Shkënde Lili, detektivja private në gjurmim të tradhtarëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Detektivja private sjell më pranë profilin e profesionit dhe problemet që shtrohen më së shumti për të marrë zgjidhje. Nga tradhtitë bashkëshortore deri te vrasjet e pazbuluara prej vitesh, Shkënde Lili prek si çështje edhe ligjshmërinë dhe kufijtë që ka një detektiv në Shqipëri

Nga Alessia Selimi

Një grua e veshur në mënyrë sportive po qëndron pas një kolone të bardhë muri. Po u fshihet shikimeve zhbiriluese, ndërkohë struket kruspull me duar të bashkuara. Është në pritje të detektives Shkënde Lili. Diç e mundon.

“Fjala” ndodhet në qendrën tregtare të njërës prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, pikërisht për të njohur më nga afër profilin e një detektivi, që në parim duhet të jetë i fshehtë, ndonëse tashmë është një profesion i licencuar, i mbështetur në një vendim gjykate. Zyra e Shkëndes ndodhet në katin e tretë. Sikur kjo e fundit të mos denjonte të na priste, do të ishte lehtësisht e kuptueshme se në krye të agjencisë investigative qëndron një grua, kjo falë shijes në arredim dhe fotografive të varura në mur.

Shkënde Lili ka dy palë sy vëzhgues dhe hetues, një zë me ngjyrë të pazakontë, si dhe një qëndrim prej çunaku, ndonëse mban veshur këpucë me taka të larta. Ajo gëzon prej pesë vitesh lincencën e detektivit, dhe është pjesë e brezit të parë të agjentëve të formuar në Institutin e Detektivit Privat. Ndonëse ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, Shkëndja donte me patjetër të investonte në një të ardhme me adrenalinë, pasion. Shqipëria, një vend i vogël, është njëkohësisht i madh për sa u përket problemeve, sipas saj. Por për çfarë i punësojnë konkretisht shqiptarët detektivët privatë?

“Ka kërkesa për tradhti bashkëshortore, divorcet “pa fajtor”, nga të cilat mund të përftohen pasuri ose prona, vjedhjet e pazbuluara, mashtrimet në fushën e biznesit , e deri te vrasjet e pazgjidhura dhe njerëz të humbur ndër vite”, tregon Shkënde Lili, duke shtuar se nuk janë të paktë edhe ata prindër që i drejtohen për të kontrolluar aktivitetin e fëmijëve adoleshentë, të cilët janë lehtësisht të prirur drejt përdorimit të drogës dhe mosfrekuentimit të shkollës.

Kjo grua 30-vjeçare pohon se sikurse kolegët e saj, me të cilët bashkëpunon dhe operon në terren, është e specializuar në hetime ligjore dhe penale, gjurmim statik dhe në lëvizje, hetime financiare, mungesën ose zhdukjen e personave, hetim të aksidenteve rrugore, të zjarrvënieve me dashje dhe të vrasjeve të pazbuluara.

“Ligji i detektivit nuk është miratuar ende, por ky profesion mbështetet në ligjin e profesioneve të lira, miratuar me VKM. Jemi të ligjshëm, sepse nuk e shkelim privatësinë e askujt. Detektivët nuk futen në ambiente private, si shtëpi apo zyra. Ne përgjojmë dhe fotografojmë në ambiente të jashtme, fjala vjen në kafe”, sqaron Shkëndja.

Kur i prezantojmë një rast, jo rrallë herë të dëgjuar, si ajo e vendosjes në makinë të një sistemi navigimi satelitor (GPS) që ofron informacion për vendndodhjen dhe kohën, Shkëndja duket se e ka gati përgjigjen.

“Unë ia parashtroj si opsion klientit, pra në një farë mënyre ia shes, dhe është vetë ai që e vendos tek automjeti i të dyshuarit. Këtu nuk ka asgjë të paligjshme”, thotë ajo me një të qeshur të lehtë, duke nënvizuar se “asnjë punë e kryer nuk bëhet pa një kontratë të firmosur dhe vulosur për mbrojtjen e të drejtave të të dy palëve dhe ruajtjen e konfidencialitetit.”

Shkëndja, si detektivja e parë femër, doli për të parën herë në televizion rreth katër vite më parë. Nga ajo kohë, shumëçka ka ndryshuar. Për të dalë tashmë në terren i duhet të maskohet në varësi të çështjeve të marra përsipër. Edhe pse, detektivët e zyrës së saj janë më të angazhuar në shkeljen e “zonave të minuara”. Shkëndja nuk përmend një shifër për shërbimin e ofruar, por sipas burimeve të gazetës “Fjala” një detektiv paguhet shumë mirë.

