Prof. Simon Johnson, nga MIT, ish-Kryekonomist i FMN, identifikon 3 pika për të rihapur ekonominë në këtë situatë pandemie: 1) testim deri në 3% të popullsisë çdo ditë, 2) izolim të grupeve të rrezikuara, dhe 3) përmirësim i praktikave të përditshme të secilit prej nesh. Ndërkohë që dy pikat e para nuk lënë shume vend për ekuivokë, e treta duhet të na bëjë të vemë në lëvizje të gjithë kreativitetin tonë.
Ajo na drejton jo vetëm që të përdorim maska e doreza në çdo kohë, por edhe të fillojmë të përshkallëzojmë në shoqërinë tonë aspkte pune e industri që e bëjnë jetën tonë më të sigurtë.
Nje praktikë e tillë mbështetet fort në ekonominë dixhitale. Po të shikojmë përhapjen e virusit në ShBA sot, vëmë re se në Silicon Valley – vendi më pjellor teknologjik në botë – kurba e përhapjes së virusit jo vetëm është sheshuar, por spitalet e Kalifornisë tashmë po mbështesin edhe shtetet e tjera të ShBA me materiale të nevojshme për tu përballur me COVID-19.
Ndonëse një marrdhënie shkak-efekt midis shtrirjes së ekonomisë dixhitale dhe tkurrjes së përhapjes së virusit është pothuajse e pamundur për tu ravijëzuar, korrelacioni mes kësaj të fundit dhe faktit që një individ në Silicon Valley mund të punojë pa asnjë mangësi në produktivitetin e tij nga shtëpia, ndërkohë që të gjithë shërbimet i gjenden po aty përmes një aplikacioni në telefon, na bën të mendojmë se diçka duhet të mësojmë nga ky realitet i cili përballet me pandeminë në një mënyrë kaq organike.
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se ICT zë vetëm 0.1% të eksporteve të të mirave nga vendi ynë. Ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanik perëndimor dhe ajo e vendeve të BE, janë 1% dhe 5%, respektivisht. Këto shifra, së bashku me faktin që sot në botë ka rreth 2.4 million vende të lira pune në indsutri të lidhura ngushtë me teknologjinë, na tregojnë se tregu është më se i hapur për profesinistët shqiptarë. Gjithësesi, kompanitë e outsourcing në vend, të cilat kryejnë projekte ICT-je për kompani të huaja, ndonëse nuk e mohojnë kërkesën, identifikojnë një problem tjetër: në vendin tonë mungojnë njohuritë bazë dhe një numër i nevojshëm profesionistësh për t’ju përgjigjur kësaj kërkese.
Për të adresuar këtë nevojë esenciale të ekosistemit të teknologjisë në vend, një ndërhyrje në sistemin arsimor është një domosdoshmëri. Por ashtu siç dihet gjerësisht, reformat në arsim nuk janë të drejtpërdrejta e fillimisht është e nevojshme për të eksperimentuar në një mënyrë të decentralizuar. Pikërisht këtë po mundëson qendra alphaPlan, e themeluar nga rrejti i diasporës shqiptare në Silicon Valley, përmes programit të saj Code for Albania.
Ky program jashtëshkollor për nxënësit e shkollave të mesme, i trajnon pjesëmarrësit në Shkenca Kompjuterike dhe Mentalitet Krijues, duke i vënë këta nxënës në kontakt të drejtpërdrejtë me instruktorë nga Universiteti Stanford. Këta instruktorë nga universiteti numër një në botë për shkenca dixhitale dhe inovacion, vizitojnë Shqipërinë dhe angazhohen në rritjen e liderave të rinj të teknologjisë në vend përgjatë tre viteve për secilën kohortë.
Një kurrikulë e tillë, e shtrirë në kohë, i mundëson këta mentorë të mirëpërgatitur qe jo vetëm t’i japin të rinjëve tanë aftësitë e nevojshme në programim, por gjithashtu edhe të ushqejnë tek ata një mentalitet rritjeje siç është përkufizuar nga Prof. Dweck, po nga Universiteti Stanford.
Vetëm një mentalitet i tille, i cili fuqizon individin dhe e bën atë të ngrejë pyetje rreth mënyrës se si ai vetë mund të kontribojë në përmirësimin e realitetit rreth tij, do te mundësojë shoqërinë tonë të bëhet pjesë e këtij adaptimi ekonomik. Revolucioni i katërtë industrial po ndodh, dhe në qendër të tij është ekonomika dixhitale. Le të bëhemi pjesë e tij!