Adrian Civici posaçërisht për “Fjala”: Mangësitë e PBB-së në matjen e performancës ekonomike dhe mirëqenies

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Adrian Civici

“Jeni politikan i një vendi të varfër? – Atëherë, bëni përpjekje për rritjen e të ardhurave kombëtare; keni borxhe të brendshme/jashtme? Nuk mund t’i përmbushni obligimet dhe t’i zvogëloni ato pa shtimin e rritjes ekonomike; keni pabarazi ekonomike, sociale e territoriale? Filloni të shtoni madhësinë e “tortës” që duhet të shpërndani, pra shtoni rritjen ekonomike që të keni më shumë para në dispozicion; buxheti publik nuk është i mjaftueshëm për të realizuar kërkesat/objektivat? Përmirësoni politikën fiskale dhe rrisni mundësinë e aktiviteteve prodhuese në të gjithë sektorët e ekonomisë; aksionerët e kompanisë reklamojnë më shumë fitime? Atëherë, përpiquni të shtoni vëllimin e prodhimit dhe shitjet; kërkoni një vend pune dhe nuk e gjeni dot? Kërkoni paga më të larta dhe mundësi më të mëdha konsumi? Bizneset presin vetëm përmirësimin e rritjes ekonomike për t’i plotësuar këto kërkesa. Por, a është një përgjigje shteruese për të gjitha këto pyetje vetëm rritja e PBB-së?”

Një nga akronimet më të përhapura e më të përdorura nga ekonomistët është PBB, që nënkupton “Prodhimin e Brenshëm Bruto”. PBB citohet vazhdimisht në media, deklarata politikanësh, raporte e studime, analiza të bankave qendrore dhe mjediseve ekonomike e financiare etj. PPB-ja shërben si pikë reference për shëndetin e ekonomisë në shkallë kombëtare e ndërkombëtare. Rritja e PBB-së konsiderohet si “shkopi magjik” për rritjen e pagave, konsumit, mirëqenies, zhvillimit ekonomiko-social të një vendi apo akoma dhe më gjerë, ekonomisë botërore. Institucionet kryesore ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore, BERZH, OCDE etj., apo dhe çdo qeveri, sukseset e saj apo përballjen me kritikat e ballafaqon me shifrat e rritjes ekonomike që realizon. Në raport me PBB-në në përqindje llogaritet: borxhi publik; deficiti buxhetor; investimet publike; investimet e huaja direkte; ngarkesa fiskale; kredia bankare etj.

Debatet dhe projektet për rritjen ekonomike shoqërohen edhe në Shqipëri me pyetje e konkluzione të tilla si: në çfarë niveli rritja ekonomike shndërrohet në zhvillim ekonomik e social? Sa dhe si “përkthehet” ajo në mirëqenie dhe progres? Rritja ekonomike është sasiore apo cilësore? Si ndikon rritja ekonomike në zhvillimin e qëndrueshëm? Cilat janë lidhjet ndërmjet rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar dhe bankar? Rritja ekonomike është “miqësore” apo “agresive shkatërruese” me mjedisin? Sa e kënaqur ndihet popullsia me rritjen ekonomike/efektet e saj në jetën e përditshme? etj.

Nga studimet e tipareve dhe përmbajtjes së rritjes ekonomike në Shqipëri, në përgjigje të pyetjeve e dilemave të mësipërme, dalin në evidencë një seri problematikash që na “portretizojnë” rritjen tonë ekonomike dhe defektet e saj: rritje ekonomike mjaft e luhatshme në funksion të cikleve të biznesit, konfliktualitetit politik dhe koniunkturave ndërkombëtare; rritje ekonomike jo cilësore që përfaqësohet dhe ndikohet shumë pak nga progresi teknik, teknologjitë e reja, sofistikimi i biznesit, start-ut, sektorët e zhvilluar industrialë, niveli i produktivitetit të ekonomisë etj.; rritje ekonomike jo gjithëpërfshirëse, por me tipare të theksuara përjashtuese, në raport me shpërndarjen territoriale, grupe të ndryshme sociale etj.; rritje ekonomike që përkthehet me vështirësi në mirëqenie e punësim; rritje ekonomike aspak miqësore me mjedisin, energjinë e rinovueshme, cilësinë e jetës etj.

