Nga Roland Qafoku për gazetën “Fjala”: 10 gazetarët më me ndikim në Shqipëri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vera e re në fuçinë e vjetër
https://youtu.be/Bm6BC4shZiM
Kanë raportuar lajme, kanë drejtuar media dhe kanë bërë analiza. Por më shumë kanë ndikuar në politikë dhe shoqëri duke krijuar dhe orientuar opinionin publik. Cilët janë 10 gazetërët shqiptarë që kanë ndikuar më shumë me punën e tyre në media. Nga Mero Baze, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Armand Shkullaku, Sokol Balla, Andi Bushati, Mustafa Nano, Rudina Xhunga, Artur Zheji e deri tek Andi Bejtja. Arsyet përse janë gazetarët më me ndikim në vend dhe çfarë kanë bërë në karrierën e tyre. Portret për secilin për ata që në tri dekada kanë skanuar politikën shqiptare, por edhe kanë dhënë ide se ç’duhet bërë

Sa ka ndikuar media në këto 30 vjet në Shqipëri? Pas parlamentit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, pushteti i katërt ka pasur dhe ka rol, fuqi dhe rëndësi, ndoshta edhe më shumë se ajo që i takon. Dhe në këtë media janë disa gazetarë që dallohen për këtë rol, fuqi dhe rëndësi. Po cilët janë këta gazetarë? Cilët janë ata reporterë, drejtues mediash, analistë e deri drejtues emisionesh politike që kanë pasur dhe kanë më shumë ndikim në Shqipëri, e shtrirë kjo që nga 1990 e deri më sot? Cilët janë ata që kanë bërë që me lajmet, shkrimet, opinionet dhe veprimtarinë e tyre si gazetarë të diktojnë në vendime politike, në sjelljen sociale të shoqërisë dhe, më e rëndësishmja, cilët janë ata gazetarë që kanë ndikuar direkt në krijimin e opinioneve për fenomene dhe ngjarje politike në vend? Sigurisht që përgjigjja e kësaj pyetjeje është e vështirë dhe akoma më e vështirë bëhet kjo kur këtë përgjigje përpiqet ta japë një gazetar. Gjithsesi, në gjykimin tim modest, falë përvojës dhe angazhimit tim prej 24 vitesh në një karrierë të pandërprerë në media, me angazhime si gazetar dhe drejtues në disa gazeta e televizione nga më të rëndësishmet në vend, duke punuar në stafe me dhjetëra e qindra gazetarë, si dhe duke u konsultuar me disa kolegë, studiues dhe qëmtues, unë po publikoj listën e 10 gazetarëve që mendoj se kanë pasur dhe kanë më shumë ndikim se të tjerët në politikën dhe në shoqërinë shqiptare në këto 3 dekada.

Sigurisht që çdokush ka të drejtë të mos jetë dakord. Çdo shqiptar, dhe sigurisht çdo gazetar, e ka gati listën e vet për ta bërë publike. Aq më tepër që në komunitetin tonë funksionon rregulli që gazetarët janë të gjithë kundër të gjithëve. Por, kjo për mua nuk ka fare rëndësi. E rëndësishme është që të jem i bindur dhe i sinqertë me veten time. Nuk jam ndier mirë që pasi e përfundova këtë listë, nuk munda të përfshija aty edhe dy apo tre emra që unë vërtetë i vlerësoj, por 10-shja është shifra ime e preferuar në kësi shkrimesh prej dy dekadash, dhe unë nuk mund ta prish rregullin. E rëndësishme është që nuk kam asnjë brerje ndërgjegjeje që në këtë listë nuk janë ata që vetëshpallen gazetarë dhe kanë bindjen personale se meritojnë të jenë atje lart, edhe pse nuk e dinë se çfarë mendojnë të tjerët për ta. Nuk kam asnjë brerje ndërgjegjeje që në këtë listë nuk janë ata që nuk kanë bërë kurrë jetën e newsroom-it, që nuk kanë punuar kurrë në terren, që nuk kanë bërë qoftë një lajm apo një shkrim në jetën e tyre, pra ata që nuk plotësojnë përkufizimin e plotë dhe të qartë se kush quhet gazetar. Apo të tjerë akoma që kanë shkëlqyer në ndonjë periudhë kohore, por që e kanë shkatërruar karrierën e tyre me po aq zell sa e ngritën atë. Kam bindjen e plotë se këta 10 gazetarë që janë listuar më poshtë, jo për nga renditja, padyshim që janë më pak të kontestuarit. Për mirë apo për keq, ata kanë pasur aq ndikim, sa të kenë diktuar në vendime të rëndësishme në Shqipëri. Gjykojini si të doni!

