Jozefina Maliqaj, të vishesh me imagjinatën e fëmijëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nisma e një nëne të re për të sjellë për këdo veshje të personalizuara, si kurrë më parë, me piktura të vegjlish. Në një betejë me vrazhdësinë e jetës, për të ruajtur ndjeshmërinë dhe kujtimet…

Nga Alessia Selimi

Është e vështirë të vishesh me imagjinatë, sidomos nën ritmin e përditshmërisë. Megjithatë, Jozefina Luci Maliqaj beson fort se diçka e tillë është e mundur, kur prevalon dëshira për të bukurën. Kjo grua 35-vjeçare, me profesion dublante,  e cila ka mbaruar për regji filmi tek Akademia  “Marubi”, i mëshon idesë se kujtimet duhen strehuar, me fanatizëm, madje, kur bëhet fjalë për ato të krijuara nga duar fëmijësh.

Nuk ishte ende nënë kur pa për të parën herë një yll hollivudian të veshur me vizatimet e vogëlushëve të saj. Fustani iu rikthye në mendje në vitin 2016, kur mori në krah Grelin, si për t’i dhënë shtysë për të ofruar sa më parë veshje të këtilla, të personalizuara, me vizatime të vegjlish. Ajo po nxiton, ndërkohë që mban mbi shpinë një çantë shkolle. Ka dërguar vajzën e vogël te gjyshërit, pasi nuk e kishte parashikuar një intervistë me gazetën “Fjala”.

Jozefina tregon fillimet dhe vijueshmërinë e nismës së saj në një treg të lëkundur nga pandemia globale COVID-19, vetëm kur ulet mbi një karrige të drunjtë dhe paksa të ulët.

Përpara se vajza ime të lindte, unë dhe bashkëshorti im e lyem me të bardhë dhomën e saj të gjumit. Si të ish një telajo e madhe, ftova nipërit që të shpalosnin të gjithë talentin e tyre në pikturë (qesh). Kur erdhi momenti për të realizuar fustanin e Grelit për 1-vjetorin e saj të lindjes, m’u kujtuan muret e dhomës, vizatimet kaotike dhe shumëngjyrëshe të nipërve. Në atë çast u bëra disa fotografi dhe menjëherë gjeta një studio që mund të më realizonte një fustan me vizatime të printuara, njësoj sikurse ai që mbante veshur përpara disa vitesh aktorja Angeline Jolie”, thotë Jozefina duke u ndalur fill më pas te forma aktuale që ka biznesi i saj i vogël.

“Kemi vendosur në dispozicion tri elemente; bluza, fustane dhe çanta, tek të cilat mund të printohet çdo vizatim i mundshëm. Ne jemi një grup tepër i vogël, megjithatë kushdo mbulon sektorin përkatës. Unë kam marrë përsipër pjesën e marketingut, im shoq është grafisti, ai që bën ndarjen e imazhit nga letra në copë. Kemi stilisten si bashkëpunëtore dhe një mikeshë tonën që bën menaxhimin e rrjeteve sociale”, vijon Jozefina.

Ajo jep një përgjigje të mirëmenduar kur pyetet për çmime.

Printimi kushton, por për të lehtësuar buxhetin e individëve, vendosa si opsion edhe stampimin. E them këtë, sepse përfshihet sipërfaqja e vizatimit. Natyrisht, grafisti paguhet në bazë të orëve të punës. Këtu futet gjithashtu metrazhi i copës, që mund të jetë atlas, pambuk ose poliestër. Për të qenë e drejtë me klientin, i kërkoj paraprakisht  disa të dhëna, si moshën e fëmijës, vizatimin që dëshiron ta shohë në veshje, si dhe përmasat e dëshiruara për këtë të fundit”, sqaron Jozefina duke shtuar se është kujdesur që të operojë  edhe me postë.

Lexo edhe :  Sot protesta e opozitës/ Zbardhet ‘skenari’ dhe rrugët që do të bllokohen!

Kjo grua e cila ngjan në pamje të parë si një vajzë çapkëne, ndoshta edhe për shkak të veshjes sportive, nuk ngurron të flasë biznesin e saj në kontekstin e një tregu të prekur nga COVID-19.

