitimi kryesor në kushtet e sotme është ulja e kostos për qeverinë (d.m.th. nuk do të detyrohet të japë ndihmën ekonomike në formën e pagave të luftës për muajt në vijim), por, për fat të keq, vihet re se mbështetja ndaj bizneseve është e paqartë, si për qeverinë, ashtu edhe për bizneset, ndërsa është shfaqur prirja e ndryshimit të destinimit të kësaj mbështetjeje nga qëllimi primar, siç është minimizimi i ndikimeve të krizës. E tillë është p.sh., kërkesa e Bashkisë së Tiranës drejtuar EBRD-së për një kredi sovrane prej 30 milionë eurosh, për ndërtimin e një teatri të ri (?!) etj.

Gjithsesi, duhet pranuar se rikthimi në normalitet është hap pozitiv, por ekonomia do të mund të përfitonte prej tij vetëm nëse qeveria rishikon buxhetin, sistemin fiskal të vendit, me synim evitimin e shkallëzimeve që nxitin evazionin dhe thjeshtëzimin e këtij sistemi, nxitjen e prodhimit vendas dhe të atyre aktiviteteve ekonomike që prodhojnë për eksport, nxitjen e punësimit, vetëpunësimit dhe biznesit familjar etj. D.m.th. rezerva më e madhe për ndikimet negative të krizave mbetet përmirësimi i klimës së biznesit, ndërtimi i një klime më miqësore ndaj investimeve vendase dhe të huaja, përmrësimi i rregullimit të tregjeve për t’i çliruar nga ndikimet e oligarkëve, korrupsioni galopant, si dhe paaftësia e  administratës publike.

Si i vlerësoni paketat e ndihmës të miratuara nga qeveria për përballimin e situatës?

Sipas mendimit tim, por ndoshta edhe të shumë të tjerëve, për një numër arsyesh objektive dhe subjektive, këto paketa ishin dhe mbeten një lloj ndihme ekonomike, një lloj “gavete” për të varfrit dhe nuk arritën të prekin thelbin e problemit: ruajtjen e kapaciteteve njerëzore në kompanitë private,  nxitjen e sipërmarrësve për të ruajtur vendet e punës, por edhe për t’i përshtatur strategjitë e tyre të të bërit biznes me kushtet e pas krizës, si dhe për të nxitur konsumin në të gjitha dimensionet e kësaj fjale.

Natyrisht, në madhësinë e këtyre paketave duket se ka ndikuar buxheti i limtuar i shtetit, ruatja e pandryshuar e përparësive të tij, që nuk kanë lidhje me zhvillimin e ekonomisë (siç janë kontratat e formës së Partneritetit Publik-Privat), mungesa e vizionit për të inkurajuar biznesin që të marrë risqe të reja etj. Ndërkaq, nëse paratë buxhetore të shpenzuara deri më tani kanë ndihmuar familjet shqiptare për të kapërcyer vështirësitë financiare në muajt e pezullimit të akvititetit ekonomik, nuk shoh të ndodhë e njëjta gjë me bizneset, ku paqartësitë janë edhe më të mëdha.

D.m.th. imitimi i modeleve të politikave antikrizë nuk më duket se ka funksionuar siç duhet, për më tepër, që shihet qartë se mungon trajtimi i bizneseve si një partner i fuqishëm në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Kjo u shfaq në thirrjet populiste të qeverisë drejtuar punëtorëve informalë që t’i denonconin punëdhënësit e tyre në këmbim të përfitimit të “pagës së luftës”, në thirrjet “për të shitur vilën apo jahtin, si mjet për përballimin e krizës, apo deri edhe në kërcënimin e këtyre ditëve drejtuar bizneseve që “të aplikojnë në emër të punëtorëve të tyre të larguar nga puna”, kur askush nuk e ka të qartë se si do të jetë e nesërmja dhe se e drejta e punëtorëve që humbasin vendet e punës (përkohesisht përmes pezullimit apo përgjithnjë për shkak të krizës) për të përfituar ndihmën ekonomike buron nga Kushtetuta dhe gjendja e fatkeqësisë natyrore, dhe nuk është as “dhuratë e partisë” e, aq më pak, e vetë biznesit.

