Dështon tryeza për reformën zgjedhore, edhe pas ndërhyrjes së ambasadës amerikane, që konsultoi palët deri afër mesnatës
Nga Blerina Gjoka
Këshilli Politik nuk arriti dot në një marrëveshje, duke e shkelur afatin e datës 31 maj, të premtuar nga partitë. Negociatat e gjata përfunduan pa sukses, pasi palët nuk ranë dakord për formulat e administrimit të zgjedhjeve. Katër orë negociata nuk mjaftuan për t’u pajtuar për çështje të cilat kishin muaj që i kishin në tavolinë. Ndërhyrja e ambasadës amerikane ishte e fortë mbrëmë, pasi një përfaqësues diplomatik i kësaj ambasade ishte në Pallatin e Kongreseve, ku po zhvillohej takimi i partive, duke u përfshirë madje në mënyrë të drejtpërdrejtë në negociata me palët. Sipas përfaqësueses së opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, tha se amerikanët ishin investuar që të arrihej konsensus, por partitë politike dështuan sot.
Bisedimet e PS-së në pushtet dhe dy partive të opozitës së bashkuar që janë jashtë Parlamentit, PD e LSI, janë fokusuar kryesisht tek administrimi i zgjedhjeve, që nga përbërja e KQZ-së, komisionet e votimit e numërimit, gjykatat që duhet t’i gjykojnë ankesat zgjedhore dhe deri te thembra e Akilit të këtyre negociatave, që besohet se është qeveria kujdestare, nga e cila opozita nuk heq dorë.
Oerd Bylykbashi i PD-së fajësoi mazhorancën, pasi, sipas tij, PS-ja nuk hiqte dorë nga privilegjet, kurse opozita ishte gati për konsesus. ”Ofruam konsensus për çështjet e rëndësishme. PS-ja nuk ishte gati. Opozita nuk heq dorë nga garancitë për votën e qytetarëve shqiptarë dhe për një proces zgjedhor që krijon legjitimitet për të gjithë aktorët. Do të vijojmë punën për konsensusin dhe presim nga PS-ja të jetë gati. PS-ja do të mbajë privilegjet dhe të kapë komisionet apo KQZ-në. Boshllëqet që ata duan të lënë janë të mëdha. Falënderoj kontributin e partnerëve ndërkombëtarë në përpjekjet për të gjetur kompromis, kemi bërë lëshimet tona, por PS-ja nuk hiqte dorë nga privilegjet e qeverisë mbi procesin zgjedhor. Jemi para një modeli të ri, por nuk mund të jetë pronë e PS-së. Le të kuptojë që procesi i administratës, ngritja e një administrate që garanton depolitizmin nuk mund të jetë fals, komisionerë të maskuar.”- sqaroi në vija të përgjithshme Bylykbashi. Ndërkohë debatet brenda janë marrë me detaje teknike të formulimeve të neneve përkatëse të kodit të ri zgjedhor.
Gjiknuri: Opozita u tërhoq, ne i kemi votat ta miratojmë kodin zgjedhor
Përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, fajësoi opozitën për dëshmtimin e tryezës së 31 majit, duke thënë se mazhoranca ka treguar vullnet për konsensus, duke pranuar numrin më të madh të parakushteve të vendosura nga opozita për këtë reformë. Ai tha se opozita u tërhoq edhe për çështje për të cilat ra dakord me dëshmitarë ndërkombëtarë. Gjiknuri, i cili foli i fundit pas tryezës së mbrëmshme, bëri me dije se ai do të hartojë një draft ndryshimesh në kodin zgjedhor dhe do ta dërgojë këtë në komisionin e posaçëm parlamentar, për të vijuar më tej me miratimin e saj, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë më përpjepje për marrëveshje me opozitën.
Hajdari: PD e PS punojnë vetëm për interesat e tyre
Deputetja Rudina Hajdari ka mbajtur një deklaratë me tone të larta në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik, ku nuk u arrit asnjë marrëveshje për reformën zgjedhore. Sipas Hajdarit, PS-ja dhe PD-ja ia mbyllën derën edhe ambasadës amerikane, e cila përfaqësohej nga diplomati Ian Crawford.
“Dua të falënderoj ambasadën amerikane që ‘u ngujua’ sot në këtë ndërtesë dhe nuk ndaloi në përpjekje për t’i dhënë zgjidhje reformës zgjedhore. Edhe këtë herë negociatat dështuan, sepse partitë politike janë këtu vetëm për interesat e kryetarëve dhe bizneset e tyre. Pse mendoni ju se vijnë amerikanët këtu? Vijnë sepse duan të mbrojnë interesin e shqiptarëve, por edhe këtë herë ua mbyllën derën. U thanë se nuk janë gati të bëjnë marrëveshje. Në momentin e fundit u tërhoqën. Ata (amerikanët) ishin të investuar që të kishim një zgjidhje. Ambasada amerikane kërkon që kjo reformë të ketë bekimin e qytetarëve shqiptarë”, tha Hajdari. Megjithatë, deputetja e opozitës parlamentare theksoi se “loja është e hapur akoma” dhe se do të vazhdojë të demaskojë “fytyrën e këtyre njerëzve”, duke iu referuar përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së.