  1. MERO BAZE

Ata që e duan dhe ata që nuk e duan janë të shumtë. Por asnjë nuk mund ta mohojë senë këto 30 vjet Mero Baze është gazetari që ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim maksimal në politikë dhe shoqëri. Nëse e kundërshtoni këtë, thërritini pak memories. Djali nga Tepelena, që studioi për Gjeologji-Miniera dhe që thurte poezi rinore, arriti kulmin kur mbërriti të bëhej korrespodenti i“Zërit të Amerikës”, media më e ndjekur në vitet e para të tranzicionit. Intervista e tij me Fatos Nanon, gjatë kohës që ky ishte në burg, është nga më të realizuarat profesionalisht. Atij që përsëri i ka ikur memoria, le t’i kujtojmë lajmin raport të tij, në shkurt 1997, për një skaf të mbushur me 130 milionë dollarë që u largua nga Vlora në det të hapur. Në fillim të vitit 1997 ai themeloi dhe ngriti agjencinë e lajmeve “Enter” dhe më pas, në vitin 1999, gazetën “Tema”. Që nga ajo kohë padyshimështë një media nga më të rëndësishmet në vend dhe çdokush që nuk e lexon editorialin e Mero Bazes ka lënë një gjë mangut nga dita e vet. Ka nga ata që thonë që në gjysmën e karrierës së vet Mero Baze ka mbështetur PD-në dhe gjysmën ka mbështetur dhe mbështet PS-në. Po. Kjo është vërtetë. Por, liria në media është të mbështesësh atë që ti beson se është kauza më e drejtë dhe jo të bësh asnjanësin, të pavarurin, të ekuilibruarin dhe pastaj t’ia fusësh gjumit. Realja është që asnjë gazetar tjetër në Shqipëri nuk ka ndikuar kaq shumë sa Mero Baze te Partia Demokratike kur ai e mbështeste atë. Dhe prej vitesh çka vijon edhe sot, asnjë gazetar nuk ka ndikuar dhe nuk ndikon kaq shumë te Partia Socialiste, sa Mero Baze. Dhe të mendosh që Mero Baze nuk është gazetar i tipit që bën lajka. Ai vlen më shumë kur kritikon dhe akuzon, sesa kur mbron dhe mbështet. Kjo është arsyeja që shkrimet e tij në mbështetje të dikujt janë me pikatore. Ato në sulm ndaj dikujt janë një furtunë e vërtetë. Kundërshtojeni po deshët! Nuk duhet lënë pa përmendur që Mero Baze është nga të paktët gazetarë shqiptarë që ka raportuar nga Konferenca e Rambujesë, në shkurt të vitit 1999, kur po diskutohej fati i Kosovës. Megjithatë, vlera e Mero Bazes nuk mbaron këtu. Gazetari i tre dekadave është autor i disa librave. Mes tyre veçohet “Paralele amerikane”. I shkruar në një moment kur gazetat nuk botoheshin për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në vitin 1997, ky libër është i pari që një shqiptar guxon të paraqesë dritëhijet e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Amerikës në një situatë kur shteti shqiptar u rrëzua si të ishte një pirg rëre. Por edhe botimin në vitin 1999 të librat për çështjen e Kosovës “Shqipëria dhe Lufta në Kosovë” dhe pas një tjetër libër me titull “Rambuje, Mosmarrëveshjet për paqe”. Dhe më pas në vittin 2008 librin “Përballja me opozitarizimin”. Ndoshta libri më përfshifrës i ngjarjeve që kanë qenë pjesë e karrierës së tij si gazetar është “Viti 97, Prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin”.