“Besoj se ky projekt do t’i sjellë një tjetër ngjyrë jetës së njerëzve. Të qenët i izoluar, nuk është aspak e lehtë. Nëse qytetarët nxisin fëmijët për të pikturuar, po përse jo, edhe veten e tyre, jam e sigurt që do të ndihen të kënaqur dhe ky proces krijues do t’i ndihmojë t’i shohin gjërat në një tjetër prizëm, pa dyshim, pa nota pesimizmi. Deri më tani, nuk e kam ndier mbi kurriz zymtësinë e tregut të prekur nga COVID-19, ndoshta edhe sepse punojmë nga shtëpia”, thotë Jozefina.

Por si e sheh të ardhmen 35-vjeçarja?

“E kam konceptuar për tregun e brendshëm. Për momentin nuk dua që projektin ta nxjerr jashtë kufijve. Mbetem në pritje të përmasave që do të marrë. Nëse do të marrë përmasa të gjera, do të hedh hapa më të mëdhenj. Por për të qenë e sinqertë, dëshiroj në radhë të parë të testoj veten”, shprehet Jozefina, e cila duket se është ngahera e lidhur me fëmijët, edhe kur Greli ende nuk kishte ardhur në jetë.

Shumë gjëra në jetën time kanë ardhur rastësisht, ashtu sikurse edhe “vishu me imagjinatë”. Unë jam me profesion dublante, kryesisht e filmave të animuar.U njoha me dublimin në vitin e tretë të studimeve në Akademinë “Marubi”. Teksa po u tregoja miqve të mi në një tavolinë se do ta ndërprisja vitin shkollor ngaqë doja të përgatitesha siç duhet për diplomën, një vajzë fare pranë meje më propozoi të jepja një intervistë në vendin e saj të punës për pozicionin e regjisores së filmave të dubluar. Nuk vonoi shumë kur më pranuan dhe nisa të përzgjedh zërin e aktorëve që punonin për personazhet e animuara”, tregon Jozefina.

Ajo e ndien të nevojshme të flasë për problematikat e evidentuara në filmat për fëmijë, edhe për të nxjerrë në pah forcën e krijimit, mbi bazën e së cilës ngrihet pikërisht biznesi i saj.

Në një kompani  ka persona përgjegjës që marrin tekstin nga përkthyesi, dhe janë po ata që vendosin nëse ky tekst do t’i jepet aktorit. Unë, sikurse kolegët e mi, nuk kam kohë fizike për ta ndryshuar të gjithin. E vetmja gjë që mund të bëj është të përshtas fjalët në një moment të caktuar, kur teksti është formuluar gabim. Fatkeqësisht, nuk janë të pakta rastet. Ndonëse jam dublante e filmave të animuar, duhet ta pranoj se kam luftuar që televizori të jetë i fikur në shtëpinë tonë. Vajzës sime i kam mësuar fjalën “projekte”, për t’i nxitur kreativitetin dhe dëshirën për t’u shprehur artistikisht”, thotë Jozefina, si të jetë duke nënkuptuar se ndjeshmëria vetëm kështu mund të ruhet nga vrazhdësia e asaj çka quajmë jetë./Fjala.al

Të fundit

Vigjilje Krishtlindjesh, Pastori Akil Pano: Ngjarja më e madhe në besimin e krishterë!

Krishtlindja është një nga festat më të vyera për të gjithë besimtarët ortodoks dhe katolikë. E teksa jemi në...

Kleri katolik dhe ortodoks uron besimtarët në prag të Krishtlindjeve

Në Shqipëri, ndërsa besimtarët katolikë dhe ortodoksë janë përgatitur të festojnë lindjen e Jezu Krishtit, udhëheqësit e tyre shpirtëror u përcollën sot mesazhin tradicional...

Udhëtarët shqiptarë tejkalojnë vizitorët e huaj! Europa, burimi i flukseve

Instat ka publikuar të dhënat e flukseve hyrëse-dalëse të shtetasve shqiptarë dhe të huaj përgjatë muajit nëntor. Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar...

5 këshilla si të shtroni tryezën e festave

Nga ngjyrat te dekorimet, nga tradita te dizajni, një pjesë e mirë e kujtimeve të festave të ndara me miqtë dhe të afërmit krijohen...

Rama: Ka një arsye kryesore për fitoret e mia! Ndodhi që u bëra kryeministër…

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në darkën e fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri kishte një përgjigje edhe për ata...

Lajme të tjera

Web TV