Ambasada amerikane, rol kyç në negociata
Negociatat e mbrëmshme patën vëzhgues kryesor ambasadën amerikane në Tiranë. Edhe pse nuk ishin pjesëmarrës në tryezën e partive, një përfaqësues i ambasadës së SHBA-së ka mbërritur në Pallatin e Brigadave, në mes të negociatave, dhe ka marrë veçmas në takim Damian Gjiknurin e PS-së dhe Oerd Bylykbashin e PD-së, të cilët janë dhe palët kryesore në këtë tryezë. Besohet se diplomati amerikan ka diskutuar me ta për ecurinë e diskutimeve në tryezë dhe ka ripërcjellë edhe një herë merakun e kësaj ambasade për arritjen e konsensusit politik. Në këtë takim nuk morën pjesë dy përfaqësuesit e tjerë të tryezës së Këshillit Politik, Rudina Hajdari e opozitës parlamentare dhe Petrit Vasili, zv/kryetar i LSI-së. Tri ishin pikat ku janë ndarë prej ditësh palët dhe nuk po gjenin zgjidhje, të gjitha kërkesat e opozitës jashtëparlamentare, si identifikimi biometrik i votuesve, depolitizimi i administratës zgjedhore, si dhe sistemi i ri zgjedhor, një pikë ku vetë ambasadorja amerikane, Yuri Kim, kishte sugjeruar të ndryshohej, për të garantuar një demokraci sa më përfaqësuese. Por, ajo që ka mbajtur më gjatë peng një marrëveshje mes palëve është propozimi këmbëngulës i opozitës për qeverinë kujdestare, e cila do të ketë si detyrë organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Propozimi: Detyrat e qeverisë kujdestare
100 ditë përpara ditës së zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë, miraton përbërjen e Qeverisë Kujdestare të Zgjedhjeve, e cila pas betimit përpara presidentit të Republikës, fillon ushtrimin e detyrës për të garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me funksion të posaçëm ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. Ky rregull zbatohet deri në hyrjen në fuqi të marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sipas formulimit, Qeveria Kujdestare e Zgjedhjeve ka për detyrë: të sigurojë asnjanësi dhe paanshmëri të institucioneve të administratës publike në procesin zgjedhor; të sigurojë barazinë e trajtimit midis kandidatëve dhe partive të ndryshme në lidhje me burimet administrative; të sigurojë barazi ndërmjet të gjitha subjekteve zgjedhore, duke e mbrojtur procesin nga keqpërdorimi i mundshëm i burimeve administrative për qëllime politike.
Por, opozita i ka kushtuar vëmendje dhe përdorimit të aseteve publike në fushatë, duke kërkuar në propozimin e saj ndalimin e përdorimit të administratës publike për zgjedhjet. Në nenin përkatës për ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore thuhet: “Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër, ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia”.
Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore.
Po ashtu, gjatë fushatës zgjedhore ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucionet apo entet publike, me përjashtim të rasteve të përligjura apo rasteve të parashikuara në nenin 5/2 të këtij ligji. Konsiderohen raste të përligjura rastet kur lëvizja apo lirimi nga puna vjen si rrjedhojë e shkeljeve, sipas legjislacionit përkatës, ose marrja në punë bëhet brenda strukturës dhe organikës në fuqi përpara fushatës zgjedhore nga institucioni apo enti publik në përmbushje të misionit të tij. Bëjnë përjashtim rastet e emergjencave për shkak të ngjarjeve të paparashikuara që diktojnë marrjen në punë.
Opozita kërkon që Kushtetuesja të jetë gjykatë zgjedhjesh
Një tjetër çështje ku nuk kanë rënë dakord palët është dhe propozimi i opozitës për rolin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet. Në vijim të debatit për Kolegjin Zgjedhor dhe diskutimit mbi propozimet e ndryshme, duke qenë se asnjë zgjidhje nuk gëzon konsensusin e nevojshëm, opozita propozon që organi gjyqësor kompetent për shqyrtimin e ankesave zgjedhore të jetë Gjykata Kushtetuese, e cila do t’i gjykonte ankimet me një panel prej tre gjyqtarësh. Propozimi u jep përgjigje disa pikëpyetjeve fillestare, të ngritura në Keshillin Politik, si më poshtë: 1- A është Gjykata Kushtetuese kolegj zgjedhor dhe në këtë kontekst gjykon me një kolegj me 3 gjyqtarë? 2- Apo është Kolegji Zgjedhor që përbëhet nga 3 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese? Në rastin e parë ekspertët do të shihnin në qoftë se Kushtetuta ia lejonte GjykatësKushtetuese ta kryente këtë funksion. Në rastin 2 do të shihnin në qoftë se gjyqtarët kushtetues mund ta luanin këtë rol. Çështja tjetër është në qoftë se këtë e shohim si zgjidhje të përhershme apo të përkohshme, derisa të kalojnë vetting-un gjyqtarët e gjykatës së apelit administrativ? Gjithashtu, a mund ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese të gjithë problematikën para dhe paszgjedhore?/Fjala.al