  1. BLENDI FEVZIU

Blendi Fezviu ka arritur si gazetar atë që nuk e ka arritur askush në Shqipëri. Për 23 vjet ia ka dalë të ngrejë një parlament paralel në studion e emisionit të tij dhe këtë e ka bërë falë një këmbënguljeje dhe një pasioni konstant, që kurrë nuk ka pësuar oshilacione. Shumë e adhurojnë, e vlerësojnë dhe shumë ndaj tij kanë interes, por edhe shumë e urrejnë, e akuzojnë dhe deri e kryqëzojnë. Të parët janë më së shumti në politikë, por ama është fakt se nuk ka asnjë politikan që, nëse dëshiron të bëjë një dalje televizive, të mos listojë të parin “Opinionin” e Blendi Fevziut. Të dytët më të shumtë janë brenda medias, që pasi e kanë kopjuar, krahasuar me veten kuptojnë se ai ua ka marrë dhe ua merr të gjithëve në këtë aspekt. Me një disiplinë për t’u admiruar, Blendi Fevziu ka arritur të krijojë gjithashtu një model pune nëpërmjet të cilit ka arritur të korrë atë që ka dëshiruar. Në fillimet e tij me emisionin “E diela debat” në RTSH dhe më pas “Opinion” në Tv “Klan”, Blendi Fevziu është ndoshta gazetari më i stabilizuar në Shqipëri.

Janë me dhjetëra dhe qindra puntatat e emisonit të tij që vijojnë me të njëjtin temp, por publikut nuk do t’i shqiten nga kujtesa ato që kanë ndikuar më shumë. Mes tyre kulmi ishte takimi dhe debati në studion e emisionit “Opinion” më 31 janar 2002 për herë të parë në karrieren e tyre politike të Sali Berishës dhe Fatos Nanos, dy armiqtë për jetë a vdekje. Dhe këtë e ka realizuar Blendi Fevziu. Por jo vetëm kaq. Blendi Fevziu ka arritur të arkivojë në karrierën e vet dhe që i shërben publikut intervista historike me disa personazhe politike dhe të jetës publike që janë të papërsëritshme, si Ramiz Alia, Ismail Kadare, Sali Berisha, Fatos Nano, Aleksandër Meksi, Safet Zhulali, Sabri Godo etj. Por edhe të personazheve që kanë dhënë dëshmi historike, si Abaz Ermenji, Ekrem Bardha, Leka Zogu, Fadil Hoxha etj. dhe që kanë si kulminacion Geraldina Apony. Blendi Fevziu është i pari dhe i vetmi gazetar shqiptar që i ka marrë një intervistë të gjatë për jetën e saj mbretëreshës së shqiptarëve, bashkëshortes së Ahmet Zogut, Geraldina Apony. Asnjë gazetar tjetër shqiptar nuk ka arritur ta realizojë këtë set intervistash që kanë ndikuar në shumë raste në rrjedhën e ngjarjeve politike dhe sociale, por edhe duke u kthyervetë në ngajrje. Por, jo vetëm kaq. Blendi Fevziu ka krijuar profilin e një gazetari shumëplanësh edhe si drejtues gazete edhe si analist. Ai ka qenë drejtues i disa gazetave si “Koha Jonë”, “Aleanca Demokratike” dhe shef politike i gazetës “Indipendent”. Por Blendi Fevziu nuk mbaron këtu. Është nga të rrallët gazetarë që shkruan libra. Madje, është më pjellori, që në këtë drejtim nuk ia kalon kush. Të paktë janë ata që e dinë se që nga viti 1992 e deri më sot Blendi Fevziu ka botuar 14 libra, një pjesë e tyre ka ndikuar nëpërmjet debateve që kanë krijuar. Edhe në këtë pikë Blendi Fevziun e sulmojnë, sikur të ishin duke ndjekur emisionin e tij “Opinion”. Kjo arriti kulmin me librat “Enver Hoxha” në vitin 2011 dhe “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret” në vitin 2014, për të cilët debati në emisionin “Opinion” u transferua në rrjetet sociale dhe në faqet e shtypit të shkruar. Kjo tregon jo pak për ndikimin që Blendi Fevziu ka në jetën politike dhe shoqërore në vend.

  1. BEN BLUSHI

Nëse nuk do të ishte rikthyer në media si drejtor i përgjithëm i “Top Channel”-it, nuk do të ishte në këtë listë dhe, nëse nuk do të ishte në këtë listë, medias do t’i mungonte një emër shumë i rëndësishëm. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se vërtet politika humbi një orator, por media rifitoi një usta. Ben Blushi i rikthyer po e vijon atje ku e la. E la si kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”, kryeredaktori më me ndikim në këto 30 vjet i gazetës dhe medias më me ndikim gjithashtu. Asnjë gazetë, asnjë radio, asnjë televizion dhe së fundi asnjë media on line nuk e ka arritur dhe parashikoj që kurrë nuk ka për ta arritur ndikimin dhe diktimin që ka pasur gazeta “Koha Jonë” gjatë kohës kur Ben Blushi ishte kryeredaktor i saj. Mjafton ky fakt për të thënë se Ben Blushi jo vetëm është pjesë e listës, por nga më të rëndësishmit e saj. Shkrimet kurajoze në atë gazetë shkruheshin nga gazetarët dhe analistët, por ishte inspirimi, qëndresa dhe vizioni i Ben Blushit që eshpurikëtë gazetë të bënte përballjen më të fortë që një media ka bërë me pushtetin në të gjithë historinë e medias shqiptare. Padyshim që në suksesin e “Koha Jonë” nuk mund të lësh pa përmendur edhe botuesin Nikollë Lesi. Por duke qenë se si kriter i kam hequr pronarët e medias, ndihem i keqardhur  që në këtë listë të mos e vendos Nikollën e epokës “Koha Jonë”. Sot Ben Blushi drejton televizionin “Top Channel”, zyrtarisht media më e madhe në Shqipëri, i cili vijon të ketë audiencën më të madhe, rrjedhimisht ndikimin më të madh në vend.