PBB-ja është më shumë se një indikator. Ajo përfaqëson një model shoqërie që ka influencuar jo vetëm politikat ekonomike, por edhe proceset politike dhe kulturore. Stili ynë i jetës është i përcaktuar nga cikli i vazhdueshëm i prodhim-konsumit, i thjeshtëzuar nga PBB-ja. Ky tregues ka “kolonizuar” gjuhën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit në nivel botëror. Grupimet ndërkombëtare të vendeve më të zhvilluara, si G8 ose G20, përcaktohen në bazë të PBB-së. Ndarja në vende të zhvilluara dhe në vende në zhvillim, ndarja midis botës së parë e botës së tretë janë të lidhura me vlerën nominale të PBB-së.

Deri në vitet ‘30, në të gjitha vendet e zhvilluara nuk ekzistonte asnjë indikator për të ndjekur dhe shprehur shëndetin e aktivitetit ekonomik, ndërkohë që statistikat që mbaheshin e publikoheshin ishin mjaft të pjesshme e të shpërndara. Kjo situatë bënte që vendimmarrja, analizat dhe qeverisja ekonomike të bëhej në mënyrë pjesore e subjektive. Kriza e depresionit të madh të viteve ‘29-‘33 evidentoi domosdoshmërinë e indikatorëve dhe instrumenteve që e masin në mënyrë sistematike dhe sintetike gjendjen ekonomike e financiare të një vendi apo ekonomie të caktuar.

Në vitin 1934 ekonomisti Simon Kuznets propozoi për herë të parë llogaritjen e një indikatori specifik të quajtur «e ardhura kombëtare» që më vonë u cilësua si Prodhim i Brendshëm Bruto (PBB), me anë të së cilës llogariti dhe humbjet e të ardhurave të SHBA-së gjatë viteve ‘29-‘33. Ky tregues u përdor edhe për të vlerësuar efektet e politikave intervencioniste të «Neë Deal» të Presidentit Roosevelt, të aplikuara në kuadrin e luftës kundër pasojave të depresionit të madh dhe ridinamizimit të ekonomisë amerikane. Që prej asaj kohe, PBB-ja është agregati kryesor, që në kuadrin e kontabilitetit nacional, llogarit dhe shpreh shëndetin dhe ecurinë e ekonomisë së cdo vendi.

Si matet PBB-ja? PBB mat vlerën monetare të mallrave dhe shërbimeve (që ble konsumatori final) të prodhuara në një vend gjatë një periudhe të dhënë (tremujore, vjetore). PBB-ja kontabilizon gjithçka që prodhohet brenda territorit të një vendi. PBB-ja nënkupton mallrat dhe shërbimet e prodhuara për t’u shitur në treg, si dhe disa produkte të tjera specifike jo tregtare, si shërbimet shëndetësore, edukimi, mbrojtja etj., të cilat ofrohen si shërbime publike nga ana e shtetit. Matja e PBB-së bëhet nga institutet kombëtare statistikore të çdo vendi. Në Shqipëri PBB-ja matet nga INSTAT-i. Llogaritja e saj bëhet në kuadrin e sistemit të kontabilitetit nacional, në përputhje me normat ndërkombëtare të përcaktuara që në vitin 1993 nga FMN, Komisioni Europian, OECD, OKB dhe Banka Botërore.