Lexo edhe :  Inflacioni zbret në nivelin më të ulët në tre vjet, por ushqimet mbeten të shtrenjta

Deri tani janë mbyllur rreth 4 mijë biznese bar-restorante, të  cilat nuk kanë ambiente të jashtme. Çfarë masash duhet të marrë qeveria për mbështetjen e tyre?

Për mendimin tim, kjo kategori duhet të vazhdojë të mbështetet me pagat e punës, ashtu si këto dy-tre muajt e fundit, si dhe duhet të asistohen, nëse duan të ndryshojnë destinacionin e biznesit të tyre. P.sh., mund t’u ofrohet trajnim i specializuar falas për punëtorët, por edhe një periudhë kohe prej disa muajsh,  përjashtimi nga taksat, nëse futen në një treg apo shërbime të tjera, etj.

Po kështu, kjo periudhë ka qenë një periudhë e artë për qeverinë, sidomos për atë vendore, nëse do të kishte analizuar shpërndarjen e shërbimeve dhe të kontribuonteve në një lloj riorganizimi  të tyre. Më konkretisht, periudha e pezullimit të aktivitetit ekonomik mund ta kishte lejuar bashkinë të shikonte shpërndarjen e kafeterive, restoranteve, farmacive etj., me synim racionalizimin e kësaj shpërndarjeje, pa dëmtuar bizneset apo duke ndërhyrë arbitrarisht në jetën e tyre.

 

Në vlerësimin tuaj,  si u menaxhua situata e krijuar nga pandemia dhe cilat janë shteresat më të dëmtuara ekonomikisht?

Përtej propagandës që mendoj se tejkaloi çdo cak, sa të krijohet përshtypja se Shqipëria gjendet në zgjedhje permanente, d.m.th., nuk po qeveriset, por thjesht po bëhet fushatë elektorale e përditshme, në këndvështrimin mjekësor mendoj se është punuar mirë. Këtij qëllimi i shërbeu rritja e pranisë dhe e peshës publike të ekspertëve.

Ndërkaq është e pakuptimtë që qeveria nuk bëri asnjë hap për ngritjen e një këshilli konsultativ ekspertësh të ekonomisë që mund të ndihmonin në minimizimin e efekteve të këtyre krizave në jetën ekonomike, sidomos në elaborimin e ideve dhe politikave për periudhën që vjen. Për sa u takon shtresave që u dëmtuan më shumë, nuk ka vend shumë për koment: si çdo krizë tjetër, edhe kjo krizë thelloi polarizimin e shoqërisë së sotme shqiptare, i varfri u bë edhe më i varfër, ndërsa i pasuri edhe më i pasur.

Natyrisht, kjo në planin e përgjithshëm, ndërsa në një plan edhe më konkret, kjo situatë mund t’ia “lehtësojë” vazhdimin e punëve qeverisë, sidomos nëse besojmë në aksiomën që dikur e kishte aq për zemër z. Rama se “qeveritë shqiptare blejnë varfërinë që krijojnë vetë…” (në zgjedhje).

Cilat janë pasojat makroekonomike me të cilat do të përballet vendi pas pandemisë?

Tashmë janë evidentuar efektet dhe janë po ato efekte si në çdo vend tjetër të prekur nga kriza, të tilla si: humbja masive e vendeve të punës, nevoja për ristrukturim të ekonomisë, falimentimi i një numri relativisht të madh biznesesh, humbja e tregjeve në vendet perëndimore (sidomos të industrisë fason), vështirësi në eksportimin e lëndëve të para të papërpunuara (p.sh., mineralet drejt Kinës etj.), rritja e konkurrencës nga mallrat e shërbimet që importohen nga vendet fqinje etj.

Në këndvështrimin makroekonomik, rënia në një depresion ekonomik, e vlerësuar me 9% do të thotë se problemet e mësiperme, veçmas ose të marra së bashku, do të japin ndikimin e vet, gjë që e bn të domosdoshme rritjen e përgjegjshmërisë së qeverisë në ushtrimin e funksioneve të veta kushtetuese.

Kur mund të kthehemi në normalitet?