Por Ben Blushi sot nuk është vetëm një gazetar. Një romancier i një stili krejt të veçantë, shkrimtari Blushi është një vijim i gazetarisë. Ai është autor i pesë romaneve, por “Të jetosh në ishull” është jo vetëm kryevepra, por edhe vepra më me ndikim në shoqërinë shqiptare pas vitit 1990. Për shkak të trajtimit të një teme delikate si feja, ajo shkaktoi një debat që asnjë vepër artistike nuk e kishte shkaktuar dhe nuk e ka shkaktuar deri më sot.

  1. ARMAND SHKULLAKU

Armand Shkullaku është ai gazetar që kurrë nuk ka bërë kompromis me parimet e veta. Ka qenë konstant në mënyrën se si e bën profesionin. Ka qenë konstant në mënyrën se si themelon një media, se si e menaxhon atë dhe se si merr rezultate. Besoj se në këto 30 vjet nuk ka asnjë gazetar dhe, sidomos, drejtues mediash që të ketë autoritetin e Armand Shkullakut. Një autoritet që e ka vendosur me profesionalizëm, drejtësi dhe me pozitivitet. Kështu ka bërë kur nisi karrierën si gazetar i gazetës “Rilindja Demokratike”, e para gazetë e një partie opozitare në Shqipëri. Kështu vijoi kur drejtoi gazetën “Koha Jonë” në vititn 1997, duke pasur meritën që ta fusë këtë gazetë nga linja partizane kundër pushtetit të Berishës në linjën profesionale dhe të lajmit klasik. Kështu bëri kur drejtoi revistën “Klan”, revista më prestigjioze dhe më profesionale në këto tri dekada në Shqipëri. Kështu ka bërë kur drejtoi për shumë kohë informacionin e televizionit “Klan”. Kështu ka bërë kur drejtoi televizionin “Klan Kosova”. Kështu ka bërë kur drejtoi televizionin informativ “ABC News”. Të gjitha këto media kanë pasur ndikimin e tyre në jetën politike dhe shoqërore në Shqipëri dhe Armand Shkullaku ka dorën e tij aty. Dhe kështu ka bërë në mënyrë të pandërprerë me analizat dhe shkrimet e tij,  në të cilat rreket të godasë fenomene dhe veprimtarinë arbitrare të qeverisë dhe,ç’është është më e rëndësishmja, duke ndikuar në shumë raste në krijimin e opinionit në politikë dhe në shoqëri. Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit të Amand Shkullakut është edhe pjesëmarrja e tij e përhershme në panele analistësh dhe politikanësh në studiote emisioneve politike, kryesisht në “Opinion” në Tv “Klan”. Me një logjikë të fortë, me një artikulim që brenda ka shumë informacion, Armand Shkullaku e vë shumë në vështirësi atë për të cilin analizon, që në shumë raste është qeveria, dhe fiton simpatinë e atyre që ndjekin e që janë shikuesit. Dhe ndodh rrallë që dikush ta vijojë për dekada këtë mënyrë të funksionuari dhe të ketë stabilitet.