Lexo edhe :  BE miraton 6 mld euro për Ballkanin, reagon menjëherë kryeministri Rama

Përveç PBB-së, në kuadër të kontabilitetit kombëtar, llogaritet dhe treguesi “Prodhimi Kombëtar Bruto” (PKB), që përfaqëson vlerën e produktit të prodhuar nga faktorët e prodhimit që zotërohen nga banorët rezidentë të një vendi. PKB ndryshon nga PBB. Ai nuk përfshin të mirat dhe shërbimet të cilat prodhohen në vendet e tjera, pa marrë parasysh se burimet për prodhimin e tyre mund të jenë në pronësi të qytetareve tanë. PKB përfshin të mirat dhe shërbimet të cilat qytetarët e vendeve të tjera i prodhojnë në vendin tonë. Pra, të ardhurat të cilat vijnë nga bashkatdhetarët tanë që punojnë jashtë janë pjesë e PKB-së, por jo të PBB-së.

Matja e PBB-së mund të bëhet me tri metoda: 1. Metoda e Prodhimit – PBB është shuma e vlerave të shtuara bruto sipas degëve të ndryshme të ekonomisë, duke shtuar taksat e tatimet dhe duke zbritur subvencionet mbi produktet; 2. Metoda e Shpenzimit – Sipas kësaj metode PBB-ja është shuma e përdorimeve finale të mallrave dhe shërbimeve nga njësitë rezidente institucionale (konsumi aktual final, formimi i kapitalit bruto dhe ndryshimi i  gjendjeve të  inventarëve), plus eksportet, minus importet e mallrave dhe shërbimeve; 3. Metoda e të Ardhurave – PBB është shuma e përdorimeve në llogarinë e gjenerimit të të ardhurave në ekonomi në tërësi (kompensimi i punonjësve, taksat për prodhimin dhe importet, pa përfshirë ndihmat, surplusi operativ bruto dhe të ardhurat mikste të ekonomisë në tërësi).

Ndryshimi midis rritjes së PBB në terma nominalë dhe rritjes në terma realë. PBB-ja nominale mat vlerën e produkteve për një periudhë të caktuar kohore, me çmimet e periudhës në të cilin prodhohet produkti; PBB-ja reale mat produktin total të prodhuar në një ekonomi, për një periudhë të caktuar kohore, por duke marrë parasysh çmimet e një viti bazë të dhënë, i cili mund të jetë viti paraprak ose një vit i caktuar si vit bazë.

Diferenca midis “rritjes reale të PBB” dhe “rritjes në volum të PBB”. Për PBB-në të dy termat nënkuptojnë të njëjtën gjë, që është ajo pjesë e ndryshimit në PBB-në nominale që nuk shkaktohet nga rritja e çmimeve, por nga rritja në sasi ose cilësi e të mirave dhe shërbimeve të prodhuara. “Rritja në volum” është një term i rezervuar për agregatë të lidhur me volumin e prodhimit, për të cilën sasia dhe cilësia fizike mund të maten në mënyrë direkte, që konsiston në vlerën e PBB-së së matur duke shumëzuar sasinë e prodhuar në vitin korrent me çmimet e vitit bazë.

Vështirësitë dhe defektet e PBB-së. Në ditët e sotme, konvergjenca e krizave ekonomike, shoqërore dhe mjedisore ka bërë që mjaft ekonomistë dhe politikanë të hapin një debat të gjerë në lidhje me defektet dhe devijimet evidente të shfaqura nga indikatori PBB. PBB-ja është bruto, sepse nuk konsideron amortizimin e mjeteve të prodhimit (p.sh. makineritë); PBB-ja nuk llogarit gjithçka që shkëmbehet jashtë tregut (p.sh. brenda familjes, në ekonominë informale, shkëmbimet në natyrë ose dhuratat); PBB-ja nuk llogarit vlerën e burimeve natyrore, të cilat shfrytëzohen në procesin e rritjes ekonomike, sepse këto ofrohen falas nga natyra; PBB-ja nuk konsideron kostot ekonomike të ndotjes dhe të degradimit të mjedisit, pasoja të zhvillimit industrial; PBB-ja nuk e merr parasysh vlerën e shërbimeve të ofruara në kontekstet familjare, të komuniteteve lokale dhe të vullnetarizmit; PBB-ja mat të ardhurat, por jo barazinë, mat rritjen, por injoron vlerat morale, kohezionin e shoqërisë dhe mjedisin; PBB-ja nuk e mat dot ekonominë informale dhe natyrore. Një vend mund të shkatërrojë sistemin e tij shoqëror, të shpërdorojë burimet natyrore, të ndotë në mënyrë të pakthyeshme ekosistemet dhe sërish PBB-ja e tij do të rritej, duke i regjistruar këto abuzime si progres ekonomik.