Lexo edhe :  Më pak shpendë në Ohër e Prespë, shkak ngrohja globale

Të zbulosh në rast se partneri apo partnerja ju tradhton, kushton jo më pak se 1500 euro, dhe se ky çmim vetëm rritet kur kërkimet kërkojnë  më tepër kohë. Për sa u takon rasteve të hetimeve në fushën e biznesit, çmimi është pa dyshim më i kripur. Detektivët punësohen për të kërkuar prova, të cilat jo gjithmonë gjenden apo ekzistojnë.

“Nëse ndalemi te dyshimet për tradhti, ka ndodhur jo rrallëherë që kanë rezultuar të gabuara. Një ftohje në çift është përkthyer në një sjellje në kundërshtim me statusin martesor, kur në të vërtetë njëri partner mund të ketë pasur probleme të tijat, që nuk ka preferuar t’i ndajë”, thotë Shkëndja.

Kur e pyesim për pengesat e hasura rrugës, 30-vjeçarja përmend këmbënguljen e prindërve dhe të bashkëshortit për të hequr dorë nga ky profesion.

“Ata nuk donin kurrsesi që të merresha me një punë të këtillë, kur mund të të rrezikohet edhe jeta, nëse të ndodh të përballesh me njerëz gjaknxehtë. Kanë insistuar për një kohë të gjatë që unë të hiqja dorë. Ndikoheshin edhe nga fakti i të qenët femër, por në ka diçka që më karakterizon, ajo është vendosmëria. Tani që jam nënë e një vogëlusheje, gjithçka është bërë më e vështirë për mua. Megjithatë, nuk kam ndër mend të heq dorë. Unë po bëj atë çka kam ëndërruar ngahera. Kur isha veçse një fëmijë, shihja filma policeskë, dhe s’doja asgjë më shumë sesa të bëhesha një police”, shprehet Shkëndja duke shtuar se detektivi dhe polici takohen në një pikë të rrugës, aty ku ndodhet drejtësia dhe e vërteta.

Por sa e lehtë është të jesh detektive dhe jesh protagoniste e një jete të qetë?

Unë jam tipi që dua të vëzhgoj çdo gjë, nuk i besoj askujt. Fatkeqësisht profesioni im ka ndikuar shumë në jetën time personale. Bashkëshorti më thotë të mos e ngatërroj profesionin me familjen. Edhe nëse udhëtoj në një ditë më se të zakonshme me makinë, nëse shoh pas vetes për disa minuta një automjet, të jeni të sigurt që do ta ndërroj rrugën dhe do të bëj çdo gjë është e mundur për ta lënë pas, edhe pse në të vërtetë makina në fjalë nuk mund të ketë asnjë lloj lidhjeje me mua”, thotë Shkëndja, së cilës tashmë i duhet të presë gruan që po e pret jashtë dyerve të zyrës.

Përshendetemi me të dhe largohemi. Ndërkohë, vijojnë shikimet zhbiriluese. Kjo grua, me një çantë që e tërheq pas vetes, po vrapon lehtas. Tik-taku i orës nuk ndalet. Ajo do të rrëfejë atë çka e mundon.

Të fundit

I dhanë fund martesës 30-vjeçare, reagon për herë të parë gruaja e Pep Guardiolas

Cristina Serra, gruaja e Pep Guardiola-s, ka folur për herë të parë pas ndarjes nga trajneri i Manchester City-t...

5 veshjet më të ngrohta dimërore

Kombinojini me çizme dhe mbështilleni menjëherë nw tw ngrohtw. Asgjë më mirë se një fustan dimëror nuk zgjidh pamjet e periudhës dhe përshtatet me...

Paga, bonuse dhe argëtim/ Sa dollarë përfiton Donald Trump si president i SHBA?

Paga e Presidentit të SHBA-së nuk është rritur për më shumë se 20 vite. Ky tregues nënkupton që Donald Trump si president do të...

Rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore, si paraqitet situata në rrugë

Mbrëmjen e djeshme, janë rikthyer reshjet e dëborës në zonat malore në qarkun e Shkodrës. Në akset Lepushë-Vermosh dhe Bogë-Theth, gjatë natës ka patur reshje...

U zhduk në mënyrë të mistershme, gjendet i mbytur në Lumin e Shalës babai i tre fëmijëve

Edison Oruqi, është gjetur i mbytur në ujërat e lumit të Shalës, në Koman. Kanë qenë familjarët të cilët kanë kryer kontrolle gjatë paradites...

Lajme të tjera

Web TV