  1. SOKOL BALLA
Lexo edhe :  Klithja e Metës, kundër SPAK me “300 mijë petrita”

Dikush e shikon sot Sokol Ballën në televizor dhe pyet “çfarë ka bërë ky që e vendosin në këtë listë”? Nëse vërtet e bëjnë këtë pyetje ose janë të painformuar, ose janë dashakeqë. Menjë karrierë të pasur si gazetar, drejtues mediash dhe analist, Sokoll Balla, padyshim, është pjesë e rëndësishme e plejadës së gazetarëve që kanë një karrierë 30-vjeçare në Shqipëri. Gazetar në “Koha Jonë”, gazetar dhe analist në revistën “Klan” dhe gazetar në “BBC” ishte gjysma e parë e karrierës së vet. Por më pas ai ruajti kulminacionet si drejtor i informacionit në televizionin “Top Channel”, në TV “Klan” dhe në“Vizion plus”. Paralelisht ai ka qenë drejtues i emisionit qendror politik po në Top Channel dhe Vizion Plus. Në fillim me “Farenheit” në “Vizion Plus” dhe më pas me“Top Story” në Top Channel, Sokol Balla u bë konkurruesi i vetëm i Blendi Fevziut në “Opinion”. Pa dyshim që ky aktivitet dhe intervistat e marra në emisionet e tij kanë pasur dhe vijojnë të kenë ndikim në jetën politike dhe sociale në vend, dhe më shumë se kaq, në krijimin e një opinioni. Por duket se konkurrenca mes gazetarëve më me ndikim vazhdon nga gazeta dhe televizionit e librat e shkruar. Këtu nuk përjashtohet as Sokol Balla. Libri i tij “33” që është i organizuar me intervistat më të mira në karrierë, është një shembull i punës dhe jo i fjalëve të Sokol Ballës si gazetar. Aty janë një set mjaft interesant intervistash, të realizuara në karrierën e tij, por shumica në emisionin e tij “Top Story”. Ato nisin që nga Izet Haxhia, Eduard Selami, Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano e deri tek Edi Rama, Ina Rama. Këtu nuk mund të harrojmë edhe intervista me personalitete të huaja,si Stipe Mesiç, Wesley Clark, Nicolas Gage, George Soros dhe ambasadorin John Withers. Sokol Balla është autor edhe i dy libra vetë tjerë “Antishqiptari”, i botuar në vitin 2004 dhe “Fjala e lirë, sfidë evropiane”, në vitin 2008.

  1. ANDI BUSHATI

Ka shumë nga ata që i kujtojnë Andi Bushatit se është nipi i Hysni Kapos, funksionarit të tretë më të rëndësishëm të regjimit komunist. Por, këta ose nuk e njohin fare Andi Bushatin, ose sillen fiks si në kohën e Hysni Kapos, duke i bërë biografinë. Andi Bushati nuk do t’ia dijë as për Hysni Kapon e as për ata që e përgojojnë se eshtë nipi i Hysni Kapos. Puna e tij si gazetar profesionist ka qenë dhe është kundër çdo qeverie, kundër çdo autokracie, kundër çdo kryeministri e presidenti dhe kundër atyre që kanë qenë në pushtet. Ndoshta është i vetmi gazetar në këto 30 vjet që ka qenë sistematikisht me qëndrimet e tij publike kundër Sali Berishës, Fatos Nanos, kundër Edi Ramës, kundër Ilir Metës, kundër Pandeli Majkos etj. Kështu ka bërë në vitet 1995-1997 kur me shkrimet e tij ishte refraktar ndaj presidentit Berisha. Kështu ka bërë në vitet 1997-2005 kundër kryeministrit Fatos Nano, kundër kryemnistrit Pandeli Majko, kundër Ilir Metës dhe përsëri kundër Fatos Nanos. Andi Bushati ka qenë kundër Sali Berishës në qeverisjen e tij 2005-2013, ku kulmi i tij ishte më 21 janar 2011, kur pati edhe një përplasje direkte me kryeministrin. Dhe vijon të jetë kundër kryeministrit Edi Rama që nga viti 2013 për shumë vendime që ai ka marrë dhe merr. Nëse dikush gjen një rast që Andi Bushati ka bërë një marrëveshje me një pushtetar, atëherë kanë të drejtë ta akuzojnë, jo thjesht si nipi i Hysni Kapos, por edhe me fjalët më të ashpra. Pikërisht këtu qëndron forca e fjalës dhe e penës së tij, duke e bërë një nga gazetarët më me ndikim në Shqipëri në këto 30 vjet. Gazetar në “Koha Jonë”, drejtues i revistës “Klan”, revista legjendë e tranzicionit, që arriti të ndikojë shumë në opinionin shqiptar, drejtues i emisionit “Zonë e ndaluar” në ‘Vizion Plus’, Andi Bushati ka krijuar një profil krejt të veçantë në median shqiptare. Megjithatë, kulmi dhe fuqia e tij është si analist në shtypin e shkruar dhe në debatet televizive ku ai është sistematikisht një zë kundër të gjithëve. I vetmi defekt i Andi Bushatit është marrëdhënia me teknologjinë. As merr në telefon, as hap telefonin. Gazetari Baton Haxhiu mëse një herë u ka kërkuar kompanive celulare t’ia heqin nga përdorimi i celularit numrin Bushatit, me arsyetimin se ai nuk e vë në përdorim, pra nuk e hap kur i bie numrit të tij. Kush e di? Mund të jetë duke shkruar ndonjë analizë kundër Edi Ramës. Ndoshta kundër Luzlim Bashës,ndoshta kundër të dyve bashkë. Ky është Andi Bushati.