Komisioni mbi matjen e performancës ekonomike dhe progresit shoqëror, i ngritur me iniciativë të qeverisë franceze më 2008, i cili u drejtua nga nobelistë e ekonomistë të shquar, si Stiglitz, Sen, Fotoussi, Kenneth Arrow, Daniel Kahneman, Nicholas Stern, Anthony B. Atkinson etj., nënvizoi pamjaftueshmërinë e thellë të PBB-së si masë e performancës ekonomike, duke theksuar rreziqet e lidhura me përdorimin e tij si tregues progresi: “Kjo do të çonte në përfundime çorientuese rreth mirëqenies së njerëzve, duke çuar në vendime të gabuara politike”. Vetë Kuznets, që në 1934, paralajmëroi rreth rrezikut të abuzimit me PBB-në, duke nënvizuar se mirëqenia e një kombi nuk mund të kuptohet vetëm nga një masë e të ardhurave kombëtare… se nuk kishte kuptim promovimi i rritjes së PBB-së si qëllim në vetvete. Nuk ishte sasia, por cilësia e PBB-së ajo që i interesonte Kuznets-it. Ai e dinte se mënyra se si matet performanca ekonomike influencon në mënyrë të pashmangshme vendimmarrjen ekonomike dhe politike.

Kuznets rekomandoi që çdo brez të kishte lirinë të ndryshonte mënyrën e matjes së progresit, duke formuluar dhe riformuluar treguesit në varësi të kushteve të reja. Në kohën e sotme vazhduesit e punës dhe vizionit të Kuznets-it, po shkojnë akoma më tej, duke e kompletuar dhe plotësuar PBB me një tregues tjetër më të përshtatshëm e më domethënës : “kënaqësia e brendshme bruto” (KBB), ose e thënë ndryshe sa e kënaqur është popullsia nga ekonomia e saj, si i ndien ajo në jetën e përditshme të plotësuara nevojat e saj./Fjala.al

Të fundit

Njohja e pensioneve me Italinë, miratohet marrëveshja në Komisionin e Ligjeve në Kuvend

Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve të mbi 500 mijë shqiptarëve u diskutua ditën e sotme në komisionet parlamentare...

Rama e fitoi ‘bastin’ me Athinën

Nga Hamdi Jupe  Kryeministri shqiptar Edi Rama e fitoi “bastin” me Athinën zyrtare për organizimin e një tubimi me shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në...

TV si TikTOK

Nga Lutfi Dervishi Televizioni, gjyshi i medias, po përjeton krizë identiteti. Por në vend që të plaket me hijeshi, duke treguar përvojnë dhe mençurinë, ka...

Stuhitë/ Pse vetëtimat lëvizin në zigzag?

Rrufeja godet kur krijohet një ndryshim potencial elektrik brenda një reje , ose midis resë dhe tokës. Dhe pjesa e ndritshme e rrufesë është në fakt pjesa e...

U thirr nga SPAK/ Bardhi kërkon të pyetet një ditë tjetër: Do shkoj në Berlin dhe Londër

Në Prokurorinë e Posaçme ka mbërritur një shkresë e Gazmend Bardhit i cili ka kërkuar që marrja në pyetje e tij të mos zhvillohet...

Lajme të tjera

Web TV