Duke menduar se vendi realisht po del nga gjendja e pandemisë (pavarësisht se kurba e të dhënave zyrtare mbi dinamikën e kësaj pandemie nuk ndihmon për këtë konkluzion), në vlerësimin tim, nevojitet një periudhë prej 2-3 vitesh që vendi t’i shërojë plagët e kësaj krize, të futet në një trend të rritjes ekonomike të qëndrueshme. Gjithsesi, qenia e 2020-ës si një vit parazgjedhor me të gjitha problemet që shoqërojnë zbatimin e buxhetit dhe performancën fiskale në vite të tilla, nuk premton për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë sonë kombëtare.

Flet kreu i Shoqatës së Bizneseve të Vogla dhe të Mesme

Nasto: Kërkojmë paketë ndihme për bizneset, ndryshe falimentojnë  95% e tyre

Biznesi i vogël dhe i mesëm kërkon nga qeveria rihapjen e transportit publik, urban e interurban, si dhe një plan masash për t’i ndihmuar bizneset në kapërcimin e krizës, në të kundërt rrezikohet të falimentojnë rreth 95% e bisnesit të vogël dhe të mesëm dhe, për rrjedhojë, të humbasin punën mbi 180 mijë punonjës. Kreu i Shoqatës së Binzeseve të Vogla dhe të Mesme, Albert Nasto, në një intervistë për gazetën “Fjala” bën të ditura pasojat që ka kriza te këto subjekte dhe kërkesat për qeverinë.

Si i vlerësoni paketat e ndihmës që ka miratuar qeveria për biznesin e vogël dhe të mesëm?

Kemi ndjekur dhe po ndjekim nga afër situatën e fatkeqësisë natyrore si pasojë e virusit COVID-19. Si grupi më i madh i interesit në vend, sapo qeveria urdhëroi mbylljen e 91 mijë bizneseve, kryesisht të vogla e të mesme ku janë të punësuar përafërsisht 340-360 mijë qytetarë, ne i kërkuam qeverisë 11 pika, këto të bëra publike, por ia drejtuam edhe me shkrim. Nga 11 pika sot është realizuar vetëm shtyrja e bilanceve. Pra 10 pikat më kryesore që do ta nxirnin bisnesin nga kjo situatë pandemie e paparë ndonjëherë në 30 vitet e fundit kanë mbetur pa përgjigje. Nga ana e qeverisë nuk pati dhe nuk ka një plan konkret se si do të dalë ekonomia dhe bisnesi nga kjo gjendje. Nga paketa e parë e ndihmës prej 26 mijë lekësh, e cila ishte e vonuar dhe e pamjaftueshme  përfituan vetëm 7 mijë biznese nga 91 mijë biznese të mbyllura me urdhër të qeverisë. Pra, e thënë ndryshe, si me pagën e parë të ndihmës prej 26 mijë lekësh dhe me paketën e dytë prej 40 mijë lekësh kanë përfituar vetëm 35-40 % e gjithë bisnesit ose, më saktë, vetëm 70 mijë qytetarë, nga 340 mijë të punësuar .

Çfarë duhet të bëjë qeveria për t’i ardhur në ndihmë biznesit?

Në qoftë se qeveria nuk ndërhyn me një paketë financiare të drejtpërdrejtë, ashtu siç po bëjnë të gjitha vendet, atëherë ne kemi parashikuar se në fund të 2020-ës rreth 80% e biznesit, sidomos i vogli dhe i mesmi që përbën 95% të bisnesit në total, do të falimentojë. Mbi 150-180 mijë punonjës do të mbeten pa punë. Pra, kjo do të jetë situata më dramatike për ekonominë, për bisnesin, por dhe për qytetarët. Qeveria e Shqipërisë duhet të vendosë të rifillojë aktiviteti i transportit urban, interurban, turizmi detar dhe malor, por dhe të gjitha kafenetë, restorantet etj. Gjithashtu, qeveria dhe biznesi duhet të fillojnë një politikë nxitëse për rritjen e konsumit dhe të prodhimit vendas. Shoqata e Bisnesit të Vogël dhe të Mesëm e Shqipërisë ka përgatitur 5-6 pika drejtuar qeverisë për zgjidhje emergjente.