  1. MUSTAFA NANO

Inxhinieri elektronik që si kontakt me median nisi të shkruante pamflete, përsiatje dhe gati hartime naive, për pak kohë u bë jo thjesht një zë i fortë analizash, por me një ndikim linear në jetën e medias, atë politike dhe shoqërore në Shqipëri. Mustafa Nano e ngriti profiline vet falë një erudicioni të kënaqshëm dhe step by step krijoi formatin e një analisti race të bërë vetë. Realisht Mustafa Nano ishte ai që prishi rregullin në median shqiptare, që një analist mund të bëhej pjesë e këtij sekti vetëm nëse do të ishte brenda një klani gazetarësh që mund ta pranonin të ishte pjesë. Por, pikërisht këtu qëndron suksesi i tij. Me nisjen e punës si analist rishtar në gazetën e re “Shekulli”, në vitin 1998, ai arriti t’u imponohet klanistëve vetëm me fuqinë e produktit të nxjerrë nga pesha e gishtave në tastierën e kompjuterit, duke bërë rastin përjashtimor. Në fillim emrin Mustafa Nano e morën si pseudonim. Më pas shkrimeve të tij u hidhnin një sy. Më pas akoma, gazeta “Shekulli” nuk quhej e lexuar, nëse nuk kishe lexuar Mustafa Nanon. Ndoshta ka qenë edhe fat për të që në start të karrierës targeti i shkrimeve të tij ishin dy personazhet më të rëndësishme politike në Shqipëri: Sali Berisha dhe Fatos Nano. Askush më mirë, më fort, më egër e krahasuar me “një thikë në eshtër” sesa Mustafa Nano nuk i ka sulmuar këta dy personazhe. Por karriera dhe ndikimi i Mustafa Nanos nuk mbaron këtu. Prej dy dekadash ai veçohet për debate publike shumë të forta në panelet e televizioneve, duke treguar kurajë dhe paanësi të admirueshme, edhe kur je kundër tij. Por përsëri nuk mbaron këtu. Nëpërmjet analizave të tij, por edhe lëvrimit të One man show, Mustafa Nano ka trajtuar dhe ka nxitur debat për disa tema pothuajse tabu mes shqiptarëve. Sigurisht që ka marrë edhe risk për këtë. Por, ama, është i pari që nëpëmrjet shkrimeve, emisioneve dhe reality show ka thënë disa gjëra që shumë i mendojnë, por nuk kanë guximin t’i thonë. Me kalimin e viteve Mustafa Nano kurrë nuk e la dhe nuk e lë të shkruarit si ADN-ja e tij, por paralelisht ai krijoi edhe një profil tjetër, atë televiziv. Me një emision të veçantë dhe jo klasik ‘alla Fevziu’, Nano arriti që nëpërmjet fotografisë të sjellë në studio komentin e të ftuarit, duke bërë Déjà vu-në reale të personazhit. Prisni, një armë tjetër e fortë nga e cila ka sjellë jo pak ndikim është edhe libri. Autor i disa titujve, si “Hinterlandi i kuq”, “Sandwich, a është mirë me qenë shqiptar”, “Selam Aleikum baba”, “Lamtumirë baba”, edhe nëpërmjet tyre Mustafa Nano ka sjellë dhe nxitur debat. Prisni! Lexojeni “Unë jam gegë” dhe mos debatoni!

  1. RUDINA XHUNGA

Rudina Xhungën nuk e shpalli gazetare asnjë lëvizje feministe. Ajo e zuri vendin e saj në këtë listë me punën e saj. Është e vetmja gazetare femër që ka rrezikuar jetën sa askush tjetër në këto 30 vjet. Sigurisht, ata që e njohin vitet e fundit mund të pyesin nga doli kjo? Ndërsa ata që e kritikojnë për afërsinë që ka me pushtetin, por mua që e njoh me vjen të qesh. Rudina Xhunga as që do t’ia dijë. Ajo ka bërë aq shkrime, aq intervista e aq reportazhe, saqë çdo gazetare femër tjetër në Shqipëri nuk i shikon dot as në ëndrrën më të bukur. Dhe aty ka shigjetuar majtas dhe djathtas. Pushtetarë ose jo. Dhe përtej kësaj, Rudina Xhunga ka një stil të shkruari nga më të mirët në median shqiptare dhe që asnjë vajzë tjetër në media nuk e ka. Gazetarja e specialeve në gazetën “Koha Jonë”, ka bërë aq shkrime dhe reportazhe në vitin 1997, saqë i mjafton për ta pasur të plotësuar karrierën e vet. Ishte vetëm 25 vjeçe, por shkrimet e saj bënë bujë në atë kohë dhe kanë mbetur gjatë në memorien e shqiptarëve. Reportazhi i saj në Berat, në maj të vitit 1997, me titull “Qyteti i një mbi një varreve”, duhet të shërbejë si manual për gazetarët e rinj, për kurajën e treguar dhe se si duhet të punojnë për t’u bërë gazetarë profesionistë, por edhe se si duhet të shkruajnë. Po ashtu, edhe reportazhi në Cërrik, pas vrasjes dhe djegies së trupave të gardistëve në vitin 1997. Për t’i shtuar kësaj periudhe rreziqet nga bandat, të cilat i ndeshte sa herë që shkonte për të bërë reportazhe dhe me vete kishte një bllok, një stilolaps dhe fotografin po aq legjendar të “Koha Jonë”, Gent Shkullaku. Shikoni ta krahasoni me dikë tjetër që del ose jo në ekran. Rudina Xhunga nuk e deshi ekranin për famë, por për të dhënë atë eksperiencë që kishte akumuluar. Në fillim “Dritare” në TVSH dhe më pas “Shqip” në Top Channel, Rudina Xhunga është e para femër që konkurroi denjësisht ambientin maskilist të gazetarisë shqiptare. Janë me dhjetëra emisionet e saj në këto dy hapësira, por emisioni i saj në një vizitë në Çamëri, duke marrë intervista nga banorët shqiptarë atje, është qershia e tortës profesionale të Rudina Xhungës. Me eksperiencën e rrezikut të vitit 1997 Rudina Xhunga kaloi edhe rrezikun e përndjekjes nga Asfalia greke, duke bërë që misionin e saj ta përmbushte me sukses. Një armë e fortë e Rudina Xhungës janë librat. Romanet e shkruara prej saj janë shumatorja e asaj që Xhunga nuk është thjesht një gazetare që shikon deri te metrat katrorë të zyrës së punës. Nuk e teprojmë të themi se është një lloj Oriana Falaci shqiptare. E ka përligjur që me shtatë librat e saj që ka botuar tregon se gazetaria ka një rezultante më të mirë, kur boton edhe libra. Mes tyre veçohen dy romane të botuara në të njëjtin vit, 2005, me titull “Sikur Ana” dhe “Preja e një martese të lodhur”. Nuk janë pak këto të gjitha këto punë për të mos ndikuar shumë në opinion. Dhe këtë e ka bërë Rudina Xhunga.

  1. ARTUR ZHEJI

Pinjoll i një familjeje të madhe Artur Zheji e ka justifikuar formatin e vet. Djali i studiuesit Petro Zheji dhe i aktores Besa Imami, ka shkëlqyer në media më fort sesa në profesionet e babait dhe të nënës. Për rreth 30 vjet ai ka bërë atë që pak kolegë kanë mundur ta bëjnë në media. Ka ndikuar në shumë detyra. Por pena e tij me shkrime është arma më e fortë. Ka një logjikë të fortë në analizën e tij. Ka një artikulim sipëror në cilësi dhe një pjesë mendojnë se ai më mirë shkruan sesa flet. Është më shumë ‘alla print’ sesa televiziv. Dikur gazetar i radios“Radicale” në Itali, Artur Zheji arriti kulmin e vet si gazetar analist në vitin 1999, gjatë krizës së Kosovës, në një emision në çdo mbrëmje për më shumë se tre muaj në “TV Arbëria”. Shumë pak gazetarë shqiptarë kishin aq informacion sa Artur Zheji, por analizat e tij kishin vlerë informuese dhe analitike. Zheji për shumë vite ka qenë drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, një kohë ku spikatën jo pak ndryshime. Ka një përvojë si drejtues i gazetës “Mapo”, duke krijuar një stil të veçantë. Më pas ai kaloi në planin televiziv, me emisionin qendror politik “360 gradë”, në fillim në “News 24” dhe tashmë në televizionin “Ora News” duke i dhënë goxha peshë këtij televizioni. I vetmi “defekt” në karrierën si gazetar i Artur Zhejit është se në vitin 1991 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.