PAKETAT E QEVERISË PËR INDIVIDËT DHE BIZNESE

PAKETA 1 – Mbështetje për Biznesin e Vogël dhe Qytetarët

Masa 1 – Ndihmë financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14000000 lekë, për periudhën pas ndërprerjes së aktivitetit ekonomik, për shkak të gjendjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke përfshirë:

  • personat fizikë të vetëpunësuar;
  • punonjësit e papaguar të familjes së personit fizik tregtar;
  • të punësuarit në personat fizikë tregtarë;
  • të punësuarit në personat juridikë.

Masa 2 – Dyfishim të pagesës për individët që përfitojnë pagesë të ndihmës ekonomike.

Masa 3 – Dyfishim të pagesës për individët që përfitojnë pagesën e të ardhurës nga papunësia.

PAKETA 2 – Mbështetje për Sipërmarrjen dhe Punëmarrësit

Masa 1 – Subvencionim për punonjësit e larguar + aktualë në bizneset me të ardhura 14+ milionë lekë të mbyllura nga urdhrat e MSHMS-së

Masa 2 – Mbështetje për të larguarit nga puna deri në 10 prill (përjashtuar subjektet e mbyllura nga urdhrat e MSHMS-së).

Masa 3 – Subvencionim për të gjithë punonjësit e bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë (përjashtuar 8000 persona në profesionet e lira, tregtia, farmacitë, përfituesit e pagës së luftës së Paketës 1 etj.)

Masa 4 – Subvencionimi i pagës së luftës për punonjësit e strukturave akomoduese në sektorin e turizmit.

Masa 5 – Mbështetje për punonjësit e Rafinerisë së Ballshit (Punonjës me pagë nën 100 mijë lekë/muaj)

Masa 6 – Ndihmë financiare për aplikuesit e ndihmës ekonomike, të cilët rezultojnë aplikues dhe nuk janë përzgjedhur nga sistemi i pikëzimit të ndihmës ekonomike.

Instrumenti i Garancisë Sovrane

Qeveria shqiptare vjen në mbështetje të sektorit privat edhe përmes instrumentit të Garancisë Sovrane në përballimin e situatës.

Këshilli i Ministrave ka miratuar dy intrumente të Garancisë Sovrane për një shumë totale prej 26 miliardë lekësh.

Garancia Sovrane I në masën 11 miliardë lekë:

  • Aplikohet nga bizneset në çdo bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë.
  • Garantohet 100% nga shteti shqiptar.
  • Paguhen pagat e tre muajve të punonjësve të kompanive të prekura nga situata e Covid-19.
  • Interesi subvencionohet nga qeveria shqiptare.
  • Periudhë pa shlyerje të principalit (grace period) prej 3 muajsh.

Garancia Sovrane II në masën 15 miliardë lekë:

  • Aplikohet për bizneset në të gjithë sektorët e ekonomisë.
  • Aplikohet për nevoja në kapital qarkullues dhe investime.
  • Intrument që ndan riskun me bankat, duke mbuluar një përqindje të principalit të çdo huaje.
  • Kushte preferenciale financimi, dhe afat shlyerje deri në 5 vjet.
  • Periudhë pa shlyerje të principalit (grace period) prej 6 muajsh./Fjala.al

 

Të fundit

Apple pranë marrëveshjes me OpenAl, ChatGPT do të integrohet në Iphone

Sipas Mark Gurman të Bloomberg, Apple është afër finalizimit të marrëveshjes me OpenAl që do të shtoë ChatGPT-në në...

Takimi me emigrantët në Athinë/ Pse nuk u takua me zyrtarët grek? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur për emisionin “Opinion”, lidhuer me takimin e shqiptarët që jetojnë në Greqi, i cili solli reagime të politikës dhe...

Si janë raportet midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për një emision televiziv ndër të tjera foli edhe për raportet e qeverisë shqiptare me atë...

Ekspertja: Vizita në Athinë, më e suksesshmja për Ramën. Ishte në nivelin më të lartë

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Enida Bozheku e cilëson vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë si më të suksesshmen në këto vite që është...

“Do të të laj…”, me kë e ka Xhensila Myrtezaj?

Prej disa kohësh po përflitet një ndarje mes aktorit të humorit Bes Kallaku dhe këngëtares Xhensila Myrtezaj. Kjo u aludua vazhdimisht në media por...

Lajme të tjera

Web TV