  1. ANDI BEJTJA

Andi Bejtja është gazetari më i ndershëm i listës dhe nga më ndershmit në median shqiptare. Një shkrues brilant plot mendim dhe shterues, ai ka sot një bilanc nga më mbresëlënësit në median shqiptare. Padyshim që kulmin e ka si drejtor i informacionit në “Top Channel” dhe Tv “Klan”, por edhe si kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”, dy televizioneve më të mëdha dhe i gazetës më të madhe në vend, kur ai ishte drejtues. Aktualisht është drejtor i informacionit në “Syri tv”. Një plan tjetër i rëndësishëm në karrierën e Andi Bejtjas është analiza. Shkruan prej mëse 3 dekadash rregullisht, ku spikat për stilin dhe mendimin. Është e vështirë të fiksosh shkrime të dikujt që ka aktivitet të gjerë, por ndryshon puna me Bejten. Shkrimi i tij “Prapëtiusta”,në gazetën “Koha Jonë” nuk u është shqitur ende nga kujtesa jo vetëm gazetarëve, por edhe një pjese të opinionit. Andi Bejtja ka një kulminacion personal në karrierën e vet që deri më sot asnjë gazetar tjetër nuk e ka arritur në Shqipëri. Në detyrën e drejtorit të informacionit në televizionin “Vizion plus”, ai është i vetmi që ka intervistuar një president amerikan në detyrë. Më 10 qershor 2007, në Shtëpinë e Bardhë, përreth 20 minuta, Andi Bejtja bëri 10 pyetje që ndoshta janë më të rëndësishmet të drejtuara nga një gazetar shqiptar për një personalitet të huaj. A e dini pse? Se aty shqiptarët mësuan dy lajmet nga më të mirat në historinë e kombit tonë: i pari që Shqipëria do të anëtarësohej në NATO dhe e dyta që Kosova do të shpallej shtet i pavarur. Epo ku jemi mësuar ne shqiptarët me lajme kaq të mira, të dala nga një intervistë e një gazetari shqiptar me një president amerikan? Andi Bejtja e ka bërë këtë dhe askush nuk mund t’ia mohojë. Dhe ndershmëria e tij deri nën ai vitet u tregua edhe në këtë intervistë, kur rrëfeu se Shtëpia e Bardhë e zgjodhi Andi Bejtjen mes gazetarëve shqiptarë, sepse televizioni ku ai punonte ishte më asnjanës se sa “Top Channel” dhe “TV Klan”. Por, ashtu si edhe në fushat e tjera, modestia është tipari gazetarëve të mëdhenj. I tillë është modesti Andi Bejtja.

 

 

 

Të fundit

Sara shtatzënë/ Reagon Bardhi: Faleminderit Zotit, inshallah e përjeton secili prej jush

Sara Gjordeni dhe Bardhi së shpejti do të bëhen prindër. Lajmin e konfirmoi vetë dyshja përmes një postimi në...

Papunësia afatgjatë arrin nivelin më të lartë që nga viti 2017

Papunësia afatgjatë te të rinjtë, shënoi rritje të ndjeshme në vitin 2023, edhe pse tregjet e punës dhe sektorët e ekonomisë po importojnë punonjës...

Si një drejtues mund t’i përdorë, për të mbajtur të bashkuar anëtarët e një grupi pune

Grupet e punës kanë objektiva të qarta dhe të përcaktuara për të arritur qëllimet e përcaktuara. Ato zakonisht zhvillohen rreth një udhëheqësi dhe ndjekin...

Pas ndarjes, nuk do të mund ta harroni atë, por ndërkohë mund të rindërtoni jetën tuaj!

Një nga mendimet që krijon shqetësimin më të madh te njerëzit që po përpunojnë fazën e ndarjes dhe që përpiqen të lënë pas një...

Si mund t’i japësh mbështetje emocionale partnerit gjatë një periudhe të vështirë

Ndihma për të shëruar dhe ushqyer zemrën e partnerit tuaj, kur ai kalon një përvojë stresuese ose të dhimbshme, kërkon të dini se si...

Lajme të tjera

Web TV